LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë bën bilancin/ Për 8 muaj me 3 anëtarë shqyrtuam rreth 2 mijë çështje

29 Dhjetor 2020, 10:54, Aktualitet CNA
Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë bën bilancin/ Për 8

Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka dhënë një deklaratë për shtyp mbi ecurinë e institucionit dhe pritshmëritë e kërkesat.

Sipas Sadushit, në 8 muaj nga prilli deri në dhjetor GJykata e Lartë me vetëm 3 anëtarë ka mundur të shqyrtojë rreth 2 mijë çështje, jashtë pritshmërive të qytetarëve. Sadushi thekson se në muajt e parë të 2021 kërkohet plotësimi me trupë të re i Gjykatës së Lartë.

Deklarata e plotë
Ndodhem sot përballë jush, në këtë takim të fundvitit, me detyrimin dhe njëkohësisht dëshirën për të informuar opinionin publik mbi aktualitetin, por edhe për të përçuar besimin se pavarësisht numrit të kufizuar të gjyqtarëve, Gjykata e Lartë po e kryen funksionin e vet kushtetues. Duke parë dhe analizuar të dhënat statistikore, si dhe qëndrimet e mbajtura për konsolidimin e praktikës nga të tre kolegjet e Gjykatës së Lartë, krijohet besimi dhe jepet shpresa se situata po ndryshon.
Gjykata e Lartë gjendet prej muajsh nën presionin pozitiv të opinionit publik, vendas e ndërkombëtar, të palëve që kërkojnë dhënien e drejtësisë, të gjykatave dhe praktikantëve të së drejtës që orientohen për praktikën gjyqësore, por edhe të medias, të cilët presin funksionimin e saj të plotë. Transparenca në komunikim është me rëndësi për të ndërtuar dhe ruajtur marrëdhënien e besimit të publikut tek gjyqësori, në përgjithësi dhe tek Gjykata e Lartë, në veçanti.
Sfidat kryesore të trupës së re gjyqësore, të emëruar në muajin Mars të këtij viti, ishin identifikimi i situatës, marrja e masave organizative procedurale, si dhe hartimi i një metodologjie, që do të ndihmonin në trajtimin efikas dhe cilësor të dosjeve të shumta që prisnin prej vitesh, duke mos ceduar nga objektivi strategjik i shndërrimit të Gjykatës së Lartë në modelin e një gjykate ligji, që konsolidon dhe nuk ç?orienton praktikën gjyqësore, me synim fitimin e legjitimitetit institucional dhe rritjen e besueshmërisë në publik.

Trupa e re me 3 gjyqtarë u përball me një ngarkesë prej 35,196 çështje gjyqësore të pashqyrtuara; me çështje të ardhura në Gjykatë në vitit 2010 e 2011 që prisnin shqyrtimin, të cilat ngarkoheshin, jo vetëm me detyrimin për t?u gjykuar sipas ligjit të kohës (i ndryshuar disa herë), por edhe me kompleksitetin e kthimit për rigjykim dhe mbajtjes së hapur të konflikteve të hershme mes palëve; me një numër të konsiderueshëm të vendimeve të formës së prerë të pezulluara që në vitin 2013; me vendime të prishura e të kthyera për rigjykim nga gjykatat e apelit; me një numër të lartë ankimesh të veçanta, por edhe me mjaft çështje të mbetura pezull prej vitesh, për shkak të ngritjes së mosmarrëveshjes së kompetencës nga gjykatat, apo të konflikteve juridiksionale etj. Vështirësitë e trupës gjyqësore lidhen jo vetëm me mungesën e gjyqtarëve, por edhe me
stafin e reduktuar të këshilltarëve ligjorë, të cilët ndihmojnë vendimmarrjen e Gjykatës. Përveç kësaj, trupa gjyqësore nisi punën në momentin më të papërshtatshëm, pikërisht në kohën kur të gjithë strukturat shtetërore pezulluan veprimtarinë e tyre, si pasojë e pandemisë të shkaktuar nga Covid-19. Megjithatë, nëpërmjet angazhimit të gjyqtarëve dhe të gjithë stafit të Gjykatës së Lartë, ashtu si edhe të mbështetjes të partnerëve ndërkombëtarë (Projektit ?Justice for all? të USAID- si dhe EURALIUS) një pjesë e konsiderueshme e vështirësive të rifillimit të punës, u tejkaluan.

Rifunksionimi i Gjykatës së Lartë pas një periudhe 2 vjeçare dhe me një bazë të re kushtetuese dhe ligjore në kuadër të reformës në drejtësi të vitit 2016 kërkonte kryerjen e analizës dhe interpretimit të ligjit, me synim bërjen funksionale të Gjykatës së Lartë, me të paktën tre gjyqtarë. U mbajtën qëndrime në disa vendime të rëndësishme (stare decisis), të cilat zgjidhën dilemat që kishin ekzistuar për përbërjen e trupit gjykues, për ligjin e zbatueshëm, për natyrën e dhomës së këshillimit, për formën e paraqitjes së rekurseve apo për gjobitjen e palëve për rekurse abuzive, për elementet përmbajtësor të vendimeve të pezullimit, për gjykimin përfundimtar të ankimeve të veçanta, për shmangien e konfondimit nga gjykatat në çështjet e juridiksionit ose të kompetencës, etj.

Trupa prej 3 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë, bazuar në një metodologji të qartë të hartuar prej tyre që me fillimin e detyrës, kishte si objektiv shqyrtimin sa më parë të çështjeve më të hershme dhe atyre urgjente. Rezultati i kësaj metodologjie është: për periudhën Prill-Dhjetor 2020 u shqyrtuan 1,957 çështje, nga të cilat 858 vendime (përfundimtare dhe të ndërmjetme) që i përkasin Kolegjit Administrativ, 627 vendime të Kolegjit Civil dhe 471 vendime të Kolegjit Penal.
Natyrisht, evadimi i afro 2,000 çështjeve nga tre gjyqtarë, për një periudhë 8 mujore, nuk është ajo që presin me padurim qytetarët nga Gjykata e Lartë, por sidoqoftë është një e dhënë tepër optimiste. Efekti i vendimmarrjes konseguente ka qenë jo vetëm orientimi i drejtë i praktikës gjyqësore në zbatimin e ligjit, por edhe uljen e numrit të rekurseve të reja që depozitohen, sipas kuadrit të ri kushtetues dhe ligjor të gjykimit në Gjykatë të Lartë. Pavarësisht shkakut, është fakt që gjatë vitit 2020 janë depozituar në Gjykatën e Lartë më pak se gjysma e çështjeve që janë regjistruar gjatë vitit 2019. Ky ritëm krejt i ndryshëm i veprimtarisë gjyqësore që evidentohet tek metodologjia e ndjekur, por edhe efektiviteti i punës së trupës gjyqësore ka krijuar tashmë bazën e nevojshme dhe mundësinë që pas formatimit të plotë të Gjykatës së Lartë, me 6 trupa gjykuese, numri vjetor i çështjeve të shqyrtuara të arrijë në afro 12,000 çështje. Ju sjellim në kujtesë që Gjykata e Lartë, në funksionimin e saj të plotë, ka shqyrtuar vetëm 4,413 vendime, në vitin 2017 dhe 2,330 vendime, në vitin 2018.

Krahas organizimit të ndryshëm të prirur drejt efektivitetit të veprimtarisë gjyqësore, një vlerë e shtuar në performancën e Gjykatës së Lartë, është edhe nisma e ndërmarrë nga Projekti ?Justice for all? (USAID) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, nëpërmjet nënshkrimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit mbi përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura. Vlera e këtij projekti ka filluar ndërkohë të evidentohet, por do jetë më konkrete në muajt e parë të vitit 2021. Nëpërmjet këtij projekti është realizuar inventarizimi i 22,995 çështje (66% e të gjithë volumit të çështjeve në gjykatë), ku secila prej tyre është rishikuar fizikisht, është filtruar sipas 42 pikave të veçanta të të dhënave dhe është regjistruar në databazë. Nëpërmjet këtyre të dhënave, Gjykata ka krijuar plane individuale për veprim, për çështjet penale, civile dhe administrative, të cilat do t?i japin një eficencë në rritje veprimtarisë së saj gjyqësore.

Ky angazhim i përbashkët ka qenë qartësisht orientues për objektivat tona. Ato mund të përmblidhen kryesisht në këto çështje:
– Plotësimi në muajt e parë të vitit 2021, me të paktën një trupë të re gjyqtarësh dhe, në vijimësi, formatimi i plotë i përbërjes së saj,
– identifikimi i çështjeve ligjore me përmbajtje të njëjtë në lëndë që synon marrjen e vendimeve që unifikojnë praktikën gjyqësore, – miratimi së fundmi i modelit të strukturës së Gjykatës së Lartë, si dhe përshtatja e saj me nevojat e gjykimit që paraqiten nga realiteti i ri kushtetues dhe ligjor,
– miratimi brenda tremujorit të parë të vitit 2021 të ndryshimeve të domosdoshme në legjislacionin procedural, të cilat e bëjnë më efektiv gjykimin në Gjykatën e Lartë, – finalizimi me sukses i emërimit të tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Realizimi sa më parë i këtyre objektivave dhe angazhimi i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve, të përfshirë në këtë proces, janë tregues të rëndësishëm dhe shpresëdhënës se drejtësia do të bëhet./CNA.al

Lajmet e fundit nga