Politikë
A e ka shkelur ndonjëherë Kushtetutën këtë vit?/ Përgjigjet Meta: Është e sigurt që…

A e keni shkelur ndonjëherë Kushtetutën këtë vit në ndonjë ligj?
Kjo ishte pyetja që iu drejtua mbrëmjen e sotme presidentit Ilir Meta. Kreu i shtetit mohoi të ketë shkelur Kushtetutën, pasi deklaroi në Ora News se kjo gjë nuk ka ndodhur asnjëherë.
“Asnjëherë. Sa i takon ndonjë ligji është e diskutueshme sepse keni rastin e Gjykatës Kushtetuese të konfliktit që vajti në Venecia. Por është e sigurt se Kushtetutën Presidenti nuk e shkeli se ky ishte dhe thelbi i konfliktit sepse në Kushtetutë është e përcaktuar radha e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, President-Parlament-Gjykatë e Lartë. Thelbi i konfliktit dhe provokimi ishte që Presidenti të shkelte këtë radhë, prandaj KED nuk i sillte Presidentit emërimin që duhet t’ja sillte në kohë. Në rast se ligjet do të ishin respektuar në mënyrë strikte disa betime të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk duheshin pranuar.
Në rast se mund të ketë ndonjë shkelje që do ta konsideroja në nivel të ligjit për Gjykatën Kushtetuese kjo ka ndodhur për arsye praktike dhe jo për vullnetin e Presidentit për ta bërë këtë, ajo që Presidentit nuk i lejohet është shkelja e Kushtetutës dhe Presidenti nuk e ka shkelur. Ju i dini përpjekjet e mia për më shumë se tre vite që mos mbetej Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese. Kemi qenë në këtë situatë, ose të respektoheshin strikt kërkesat e ligjit dhe të spostohej ky proces edhe për një vit tjetër… Nuk e kam parë si ndeshje me askënd por përpjekje për të luftuar dhe frenuar kapjen e plotë të shtetit dhe si kontribut për vendosjen e rendit kushtetues në vend i cili është tronditur seriozisht”, deklaroi Meta./ CNA.al