LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Turizmi viti zero, 1 mld euro të humbura, kërkohet një vaksinë shpëtimi për pushime

28 Dhjetor 2020, 10:50, Ekonomi CNA
Turizmi viti zero, 1 mld euro të humbura, kërkohet një

Masat ekstreme që mori Shqipëria në muajin mars, përveç frikës dhe ankthit kolektiv u pasuan me goditje të forta në të ardhurat e shumë qytetarëve dhe bizneseve. Panorama përtej dritares së dhomës, mbeti e zymtë dhe çdo ditë që kalonte përjetohej me frikën se virusi Covid-19 do të pushtonte çdo rrugë, lagje e qytet. Dhe kështu po ndodhte.

Rastet ditore që raportoheshin megjithëse në numra të kontrollueshëm filluan të zbehnin edhe dëshirat për të udhëtuar apo për të planifikuar pushime për muajt e verës që ishin pranë.

Koronavirusi sot vijon të jetë armiku dhe kryefjala e një viti që do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për pushimet e munguara, por edhe për rënien e sipërmarrjeve turistike, të cilat u lakmuan në vitin 2019 për performancën që arritën.
?Fjalët më të këqija mund të thuhen këtë vit, sepse pandemia erdhi atëherë kur turizmi kishte filluar të lulëzonte, erdhi atëherë kur shumëkush po merrte frytet e punës shumëvjeçare, dhe kam parasysh promovimet, panairet, takimet, prezantimet etj. 2019-a ishte treguesi më i mirë që i gjithë investimi kishte filluar të jepte frute për 300 mijë familje.?, u shpreh kryetari i Shoqatës së Operatorëve, Rexhep Kasmi.

?Është vit më i vështirë dhe akoma nuk e dimë kur do jetë fundi. Shumë biznese kanë falimentuar, disa i kanë mbyllur edhe për shkak të bashkimit të dy goditjeve të mëdha, të tërmetit dhe pandemisë. Bizneset e turizmit janë përgjithësisht të vogla dhe të mesme dhe nuk i rezistojnë gjatë goditjeve të tilla?, u shpreh Kliton Gërxhani nga Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve & Agjencive Turistike.

Nga perceptimi tek realiteti e më pas tek shifrat, thuajse të gjitha hallkat që lidhen me turizmin, agjencitë e udhëtimit, tur-operatorët, transporti, hotelet e restorantet, humbën jo pak, por 55 për qind të asaj që kishin marrë në vitin 2019.

Në vlerë absolute janë 904 milionë euro të hyra më pak në ekonomi në këtë periudhë, që dalin në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë.

Kriza është raportuar edhe tek drejtuesit e shoqatave turistike, ku vetëm 41 për qind e bizneseve deklaruan se mund të mbijetojnë, ndërsa 60 për qind thanë se realizuan vetëm 10 për qind të xhiros së vitit 2019.

?U intervistuan 43 biznese tur-operatorësh nga 200. Mbi 60% kishin bërë 0-10 për qind të xhiros 2019. Mbi gjysma kanë larguar punonjësit në shtëpi dhe pjesa më e madhe kanë humbje, kosto deri në 100 mijë euro. Është sektor që bazohet tek burimet njerëzore dhe do e vuajmë shumë sepse punonjësit janë larguar. Dëmi që ne parashikojmë në fund të vitit, mund të shkojë 1.8 miliardë euro, nga 2.3 miliardë euro, që turizmi i sjell ekonomisë së vendit. Pra, mbi 70-80 për qind e të ardhurave mungojnë, humbjet janë edhe financiare dhe njerëzore? u shpreh Gërxhani.

Ky sondazh konfirmon gjunjëzimin e sektorit edhe në aspektin e burimeve njerëzore, teksa gjysma e punonjësve, kryesisht nga biznesi i madh u larguan nga puna.

?Realizimi i aktivitetit ekonomik, po të marrësh një mesatare, unë them që nuk i kalon 10-15% në total. Kjo përkthen edhe sasinë e të ardhurave. Kishte shumë subjekte që edhe pse nuk e mbyllën aktivitetin, nuk bën ndonjë aktivitet, por ka pasur edhe aktivitete që kanë kryer rreth 50 për qind të aktivitetit ekonomik. Përderisa nuk u realizuan turet kulturore, do të thotë që transporti turistik nuk funksionoi. Ky zinxhir pati humbje sepse nuk konsiderohet vetëm plazhi si stina e turizmit?, tha Rexhep Kasmi.

Në vitin 2019 nga 11 milionë hyrje të shtetasve të huaj, 5.8 milionë prej tyre erdhën për arsyet turistike, ndërsa ky vit regjistroi 60 për qind më pak hyrje, shifra këto që tregojnë se zinxhiri i sipërmarrjeve turistike u detyrua të merrte vendime të sforcuara për të mos mbyllur përfundimisht aktivitetin.

Në qershor madje, kur masat ishin lehtësuar, e prej marsit nuk ishte prerë gati asnjë biletë, agjencitë turistike, në një protestë simbolike, kërkuan ndihmë për të shpëtuar nga falimenti.

?Nuk është turizimi vetëm shezlongët zoti ministër, janë tur-operatorët, janë agjencitë turistike, turizmi kulturor, nuk janë vetëm resortet dhe shezlongët. Si mund të taksoni agjencitë turistike kur nuk kanë aktivitet?, u shpreh një protestues.

Agjencitë dhe operatorët turistikë, kërkuan heqjen e taksave lokale, pagë minimale 6 muaj deri në 1 vit dhe subvencionim të siguracioneve për 6 deri në 12 muaj dhe rihapjen e kufijve, ndërsa kjo e fundit ishte e vetmja kërkesë që u plotësua nga qeveria.

?Politika që la shteti me hapjen e kufijve i bëri një favor turizmit. Mjafton që u hoq mbyllja totale dhe ky ishte aspekt pozitiv?, u shpreh më tej Kasmi.

Por, hapja e kufijve me kushte dhe rregulla të rrepta distancimi, të cilat në vetvete krijonin më tepër stres se sa relaks, duket se nuk u materializua me larmi pushuesish. E vetmja portë ku filluan të hynin masivisht, ishte ajo që na ndan me Kosovën. Ajo valë turistësh, u konsiderua në fund të verës edhe si shpëtimi i ekonomisë turistike, madje duke i veshur edhe nota patriotike entuziazmi sivllezërve tanë në Kosovë. Por për Gërxhanin, mesazhet e përcjella ishin politike e me nota

euforie.

?Ka qenë mesazh qeveritar, politik. Në qoftë se se gjysma e kosovarëve vjen në Shqipëri, kaq mjafton për të mbushur 5-6 hotele. Pjesa e jugut nuk e ndjeu. Por, duhet theksuar se vendasit i kaluan pushimet këtu duke amortizuar mungesën e vendasve. Kosovë+Shqipëri mund të shkojnë rreth 2 milionë, por zyrtarisht kemi 6 milionë, pra na mungojnë 70 për qind. Por dua të them se  tregu Kosovar ka limit, por tregu global nuk ka. Ne dhe Mesdheu jemi të varur nga tregjet evropiane. Përveç disa hoteleve, gjithë pjesa tjetër është në vuajtje ekstreme. 300 guida nuk kanë bërë punë. Tur-operatorët janë me 1-2 për qind xhiro. Nëse disa hotele kanë bërë, kjo nuk do të thotë se turizmi ia hodhi?, pohoi Gërxhani.

Në këtë pikë edhe Kasmi ndan një qëndrim të fortë, ndryshe nga sa u përfol asokohe mbërritja e turistëve shqipfolës.

?Për sa i përket termit, shpëtim apo jo shpëtim, ata turistë nuk vijnë si vullnetarë për të rregulluar ekonominë shqiptare, sepse dhe thirrja nuk iu bë ?hajdeni, pavarësisht se mund të gjeni dhe vdekjen nga COVID, por hajdeni na sillni ca lekë?. Ata erdhën dhe morën shërbimet që kanë marrë vit për vit?,  u shpreh Kasmi.

Por, teksa turizmi, si shumë sektorë të tjerë në aktivitetin e shërbimeve ranë në amulli financiare, qeveria parapriu me dy paketa ndihmëse, duke ndarë paga 26 mijë dhe 40 mijë lekë për punonjësit që humbën punën, sikundër edhe garanci shtetërore për kreditim të bizneseve në vështirësi. Për Gërxhanin, kjo skemë rezultoi e gabuar dhe jo efikase.

?Dy paketat që u dhanë ishin pa asnjë lloj dobie për turizmin. Ne çmuam vetëm shtyrjen e tatim-fitimin. Shteti në mënyrën më të gabuar bëri punëdhënësin, duke dhënë para për punonjësit. Në vend që të ndihmojë bizneset që të paguajnë punonjësit e tyre. Kjo ishte një skemë që edhe rajoni nuk e aplikoi, tha Gërxhani.

Paketat e ndihmës ndryshonin në secilin shtet, edhe pse shifrat e të prekurve me COVID dhe masat kufizuese praktikisht ishin të ngjashme.

Për të amortizuar humbjet që u gjeneruan nga mbyllja, qeveritë aplikuan ndihma të ndryshme e të shtrira në kohë, por ato vetëm sa i dhanë një dorë operatorëve turistikë. Shqipëria krahasohet me Kroacinë për nivelin e dëmit të shkaktuar. Në Malin e Zi, një shtet i varur tërësisht nga turizmi, të ardhurat ranë në nivele dramatike.

Ndërkohë, tkurrja e turistëve është matur edhe në shifrat e akomodimeve në hotele, ku Greqia e Maqedonia e Veriut raportojnë humbjet më të mëdha, ndërsa të dhënat janë më optimiste në Serbi.

?Kroacia është prekur, por ka edhe prodhim industrial kështu që prekja ka qenë në një nivel të përballueshëm. Mali i zi është i varur tërësisht nga turizmi dhe është prekur akoma më keq. Shqipëria dhe Maqedonia janë pak a shumë në të njëjtat nivele?, u shpreh Rexhep Kasmi.

?Greqia, diçka më pak. Italia po ashtu diçka më pak, sepse ata patën edhe vizitorë të Evropës Perëndimore. Ne mund të krahasohemi në nivelin e dëmit me Malin e Zi, sepse edhe ata janë të varur shumë nga turizmi?, tha më tej Gërxhani.

Por, a do të rimëkëmben agjencitë turistike shpejt? A kanë nisur prenotimet për pranverën apo verën në vijim dhe kur e shohin specialistët kthimin në normalitet?

?Është gati e sigurt që në maj-qershor do të ketë fillim të turizmit. Fillimi i rurizimit, do të thotë jo kthim në normalitet të aktivitetit të majit 2019. Kjo do zgjasë dhe sipas parashikimeve që bëjnë specialistët, viti 2023 do të jetë viti kur, nëse nuk ndodh asgjë ndërmjet, të kthehet në nivelin e 2019-s?, tha Kasmi.

?Skenari më pozitiv që unë do parashikoj, në gjysmën e parë të 2021-shit dhe ne ta marrim vaksinën. Pas mjekëve, mësuesve, policëve, edhe në ta marrim vaksinën duke qenë në kontakt me të huajt. Do isha i lumtur nëse do bënim 30-40 për qind në 2021-n dhe në 2023-shin ndoshta do të kapim vitin 2019?, pohoi Gërxhani.

Por përtej një viti që e gjithë bota dëshiron ta hedhë pas, aprovimi i vaksinës anti-Covid jep shpresë se normaliteti do të kthehet shpejt.

Megjithatë, përtej çdo skenari, historia tregon se cikli i pandemive mbyllet shpejt, ndërkohë që sot shkenca dhe mjekësia i kanë gati armët e tyre./euronews

Lajmet e fundit nga