LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kostoja reale e bllokimeve për shkak të pandemisë

26 Dhjetor 2020, 08:26, Blog CNA

Nga Zaid M.Belbagi ?Arab News?

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ka vlerësuar se kostoja e ekonomisë globale nga pandemia ka qenë 28 trilion dollarë këtë vit, ndërsa bllokimet e njëpasnjëshme, mendohet se kanë ulur deri në 33 për qind aktivitetin ekonomik. Efektet e pandemisë në biznes dhe tregti, edhe pse të jashtëzakonshme, janë mirë-dokumentuar. Gjithsesi, këto studime anashkalojnë një kosto më thelbësore, atë të jetës njerëzore. Vetmia mes të moshuarve, problemet e shëndetit mendor për ata që janë të mbyllur në shtëpitë e tyre, vetëvrasjet dhe ndryshimet drastike në aspektet thelbësore të fëmijërisë dhe arsimit, janë ndër kostot më tragjike njerëzore të këtij viti që po mbyllet.

Rritja e shkallës së infeksioneve në të gjithë botën, ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi. Pavarësisht nga një treg aksionesh çuditërisht i gjallë, i nxitur nga rritja e teknologjisë së madhe, njerëzimi gjendet në një situatë të tmerrshme.

Të shtunën në mbrëmje, Britania e Madhe njoftoi bllokimin më të ashpër deri më tani, duke shkaktuar shqetësim të madh tek shumë njerëz, që tashmë janë të lodhur nga pasojat e vazhdueshme të COVID-19. Kjo është situata në pjesën më të madhe të Evropës, ndërsa ndërkombëtarisht lajmi i shumëpritur i një vaksine, i ka zbutur disi pasojat e padiskutueshme dhe të vazhdueshme të bllokimeve. Ajo që dikur ishte një mjet i qeverive diktatoriale, që kërkonin të kufizonin mundësinë e publikut për të pasur qasje ndaj informacionit, tashmë është bërë një standard i çdo qeverie përmes bllokimeve të imponuara në mënyrë arbitrare, shpesh të hartuara pa konsultime publike,apo debate parlamentare dhe demokratike.

Pavarësisht optimizmit fillestar mjekësor për ta vënë nën kontroll virusin, realiteti është ai i shumë prej të infektuarve që shfaqin pak ose aspak simptoma. Kjo i shtyn qeveritë që të tentojnë rrafshimin e kurbave të infeksionit përmes kufizimeve të lëvizjes dhe grumbullimeve. Efektet e këtyre masave kanë qenë kolosale. Gati gjysma e atyre që janë në izolim, kanë raportuar efekte negative të shëndetit mendor, që rezultojnë nga shqetësimi ose stresi në lidhje me koronavirusin, krahasuar me ata që janë të pastrehë me 37 për qind.

Stresi dhe shqetësimi i sjellë nga efektet ekonomike të virusit kanë ndikuar shumë edhe tek problemet e shëndetit mendor tek publiku. Pasiguria, stresi kronik dhe vështirësitë ekonomike, kanë çuar në zhvillimin ose përkeqësimin e depresionit, ankthit, abuzimit me substancat dhe çrregullimeve të tjera psikiatrike tek njerëzit vulnerabël, duke përfshirë individë me çrregullime psikiatrike para-ekzistuese, dhe njerëz që banojnë në zona ku përhapja e COVID-19 është e lartë.

Në SHBA, vend që ka pasur përvojën më të keqe me virusin, ?The Washington Post? raportoi kohët e fundit se një në katër të rinj ka vuajtur nga mendimi i vetëvrasjes gjatë pandemisë. Megjithëse mendimet për vetëvrasje janë pak më të larta se vitet e mëparshme, ka shenja të tjera shqetësuese, si rritja e ndjeshme e blerjes së armëve (armët janë përgjegjëse për vetëvrasjet më të suksesshme) dhe nivele disproporcionale të ankthit dhe shqetësimit midis grupeve të pakicave etnike, të cilët janë goditur më rëndë nga pandemia.

Mbyllja e palestrave dhe ambienteve sportive, ka pasur gjithashtu një ndikim të caktuar në shëndetin mendor dhe fizik. Janë kryer studime thelbësore për të analizuar pasojat e mbylljeve, dhe 54 për qind e të anketuarve raportuan ndikime negative në shëndetin dhe mirëqenien e tyre mendore.

Shumë mjedise sportive, që nuk kanë qenë në gjendje që të sigurojnë distancimin e duhur shoqëror dhe dizinfektimin e sipërfaqes për të ndaluar transmetimin, janë detyruar të mbyllen. Ndërsa të moshuarit vazhdojnë të vuajnë pasojat e vetmisë, të rinjtë kanë humbur aspektet e rëndësishme të zhvillimit dhe edukimit. Sipas UNESCO-s, një total prej 1.725 miliard nxënësish dhe studentësh në mbarë botën janë prekur nga mbyllja e shkollave dhe institucioneve të arsimit të lartë për shkak të pandemisë.

192 vende kanë zbatuar mbyllje totale, duke prekur kësisoj rreth 99 për qind të studentëve në të gjithë botën. Jo vetëm që programet mësimore janë kufizuar dhe rezultatet e provimeve janë standardizuar duke u bazuar tek mesatarja, por edhe udhëzimet dhe mësimet personale janë zëvendësuar nga të mësuarit në distancë. Për fëmijët me shumë privime, shkollat ofronin një lloj arratie dhe një mjedis të sigurt. Të kufizuar me të mësuarit nga shtëpia, shumë nxënës janë dëmtuar rëndë në marrjen e njohurive, ku në disa raste mësimi është ndalur fare. Vetëm koha do të tregojë se çfarë ndikimi ka mungesa e vazhdueshme e ndërveprimit njerëzor dhe veprimtarisë në grup mbi një brez të rinjsh, tashmë të shpërqendruar nga studimet e tyre dhe nga përdorimi i internetit.

Shumë njerëz në Perëndim, po prisnin me padurim pushimet e sezonit të festave të dimrit për t?u rilidhur me anëtarët e familjes dhe miqtë, nga të cilët janë ndarë prej muajsh me radhë. Sidoqoftë, bllokimi i fundit i ndërmarrë nga qeveria britanike, nxjerrë në pah faktin që qeveritë po kërkojnë me çdo kusht uljen e shkallës së infektimeve. Me bindjen e publikut dhe pranimin e politikave qeveritare që po nis të zbehet, është e paqartë se për sa kohë mund të mbeten në fuqi bllokimet. Por ajo që është e qartë, është fakti se pasojat mendore dhe fizike të vitit të kaluar, do të mbeten për shumë më gjatë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.arabnews.com/node/1782716/columns

Lajmet e fundit nga