LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Elona Caslli mesazh emancipues Alketa Vejsiut/ “Love Story” apo “Fake Story” ?!

20 Dhjetor 2020, 11:52, Opinione CNA
Elona Caslli mesazh emancipues Alketa Vejsiut/ “Love Story” apo

Vejsiu, teksa prezantonit emisionin tuaj të përjavshëm ” Love story”, bëtë një pohim- Ky është një emision që synon të emancipojë shoqërinë shqiptare dhe ndaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj çdo mesazhi që japim.

Vejsiu, a e dini çfarë do të thotë fjala ” emancipim”?! Emancipimi në thelb përmban dinjitetin e njeriut dhe të drejtat e këtij të fundit. Emancipimi është raport i drejtë me të vërtetën.

Në cilësinë e një gruaje që si çdo grua ka pasur përvojat e saj në jetë Vejsiu, kisha një pyetje të drejtpërdrejtë për ju- Sa besoni në atë çka thoni, apo në punën që bëni?!

Ju përpiqeni të na servirni si ” Love story” diçka që në të vërtetë është një ” Fake story”.

Në jetën reale jashtë ekranit televiziv, nuk ndodh kurrë që 18 vajza të pëlqejnë njëkohësisht të njëjtin djalë dhe të pranojnë faktin që emri i tyre të vendoset në grafik  nga ky djalë dhe të presin radhën se kur do t’i përzgjedhë ky i fundit për të dalë.

Në jetën reale jashtë ekranit televiziv, Vejsiu nuk ndodh kurrë, që 18 vajza të shohin takimet e xhiruara të njëra- tjetrës me të njëjtin djalë dhe të fillojnë t’i komentojnë këto të fundit.

Dashuria nuk xhirohet Vejsiu, por përjetohet.  Një dashuri e xhiruar, nuk është dashuri, është  ” porno me dashurinë”.

Në jetën reale jashtë ekranit televiziv, Vejsiu, Një vajzë ka dinjitetin e saj, ka jetën e saj, ka punën e saj dhe nuk e lë veten të përzgjidhet mes 18 vajzave të tjera, për arsyen e thjeshtë se gjatë kësaj pritjeje, gjatë kësaj përzgjedhjeje, nuk respektohet dinjiteti i saj si njeri e mandej dinjiteti i saj si vajzë.

Për të gjitha ato vajza që vihen në radhë dhe presin të përzgjidhen nga ” Princi i kaltër” në të vërtetë ndiej dhimbje.

Ndiej dhimbje pasi kanë rënë në grackën e famës televizive dhe e shohin këtë të fundit si pohim të identitetit përkatës, ndërkohë që identiteti duhet të jetë dinjitet dhe jo mungesë e këtij të fundit.

Dhe ju Vejsiu, më mirë se kushdo tjetër, e dini fort mirë se sa e vështirë është rruga e ekranit. E dini fort mirë se të gjitha ato vajza pas përfundimit të ” Fake story” do të rikthehen në të përditshmen e tyre të zakonshme, pasi ato nuk janë gjë tjetër veçse ” Kurbani” i radhës i një formati televiziv fitimprurës për producentët dhe denigrues për dinjitetin e njeriut dhe njëkohësisht për shoqërinë shqiptare.

” Fake story” nuk jep një mesazh edukues për shoqërinë shqiptare. Përkundrazi e redukton vajzën shqiptare në një qënie të zhveshur nga dinjiteti dhe emocioni i mirëfilltë njerëzor.

Dhe së fundmi dy pyetje për ju Vejsiu, në cilësinë e gruas dhe të nënës

– A do të merrnit ju vetë pjesë në një emision të tillë?!

– A do ta dërgonit ju vajzën tuaj në një emision të tillë?!

Të dyja si bashkëmoshatare e dimë fort mirë që përgjigjja është “jo”.

Kini mirësinë të mos ta përligjni këtë proces me faktin se një format i tillë shfaqet edhe në vende evropiane, pasi Evropa është pikë referimi për shumë gjëra, por në pak gjëra mund të jetë edhe pikë çorientimi.

Post Scriptum-  Të përvetësojmë fillimisht pikat e referimit evropian, Vejsiu. Pasi të kemi mbaruar punë me pikat e referimit le të hidhen në diskutim gjërat e tjera. E keni filluar numërimin nga fundi dhe kjo nuk është as e hijshme dhe as e dobishme./ CNA.al

Lajmet e fundit nga