Connect with Us

Covid-19 tregon se bota ka nevojë për një sistem më të mirë të paralajmërimit të hershëm

Blog

Covid-19 tregon se bota ka nevojë për një sistem më të mirë të paralajmërimit të hershëm

Publikuar

-

Nga Jonathan Gornall “Arab News”

Do të duhet të kalojnë edhe shumë muaj, para se të shohim fundin e pandemisë së koronavirusit. Por ndërsa vaksinat e ndryshme po fillojnë të miratohet dhe shpërndahen, ka dritë në fund të tunelit. Megjithatë, studimet nga e gjithë bota kanë filluar të ngrenë pyetje shqetësuese, se ku dhe kur nisi gjithçka.

Dhe ky proces ka filluar të japë të dhëna se si bota mund të mbrohet më mirë kundër pandemisë së ardhshme. Virusi SARS-CoV-2, u shfaq për herë të parë në Vuhan të Kinës Qëndrore në fund të vitit 2019, ose kështu mendohet gjerësisht.

Më 11 janar 2020, ditën kur Kina raportoi vdekjen e saj të parë, Pekini vuri në dispozicion sekuencën gjenetike të koronavirusit të ri. Dy ditë më vonë, u shfaq rasti i parë jashtë vendit, në Tajlandë. Më 21 janar, virusi kishte mbërritur në SHBA dhe më 29 janar Emiratet e Bashkuara Arabe, raportuan rastin e parë në rajonin e Mesdheut Lindor.

Mendohej se virusi SARS-CoV-2, siç u emërtua më 11 shkurt, kishte kaluar nga një kafshë
e gjallë tek një njeri në një treg të Vuhanit, por edhe ky “fakt” duket tani gjithnjë e më i pasigurt. Pas mbylljes së tregut më 1 janar 2020, u morën 1.336 mostra nga kufomat e kafshëve të ngrira, dhe asnjë prej tyre nuk rezultoi pozitive me SARS-CoV-2.

Ndërkohë nga 842 mostra mjedisore të marra nga zona të ndryshme të tregut, përfshirë tubacionet e ujërave të zeza, 61 rezultuan pozitive. “Mbetet e paqartë nëse tregu ishte një burim i ndotjes, apo veproi si një përforcues për transmetimin e virusit midis njerëzve, apo nga një kombinim i atyre faktorëve”- thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Por pikëpyetja më e madhe, është nëse koronavirusi e ka vërtet origjinën në Kinë, apo nëse Kina, e armatosur me njohuri teknike gjatë betejës së saj me SARS-in në vitin 2003, ishte thjesht vendi i parë që e njohu virusin e ri. Në nëntor, OBSH-ja nisi pa shumë bujë një hetim, për të përcaktuar saktësisht se nga filloi virusi dhe si u përhap ai.

Është një mision kompleks, por jetik për të ardhmen e botës. Puna për të kuptuar se ku e ka origjinën Covid-19 nuk do të kufizohet vetëm në Kinë, siç e bëri të qartë edhe vetë OBSH.

“Vendi ku një zbulohet fillimisht një epidemi, nuk përbën domosdoshmërisht vendin se ku ka nisur ajo. Një shpërthim rastesh me pneumoni të formës së rëndë, u identifikua në Vuhan. Por nuk mund të përjashtohet mundësia që virusi të ketë qarkulluar në heshtje diku tjetër”– thekson OBSH.

Disa shtete, shtoi kjo organizatë, kishin identifikuar raste të Covid-19 në mënyrë retrospektive edhe disa javë para njoftimit zyrtar të rastit të parë, “dhe raportet e pabotuara të mostrave pozitive tek ujërat e zeza, mund të sugjerojnë se virusi mund të ketë qarkulluar i pazbuluar për disa kohë”.

LEXO EDHE:  Sjellja e policisë në protestë/ Vasili akuza Ramës: Po mbyt të infektuarit me gaz

Studiuesit spanjollë, raportuan gjetjen e gjenomeve të SARS-CoV-2 në mostrat e arkivuara të ujërave të zeza të marra në Barcelonë që më 15 janar 2020, 41 ditë para rastit së parë zyrtar në vend. Por gjetja më e habitshme, ishte zbulimi i gjenomeve në mostrat e marra nga një impiant tjetër trajtimi më 12 mars 2019, më shumë se 9 muaj para shpërthimit epidemik të Vuhanit.
Gjetje të ngjashme, janë raportuar në gjithë botën. Në maj, shkencëtarët francezë arritën në përfundimin se pacienti i parë me Covid-19 në Francë, ishte infektuar që më 27 dhjetor 2019, pra një muaj para se të identifikohej rasti i parë zyrtar në vend.

Rasti i parë në Itali u regjistrua më 21 Shkurt, por një kërkim mbi antitrupat e koronavirusit në mostrat e gjakut të marra nga 959 vullnetarë të shëndetshëm në një test për kancerin e mushkërive, zbuloi se virusi po qarkullonte tashmë në vend që në shtatorin e 2019-ës.
Autoritetet e shëndetit publik në të gjithë botën, kanë shumë për të mësuar nga gjetje të tilla, dhe nga moria e studimeve të ngjashme, që është e sigurt se do t’i pasojnë. Hetimi afatgjatë i OBSH-së, mund të jetë në gjendje të përcaktojë se si kur dhe ku ka e pasur origjinën ky virus.

Kjo do t’i japë epidemiologëve informacione shumë me vlerë, mbi mënyrën e përhapjes së viruseve të tilla, dhe mënyrën më të mirë për të frenuar përhapjen e tyre. Por dhurata e vërtetë nga këto studime nga Spanja, Italia dhe SHBA, është se brenda tyre mund të gjenden projeksionet për sistemet e paralajmërimit të hershëm, të afta për ta gjurmuar praninë e vrasësve të rinj mikrobiale në të ardhshmen, para se ata të kenë shansin të infektojnë popullata të tëra.

Para vitit 2020, pak ekspertë do ta kishin konsideruar me vlerë një monitorim të rregullt të ujërave të zeza, ose mostrave të marra nga pacientët e spitalit apo dhuruesve të gjakut, si një mundësi për zbulimin e një patogjeni të ri të rrezikshëm. Por pas vitit 2020 dhe traumës globale të një pandemie që deri më tani ka infektuar më shumë se 73 milion njerëz, dhe i ka marrë jetën 1.6 milion prej tyre, dështimi për të aplikuar strategji të tilla mbrojtje, do të përbënte një neglizhencë kriminale./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.arabnews.com/node/1778091

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Blog

Pse disa njerëz mund të jetojnë në aeroporte për muaj, madje edhe me vite

Publikuar

-

Nga

Nga Janet Bednarek “The Conversation”

Në janar të këtij viti, autoritetet lokale arrestuan 36-vjeçarin Aditja Sing pasi ai kishte 3 muaj që jetonte në Aeroportin Ndërkombëtar O’Hare të Çikagos. Që nga tetori i vitit 2020, Sing qëndronte në pjesën e sigurt të aeroportit, duke u mbështetur tek mirësia e të huajve që i blinin ushqime.

Ndërkohë ai flinte në terminale dhe përdorte shumë banjo. Ai u zbulua vetëm kur një punonjës i aeroportit i kërkoi të shihte letërnjoftimin e tij. Por Sing nuk është i pari që jeton për një kohë të gjatë në një aeroport. Pas më shumë se dy dekadash duke studiuar historinë e aeroporteve, unë kam hasur në historinë e disa njerëzve që kanë arritur të jetojnë në terminale për javë, muaj, ndonjëherë edhe vite.

Aeroportet janë shpesh si “mini qytete”, pasi ato përmbajnë faltore, një stacion policie, hotele, restorante, dyqane etj. Por pavarësisht kësaj,ata që i drejtojnë ato preferojnë që askush të mos qëndrojë atje. Gjithsesi në to është e mundur të jetohet pasi ofrojnë shumë nga lehtësitë bazike të nevojshme për mbijetesë:ushqim, ujë, banjo dhe strehim. Dhe ndërsa fluturimet nuk funksionojnë domosdoshmërisht 24 orë në 7 ditë të javës, terminalet e aeroportit hapen shpesh shumë herët në mëngjes dhe qëndrojnë të tilla deri natën vonë.

Shumë nga aeroportet janë aq të mëdha saqë ata që vendosin të qëndrojnë, si rasti i lartpërmendur, mund të gjejnë shumë mënyra për ta shmangur për një kohë të gjatë zbulimin e tyre. Dhe një nga mënyrat kryesore është thjesht përzierja me turmat. Para pandemisë, aeroportet amerikane menaxhonin 1.5-2.5 milion pasagjerë çdo ditë. Kur u shfaq pandemia, numri i udhëtarëve ra në mënyrë dramatike, nën 100.000 gjatë javëve të para të krizës në pranverën e vitit 2020. Sing mbërriti në Çikago në mesin e tetorit 2020 kur shifrat e udhëtarëve po rriteshin ndjeshëm.

Ai u zbulua dhe u kap vetëm në fund të janarit 2021, pikërisht kur numri i pasagjerëve ra ndjeshëm pasi përfunduan udhëtimet e pushimeve të Vitit të Ri, dhe pas një valë të re të madhe me koronavirus. Megjithatë, jo të gjithë ata e bëjnë këtë me dëshirën e tyre. Por ka edhe nga ata që e gjejnë padashur veten në një qëndrim të zgjatur dhe të pacaktuar në kohë. Ndoshta banori më i famshëm i aeroporteve ishte Mehran Naseri, historia e të cilit frymëzoi filmin “The Terminal”, me protagonist aktorin amerikan Tom Henks. Naseri, një refugjat iranian,po shkonte në Angli përmes Belgjikës dhe Francës në vitin 1988 kur humbi dokumentet që vërtetonin statusin e tij të refugjatit. Pa letrat e tij, ai nuk mund t’i hipte avionit që do ta çonte në Angli. Ai nuk u lejua të linte as aeroportin e Parisit. Shumë shpejt çështja e tij u shndërrua në një “patate të nxehtë”, që kaloi vazhdimisht nëpër duart e zyrtarëve në Angli, Francë dhe Belgjikë. Në një moment autoritetet franceze i dhanë mundësinë të banonte në Francë, por Naseri e refuzoi ofertën, pasi donte të shkonte në destinacionin e tij origjinal, Angli.

Kësisoj ai qëndroi për gati 18 vjet në aeroportin Sharl De Gol. Ai u largua prej andej vetëm në vitin 2006, kur pati probleme shëndetësore dhe u detyrua të shtrohej në spital. Banorë të tjerë afatgjatë në aeroporte përfshijnë Eduard Snouden, ish punonjësin e NSA-së amerikane, që jetoi më shumë se 1 muaj në një aeroport rus në vitin 2013, para se të fitonte të drejtën e azilantit politik. Dhe pastaj është saga e Sanjaj Shah. Ai udhëtoi drejt Anglisë në majin e vitit 2004. Por zyrtarët e emigracionit ia refuzuan hyrjen kur ishte e qartë se ai kishte ndërmend të emigronte në Angli, dhe jo të qëndronte atje vetëm disa muaj.
Pasi u dërgua në Kenia, Shah kishte frikë të largohej nga aeroporti, pasi ai kishte hequr tashmë dorë nga shtetësia e tij keniane. Më në fund, ai ishte në gjendje të largohej pas një qëndrimi prej 1 viti e ca në aeroport, kur zyrtarët britanikë i dhanë atij shtetësinë e plotë. Kohët e fundit, pandemia e koronavirusit ka krijuar banorë të rinj të pavullnetshëm afatgjatë në aeroporte. Për shembull, estonezi Roman Trofimov mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Manilës në Filipine me një avin nga Bangkoku në 20 mars 2020.

LEXO EDHE:  Mjeku Alimehmeti jep shpresë/ COVID-19 nuk është as virusi i parë dhe as i fundit që do të mposhtet…

LEXO EDHE:  Koronavirusi/ A do t’i mbyllin sërish kufijtë vendet e BE-së?

Kur ai mbërriti aty, autoritetet filipinase e kishin pezulluar lëshimin e vizave të hyrjes për të kufizuar përhapjen e Covid-19. Trofimov kaloi mbi 100 ditë në aeroportin e Manilës, derisa personeli i ambasadës estoneze ishte më në fund gjendje t’i gjente një vend në një fluturim drejt atdheut të tij.
Ndërsa shumica e banorëve të pavullnetshëm të aeroporteve, dëshirojnë që të largohen nga “shtëpia” e tyre e përkohshme, ka disa që janë përpjekur vullnetarisht ta bëjnë aeroportin vendbanimin e tyre afatgjatë. Aeroportet kryesore në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë kanë funksionuar prej kohësh – edhe pse kryesisht në mënyrë joformale – si strehimore për të pastrehët.

Për shembull në vitin 1986, “Chicago Tribune” shkroi për historinë e Fred Dilzner, një ish-llogaritar 44-vjeçar që kishte jetuar në O`Hare për 1 vit. Artikulli tregonte se të pastrehë kishin filluar të shfaqeshin për herë të parë në aeroport në vitin 1984, pas përfundimit të linjës hekurudhore që siguronte një banesë më të lehtë dhe më të lirë.

Gazeta raportoi se 30-50 njerëz po jetonin në aeroport, por zyrtarët prisnin që numri të Rritej deri në200 me fillimin e dimrit. Kjo dukuri ka vazhduar edhe këtë shekull. Mediat raportuan në vitin 2018 për një rritje të numrit të të pastrehëve në disa aeroporte të mëdha amerikane./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://theconversation.com/how-some-people-can-end-up-living-at-airports-for-months-even-years-at-a-time-154336

LEXO TE PLOTE

Blog

Zhgënjimi me strategjinë e BE/ Edhe vendet anëtare kthehen nga Kina dhe Rusia për vaksinat

Publikuar

-

Nga

Strategjia e vaksinimit të 27 vendeve të Bashkimit Evropian po copëzohet ndërsa vendet anëtare u drejtohen shteteve jashtë bllokut për të dhënë një shtysë fushatave të veta të vaksinimit, të cilat nuk po ecin aspak mirë për shkak të problemeve të furnizimit, grindjeve për kontratat dhe ecurisë së ngadaltë.

Kancelari austriak Sebastian Kurz njoftoi të hënën se ai synon të punojë me Izraelin dhe Danimarkën për prodhimin e vaksinave në të ardhmen dhe bashkëpunimin rreth zhvillimit të varianteve të mëtejshme për të luftuar mutacionet e reja të koronavirusit. Ai do të vizitojë Izraelin me udhëheqësin danez Mette Frederiksen të enjten.

Udhëheqësi austriak ka qenë tej mase kritik ndaj strategjisë së vaksinimit të BE dhe rregullatorit të bllokut, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). BE-ja autorizoi vaksinën Pfizer / BioNTech në fund të Dhjetorit 2020, disa javë pasi i ishte dhënë miratimi në Britani dhe SHBA.

Brukseli ka zgjedhur një qasje të centralizuar për prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave, por plani i tij është penguar nga problemet e furnizimit dhe shpërndarjes. Vetëm 5.5% e popullsisë së BE prej 447 milion banorësh ka marrë dozën e parë të vaksinës, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

EMA ka autorizuar tre vaksina – Pfizer / BioNTech, Oxford / AstraZeneca dhe Moderna – por vendet e BE mund të japin individualisht autorizimin emergjent për vaksina të tjera, siç bëri Britania e Madhe në dhjetor, kur ishte ende në periudhën e tranzicionit pas Brexit.

“Agjencia Evropiane e Barnave është shumë e ngadaltë për sa i përket autorizimit të kompanive farmaceutike,” tha Kurz, sipas ORF. “Kjo është arsyeja pse ne duhet të përgatitemi për mutacione të mëtejshme dhe nuk duhet të jemi më të varur nga BE, kur bëhet fjalë për prodhimin e vaksinave të gjeneratës së dytë.”

Frederiksen, kryeministrja daneze, bëri komente të ngjashme të hënën. “Përpjekja evropiane për vaksinimin nuk mund të qëndrojë më vetëm”, ​​tha ajo, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse Danimarka dhe Austria po bashkëpunonin për të marrë më shumë doza.

Kombet e tjera të BE-së u janë drejtuar Rusisë dhe Kinës për të mbuluar boshllëqet në furnizimin e vaksinave përmes prokurimeve të njëanshme. Të hënën, Sllovakia dha autorizim emergjent për vaksinën Sputnik V të Moskës, pas një vonese në furnizimin e vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca.

EMA nuk i ka dhënë ende dritën jeshile vaksinës Sputnik V. “Miratimi i [Sllovakisë] bazohet në rezultatet e provave klinike të Sputnik V në Rusi dhe një vlerësim gjithëpërfshirës të vaksinës nga ekspertë në Sllovaki,” tha të hënën Fondi Rus i Investimeve Direkte, i cili mbështet prodhimin e Sputnik V.

“Ne kemi marrë kërkesa të shumta nga shtetet e BE për t’ua siguruar atyre direkt vaksinën Sputnik V, bazuar në procedurat e agjencive të tyre kombëtare,” tha Kirill Dmitriev, Drejtor i Fondit në një deklaratë. “Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë si dhe të punojmë me EMA, bazuar në procedurën e rishikimit që kemi filluar në janar.”

Sllovakia është vendi i dytë i BE që jep në mënyrë të pavarur autorizimin për Sputnik V pas Hungarisë, e cila filloi të aplikojë vaksinën në shkurt. Hungaria është gjithashtu vendi i parë i BE që ka marrë vaksinën Sinopharm të Kinës, e cila nuk është miratuar nga EMA.

“Vaksinimi nuk është një çështje politike, është një çështje efektiviteti dhe besueshmërie,” tha të hënën sekretari i shtetit i Hungarisë për komunikimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, Zoltan Kovacs. “Ne shohim se si kinezet, ashtu edhe vaksinat ruse po përdoren anembanë globit në shumë vende.”

Hungaria ka porositur gjithashtu doza të vaksinave Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca përmes BE, por Kovacs tha se strategjia e centralizuar e bllokut nuk kishte arritur të përmbushte pritshmëritë. “Epo, është e qartë dhe e dukshme deri tani që ajo strategji, krahasuar me atë tën Mbretërisë së Bashkuar, Izraelit, madje edhe Shteteve të Bashkuara, ka dështuar,” tha ai.

LEXO EDHE:  Pandemia imponon punën online/ Si do të veprojë parlamenti?

LEXO EDHE:  Vendi i parë në Ballkan/ Serbia nis sot vaksinimin anti-COVID të qytetarëve

“Burokracia e Brukselit nuk ishte në gjendje të dilte me zgjidhje të shpejta dhe të menjëhershme në lidhje me kontratat, ne jemi së paku dy muaj prapa.”

Por Hungaria nuk është aspak i vetmi vend i zhgënjyer.

Presidenti i Republikës Çeke Milosh Zeman tregoi për Filialin e CNN Prima News të Dielën se vendi i tij mund të marrë Sputnik V, nëse autorizohet nga rregullatori i brendshëm. “I shkrova Presidentit Putin duke kërkuar dërgimin e Sputnik-V. Nëse jam informuar saktë, kjo kërkesë do të pranohet, por natyrisht që do të na duhet çertifikimi [rregullatori mjekësor]”, tha ai.

“Nëse njerëz të ndryshëm na paralajmërojnë që të mos kemi një vaksinë ruse ose kineze, atëherë është mirë t’u themi atyre se vaksina nuk ka ideologji,” shtoi ai.

Çarja që ka pësuar strategjia e centralizuar e BE-së vjen mes një evolucioni brenda bllokut për vaksinën AstraZeneca. Franca më parë tha që ajo duhet të administrohet vetëm tek personat nën moshën 65 vjeç, duke përmendur mungesën e të dhënave klinike mbi efikasitetin e saj për njerëzit e moshuar.

Por Parisi tani ka zgjatur kufirin e sipërm të moshës në 75. Sipas Reuters, tani ekziston frika se komentet fillestare kritike të qeverisë kanë çuar në marrjen më të ulët të të vaksinave në vend.

Të dhënat nga Shëndeti Publik Angli (PHE) të nxjerra të hënën sugjerojnë se një dozë e vetme e vaksinës AstraZeneca është shumë efektive kundër infeksionit të rëndë dhe shtrimit në spital, midis popullatave të moshuara. Vaksina Pfizer gjithashtu u gjet të ketë një efektivitet të ngjashëm, sipas studimit, i cili ende nuk është rishikuar nga kolegët.

Në një konferencë shtypi të Downing Street të hënën, zëvendës shefi mjekësor i Anglisë Jonathan Van-Tam tha se të dhënat “justifikuan qartësisht” vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të vaksinuar të gjitha grupmoshat, që nga fillimi i procesit të shpërndarjes. “Unë nuk jam këtu për të kritikuar vendet e tjera mendoj se me kohë, të dhënat që dalin nga programi ynë do të flasin vetë dhe vendet e tjera padyshim do të jenë shumë të interesuara për të,” shtoi ai.

Krerët e BE tani janë përqendruar në kthimin e fushatës së vaksinimit të bllokut në rrugën e duhur. “Prioriteti ynë kryesor tani është përshpejtimi i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave në të gjithë Bashkimin Evropian,” tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel javën e kaluar.

“Eshtë arsyeja pse ne mbështesim përpjekjet e Komisionit për të punuar me industrinë për të identifikuar pengesat në garantimin e zinxhirëve të furnizimit dhe rritjen e prodhimit. Dhe ne duam më shumë parashikueshmëri dhe transparencë për të siguruar që kompanitë farmaceutike të përmbushin zotimet,” shtoi ai.

Blloku tani përballet me një garë për të rregulluar përhapjen e vaksinave duke shpresuar në besimin e vendeve anëtare të nervozuara, që kërkojnë gjetkë për zgjidhje. / CNN – Bota.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Përhapja aktuale e vaksinave, tregon se kombësia dikton ende jetët tona

Publikuar

-

Nga

Nga Kanishk Tharoor “The Guardian”

Pas lajmit të bujshëm nëntorin e vitit të shkuar mbi testet e suksesshme të vaksinës Pfizer-BioNTech, në internet u përhap një foto kurioze. Ajo tregonte një familje emigrantësh turq prej 6 personash në Gjermani në vitet 1970. Babai qëndronte në mes, me krahët e shtrira rreth gruas së mbuluar me shami dhe fëmijëve të tij.

Një djalë pa këpucë ishte pozicionuar anash. Bluza tij e verdhë ishte futur nën pantallonat e zeza që ishin padyshim më të larta dhe me të gjera se përmasat e tij trupore. Përdoruesit e çdo platforme të mundshme të mediave sociale, e ndanë këtë imazh duke shtuar një detaj:ai djalë i dobët dhe i zbathur, një ditë do të rritet për t’u bërë Ugur Shahin, bashkëthemelues i kompanisë farmaceutike gjermane BioNTech, që ishte pioniere e vaksinës.

Kjo familje modeste do të ndihmonte në shpëtimin e botës. Në fakt më vonë u provua se fotoja i përkiste krejtësisht një familje tjetër (aty nuk ndodhej as Shahin, dhe as të afërmit e tij), por ajo mbeti gjithsesi virale, për shkak të historisë së ndjeshme të zhvillimit të vaksinës.
Burrë dhe grua themelues të Biontech – Sahin dhe Ozlem Tyreçi -vijnë nga 2 familje turke që emigruan dikur në Gjermani.

Mediat e nxorën enkas në pah origjinën e çiftit, sikur arritja e tyre të mos ishte vetëm shkencore por edhe morale, një fitore e përvojës së emigrantëve. Një artikull në The Guardian këmbëngul se “vaksina anti-Covid e BioNTech, është një triumf i inovacionit dhe emigracionit”.

“Këta janë heronjtë emigrantë pas vaksinës së BioNTech”-shkruante Bloomberg . “Faleminderit globalizimit!”- shkruante revista libertarian Reason. Sigurisht, nuk ka asgjë të keqe në vlerësimin e kontributeve të emigrantëve, sidomos në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Emigrantët kanë shërbyer prej kohësh si “thasët e rërës” që janë grushtuar shpesh gjatë fushatave elektorale në Perëndimit.

Ata janë poshtëruar duke u etiketuar si kriminelë, janë fajësuar padrejtësisht për mosrritjen e pagave në përgjithësi, dhe nganjëherë janë cilësuar si një kërcënim me përmasa apokaliptike. Përballë një ksenofobie dhe nacionalizmi të tillë, suksesi i emigrantëve tregon një histori tjetër, atë se si përfitojnë shoqëritë nga ardhja dhe përpjekjet e njerëzve me origjinë nga diku tjetër. Megjithatë globalizmi optimist i disa prej këtyre artikujve, ka lënë në hije dinamikën më të qartë në prodhimin e vaksinave Pfizer-BioNTech dhe Moderna:fakti që trafiku i tyre shkonte kryesisht në një drejtim. Vendet e pasura fituan shumë nga thithja e talenteve dhe ambicieve të atyre që vinin nga familjet e emigrantëve si Shahin dhe Tyreçi (ashtu si dhe shumë prej ekspertëve që zhvilluan vaksinën e Moderna).

LEXO EDHE:  Pandemia imponon punën online/ Si do të veprojë parlamenti?

LEXO EDHE:  Fluturimet nga Rinasi/ Konfirmohen 19 destinacione për nesër

Por pas lajmit u bë menjëherë e qartë, se në të ardhmen e afërt këto vaksina do të shkonin vetëm tek një pjesë të popullsisë së botës. Si shumëçka tjetër në këtë pandemi, nacionalizmi dhe prepotenca e tij, dëmtuan konceptet më të fisme të ndërvarësisë dhe solidaritetit global. Deri më dhjetor 2020, vendet e pasura që përbënin vetëm 14 për qind të popullsisë së botës, kishin blerë tashmë më shumë se gjysmën e furnizimit me vaksinat kryesore, që kishin marrë miratimin ose që prisnin ta merrni se shpejti. Konturet e pabarazisë globale në shpërndarjen e vaksinave, u rritën edhe më shumë në muajt që vijuan.

Ndërsa vaksinat po shpërndahen mjaftueshëm shpejt në Britani, SHBA, dhe pjesë të Evropës, asnjë dozë e vetme nuk u injektua deri në mesin e shkurtit në 130 vendet e varfra. Economist Intelligence Unit, vlerëson se më shumë se 85 vende të varfra nuk do të mund të kenë një fushatë të gjerë të vaksinimit deri në vitin 2023. Ka shumë mënyra për ta rregulluar këtë çekuilibër, por ka shumë pak vullnet politik për
ta bërë këtë. Në shkurt, vendet e pasura në Evropë dhe Amerikën e Veriut, refuzuan një propozim të Organizatës Botërore të Tregtisë, që do t’u jepte qasje prodhuesve në vendet në zhvillim në pronësinë intelektuale të këtyre vaksinave, duke e përshpejtuar kësisoj prodhimin e dozave.

COVAX, një mekanizëm i ngritur nga OBSH-ja për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra, është për fat të keq shumë i vonuar,dhe nuk ka gjasa që të përmbushë synimin e tij fillestar, për të shpërndarë brenda këtij viti 1.8 miliardë doza vaksine. Pabarazia e shpërndarjes së vaksinave, do ta zgjasë në kohë pandeminë, dhe do të çojë potencialisht në shfaqjen e varianteve të reja të virusit. Dhe përveç jetëve njerëzore, një studim akademik sugjeron se kjo do t’i kushtojë ekonomisë globale deri në 9 trilionë dollarë.

Covid-19, ka pasur ndikimin e çuditshëm të bashkimit të botës në kontrollin e përbashkët të pandemisë,teksa ka forcuar ndarjet ekzistuese, duke iu kujtuar njerëzve se sa shumë përcaktohet fati i jetës së tyre nga kombësia që ata kanë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.theguardian.com/commentisfree/2021/mar/02/vaccine-rollout-nationality-covid-jab-poorer-countries

LEXO TE PLOTE