LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Vaksinat drejt qendrave të shpërndarjes/ Vaksinimi kundër koronavirusit mund të fillojë të hënën

13 Dhjetor 2020, 20:14, Kosova & Bota CNA
Vaksinat drejt qendrave të shpërndarjes/ Vaksinimi kundër

Vaksinat e sapo-miratuara kundër koronavirusit u nisën me kamionë-frigoriferë në kontenierë me temperatura tepër të ftohta, nga një fabrikë e kompanisë Pfizer në Kalamazu të Miçiganit në orët e para të së dielës drejt pikave të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Vaksinimi kundër COVID-19 do të fillojë ?shumë shpejt, shpresojmë që të hënën,? tha Stephen Hahn, komisioner i Administratës amerikane për Ushqimin dhe Barnat, në një interrvistë për rrjetin CNN. Më shumë se 184,000 ampula u dërguan me kamionët e parë nga fabrika e Pfizerit.

Punonjësit e shërbimeve shëndetësore si dhe punonjësit në qendra për të moshuarit do të jenë të parët që vaksinohen.

Zoti Hahn tha se ka mundësi që 20 milionë amerikanë të vaksinohen me dy dozat e nevojshme brenda dhjetorit. Moncef Slaoui, këshilltari i lartë i qeverisë për prodhimin e vaksinës, tha të dielën në intervistë për emisionin ?Fox News Sunday? se 100 milionë amerikanë mund të vaksinohen deri në fund të marsit.

Por në emisionin ?This Week? to rrjetit ABC, zoti Hahn tha se ?një problem serioz? mbetet fakti që 25% deri në 50% e amerikanëve, sipas anketave, e shohin me dyshim vaksinën e prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, megjithëse ekspertët qeveritarë këmbëngulin se është e padëmshme. Shumë prej tyre, sipas anketave, thonë se nuk do të pranojnë të vaksinohen.

Zoti Hahn tha se qeveria ?duhet të tregohet transparente për sigurinë? e vaksinës së Pfizerit, si dhe vaksinën e Modernas që është në procesin e analizës. Provat klinike tregojnë se vaksina është 95% e suksesshme.

Zoti Slaoui tha se në mënyrë që popullata në SHBA të përftojë ?imunitetin e tufës? e cila e ndal transmetimin e virusit, rreth 75-80% e banorëve duhet të vaksinohen. Ai tha se shpreson që kjo masë të arrihet deri në maj ose qershor.

?Ka rëndësi kritike që njerëzit të vaksinohen. Jemi shumë të shqetësuar nga hezitimi që vërejmë,? tha ai. Zoti Slaoui shtoi ?Kemi besim tek këto vaksina. Janë të padëmshme?.

Gjenerali Gustave Perna, shef i operacionit Shpejtësia Marramendëse, siç është pagëzuar projekti i qeverisë amerikane për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit, tha të shtunën në një konferencë shtypi se kompanitë e transportit do të furnizojnë fillimisht 150 qendra shpërndarjeje dhe deri të mërkurën gjithësej 450 qendra do të kenë marrë pako me vaksina.

Vaksina e prodhuar me bashkëpunim nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech u miratua të premten në darkë për përdorim emergjent tek individë mbi moshën 16 vjeç. Ndërkohë do të vazhdojnë analizat klinike për të parë nëse edhe fëmijë nën 16 vjeç si dhe gratë shtatzëna mund të vaksinohen, pasi këto dy grupime nuk ishin përfshirë në numër të mjaftueshëm në provat klinike.

Ndërkohë, autoritetet po analizojnë edhe vaksinën kandidate të kompanisë Moderna.

Zyrtarët paralajmërojnë se edhe për disa muaj, kërcënimi i koronavirusit mbetet i lartë. ?6-8 javët e ardhshme do të jenë të tmerrshme,? tha guvernatori i Nju Xhërsit, Phil Murphy./ voa

Lajmet e fundit nga