Politikë
Vrasja e Klodjan Rashës dhe protestat/ Ambasadori gjerman shigjeton policinë: Të hiqet dorë nga dhuna

Ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ka reaguar për protestat dhe për vrasjen e të riut Klodjan Rasha nga punonjësi i policisë.
Zingraf deklaron se këto ngjarje e mbushin me shqetësim dhe trishtim, ndërsa kërkon zbardhjen e së vërtetës.
Zingraf thotë se dhuna nuk mund të jetë zgjidhja për këtë situiatë të komplikuar, ndërkohë që shigeton edhe policinë për mënyrën e trajtimit të protestuesve.
“Ngjarjet e ditëve të fundit më mbushin me shqetësim dhe trishtim. Vdekja e të riut më ka prekur edhe mua shumë. Është e rëndësishme dhe e drejtë, që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. Mendimet e mia janë pranë familjes së viktimës.
Por ajo çka na mëson gjithashtu ky rast tragjik është – dhuna nuk mund të jetë zgjidhja. Ushtrimi i lirë i të drejtës për protesta është thelbësor për çdo demokraci. Por, edhe kur bëhet fjalë për gjëra shumë emocionale dhe elementare: vetëm protestat paqësore legjitimohen si demokratike. Unë i bëj thirrje të gjitha palëve, të heqin dorë nga dhuna”, shprehet ambasadori gjerman./ CNA.al