Politikë
“Opozita dhe Meta janë organizatorë të rrëmujës”/ Rama: Loja e forcës me ligjin e me shtetin mbaron prapa hekurave

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pasditen e sotme sa i takon protestave të dhunshme që janë zhvilluar përgjatë dy ditëve të fundit për vrasjen e 25 vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë.
Përmes një postimi, Rama ka akuzuar opozitën jashtëparlamentare dhe presidentin Ilir Meta si orkestrues të këtyre trazirave, duke shtuar se ata janë të dëshpëruar dhe nuk kanë asnjë shans të kthehen në pushtet me votë.
Kryeministri gjithashtu u ka bërë thirrje prindërve të fëmijve të mitur që të mos i lejojnë të dalin në tubim, pasi do të përballen me ligjin.
“Opozita dhe Presidenti janë jo vetëm nxitësit,po edhe orkestruesit e dhunës që poshtëron kujtimin e Klodianit, gjoja për drejtësi por në fakt vetëm për hesapet politike të LulitSaliutIIliritMonikës! Janë të dëshpëruar se s’kanë asnjë shans të rikthehen në pushtet me zgjedhje!
S’kanë më njësi komunale për të mbushur autobuzë, e dinë që përveç turmës së tkurrur të militantëve s’i ndjek më askush dhe paguajnë lart e poshtë deri edhe minorenë, duke u kërkuar të thyejnë e djegin rrugëve të qytetit, që të thonë ja s’ka rend, s’ka siguri, s’ka shtet..
Dhe ndërkohë që polici fajtor del para gjykatës,ministri i brendshëm jep dorëheqjen(edhe pse aspak fajtor, po qytetar fisnik që njeh ndjesën),Saliu krenohet si ka vrarë e si do vriste akoma, Iliri akuzon policinë, Monika shpërndan gurët, Luli ha përshesh e pret të bëhet dhëndërr!
Thirrja ime për prindërit e minorenëve të abuzuar nga LSI është ruajini fëmijët nga kthetrat e të paudhëve pa atdhe, ndërsa për këdo tjetër që merr rrugët për të thyer e për të djegur, duhet të jetë shumë e qartë që loja e forcës me ligjin e me shtetin mbaron prapa hekurave”, shkruan Rama./CNA.al