LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Gjermania i bën Poloninë e Hungarinë të pranojnë vullnetin e shumicës së BE

11 Dhjetor 2020, 13:29, Kosova & Bota CNA

Kompromisi i arritur është pa dyshim një arritje e madhe e presidencës gjermane të BE. BE flet për një fitore për të gjithë, por në fakt Polonia dhe Hungaria u detyruan të tërhiqen.

Ato kishin kërcënuar se do ta bllokonin me veto buxhetin shtatëvjeçar të BE dhe fondin e rindërtimit të Coronas, të lidhur me të – për shkak të mekanizmit të ri të kushtëzimit të BE.

Ky mekanizëm i ri parashikon që Komisioni Evropian të kërkojë ndalimin e subvencioneve të BE për një shtet,  kur mendon se përdorimi i këtyre subvencioneve rrezikohet nga deficite në sundimin e ligjit te ai shtet.

Deficite të tilla mund të jenë cënimi i pavarësisë së gjykatave; kur nuk zbatohen vendimet e gjykatave; apo kur një shtet nuk vepron aktivivisht kundër korrupsionit.

Si Polonia, ashtu edhe Hungaria kanë probleme në këtë drejtim. Tani mekanizmit të kushtëzimit iu shtua një “deklaratë interpretuese”, tre faqëshe. Gjithashtu, mekanizmin duhet ta verifikojë Gjykata Evropiane e Drejtësisë në Luksemburg.

Presidenca gjermane e BE u dërgoi një sinjal shteteve të BE me raporte problematike me drejtësinë, shkruan Auron Dodi Arkitektja e kompromisit, kancelarja Angela Merkel tha se Gjermania dhe “ajo vetë” ishte përpjekur ?në mënyrë shumë intensive” “të gjente një zgjidhje për rezervat e shprehura nga Hungaria dhe Polonia. Në të njëjtën kohë…ne kërkuam një zgjidhje për të ruajtur mekanizmin e kushtëzimit…”

Presidenca gjermane e BE u dërgoi një sinjal shteteve të BE me raporte problematike me drejtësinë, shkruan Auron Dodi

Arritja e kompromisit nuk rezultoi e lehtë. Sipas burimeve nga Brukseli, Gjermania qe detyruar t’u vinte ultimatum deri të mërkurën Polonisë e Hungarisë. Po të mos hiqnin dorë nga vetoja, 25 shtetet e tjera do ta aprovonin fondin e rindërtimit duke e ndarë atë nga buxheti i BE. Në këtë rast, Polonia dhe Hungaria nuk do të merrnin para nga ky fond.

Tani buxheti i ri shtatëvjeçar i BE prej 1,1 bilion eurosh të BE si edhe fondi i rindërtimit të Covid-19 prej 750 miliardë eurosh mund të lëvrohen, që në janar të vitit të ardhshëm.

Vërtet fitore polake dhe hungareze ndaj BE?

Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki e deklaruan si fitore të tyre kompromisin. Kjo bazohet në faktin që BE tani pranoi që këtë mekanizëm, pra lidhjen e subvencioneve me shtetin ligjor, ta verifikojë jo vetëm ekipi i juristëve të BE, por edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë.  Për një verifikim, kësaj gjykate i duhen zakonisht nga 12-18 muaj.  Pra faktikisht kemi një shtyrje të fillimit të zbatimit të mekanizmit (por jo ndryshim të tij). Jo formalisht thuhet se këtyre shteteve u dhanë siguri edhe se ky mekanizëm nuk i detyron ato të pranojnë refugjatë. Siç kishin deklaruar ato.

Kjo u mundëson qeverisë polake dhe hungareze të ruajnë fytyrën. Por në thelb ato u detyruan të heqin dorë nga vetoja.

Mekanizmi i kushtëzimit nuk u ndryshua

Ajo që është kryesorja: BE e la të paprekur mekanizmin e ri, që u miratua në korrik.  Ky mekanizëm u hartua, pasi u pa se disa shtete si p.sh. Hungaria veprojnë në një hapësirë juridike gri, që nuk mbulohet mirë nga instrumentat ekzistues të BE. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me ardhjen e saj prezantoi edhe mekanizmin e dërgimit të vendimeve të BE, që kontestohen, në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Por duke qenë se mullinjtë e drejtësisë evropiane shpesh bluajnë ngadalë, kjo i bën vendimet e kësaj Gjykate nganjëherë me vlerë jo praktike për disa zhvillime që avancojnë.

Instrumenta të tjerë si ndëshkimi i një shteti duke i hequr të drejtën e votës, kur mendohet se ai shkel të drejtat bazë të BE, siç e parashikon Neni 7 i BE, nuk është e lehtë të zbatohen.

Shtete të veçuara nuk i rezistojnë dot vullnetit të shumicës në BE

Kur shumica në BE është e vendosur për një çështje, megjithë mekanizmin e vetos, shtete të veçuara të BE nuk i rezistojnë dot gjatë vullnetit të saj. Këtë e pamë edhe në rastin e vetos së Francës për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Megjithëse Franca kishte argumente që pranoheshin edhe nga të tjerë për rezervat e saj, dikur ajo u tërhoq përballë shumicës, pasi inicioi disa ndryshime, më tepër kozmetike, të metodologjisë së pranimit në BE. As Gjermania nuk ia imponoi dot e vetme Bashkimit Evropian kuotat për shpërndarjen e refugjatëve.

Tani Polonia dhe Hungaria e sfiduan BE për parimet themelore të tij.  Dhe megjithë kompromiset e dendura në BE, shteti juridik nuk është fjalë boshe në komunitet.

Polonia, Hungaria dhe Bullgaria ? raporte problematike me drejtësinë

Drejtësia në Poloni konsiderohet e cënuar politikisht, që me goditjet që i dhanë atje Gjykatës së Lartë. Puna ka shkuar deri aty, sa së fundi, një gjykatë holandeze nuk lejoi ekstradimin, në Poloni, të një personi, me argumentin se atje atë nuk e pret një proces gjyqësor korrekt.

Veçse shkatërrimi i besimit ndaj njëri-tjetrit në bashkësinë 27 anëtarëshe e dobëson Bashkimin Evropian. Këtë rrethanë e mban parasysh tani mekanizmi i ri i kushtëzimit të subvencioneve të BE me respektimin e shtetit juridik.

Kurse Hungaria konsiderohet se kryeson antiliberalët në BE. Kryeministri Orban ndjek shpesh politika ultra të djathta dhe që nuk respektojnë minoritetet në vend.

Në BE ekziston gjithashtu një frikë e bazuar se tolerimi i Polonisë dhe Hungarisë do të frymëzonte shtete të tjera për mosrespektim të vlerave themelore.

Presidenca gjermane e BE u dërgoi një sinjal shteteve të BE me raporte problematike me drejtësinë, shkruan Auron Dodi

Shteti tjetër në fokus të Komisionit Evropian është Bullgaria. Nga njëra anë, në Bullgari ka një konflikt të hapur mes Kryeministrit dhe Presidentit të vendit. Mendohet se kryeministri Bojko Borisov ka ndikim te Prokurori i Përgjithshëm, i cili dha urdhër pak kohë më parë të kontrollojnë zyrat e dy punonjësve të Presidentit.

Nga ana tjetër, ekziston përshtypja se fondet e kohezionit të BE janë përdorur në Bullgari për të pasuruar edhe një grup të vogël njerëzish.

Por ndryshe nga Polonia dhe Hungaria, kryeministri  bullgar nuk e ka sfiduar edhe verbalisht Bashkimin Evropian. Ai as tani nuk kërcënoi me veto.

Kurse në Poloni, qarqe ultra të djathta luanin këto kohë me idenë e daljes nga BE. Ato e shohin veten si viktima të një ?ideologjie të LGBTQ” në Evropë. Në Hungari, kryeministri Orban tregoi se Britania e Madhe ka përparësi ndaj BE, gjë që u pa në lejen për vaksinën e Covid-19 të firmës së Biontech/Pfizer. Londra veproi këtu më herët se BE.

Shtetet lindore të BE ? përfitues të mëdhenj financiarë nga BE

Polonia dhe Hungaria janë nga përfitueset kryesore të BE. Për të marrë një shembull: në vitin 2018, 3,4 përqind e produktit të brendshëm bruto të Polonisë u financua me transferta të BE; për Hungarinë ky financim madje arriti në 5 përqind të produktit të brendshëm bruto.  Edhe nga fondi i rindërtimit të Covid-19 ato pritet të marrin disa miliarda.

Polonia e Hungaria u detyruan të heqin dorë nga vetoja për disa arsye. E para, sepse BE do t’i kishte anashkaluar, do ta kishte miratuar fondin e rindërtimit nga Covid-19 ndaras nga buxheti. E dyta, në një rast të tillë ato do të kishin mbetur duarbosh, pa fonde rindërtimi. Dhe para zgjedhjeve mot në këto vende, këtë do ta kishin ndjerë. E treta, ato bënë llogari të gabuar kur sfiduan presidencën gjermane të BE para përfundimit të saj. Ultrakonservatorët në Poloni luajtën publikisht me idenë e daljes nga BE. Kjo në një kohë kur në BE dihet që për kancelaren Merkel uniteti i komuniteti është veçanërisht i rëndësishëm.

Por këtu u gabuan. Një sfidim i presidencës gjermane të BE bëri që Gjermania, në krye të BE, t’u tregojë kufijtë./DW

Lajmet e fundit nga