LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zhvillimi ekonomik/ Gjermania ndihmon Kosovën me 72 milionë euro

9 Dhjetor 2020, 13:17, Kosova & Bota CNA
Zhvillimi ekonomik/ Gjermania ndihmon Kosovën me 72 milionë euro

72.1 milionë euro është ndihma e radhës e Gjermanisë për Kosovën. Kjo shumë do të vihet në funksion gjatë dy viteve të ardhshme dhe ndihma gjermane do të fokusohet në “mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, procesin e reformave të integrimit evropian, dhe në investime në energji e efiçiencë të energjisë?. Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe ambasadës gjermane në Prishtinë, pas përfundimit të negociatave ndërmjet dy qeverive për ndihmë financiare për Kosovën. Nga shuma e përmendur prej 72.1 milionë eurosh, bëhet e ditur se 12.2 milionë janë për asistencë teknike dhe 59.9 milionë për asistencë financiare.

Rohde: Gjermania investitori i huaj më i madh

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, thotë se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave. “Gjermania është donatori më i madh bilateral dhe investitori i huaj më i madh në Kosovë. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave që e bëjnë atë të përshtatshme për një të ardhme në Bashkimin Evropian. Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, ku fokusohemi në mbështetjen e arsimit profesional dhe zhvillimit të bizneseve. Gjermania po ashtu do të vazhdojë me investime domethënëse në infrastrukturën publike në Kosovë, duke u fokusuar në energji, kanalizim, dhe trajtimin e mbeturinave?, citohet ambasadori Rohde.

Për një bashkëpunim të qëndrueshëm ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe shtetit të Gjermanisë shprehet edhe ministrja e Financave Hykmete Bajrami. Bashkëpunimi 22 vjeçar ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është “bashkëpunim zhvillimor në drejtim të transformimit të ekonomisë dhe ndërtim të institucioneve në linjë me kërkesat e Bashkimit Evropian?.

“Mbështetja e Qeverisë Gjermane përmes projekteve kyçe infrastrukturore ka ndikim tejet të madh në përmirësimin e kualitetit të jetës për qytetarët e vendit tonë, dhe në emër të Qeverisë zotohem që do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha me prioritet dhe t’i përmbahemi obligimeve që rrjedhin nga ato projekte?, citohet ministrja Bajrami.

Gjatë dy viteve të ardhshme bashkëpunimi zhvillimor me Gjermaninë do të fokusohet në fushat në vijim: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, mbështetje për arsimin profesional të orientuar kah tregu i punës dhe aktivitetet për zhvillimin e sektorit privat, siç është përmes Parkut Inovativ-Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren. Më tej do të jepet mbështetje për procesin e reformave të integrimit evropian dhe kontribut drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës, përfshirë projektin për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave të ngurta në përputhje me standardet evropiane. Aty modernizimi i sektorit të energjisë, ku investimet gjermane do të përmirësojnë efiçiencën e energjisë dhe të rrisin pjesën e burimeve të ripërtërishme, kryesisht përmes energjisë solare. Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, qeveria Gjermane ka investuar më shumë se 660 milionë euro në Kosovë./DW

 

 

Lajmet e fundit nga