Kronika
Shpërndanin drogëra të forta/ Policia arreston pronarin dhe kamarierin në Fier

Policia e Fierit ka goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drograve të forta në doza të vogla duke arrestuar dy të rinj.
Përmes një njoftimi, Policia bën me dije se në pranga janë vënë shtetasit me iniciale K. S., 26 vjeç dhe I. T., 22 vjeç.
“Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Bien në pranga 2 shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike. Sekuestrohen 4 doza me lëndë narkotike kokainë, 19 doza me cannabis sativa dhe municion luftarak.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, shërbimet e Policisë Fier, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Golf” me drejtues shtetasin K. S. dhe gjatë kontrollit në lokalin që ai kishte marrë me qira në fshatin Baltëz, ku punonte kamerier shtetasi I. T., kanë gjetur 4 doza me lëndë narkotike kokainë, 4 doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe disa fishekë luftarak.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. T. u gjetën 15 doza me lëndë narkotike cannabis sativa”, thuhet në njoftimin e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale./CNA.al.