LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kasemi ishte njëri nga ne, na mungon të gjithëve

6 Dhjetor 2020, 12:56, Sociale CNA
Kasemi ishte njëri nga ne, na mungon të gjithëve

Nga Anila BASHA

(In memoriam)

Gjethet e zverdhura të vjeshtës së vonuar, i bien mbi arkëmortin që shkon me trupin e tij për në banesën e fundit. Muzika funebre në sfond të trondit dhe të kujton se jemi duke i thënë përfundimisht Lamtumirë, Kasemit, mikut tonë të çdo kohe.

Por, po dërgohet atje në banesën e fundit vec trupi i tij, si fizik. Shpirti i tij endet mes kujtimesh, intervistash, statusesh në rrjetet sociale, apo dhe atyre që ende nuk e besojnë dhe nuk kanë fjalë ti thonë, sepse, as nuk duan ta besojnë se Kasem Hysenbelliu nuk është më.

Kush e njohu dhe nuk tha: Cfarë fatkeqësie?Virusi po merr më të mirët.

Po, Kasemi ishte një ndër më të mirët. Gjithe kohën për sa e njoha ka mbajtur detyrën e drejtorit, administratorit, pronarit, por vetëm në një rast e shfrytëzonte këtë titull e pozitë që mbante: atëherë kur fuste dorën në arkat e cdo kompanie dhe dorëshpuar si ai, shpërblente gazetarët, ata të thjeshtët, që në shi e në diell, në borë a në përmbytje, në protestë apo në fatkeqësi, ishin të parët që rrinin me orë të tëra për të sjellë lajmin e fundit.

Ishte Kasemi që mendonte për ta. I merrte në telefon, i inkurajonte, u thoshte se puna dhe mundimi i tyre nuk do të lihej pa u shpërblyer, jo vetëm në aspektin monetar, por edhe atë shoqëror e familjar.

E bënte dhe Kasemi drejtorin, po. Por e bënte kur secili nga gazetarët (dhe jo vetëm), nga stafi i tij (dhe jo vetëm) kishin halle. Donin zgjidhje për problemet. Kishin një familjar të sëmurë, apo diku, një dokument nga shteti që u vonohej pa të drejtë. Një kredi që nuk merrej, një vertetim që nuk jepej, një derë spitali që nuk hapej; një punësim që vonohej; një ndihmë për fëmijën në shkollë; apo një padrejtësi diku në vendin e punës. Nuk shqetësohej askush se Kasemi ishte aty. Nuk kishe nevojë t?i bije me shkelm derës së zyrës së drejtorit. Dera e zyrës së tij ishte gjithmonë e hapur, dhe pasi uleshe aty të ftonte dhe fjalia e parë ishte: Cfarë problemi ke?Si mendon ta zgjidhim?

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që telefoni i Kasemit të mbyllej, ditën apo natën. Nuk del dot kush të thotë se hyri te Kasua dhe nuk dëgjoi fjalën e mirë apo urtësinë e tij.

Makina e tij nuk ishte nga ato të luksit me bodigardë e shoferë që duhej të mbante një drejtor e pronar si ai. Kasemi i merrte me vete gazetarët në makinë, i shoqëronte, turnet e natës i conte poshtë derës së shtëpisë, e të nesërmen interesohej që makina e punës të mos i harronte.

Kasemi ishte nga ata drejtorë e pronarë që të jepte dorën, të rinjve u jepte mundësinë, të vjetërve u tregonte se mund të ecnin më shumë, sesa kishin arritur. Ishte i pari që thoshte kur gabohej ?s?ka gjë, herën tjetër do ta bësh më mirë?.

Sa e sa orë, ditë, që nga viti i largët 2002, kemi kaluar, dhe përherë Kasua të tregonte anën e tij njerëzore, me optimizmin për zgjidhje të problemeve. Madje, për të, problemet mbeteshin atje te Kasua. Ne të tjerët, vazhdonim punën normalisht.

Ky ishte Kasua drejtori, pronari, administori.

Për gjithë të tjerat, Kasem Hysenbelliu ishte njëri nga ne, njëri nga gjithë armata e gazetarëve dhe punëtorëve të medias që ndoshta nuk ulej në kompjuter të shkruante një lajm; por qëndronte aty pas teje dhe gëzohej si fëmijë, e qeshte e entuziazmohej kur shihte sa bukur e kishe bërë. Apo qëndronte aty pas te regjia, te pulti i trasmetimit për të parë sesa bukur dilte intervista, emisioni, protesta live, transmetimi?

Kasemi ishte i pari që hapte zyrën e derën e cdo redaksie. I fundit që ikte prej saj. Kelës dhe fëmijve u conte në shtëpi edhe problemet tona. Të nesërmen, të vinte me zgjidhje.

Kasemi ishte ai që nuk mungonte në ceremoni mortore dhe festive të gazetarëve të vet dhe atyre që kishte punuar. Kasemi ishte i vetmi, që sikur të kishte shef protokolli, kujdesej të conte mesazh për ditelindje, festa e gëzime fëmijësh.

Kasemi ishte ai që të conte mesazh kur shihte se diku ishte gabuar, dhe një lajm nuk kishte dalë mirë. E ka bërë dhe me mua.

Kasemi ishte i vetmi që organizonte komunitetin e gazetarëve, i bënte bashkë. Trokiste gotat e hidhte vallen me ne. Nuk pranonte tavolinën VIP, ishte aty te tavolina e gazetarëve, operatorëve, montazhierëve, shoferëve?.

Ndaj sot qajmë të gjithë për largimin nga kjo botë të Kasemit, sepse do na mungojë ana njerëzore e shefit që nuk do ta ketë më asnjë prej redaksive që ai krijoi, ndërtoi e punoi me përkushtim.

LAMTUMIRE O MIKU YNE I PAHARRUESHEM!

Lajmet e fundit nga