Kultura
Lirohet nga detyra Kiço Londo/ Zbulohet kush do drejtojë Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”

Drejtori i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” Kiço Londo është liruar ditën e sotme nga detyra që mbante për një kohë të gjatë.
Në vendin e tij është emëruar regjisori Altin Basha. Ky i fundit u largua pak kohë më parë nga programi i humorit “Portokalli”, në Top Channel, pas përplasjeve të vazhdueshme me drejtuesit e televizionit, por edhe mes vetë trupës së aktorëve.
Vendimi për London është marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë, ndërsa është firmosur nga ana e zv.kryeministrit Erion Braçe, në mungesë të Edi Ramës.
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është krijuar në vitin 2014 dhe është pjesë e Teatrit Kombëtar, i cili ka zëvendësuar Teatrin e Komedisë, ndërsa ndodhej në të njëjtën ndërtesë me TK, e cila u shemb.
Mësohet se dy javë më parë Ministria e Kulturës ka zhvillua një garë pasi Londos i kishte përfunduar mandati i tij dy vite më parë.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
PËR LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË TEATRIT KOMBËTAR EKSPERIMENTAL “KUJTIM SPAHIVOGLI”
Në mbështetje pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr. 10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës,
Këshilli i Ministrave VENDOSI:
- Z. Kiço Londo, drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, lirohet nga kjo detyrë.
- Z. Altin Basha emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
ZËVENDËSKRYEMINISTËR Erion Braçe/CNA.al.