Blog
Pse Joe Biden nuk mund ta bashkojë Amerikën?

Nga Scott Mcconnell “National Interest”
Donald Trump u përball me një media padrejtësisht armiqësore ndaj tij. Por në krahasim me Joe Biden ai pati një avantazh të qartë në fillim të mandatit. Ai i mposhti dhe iu imponua rivalëve të tij ideologjikë në Partinë Republikane.
Establishmenti i Partisë Republikane, mbajti një fuqi të konsiderueshme në Kongres dhe Senat – dhe Trump nuk mund të qeveriste pa ta. Por Trump kishte mundur Bushin dhe Rubion dhe Kruzin. Ai mund të tërhiqte pas vetes turma të mëdha amerikanësh, ndërsa ata nuk mundën.
Autoriteti i tij mbi Partinë Republikane mund të ketë qenë i lëkundur; “rezistenca” ndaj tij nga ana e Deep State (Shtete të Thellë) dhe nga periferitë e pasura ishte e frikshme, dhe në fund ajo e rrëzoi nga pushteti. Por askush nuk mund t`a mohojë që ngritja e tij ishte bazuar në entuziazmin masiv të votuesve.
Biden , një senator centrist mjaft i pëlqyer në publik, nuk mund të mburret me asgjë të tillë. Ai dominoi në fund pas një fillimi turpërues e të dobët të fushatës së tij, (përfundoi në vendin e katërt dhe të pestë në Ajoua dhe Nju Hempshajër në garat brenda Partisë Demokratike), i shpëtuar vetëm nga mbështetja jetike e një kongresmeni në Karolinën e Jugut, që ndikon tek më shumë votues se çdo politikan në Amerikë, pasuar menjëherë nga një nxitim në panik i demokratëve për t`a sabotuar garën e socialistit Berni Sanders.
Më pas u tërhoqën Majkëll Blumberg, Pit Batigig dhe Emi Klobushar. Biden triumfoi gjatë Super së Martës në kohën kur koronavirusi po mbyllte SHBA-në. Ishte thuajse me siguri rrugëtimi më i dobët, drejt një nominimi presidencial në historinë politike amerikane të kohëve të fundit.
Partia që e propozoi Bajden është më e përçarë se ajo që e nominoi Trumpin në vitin 2016. Dallimi është se beteja midis fraksioneve nuk ka mbaruar ende. Socialistët patën një kauzë të përbashkët me neo-liberalët e “Shtetit të thellë” dhe të korporatave në botë, kur besuan se Donald Trumpi përbënte një lloj kërcënimi unik për demokracinë amerikane.
Por me largimin e Trumpit, ata nuk i bashkon më asgjë. Dikush mund të imagjinojë një politikan të talentuar (një Bill Klinton në kohën e tij më të mirë), që është i aftë të zbusë përçarjet dhe të qetësojë pjesërisht humbësit. Por këtë gjë nuk ka gjasa ta bëjë Bajden as tani dhe në çdo moment të karrierës së tij.
Ndarjet janë po aq të forta sa ato që ndanë dikur kryebashkiakun e Çikagos Riçard Dalej dhe mbështetësit e kandidati demokrat Mekgavërn, që humbi zgjedhjet e vitit 1972. Sot kemi një të majtë liberale ose socialiste që shqetësohet vërtet për pabarazinë ekonomike, e cila është rritur në SHBA gjatë 40 viteve të fundit.
Elizabet Uorren dhe Berni Sanders në një mënyrë më dogmatike folën për ta. Por në PD ekziston edhe fraksioni i politikës së identitetit, që i injoron pabarazitë ekonomike nëse ato nuk kanë të bëjnë me zezakët apo hispanikët, dhe është i interesuar për një luftë kulturore në shkallë të plotë kundër të bardhëve, gjë që do të thotë kundër pjesës më të madhe të kulturës dhe historisë amerikane.
Të dy grupime mbështesin shumë Berni Sanders, por nuk është e qartë se çfarë ndajnë me njëri-tjetrin. Por e sigurt është se praktikisht nuk ndajnë asgjë me miliarderin Majkëll Blumberg apo titanët e tjerë të Wall Street, që kontribuan aq shumë në fushatën e Bidenit. Një pasojë është se që në fillim të tranzicionit, Bajden ka provokuar me përzgjedhjet e tij raciste në stafin që do të ketë.
Gjatë 5 ditëve të fundit, qindra protestues të lëvizjes “Black Lives Matter” (BLM) kanë rrethuar shtëpinë e kryebashkiakut të Los Anxhelosit Erik Garseti, duke protestuar kundër mundësisë që atij t`i jepet një post në kabinetin e administratës Biden. Garseti, ishte bashkë-kryetar i fushatës së Biden dhe ndoshta zyrtari më i njohur hispanik i Kalifornisë, ai është i njohur për refuzimin e kërkesave të BLM për të mos paguar dhe financuar departamentin e policisë në Los Anxhelos. Edhe zgjedhja e guvernatorit të Kalifornisë Gavin Njuzëm si kandidat për të plotësuar vendin vakant në Senat të lënë bosh nga zëvendës presidentja e zgjedhur Kamala Herris, debatohet shumë për shkak të politikës së identitetit, teksa zezakët, hispanikët dhe komuniteti LGBTQ, pretendojnë se atë post e meriton një nga “komuniteti” i tyre.
Dhe nuk dëgjohet asnjë lloj argumenti që bazohet tek karakteri, intelekti ose talenti politik i kandidatëve të tyre të preferuar. Politika brenda Partisë Demokratike, i ngjan gjithnjë e më shumë një loje me shumën zero të garave të identitetit, të zhvilluar nën flamujt e përfshirjes dhe diversitetit.
Këto beteja lokale zhvillohen teksa Bajden po përpiqet të krijojë një kabinet që do të jetë “ më gjithëpërfshirësi në histori”. Kur Bashkimi Sovjetik po shkonte drejt shpërbërjes, Georgi Arbatov, një intelektual pranë Byrosë Politike, vërejti se Moska do t’i shkaktonte probleme të mëdha Amerikës duke e “privuar nga një armik”.
Ai mund të ketë pasur të drejtë. Trump ka pasur të njëjtin funksion për Partinë Demokratike. Tani që e “keqja” është zhdukur, brenda demokratëve do të nisin të përdoren “thikat”. Për këtë arsye, parashikimi më i sigurt politik, është se ata që votuan për një “rikthim në normalitet” nën Joe Biden janë vërtet të zhgënjyer./Përshtatur nga CNA.al
Burimi: https://nationalinterest.org/feature/why-joe-biden-can%E2%80%99t-unify-america-173601
Lajme të Rekomanduara:

Bazil Zaharof, “tregtari” i vdekjes që u bë njeriu më i pasur i Evropës
Për shumicën nga ne, emri Bazileios Zakarias, ose Bazil Zaharof, nuk do të thotë asgjë. Megjithatë, ky person la gjurmë në histori me veprimet e...

Studimi/ Rreziku nga forma e rëndë e Covid-19, mund të përcaktohet që në fillim të sëmundjes
Arsyeja se pse shumica e njerëzve që preken nga një formë e lehtë e Covid-19 ose nuk kanë asnjë simptomë, ndërsa disa sëmuren rëndë, mbetet...
1 Koment