Aktualitet
Ishte infektuar me koronavirus/ Humb jetën ish-presidenti i Francës

Ndahet nga jeta në moshën 94 vjeçare ish-presidenti francez Valery Giscard d’Estaing, pasi ishte infektuar me COVID-19.
Giscard, i cili ishte udhëheqësi i Francës nga 1974 në 1981, ishte shtruar kohët e fundit në spital në Tours, në Francën perëndimore. Ai u nda nga jeta në shtëpinë e familjes së tij, pasi vuajti nga ndërlikimet e lidhura me virusin, shkruan Reuters.
Ai ishte shtruar në spital në shtator me ndërlikime të frymëmarrjes dhe u shtrua përsëri në spital në mes të nëntorit. Giscard ishte i njohur për drejtimin e një modernizimi të shoqërisë franceze gjatë presidencës së tij, duke përfshirë lejimin e divorcit me pëlqimin e ndërsjellë dhe legalizimin e abortit, dhe ishte një nga arkitektët e integrimit evropian.
I zgjedhur president në moshën 48 vjeç, ai erdhi në pushtet pas sundimit të gjatë të Charles de Gaulle, duke kërkuar të liberalizonte ekonominë dhe qëndrimet shoqërore dhe u kreditua me fillimin e projekteve të mëdha, duke përfshirë rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë TGV të Francës. Ai humbi mundësinë e tij për rizgjedh, ndaj socialistit Francois Mitterrand, pas rënies ekonomike globale të viteve 1970./CNA.al