LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mero Baze humb nënën/ "Dje mendoi se u rrita boll për të më lënë vetëm!"

2 Dhjetor 2020, 22:04, Sociale CNA
Mero Baze humb nënën/ "Dje mendoi se u rrita boll për

Gazetari Mero Baze ka lajmëruar ndarjen nga jeta të nënës së tij.

Teksa ka njoftuar ndarjen nga jeta të të ëmës, Baze ka treguar edhe një histori nga fëmijëria e tij. Mes rreshtash, gazetari shkruan se çdo moment kishte frikë se do ta humbiste, por ajo iku vetëm pasi ishte mjaftueshëm i rritur për të qënë pa të.

?Ikja e Nënës
Kur isha në klasë të gjashtë më thanë se nëna do të vdesi. Ajo kishte dy javë shtruar në spital dhe nuk po e shëronin dot.
Nuk kishte ndodhur ende ndonjë vdekje në familjen tonë dhe unë nuk isha shumë i qartë se çfarë ishte vdekja e lajmëruar e nënës.
Sapo mbaroi mësimi tek shkolla buzë rrugës, unë pash një makinë portabël nga ato që ngarkonin zhavor, dhe hipa sipër. Spitali ishte në një fushë në periferi të qytetit, rreth gjysëm ore me këmbë nga aty ku më la makina.
Arrita rreth orës 4 mbasdite në spital, në një ftohtë të hidhur dhjetori, kur nata po afrohej.
Mjekja roje më pa e çuditur për orarin dhe më pyeti se kë kërkon.
-Maman, -i thashë. Eshtë sëmur dhe do vdesi.
Ajo më pa e tmerruar.
-Kush të tha ty që do vdes?
-Kështu thonë të gjithë.
-Eja me mua.
Ajo nxitoi në dy koridorë të ngushtë dhe unë pas 1 minute ishte tek dhoma e saj.
Dhoma ishte e ngrohtë dhe ajo ishte veshurë me rroba me vija. Krevati ishte i pastër dhe nëna kishte një tubë llastiku të ngjitur tek dora.
Shtangu kur më pa mua dhe ende pa më ledhatuar, pyeti e alarmuar se më kë kisha ardhur dhe me kë do kthehesha.
E gënjeva që do rri nga daja në qytet dhe u qetësua.
-Çfarë i ke sjellë mamas, pyeti doktoresha që donte të nxirrte nga situata, duke menduar që unë kisha ardhur si vizitor me leje nga shtëpia në spital.
Hapa çantën e librave si i zënë në faj dhe aty nuk kishte asgjë.
Në moment nxorra fletoren e detyrave që mësuesi më kishte vënë notën ?dhjetë? dhe ja zgjata mjekes në vend të mamas.
-Bravo,- tha mjekja. Mamaja do shërohet shpejt.
Më vonë kur mamja doli nga spitali dhe erdhi në shtëpi, dëgjova se mamaja vuante nga ulçera në stomak, ngaqë siç i kishte thënë Doktori nuk hante ushqim në rregull, në të njëjtin orar dhe ato që duhej.
Në fakt unë nuk e kisha parë nënën të hante kurrë. Unë nuk e di kur hante ajo. Kishte rritur gjashtë fëmijë me të ardhura mbijetuese. Ishte një kohë kur për ushqimin mund të shikoje ëndrra të bukura vetëm kur flije.
Ajo jetë ja kishte bërë cop stomakun, të cilin në atë kohë e konsideronin sëmundje të rënd.
Pastaj kohët ndryshuan dhe nëna jetoi shumë mirë.
Pas vitit 1991, kur jeta u përmirësua ndjeshëm, nëna nuk u ankua kurrë nga stomaku.
Nëna iku dje në moshën 92 vjeçe, pa asnjë sëmundje, dhe pa ndonjë breng për të gjithë ne që la pas.
Kisha një jetë të tërë që jetoja me frikën se ajo do vdiste dhe duket se frika ime e bëri të jetonte gjatë. Dje mendoi se u rrita boll për të më lënë vetëm?, shkruan Baze./CNA.al

Lajmet e fundit nga