Connect with Us

Xhon Permberton, mjeku që shpiku Coca-Cola, vdiq shumë i varfër dhe i varur nga morfina

Blog

Xhon Permberton, mjeku që shpiku Coca-Cola, vdiq shumë i varfër dhe i varur nga morfina

Publikuar

-

Coca-Cola, është padyshim pija më i njohur dhe më popullore në botë. Bashkë me disa kompani të tjera shumëkombëshe, Coca-Cola është një nga simbolet negative të globalizimit gjatë fundit të viteve 1980 dhe viteve 1990, një gjigant me përmasa të mëdha, i aftë t’ia shiste thuajse kujtdo këët pije.

Kompania tani ka mbi 130.000 punonjës dhe rekord shitjesh, por historia e saj filloi në një mënyrë të çuditshme. Pija u shpik nga Xhon Pemberton, mjek dhe farmacist me origjinë nga Xhorxhia. Ai luftoi në Luftën Civile të SHBA-së në krah të ushtrisë së Konfederatës.
Në prillin e vitit 1865, Pemberton mori pjesë në Betejën e Kolumbias, e konsideruar nga shumë historianë si përballja vendimtare e saj lufte. Gjatë luftimeve ai u plagos në gjoks, por u shpëtua nga mjekët e kampit.

Pas plagosjes, Pemberton përdori morfinë për një kohë të gjatë, nga e cila si shumë veteranë të tjerë, u bë shumë shpejt i varur. Në kërkim të një metode për të kapërcyer këtë varësi, Pemberton nisi të kërkonte një zgjidhje, duke krijuar një pije për ta zëvendësuar atë.
Në vitin 1866, një vit pas Betejës së Kolumbias, ai nisi të shiste një pije të quajtur “Coca e Verërave Franceze të Pemberton”. Pija alkoolike, u prodhua në farmacinë e tij “Pemberton Aquila & Drugs House”. Ajo u reklamua si qetësues i dhimbjeve, si anti-depresiv dhe afrodiziak, dhe fitoi një popullaritet të madh në atë kohë, edhe pse nuk e zgjidhi varësinë që kishte farmacisti nga morfina.

Në vitin 1886, Qarku i Atlantas miratoi një ligj që i ndalonte banorët të prodhonin, blinin apo tregtonin alkool, një shenjë e parë e asaj që u bë mbi 30 vjet më vonë, ligji federal i Prohibicionit. Në ato kushte, Pemberton u detyrua ta modifikojë pijen e tij, duke e kthyer atë në jo-alkoolike. Ai kërkoi ndihmën e farmacistit dhe mikut të tij të vjetër Uillis Venejbëll, dhe bashkë arritën të krijonin një version të hershëm të famshëm të Coca-Cola. Në fillim synimi ishte që ajo të shndërrohej në një ilaç të vërtetë. Por Pemberton e përzieu aksidentalisht shurupin me ujin e gazuar dhe shpiku Coca-Cola që të gjithë e njohim sot.

Pemberton dhe partneri i tij, e nuhatën potencialin e pijes që krijuan, dhe parashikuan që ajo do të bëhej e njohur në mbarë SHBA-në. Fillimisht, Coca-Cola u prit ftohtë nga konsumatori, dhe Pemberton nisi t’ua shiste disa nga aksionet e kompanisë disa biznesmenëve në Atlanta. Menjëherë pasi shpiku Coca-Cola, shëndeti i tij nisi të përkeqësohej, gjë që e detyroi të merrte doza gjithnjë e më të mëdha të morfinës.

Ilaçet kundër dhimbjeve ishin bërë shumë të shtrenjta, dhe shpikësi i shpenzoi të gjitha kursimet e tij, shuma të mëdha parash, për të blerë vazhdimisht morfinë. Ai vdiq në vitin 1888 nga kanceri i stomakut, gati në varfëri. Gjithsesi, Xhon Pemberton arriti t’i linte të birit Çarls disa aksione, të cilat sot do të vlenin miliarda dollarë. Por ai ishte shumë pak i interesuar për jetën si biznesmen, dhe shumë shpejt i shiti aksionet që kishte në kompani. Çarls Pemberton vdiq në vitin 1894, vetëm 6 vjet pas babait të tij, gjithashtu i varur nga morfina.

Pra asnjë nga familja Pemberton, nuk ishte dëshmitar i suksesit tregtar të Coca Cola-s.
Emri “Coca-Cola” u zgjodh nga Frenk Robinson, partneri në biznes i Pemberton. Por ishte Asa Çendler, një sipërmarrës nga Atlanta, ai që e bleu formulën dhe kompaninë për 2.300 dollarë në vitin 1887, duke e bërë atë ndër vite kompaninë më të pasur në botë që prodhon pije freskuese./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.vanillamagazine.it/john-pemberton-invento-la-coca-cola-ma-mori-poverissimo-e-dipendente-dalla-morfina

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Ankthi është i lidhur me pirjen e duhanit, arsyeja mbetet ende e mjegullt

Publikuar

-

Nga

Në këto kohë stresuese të pandemisë, ekspertët e shëndetit kanë më shumë arsye t’i kthehen sërish lidhjes midis ankthit dhe pirjes së duhanit:A i bën ankthi njerëzit të pinë duhan? Apo duhan-pirja shkakton ankth?

Ashtu si shumë aspekte të tjera të shëndetit mendor dhe varësisë, nuk ka përfundime të prera. “Unë mendoj se mbi këtë temë, ne kemi gjeneruar më shumë pyetje sesa kemi përgjigje”– thotë Brajan Hitsman, profesor i asociuar i mjekësisë parandaluese në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Veriperëndimor Fainberg në Çikago, SHBA.

Çrregullimet e ankthit, janë problemi më i zakonshëm i shëndetit mendor në SHBA, që prek 15-19 për qind të popullsisë së rritur dhe që përfshin gjithçka, nga fobitë tek sulmet e panikut, deri tek frika e madhe nga situatat e ndryshme sociale dhe shqetësimet kronike.
Ndërsa normat e pirjes së duhanit në SHBA kanë rënë gjatë 50 viteve të fundit, rreth 1 në 5 amerikanë të rritur – 50.6 milion – raportuan ende pirjen e duhanit në vitin 2019, kjo sipas të dhënave të fundit të bëra publike në nëntor 2020 nga Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimi (CDC).

Këto të dhëna gjithashtu treguan se 45 për qind e njerëzve me ankth të formës së rëndë, pinin duhan. Edhe tek ata me ankth të formave të lehta, 30 për qind konsumonin duhan. Por ndërkohë tek ata që raportojnë pak ose aspak ankth, vetëm 18 për qind pinë duhan.
Studime të tjera, tregojnë nivele më të larta të çrregullimeve të ankthit tek duhanpirësit, sesa popullata e përgjithshme. Gjithsesi, një studim i bërë publik vitin e kaluar në “Current Psychiatry Reports” tha se përkundër “provave të forta” që lidhnin pirjen e duhanit dhe ankthin, ka “mospërputhje të konsiderueshme për rolin e saktë të ankthit në fillimin, ashpërsinë, dhe rezultatet e ndërprerjes së pirjes së duhanit”.

Lorra Garej, autorja kryesore e studimit, tha se abuzimi me alkoolin dhe substancat, mund të mjegullojë lidhjen e vërtetë. Një faktor tjetër që e ndërlikon situatën, është marrëdhënia e dyanshme midis pirjes së duhanit dhe ankthit.

“Ky është një cikël i përhershëm që ushqehet në vetvete. Ju keni ankth, dhe kjo nxit pirjen e duhanit … dhe pastaj kemi njerëz që bëhen të varur nga nikotina, dhe që përjetojnë simptoma që imitojnë ankthin”-thotë Garej, asistent profesore në Universitetin e Hjustonit. Për Hitsman një problem tjetër, është se pirësit e duhanit mendojnë shpesh në mënyrë të gabuar, se konsumi i duhanit do ta reduktojë ankthin e tyre.

“Është një fiksim në kokën e tyre, se pirja e duhanit është një mënyrë efektive për të menaxhuar shqetësimin e tyre emocional. Kjo gjë i bën ndoshta ata të ndihen më mirë– thotë ai.

Por nga ana tjetër pirja e duhanit rrit rrahjet e zemrës, dhe shkakton ndryshime në trup, që janë e kundërta të relaksimit. Në fakt, pirja e duhanit shkaktonin shumë dëme në të gjithë sistemin kardiovaskular, duke çliruar që dëmtojnë dhe bllokojnë arteriet, të cilat mund të çojnë në një sulm në zemër ose goditje në tru. Lënia e pirjes së duhanit, mund të jetë tepër e vështirë për këdo, kryesisht për shkak të pranisë së nikotinës, një ilaç shumë toksikodipendent, që një mjek amerikan e krahasoi dikur me heroinën dhe kokainën./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://medicalxpress.com/news/2021-01-anxiety-linked-smokingbut-hazy.html

LEXO TE PLOTE

Blog

Jo, SHBA-ja nuk do të ketë unitet me Biden president

Publikuar

-

Nga

Nga Rich Lowry “National Riview”

Fjalimet e Ceremonive të Përurimit presidencial, synojnë të jenë frymëzuese. Ndaj presidenti Joe Biden, mund të ketë qenë disi frymëzues me thirrjen e tij për unitet gjatë fjalës që mbajti të mërkurën.

Pas ngjarjeve të 6 janarit, ka shumë nevojë për thirrje të tilla, ose të paktën për ndarje më pak helmuese, dhe theksi që Bajdenvuri mbi këtë çështje ishte thellësisht i ndjerë dhe plotësisht i sinqertë. Por, duke e bërë unitetin si qëllimin e tij kryesor dhe standardin me të cilin do të gjykohet nesër, them se Bajden do të shkojë drejt dështimit. Kur ai po ecte në segmentit e fundit të rrugës gjatë paradës tradicionale, 2 gazetarë të CNN e pyetën me zë të lartë, “President Bajden, a mund t`a bashkoni vendin?”. Ai nuk u përgjigj, por nëse do të ishte përgjigjur, ndershmëria duhet t`a kishte detyruar të thoshte:“Në fakt, ndoshta jo”.

Ka dy probleme me thirrjet për unitet. Njëra është se ato priren të jenë të mjegullta, duke lënë mënjanë atë që supozohet se po bashkojnë. Ne të gjithë duhet t`a respektojmë dhe nderojmë njëri-tjetrin si amerikanë, dhe të synojmë të ruajmë institucionet tona qeverisëse. Por përtej kësaj, çdo gjë bëhet e paqartë. Problemi tjetër është se thirrjet për unitet mund të përmbajnë një pritshmëri për të, pra besimin se njerëzit vërtet të arsyeshëm nuk mund ose nuk duhet të bien dakord me mirëbesim për çështje që kanë një rëndësi të madhe.
Kjo është mënyra se si të vetëquajturit “unitarianë” përfundojnë duke u bërë shumë partiakë dhe përçarës (Barak Obama binte shpesh në këtë grackë).

Pavarësisht kësaj, në politikën dhe shoqërinë tonë ekzistojnë faktorë madhorë që e bëjnë unitetin më të vështirë për t’u arritur, sesa në kohën kur Xho Bajden hyri dikur në politikë. As peizazhi mediatik nuk është aq i favorshëm për të nxitur – dhe zbatuar de facto – një konsensus siç ishte në epokën para-kabllore, para-internetit të 3 rrjeteve të mëdha televizive. Përpjekjet për të imponuar një konsensus përmes vendimeve se cila përmbajte duhet lejuar, apo për të shtypur zërat kundër në rrjetet e sotme sociale dhe faqet e internetit, nuk do të kenë sukses. Në fakt, ndërsa aktet e censurës drejtohen në shumicë kundër konservatorëve, ato (përveçse janë të gabuara) do të ushqejnë një reagim të ashpër që tashmë ka filluar.

Ndërsa çështjet me një ngarkesë kulturore, janë zhvendosur në qendër të vëmendjes në dekadat e fundit, ndarjet shkojnë më thellë dhe janë më pak të prirura për kompromis ose negociata. Ndryshimi, për shembull, midis Projektit 1619 dhe Komisionit 1776 të Trump (të anuluar menjëherë nga Bajden), përfshin çështje të thella në lidhje me natyrën e vendit tonë, që nuk mund të përpunohen në ndonjë takim të Komitetit të Përvetësimeve në Kongres.

Së fundmi, palët janë bërë gjithnjë e më të pastra në kundërshtimin e tyre ideologjik, kulturor dhe gjeografik ndaj njëri-tjetrit. Pastaj, janë çështjet praktike. Shumë shpejt, Trump do të jetë sërish në fokus të Uashingtonit në një gjyq për fajësimin, që do të zemërojë mbështetësit e tij populistë. Kjo nuk është një arsye për të hequr dorë nga procedimi, por askush nuk duhet të pretendojë se një gjyq pas presidencës që përpiqet t’a skualifikojë Trump nga mbajtja e çdo lloj posti federal në të ardhmen, do të jetë diçka tjetër përveçse një dramë shumë e diskutueshme që synon të lërë në hije çdo gjë tjetër që po ndodh.

Sa i përket përmbajtjes, Bajden nuk do të ndjekë një axhendë konsensuale, dypalëshe, por progresiste. Dhe kjo është në të drejtën e tij. Por gati gjithçka që ai do të bëjë në mënyrë të njëanshme do të kundërshtohet nga Partia Republikane.
Për më tepër, me largimin e Trump nga Shtëpia e Bardhë në një pikë kaq të ulët, do të ketë një tundim për të injoruar çdo mësim nga ngritja e tij në krye të vendit. Ndërkohë,një nga propozimet e para të mëdha legjislative të Bajden, është edhe një reformë tjetër “gjithëpërfshirëse” e emigracionit, që deri tani ka dështuar në mënyrë të përsëritur pas mobilizimit të opozitës masive bazë në të djathtë, tregon një prirje për të mos mësuar asgjë nga e shkuara.

Thënë kjo, presidenti Bajden mund të bëjë pjesën e tij për të ulur “temperaturën” e politikës amerikane, dhe për të ngritur tonin e saj, thjesht duke mos trazuar çdo ditë “kazanin” siç bënte Trump, dhe duke respektuar normat që la paraardhësi i tij. Kjo nuk do të jetë transformuese, por në fakt mund të ketë një unitet rreth propozimit se do të jetë një
ndryshim i mirëpritur./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.nationalreview.com/2021/01/no-there-wont-be-unity/#slide-1

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse po dështon qasja e vendeve të varfra tek vaksinat e koronavirusit

Publikuar

-

Nga

Nga Ashleigh Furlong “Politico.eu”

Premtimet globale të shpërndarjes së drejtë të vaksinave kundër koronavirusit po bien shpejt, pasi mjeti që u krijua për të parandaluar vendet e pasura, që të marrin për vete të gjitha sasitë në dispozicion, nuk ka shpërndarë ende një dozë të vetme.

Në njërën anë kemi shembuj si BE dhe Britania e Madhe, ku janë shpërndarë tashmë 11 milion doza vaksinash. Në total, BE-ja ka nënshkruar kontrata për blerjen e 2.3 miliardë dozave, ndërsa Britania e Madhe ka siguruar 367 milionë doza. Nëse do të miratohen të gjitha ato vaksina, popullatat e tyre do të jenë në gjendje të vaksinohen gati 3 herë. Vendet e pasura po vendosin gjithashtu objektiva ambiciozë për shtatorin e këtij viti. Qeveria britanike synon t’i japë të gjithë të rriturve dozën e parë; Belgjika planifikon të ketë vaksinuar 70 për qind të popullsisë së saj; dhe Gjermania 60 për qind të popullsisë.

Por në anën tjetër në vendet më pak të pasura, fushatat kombëtare të vaksinimit nuk kanë nisur ende. Dhe ky është makthi, për të cilin ekspertët globalë të shëndetit na kishin paralajmëruar prej kohësh. COVAX, përpjekja e përbashkët për të siguruar shpërndarjen e drejtë të vaksinave të menaxhuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH); GAVI, Aleanca e Vaksinave; dhe Koalicioni për Inovacione dhe  Gatishmërinë Epidemike (CEPI), synonin të shmangnin të ashtuquajturin “nacionalizëm të vaksinave”.

Por megjithëse ka siguruar rreth 2 miliardë doza – me synimin për të mbuluar 20 për qind të popullsisë së vendeve pjesëmarrëse deri në fund të këtij viti- asnjëra dozë e vetme nuk është dorëzuar. Dhe ndërsa mbështetësit e tij, thonë se struktura është “në rrugën e duhur”, asaj i mungojnë ende rreth 2.8 miliardë dollarë që i duhet këtë vit.

Ata që kanë më shumë nevojë për mbështetje nga COVAX, janë vendet që nuk kanë mundësi të blejnë vaksina vetë, pra gjithsej 92 vende. Këtu përfshihen vende të tilla si Afganistani, Etiopia, Uganda dhe Zimbabve. Sidoqoftë, edhe shumë vende të tjera që po paguajnë vetë blerjen e dozave, si Afrika e Jugut, kishin mbështetur shpresat e tyre tek kjo strukturë.
“Si mund të pretendojmë se kemi fondet e duhura? Nuk mundemi”-thotë Keit Elder, këshilltare e vjetër për politikat e vaksinave në organizatën “Mjekët pa Kufij”. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Gebrejesus, e ka pranuar se gjërat nuk po shkojnë siç ishin planifikuar.

Të hënën, ai zbuloi se gjatë 2 javëve të fundit, vendet anëtare kanë pyetur se kur COVAX do të blejë vaksinat që u duhen. “Bota është në prag të një dështimi katastrofik moral, dhe kostoja e këtij dështimi do të paguhet me jetë njerëzish në vendet më të varfra të botës”-
ishte paralajmërimi i ashpër i Tedros. Ai ripërsëriti thirrjen e tij ndaj vendeve të pasura, që të ndalojnë marrëveshjet dypalëshe në kurriz të COVAX. Por disa nga vendet e shënjestruara, po kritikojnë gjithashtu COVAX. Në një deklaratë drejtuar bordit ekzekutiv të OBSH-së të hënën, Klemens Auer, tha në emër të Austrisë, se COVAX “duhet të bëjë një punë më të mirë”.

Për muaj me radhë, mbështetësit e COVAX iu lutën vendeve të pasura për t’u përfshirë në nismë. Në fund, erdhën premtimet për financimet dhe regjistrime në COVAX. BE po kontribuon tani me 500 milion euro, për të mbështetur shpërndarjen e vaksinave në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Edhe vendet e tjera dhe fondacionet bamirëse, kanë premtuar gjithashtu sshuma të konsiderueshme. Franca dhe Gjermania do japin 100 milion euro, ndërsa Kanada po kontribuon me 246 milion dollarë.

Por marrëveshjet dypalëshe mbi blerjen e vaksinave – të cilat në fillim COVAX i pranoi – vazhdojnë të përhapen, dhe vendet po vazhdojnë të blejnë qindra miliona doza nga një sasi globale shumë e kufizuar. Dhe shqetësimi kryesor mbi marrëveshje të tilla, është se ato i lejojnë vendet e pasura të marrin më shumë doza të një burimi të pakët, në vend se të bëjnë pazar në mënyrë kolektive, për të lejuar një shpërndarje më të drejtë.

Sa i përket kohës kur vaksinat do të fillojnë të shpërndahen përmes mekanizmit, COVAX ka premtuar fillimin e muajit shkurt. Por ata që e kanë ndjekur nga afër nismën, janë të shqetësuar. Kryesisht pasi shumë nga marrëveshjet e COVAX, nuk janë tamam marrëveshje të qarta të blerjes me prodhuesit e ilaçeve.

Përjashtimet e vetme janë 170 milion dozat e vaksinës Oxford/AstraZeneca, dhe 200 milion doza të tjera të së njëjtës vaksinë (ose kandidates së Novavax), që sigurohen përmes një marrëveshje me Institutin Serum në Indi. Por marrëveshjet e tjera të COVAX, janë më pak të prera. Për shembull, marrëveshja e saj për 500 milion doza të vaksinës kandidate Janssen është në formën e një memorandumi mirëkuptimi, ndërsa 200 milion doza të vaksinës Sanofi/GSK, janë përmes një deklarate të qëllimit.

Shefi i OBSH ia ka hedhur fajin për vonesën prodhuesve të vaksinave, duke argumentuar se ato “i japin përparësi miratimit rregullator në vendet e pasura ku fitimet janë më të larta, në vend se t’i japin OBSH dosjet e plota të produkteve të tyre”.

Opsioni tjetër është që vendet e pasura të dhurojnë dozat e tepërta, pasi të kenë vaksinuar qytetarët e tyre. Kanadaja është zotuar t’i dhurojë dozat e veta të tepërta. Vetë Komisioni Evropian, ka thënë se vendet anëtare të BE-së janë të gatshme ta bëjnë këtë, dhe po punon për të ngritur një skemë për shpërndarjen e dozave të tepërta. Por deri më sot, anëtarët e BE-së nuk kanë marrë ende dozat që u duhen./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:   https://www.politico.eu/article/coronavirus-vaccines-poor-countries-equal-access/

LEXO TE PLOTE