Sociale
Zbrazen serat e Myzeqesë, 10% e fermerëve braktisën zonën

Ata që investuan për ndërtimin e kësaj sere në Qerret të Lushnjës, nuk arritën të vilnin dot këtë prodhim. Punuan të gjithë si familje, por në fund falimentuan. Nuk kishin një treg të garantuar për prodhimin dhe ju drejtuan emigracionit. Tashmë e gjithë kjo serë është tharë dhe kjo familje punon serat greke.
Dita ditës, Myzeqeja, hambari i Shqipërisë për sa i përket të ardhurave që vijnë nga bujqësia, ka gjithnjë e më pak fermerë. Në zonën bujqësore të Lushnjës dhe Beratit vitet e fundit vihet re fenomeni i braktisjes së serave dhe rikthimi në emigracion i familjeve që punonin në to.
Blerim Qerreti, banor i fshatit Qerret tregon për Euronews Albania se mungesa e sigurisë për shitjen e produkteve, i bën fermerët të zgjedhin rrugën më të lehtë, ikjen
“Ka 7-8 muaj që e ka braktisur. Mund t`i ketë shkuar një investim për këto 3 – 4 dynym, diku te 10 milion lekë. Ka ikur në kurbet, i ka braktisur këtu dhe ka ik me gjithë çunat. Punonin familjarisht dhe kanë ikur familjarisht. Shumë të tjera do pasojnë pas kësaj që do braktisen në këtë lloj forme, sepse çmimet, nuk na garanton njeri shitjen”, tha ai.
Shumë prej fermerëve për të ngritur serat e tyre kanë marrë kredi. Pas falimentimit e vetmja rrugë për t`i shlyer këto detyrime ka qenë emigrimi i të gjithë familjes. Banorët e fshatit Goriçan në Berat deklarojnë se nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga shteti dhe skemat e subvencionit kanë më shumë kritere përjashtuese.
“Kjo është një serë 3000 metër katrorë, ai e ka ngritur këtë me kredi. E mbolli një fushatë, dy, tre fushata u detyrua sepse nuk po arrinte dot të likuidonte as kredinë që kishte marrë, u detyrua ta lërë siç e shihni, të ik në emigracion. Fushatën që vjen mund të kesh 70% të serave që do ngelin kështu. Se nuk arrijnë dot të marrin, të blejnë dot fidanin. Tani ti më detyron mua të kridhem në kredi, të bëj mbi 2000 metra katrorë, që ti të më subvencionosh mua. Vjen pastaj ma gjen serën 10 centimetra më të ulët, me 2.70 ai nuk të subvencionon”, theksoi ai.
Sipas Eduart Sharkës, kryetar i Sindikatës së Fermerëve të Bashkuar vetëm gjatë këtij viti 10 % e fermerëve e kanë lënë punën në bujqësi dhe i janë drejtuar emigracionit.
“Rreth 10 % e fermerëve i janë rikthyer emigracionit. Di plot raste që pasi kanë provuar dy, tre vjet, kanë ardhur kanë investuar remitancat e tyre kanë marrë dhe përvojë, teknologjinë e kultivimit të bimëve në Greqi dhe Itali, kanë ardhur, kanë provuar, janë përballur me këto kriza tregu dhe i kanë lënë dhe serat janë të shkreta sot. Janë rikthyer në emigracion. Kanë ikur nga presioni i kredidhënësve pasi ata duan këstin. Në disa raste shkon deri në 30%, 25%, një kredi që vetëm në Shqipëri mund ta gjesh këtë lloj kredie”, tha ai.
Sipas Sharkës përpara dy vitesh qeveria premtoi një fond mbështetjeje në formën e garancisë bankare, për kredi me interesa të ulëta për bujqësinë, por kjo nuk u realizua. /euronews
Lajme të Rekomanduara:

Foto/ Vjosa del nga shtrati, merr përpara urën e Drashovicës
Dalja e Lumit të Vjosës nga shtrati sipasojë e reshjeve të dendura ka bërë që të shembet Ura e Drashovicës në Vlorë. Kjo urë lidh...

Tërmet i fortë lëkund vendin/ Ja ku ishte epiqendra
Lëkundje tërmeti janë regjistruarpak minuta më parë në vend. Faqja sizmiologjike “Earthquake” raporton se tërmeti ka qenë me magnitudë 3.9 ballë i shkallës Rihter. Epiqendra...