Connect with Us

Çfarë duhet bërë me fëmijët e Shtetit Islamik?

Blog

Çfarë duhet bërë me fëmijët e Shtetit Islamik?

Publikuar

-

Nga Vera Mironova “Foreign Policy”

Në tetor, një djalë 16-vjeçar në Rusi u qëllua për vdekje, pasi plagosi një polic ndërsa po përpiqej t’i vinte zjarrin disa makinave të policisë. Por ajo nuk ishte hera e parë në familjen e tij që dikush shkelte ligjin. Në vitin 2001, njerku i tij ishte dënuar me 14 vjet burg për terrorizëm, pasi tentoi të shpërthente një tubacion gazi, me gjasë si pjesë e një organizate islamike. Ai incident i shtoi një urgjencë të re pyetjes se çfarë duhej bërë me dhjetëra mijëra fëmijë të anëtarëve të Shtetit Islamik, që ndodhen ende në kampet dhe burgjet e Irakut dhe Sirisë.

Gati të gjithë ata që janë përfshirë në çështjen e riatdhesimit, po i përdorin fëmijët – tashmë viktima të dhunës dhe kaosit – për të çuar përpara axhendat e tyre. Në tetor, disa qeveri perëndimore, përfshirë Suedinë dhe Gjermaninë, dërguan delegacionet e tyre në kampet në Siri, për të biseduar me shtetasit e tyre të burgosur, nëse dëshironin që të riatdhesonin fëmijët e tyre. Asnjë nga gratë me të cilat folën nuk ra dakord. Në llogaritë e tyre në rrjetet sociale dhe në platformën Telegram, shumë prej tyre thanë se e morën këtë vendim për mirëqenien e fëmijëve të tyre:fëmijët duhej të ishin pranë nënave të tyre.

Por privatisht, e theksuan shqetësimin e tyre se lejimi i fëmijëve për t’u riatdhesuar, do të thoshte që qeveria e vendit të tyre do t’i harronte vetë nënat në kampe. Dhe nuk e kanë gabim. Në intervista të ndryshme, disa zyrtarë të qeverive perëndimore, vunë në dukje se qëllimi i tyre kryesor është riatdhesimi i fëmijëve, dhe se janë shumë më pak të shqetësuar mbi atë që do të ndodhë më pas me gratë. Politika zyrtare e Forcave Demokratike Siriane, që mbikëqyr shumicën e kampeve të paraburgimit për anëtarët e Shtetit Islamik, është se vetëm jetimët dhe rastet mjekësore (fëmijët e sëmurë me nënat e tyre), kanë të drejtë që të rikthehen në shtëpitë e tyre. Nënat e pranojnë se u përpoqën t’i nxirrnin fëmijët e tyre prej andej, dhe disa ia kanë dalë. Por në një intervistë, një grua tha se kurdët i kishin paralajmëruar se nëse do të tentonin prapë me këto sjellje, fëmijët e tyre do t’u merreshin dhe dërgoheshin në jetimore të ndryshme në Siri.

Për kurdët e Forcave Demokratike Siriane, pasja më shumë kontroll mbi shumë të huaj, dhe sidomos fëmijëve në kampe, do t’u jepte atyre një pozicion më të fortë në negociatat me qeveritë e vendeve nga vijnë gratë dhe fëmijët. Edhe jetimët e vërtetë nuk riatdhesohen kollaj. Gratë i kanë përdorur jetimët për të shantazhuar gjyshërit në shtëpi, duke u thënë se nëse ata do të paguanin një shpërblim montar, nipi i tyre mund të riatdhesohej. Një rast që e përmendën disa gra në kamp, përfshinte një anëtare 56-vjeçare çeçene të Shtetit Islamik, i njohur si Kadidja, e burgosur në kampin Al-Hol. Për disa muaj, ajo fshehu katër jetimë rusë, që të mos ktheheshin në shtëpi. Publikisht, ajo tha se nuk donte që fëmijët të rriteshin në një vend jo mysliman, teksa gjyshërit ajo i konsideron si të pafe. Por njëkohësisht, ajo raportohet t’u ketë thënë të afërmve të secilit prej jetimëve, se do t’i kthente fëmijët nëse ata paguanin që ajo të kalonte në Turqi.

LEXO EDHE:  Avokati i Popullit ngre shqetësimin/ Janë shoqëruar 57 të mitur dhe pesë persona me probleme mendore

Ajo i la fëmijët të iknin pasi luftëtarët e Shtetit Islamik i kërkuan asaj që ta bënte këtë, dhe mbështetësit e grupit jashtë vendit e kërcënuan se do të ndalonin dërgimin e parave që ata i kishin dhënë më herët. Sipas anëtarëve të tjerë të familjes dhe zyrtarëve të kampit, ai rast nuk ishte unik. Edhe në raste të rralla kur një fëmijë riatdhesohet bashkë me të ëmën, fëmija mund të përdoret sërish. Në një rast në Azinë Qendrore, një nënë e riatdhesuar me fëmijën e saj, pretendoi në mënyrë të rreme, se babai i fëmijës ishte një burrë nga një familje e pasur që kishte vdekur në Siri.

Shërbimi i inteligjencës e dinte që ajo po gënjente. Burri i saj po luftonte në një zonë tjetër 9 muaj para se të lindte fëmija. Për gati 1 vit, tha një zyrtar në një intervistë, ata kanë debatuar nëse duhet t’i thoshin të vërtetën gjyshit të pretenduar të fëmijës.
Se çfarë duhet bërë me fëmijët e luftëtarëve të Shtetit Islamik, mbetet një çështje thelbësore jo vetëm nga një perspektivë humanitare, por edhe nga pikëpamja e sigurisë. Në vendet me një histori të gjatë rebelimesh, rastet e fëmijëve që u bashkohen baballarëve të tyre në luftime nuk janë të rralla.

Dhe ndërsa shumica e vendeve, mezi po përpiqen t’i frenojnë nga radikalizmi fëmijët me prindërit e tyre të radikalizuar, disa vende bëjnë të kundërtën, duke shpresuar që të shmangin trashëgiminë e fëmijëve të besimeve radikale. Për shembull në Taxhikistan, vend që kohët e fundit përjetoi një luftë të përgjakshme civile, fëmijët e lidhur me Shtetin Islamik të kthyer nga Iraku dhe Siria, u vendosen në jetimore.
Njëherazi, ata janë tashmë të rrezikuar të bëhen fytyra e re e Shtetit Islamik apo çfarëdolloj grupi tjetër, dhe sa më shumë që bota i braktis ata, aq më shumë kanë gjasa që ata të ndiejnë se nuk kanë mundësi tjetër. Kjo është arsyeja pse riatdhesimi, me një fokus të kujdesshëm drejt de-radikalizimit dhe ri-integrimit, është thelbësor./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:https://foreignpolicy.com/2020/11/25/islamic-state-isis-repatriation-child-victims/

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Hetimi mbi origjinën e Covid-19/ Çfarë nuk do të mësojë dot OBSH nga Kina

Publikuar

-

Nga

Mbi 85 milionë të infektuar me Covid-19 në botë/ Rreth 1,9 milionë të vdekur

Nga Holman W.Jenkins, Jr. “The Wall Street Journal”

Pas shumë debatesh për të pasur qasje, një vizitë e ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kinë, nuk do të mund të zgjidhë dot misterin e origjinës së Covid-19. Misioni i ekipit do të bazohet në intervistimin e personelit mjekësor dhe kërkimor kinez, për të parë nëse ata do të tregojnë histori që janë të ndryshme nga versioni zyrtar që jep Pekini.

Por ata nuk do t`a bëjnë diçka të tillë. Një arsye e qartë e vonesës së gjatë dhe politizimit që shoqëroi ftesën e OBSH-së,ishte sigurimi i regjimit se zyrtarët lokalë dhe mjekët kinezë do të thonë atë që u ka diktuar qendra. Tani sfida e vërtetë, për të cilën unë dyshoj se do të ketë shumë bashkëpunim nga Kina, është që të inspektojë inventarin e mostrave të pacientëve dhe autopsive, para shpërthimit epidemik në Vuhan, për të zbuluar se ku dhe kur u shfaq virusi pa u njohur ende.

Vende të tjera kanë qenë të gatshëm t`a bëjnë këtë jashtë Kinës. Ne e dimë se virusi ishte i pranishëm në Francë në dhjetor 2019, pra para shpërthimit epidemik të Vuhanit. Një grua me tiparet tipike të Covid-19, që u paraqit në një spital të Milanos në nëntor 2019,
është identifikuar si “Pacienti Zero” i mundshëm në Itali.

Disa mostra të gjakut, sugjerojnë se virusi mund të ketë qenë i pranishëm në Itali që prej shtatorit 2019. Në komentet për median, zyrtarët e OBSH-së kanë aluduar se edhe Kina ka mbledhur gjithashtu mostra të tilla dhe nuk i ka bërë publike rezultatet. Por mos prisni ndonjë gjë të madhe. Tani, zyrtarët kinezë kënaqen kur sugjerojnë, bazuar në prova të tilla, se koronavirusi filloi diku tjetër. Kina mburret me meritën e njoftimit të botës për ekzistencën e virusit. Dhe çfarë ka mbetur tani për t`u zbuluar? Çdo gjë është e mundur derisa të vendosim një model mbi rastet e hershme të panjohura.

Ajo që po ndodh sot në Kinë, mund të jetë një temë më e frytshme e hetimit të OBSH-së sesa ajo që ndodhi në Vuhan një vit më parë. Javën që shkoi në provincën Hebei 22 milion njerëz janë urdhëruar të mos largohen nga shtëpitë e tyre, në përgjigje të asaj që përshkruhet si një “mori” rastesh. Raste të tilla janë shfaqur vazhdimisht në të gjithë Kinën,me shumë pak informacione që arrijnë të dalin jashtë vendit. Në qytetin e Kashgar u vendos një bllokim,pasi një rast i vetëm asimptomatik shkaktoi përhapjen e virusit tek 137 të tjerë, që të gjithë asimptomatikë.

A është kjo një mrekulli mjekësore, apo qytetarët e Kinës kanë marrë mesazhin se duhet t’u fshehin autoriteteve dhimbjet e fytit dhe ethet?
Asnjë shoqëri perëndimore nuk do të duronte dot kostot që Kina u ka kërkuar të përballojnë qytetarët e saj:testime masive të detyrueshme, karantinim të detyruar, mbyllje në shtëpitë e tyre të njerëzve pa simptoma apo të infektuar. Kina nuk është Tajvani, Singapori apo edhe Koreja e Jugut, një vend i rrethuar nga uji në të tria anët, dhe me njënjë kufi ushtarak të pakalueshëm në anën e katërt.

LEXO EDHE:  2 kujdestare infektohen me Covid/ Mbyllet qendra e fëmjëve me aftësi ndryshe

LEXO EDHE:  Vetëm republikanët i garantojnë rendin dhe sigurinë Amerikës

Para goditjes së pandemisë, Kina ishte destinacioni nr.4 turistik në botë me 60 milion turistë të huaj në vit. Udhëtarët e biznesit garantonin flukset e investimeve dhe tregtisë. Humbja e këtyre përfitimeve, është ndër kostot që janë detyruar të përballojnë njerëzit në Kinë.
Më e vështirë për t’u kuptuar, është fakti se ata e bënë këtë për të shmangur kostot, për të cilat vendet perëndimore nuk kishin pse të shqetësoheshin. Nga një llogaritje e bërë publike në janar 2020, Kina ka 3.6 shtretër të kujdesit intensiv për çdo 100.000 qytetarë, krahasuar me 29.4 në SHBA dhe 38.7 në Gjermani.

Kina ka 9 qytete më të mëdha sesa Nju Jorku, 27 më të mëdha se Los Anxheles dhe 40 më të mëdha se Çikago. Tani mendoni pak skenarin kur virusi përhapet në mënyrë të shfrenuar nëpër këto qytete ashtu siç bëri në Nju Jork në pranverën e vitit të kaluar.
Në rast se po pyesni, mosha mesatare në Kinë është afërsisht e njëjtë me atë në SH.B.A Vuhani, një qytet me 11 milion banorë, është 30 për qind më i madh se Nju Jorku. Megjithatë sistemi i tij spitalor ra në kolaps që në mbingarkesën e parë dhe valën e vdekjeve që e pasuan, dhe që sipas statistikave zyrtare, ishte më pak se një e katërta e asaj që përjetoi Nju Jorku disa javë më vonë.

Në Vuhan, pacientët vdiqën jo vetëm nëpër korridoret e spitaleve, por edhe në rrugë. Covid ka qenë një përvojë e përafërt për të gjithë. Megjithatë, kërcënimi nga grumbullimet e mëdha urbane të Kinës, mund të dukej si fundi i rrugës për Partinë Komuniste.
Unë u gëzova kur pashë një artikull në “The New York Times” një ditë, që në vend që të brohoriste për epërsinë e zyrtarëve të saj, e pranoi se Tajvani përfitoi nga të qenit një ishull,dhe nga mundësia e ndalimit të udhëtimeve. SHBA-ja ka 328 porte me qasje ndërkombëtare. Edhe me turizmin që ka pësuar një rënie me 68 për qind, madje edhe me kufijtë meksikanë dhe kanadezë të mbyllur për udhëtime “jo thelbësore”, më shumë se 100.000 njerëz kalojnë çdo ditë kufijtë tanë (duke mos përfshirë këtu kaluesit e paligjshëm të kufijve).

Kina mund të mos jetë model për asnjë vend. Ne mund të jemi ende mirënjohës për shembullin e saj. Ndërsa të tjerët e kanë pranuar epideminë, dhe janë fokusuar në trajtimin e pacientëve, ekonomia e saj ka ndihmuar botën të qëndrojë në këmbë.
Importet e saj bujqësore dhe industriale janë rritur. Fabrikat e saj kanë rifilluar punën, siç e kanë thënë mediat kineze“pajisje mjekësore dhe pajisje nga shtëpia” në sasi të mëdha për të ndihmuar vendet e tjera të menaxhojnë përshtatjet e tyre për shfaqjen e Covid-19 në botë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.wsj.com/articles/what-who-wont-learn-from-china-11610748507?mod=opinion_lead_pos10

LEXO TE PLOTE

Blog

Epoka e Merkelit vetëm sa mund të ketë filluar

Publikuar

-

Nga

Nga Matthew Karnitschnig “Politico”

Emri i Angela Merkel nuk ishte të shtunën në fletët e votimit në kongresin e Kristiandemokratëve gjermanë (CDU). Madje ajo nuk doli fare në skenë. E megjithatë, prania e saj varej si një perde e kadifenjtë mbi forumin e lartë partiak.

Vendimi i partisë për të mbështetur kandidatin e saj të preferuar – Armin Lashet, kryeministri popullor i landit Nordrhein-Vestfalen – ishte më shumë se sa një sinjal se CDU-ja do t’i qëndrojë kursit të Merkelit për një periudhë afatshkurtër. Zgjedhja e Lanshet, ishte një konfirmim zyrtar se Merkel ka lënë një vulë të pashlyeshme në partinë më të madhe politike të Gjermanisë, e cila me gjasë do të jetë përcaktuese edhe për vitet që do të vijnë. Shumë konservatorë gjermanë, i kundërshtojnë politikat e Merkel mbi refugjatët, ekonominë, madje edhe pandeminë.

Gjatë 2 viteve të fundit, atyre u është dhënë jo vetëm një, por dy mundësi për t’i dhënë fund epokës së Merkelit, duke dështuar në të dyja provat. Duke pasur parasysh mundësinë për të kthyer orën pas, dhe për t`a ripërtërirë qasjen tradicionale konservatore të CDU-së mbi çështjet sociale dhe ekonomike, delegatët e partisë vendosën që në vend të kësaj t’i qëndrojnë besnikë qasjes më përfshirëse të Merkelit.
Edhe nëse Lashet, që përballet me detyrën sfiduese të bashkimit të partisë pas tij përpara zgjedhjeve të ardhshme rajonale dhe atyre kombëtare, do të bëjë mënjanë dhe do t’i hapë rrugë kryeministrit të njohur bavarez Markus Soder në garën për kancelar, blloku konservator i Gjermanisë nuk ka gjasa që të braktisë “manualin”e Merkelit.

Arsyeja kuptohet me një vështrim mbi rekordin e kancelares. Për 16 vjet, ajo ka arritur t`a dominojë politikën gjermane, duke tejkaluar ndarjen ideologjike. Ndërsa qasja e saj i kushtoi CDU-së mbështetjen e disa konservatorëve, shumë prej të cilëve u zhvendosën tek Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë, Merkel e zgjeroi mbështetjen ndaj demokristianëve, veçanërisht midis grave, që janë çelësi i suksesit të saj elektoral.

Votimi i së shtunës, ishte një njohje nga CDU-ja, që nëse partia dëshiron t`a ruajë dominimin e saj në Gjermani, ajo duhet të evoluojë bashkë me shoqërinë gjermane duke përqafuar një qasje më fleksibil, më liberale për shumë çështje, një strategji që shumë do t`a quanin Merkelizëm.

Në filllim Merkel, pastaj partia

Në pamje të parë, fitorja e Lashet ndaj Friedrih Merc, konservatorit tradicional që ishte favoriti i krahut të djathtë të CDU, vështirë se ishte e parashikueshme. Lashet fitoi me 53 për qind të votave, përkundrejt 47 për qind që mori Merc.
Por në këtë epokë të politikës së përçarë e të polarizuar, ku disa zgjedhje kombëtare vendosen nga një grusht votash, një epërsi prej 5 përqindësh, është praktikisht një epërsi e madhe. Për më tepër, Merc, një rival i hapur i Merkel që e lufton prej dekadash, nuk ka humbur vetëm përballë Lashet.

LEXO EDHE:  Intervista/ Mikail Gorbaçov: Pse ishte e pashmangshme shembja e sistemit komunist

LEXO EDHE:  Intervista/ Mikail Gorbaçov: Pse ishte e pashmangshme shembja e sistemit komunist

Ai humbi gjithashtu 2 vjet më parë përballë Anegret Kramp-Karrenbauer, zgjedhja e parë e kancelares Merkel për t`a pasuar atë në detyrë. Pra, debati mbi drejtimin e CDU-së është vendosur mbi një të ardhme të parashikueshme. Dhe Merkel la pak dyshime në këtë pikë gjatë kongresit të së shtunës. Vetëm disa orë pas humbjes, Merc u vetë-ofrua t’i bashkohej kabinetit të Merkel si Ministër i Ekonomisë, një post që mbahet aktualisht nga i besuari i Merkel, Peter Altmajer. Përmes zëdhënësit të saj, Merkel e refuzoi shpejt këtë propozim, duke thënë se ajo nuk kishte plane për ri-formatimin e qeverisë. Merkel është tani gati të tërhiqet nga detyra, duke lënë pas një nga trashëgimitë më të rralla politike për një lider në një demokraci parlamentare, dhe duke përcaktuar jo vetëm kohën e daljes së saj nga pushteti, por edhe identitetin e pasardhësit dhe axhendën afatgjatë të partisë së saj.

Pavarësisht nëse çështja në fjalë është politika e jashtme apo ekonomia, Lashet nuk e fshehu synimin e tij për të ndjekur politika të ngjashme me ato të Merkel.Edhe mesazhi i Lashet për delegatët ishte krejtësisht Merkelian:“Unë nuk mund të jem një shoumen i shkëlqye, por jam Armin Lashet dhe mund t’i besoni kësaj”-tha ai në kongres.

Ndërkohë, ai inkurajoi kolegët e tij konservatorë që të përballen me një realitet, mbi të cilin flitet rrallë. “Shumë njerëz tërhiqen së pari nga Angela Merkel dhe pastaj nga CDU”-tha ai, duke shtuar se besimi dhe besueshmëria që Merkel gëzon brenda dhe jashtë vendit nuk mund të transferohet thjesht nga një udhëheqës tek tjetri, por duhet të “fitohet”.

Historia i gjykon liderët politikë jo vetëm nga ato që arrijnë gjatë kohës që janë në detyrë, por edhe nga fuqia e qëndrueshme e ndikimit të tyre. Të shtunën, CDU-ja bëri një hap të madh drejt përfshirjes së Merkel në panteon, së bashku me Helmut Kolin dhe Margaret Theçerin. Kjo është arsyeja pse epoka e Merkel jo vetëm që nuk ka mbaruar, por mund të jetë vetëm fillimi./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.politico.eu/article/merkel-era-may-only-just-be-beginning/

LEXO TE PLOTE

Blog

Mansa Musa, kush ishte njeriu më i pasur në histori

Publikuar

-

Nga

Mansa Musa, kush ishte njeriu më i pasur në histori

Kur njerëzit mendojnë për njerëzit më të pasur në histori, u shkon më shpesh mendja tek industrialistët e epokës moderne, si Rotçajldët apo Rokefeler-ët. Ndoshta disa do të përmendnin gjithashtu miliarderë aktualë si Bill Gejt, Karlos Slim, ose shumë sheikë të pasur arabë.
Por personi më i pasur në të gjithë historinë e njerëzimit ishte një sundimtar nga shteti afrikan i Malit, i quajtur Musa Keita I, Mansa X i Perandorisë së Malit (Mansa është një titull i ngjashëm si“sulltan” ose “perandor”). I lindur në vitet 1280, Mansa Musa e zgjeroi Perandorinë e Malit duke pushtuar 24 qytete dhe zonat përreth.

Në kohën kur vdiq rreth vitit 1337, ai kishte grumbulluar një pasuri marramendëse. E përshtatur sipas inflacionit, Mansa Musa I do të kishte sot mbi 400 miliardë dollarë. Pas tij vjen familja Rotçajld, pasuria e kombinuar e së cilës është rreth 350 miliardë dollarë. Ajo e J.D.Rokfeler vlen 340 miliardë dollarë; e Endrju Karnexhi 310 miliardë e kështu me radhë.

Mansa Musa I, e bëri pasurinë e tij fillestare nga minierat e arit dhe kripës në Afrikën Perëndimore. Perandoria Maliane u themelua nga mbetjet e Perandorisë Ganeze. Në kulmin e saj nën Musa I, Perandoria e Malit shtrihej në të gjithë Afrikën Perëndimore, nga Oqeani Atlantik deri në Timbuktu, përfshirë pjesë të Çadit të sotëm, Bregut të Fildishtë, Gambias, Guineasë, Guinea-Bisaut, Malit, Mauritanisë, Nigerit, Nigerisë, dhe Senegalit.

Pra një perandori me një shtrirje gjatësore mbi 3218km. Përveç përfshirjes së shumë qyteteve nën mbretërimin e tij të drejtpërdrejtë, Mansa Musa merrte haraç nga shumë të tjerë. Ndërsa Evropa po luftonte kundër “demonëve” të urisë, murtajës dhe luftës midis aristokracive, Mbretëritë afrikane po lulëzonin.

Sipas zakonit malian, një mbret duhej të caktonte një zëvendës sa herë që shkonte për pelegrinazh në Mekë (kërkesë për çdo mysliman të devotshëm që ka mjetet për t`a bërë këtë), ose nëse fillonte ndonjë fushatë tjetër ushtarake.
Nëse mbreti nuk rikthehej, fronin e merrte zëvendësi i tij i emëruar. Abubakar Keita II (paraardhësi i Musait) u nis në një ekspeditë detare për të gjetur skajet e Oqeanit Atlantik, dhe humbi pa asnjë gjurmë. Para se të ngjitej nëfron në vitin 1312, Musa I dërgoi 2.000 anije për të kërkuar Abubakari Keita II.

Kur askush nuk u kthye, të gjithë ranë dakord që Musa I të ishte perandori i ligjshëm i Malit. Pasuria e Mansa Musa I, ishte vetëm një pjesë e trashëgimisë së tij. Duke kontrolluar rrugët e rëndësishme tregtare midis Mesdheut dhe bregdetit të Afrikës Perëndimore, Mansa Musa themeloi qytetin e tij Timbuktu si qendrën perëndimore të kulturës dhe mësimit
islam.

LEXO EDHE:  Surprizat e motit/ Si pritet të jenë temperaturat nesër

LEXO EDHE:  Vetëm republikanët i garantojnë rendin dhe sigurinë Amerikës

Ai pagoi një arkitekt nga Andaluzia rreth 200 kg ar për të ndërtuar Xhaminë Xhingereber, e cila ekziston edhe sot. Gjithashtu,Mansa Musa ndërtoi Universitetin e Timbuktu, për të tërhequr studiues dhe artistë nga e gjithë bota islamike. Brenda perandorisë së tij, Mansa Musa I inkurajoi urbanizimin duke financuar ngritjen e shkollave dhe xhamive.

Mansa Musa I tërhoqi për herë të parë vëmendjen e botës në vitin 1324, kur shkoi për pelegrinazhi në Mekë. Shpenzimet e tij të madha tërhoqën shumë vëmendjen e evropianëve të kohës. Askush deri atëherë nuk udhëtonte me aq shumë gjëra me vlerë. Kronistët përshkruajnë një karvan prej dhjetëra mijëra ushtarësh, civilësh dhe skllevërish, 500 lajmëtarë që mbanin shkopinj të artë dhe që ishin të veshur me mëndafsh. Ndërsa shumë deve dhe kuaj ishin ngarkuar më shumë shufra ari.

Mansa Musa udhëtonte bashkë më gruan e tij, Inari Konte, dhe 500 gratë që i shërbenin. Rrugës ai ndërtoi shumë xhami, përfshirë ato në Dukurej, Gundam, Direj, Uanko dhe Bako. Shumë nga xhamitë e tij ekzistojnë edhe sot. Thuhet se kur arriti në qytetin e famshëm të Kajros, ai harxhoi aq shumë para, duke u dhënë ar të varfërve, dhe blerë ushqime, saqë shkaktoi një inflacion shumë të madh nga i cili qytetit iu desh kohë të merrte veten.
Mansa Musa vdiq diku midis viteve 1332-1337. Fronin e zuri djali i tij Mansa Maghan I, i cili kur babai i tij largohej për pelegrinazh, sundonte si regjent. Por ai mbretëroi vetëm për 4vjet, para se t`a pasonte xhaxhai i tij, Mansa Sulejman./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.ancient-origins.net/history-famous-people/mansa-musa-richest-man-history-006847

LEXO TE PLOTE