Blog
Sfida e paparë e shpërndarjes së vaksinave kundër koronavirusit

“Der Spiegel”
Zhoao Doria kishte kohë që e priste atë dërgesë, dhe ajo më në fund mbërriti të enjten e kaluar. Në orën 7 e gjysmë të mëngjesit, një avion turk u ul në aeroportin ndërkombëtar të Sao Paulos në Brazilin Juglindor,i ngarkuar me kontejnerë frigoriferike. Ato përmbajnë 120.000 mostra të Coronavac, një vaksinë kandidate e zhvilluar nga një kompani kineze. Ngarkesa e çmuar, u transportua direkt nga aeroporti në një vend të fshehtë.
Doria është guvernatori i shtetit të Sao Paulos. Gjatë muajve të fundit, ai ka bërë gjithçka që ka pasur në dorë për të pasur një qasje të shpejtë në vaksinën kineze të prodhuar nga kompania “Sinovac”. 120.000 dozat janë grupi i parë që do të jetë në dispozicion për brazilianët sapo të jepet miratimi, ndoshta brenda disa javësh. “Sinovac”e ka testuar vaksinën për disa muaj në Sao Paulo. Dhe nëse fushata e planifikuar e vaksinimit rezulton e suksesshme, politikani konservator do të jetë në gjendje ta përdorë atë për të ndërtuar reputacionin e tij në fushatën e zgjedhjeve presidenciale që pritet të mbahen pas 2 vitesh.
Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin se përse presidenti brazilian Zhair Bolsonaro po nxit ndjenjat publike kundër “vaksinës së Kinës”, siç e quan ai me përçmim. Ai ka kërkuar të njihet me planin e vaksinimit të Dorias, pasi e cilëson atë një rival të rrezikshëm. Bolsonaro, ka bërë çmos që të vonojë ardhjen e vaksinës nga Kina, teksa preferon atë të zhvilluar nga kompania suedezo-britanike Astra Zeneca dhe Universiteti i Oksfordit, edhe pse nuk ka gjasa që ajo të jetë në dispozicion për përdorim në shkallë të gjerë para marsit të vitit 2021.
Konflikti politik në Brazil, po nxjerr në pah politikën e projektit monumental me të cilin përballet bota:prodhimi, shpërndarja dhe administrimi sa më i shpejtë i mundshëm i vaksinave kundër Covid-19 tek miliarda njerëz në mbarë globin – nga qytetet e mëdha me spitale të shkëlqyera në botën e industrializuar deri tek fshatrat më të thellë apo getot e varfra. Do të jetë një sfidë logjistike, një projekt i një dimensioni që botës nuk i është dashur kurrë më parë. Vendet që do ta marrin vaksinën të parat, do të jenë gjithashtu të parët që do t’i japin fund bllokimeve të tyre, do të rihapin shkollat dhe restorantet, dhe të rimëkëmbin ekonomitë e tyre.
Dhe ata që do të kenë qasje tek vaksinat më të mira, do të fitojnë pushtet. “Pandemia ofron një mundësi për disa vende që të pozicionohen si prodhuese të të mirave publike, dhe kësisoj të fitojnë më shumë ndikim sesa mundën të merrnin në shekullin XX-të me anë të ideologjisë”- tha Dimitri Trenin, kreu i qendrës “Carnegie Moscow Centre”. Ndërkohë, vendet e tjera do ta kenë të vështirë të marrin këto vaksina. “Nëse COVID-19 ka treguar një gjë, ajo është se bota është egoiste dhe e fokusuar tek vetvetja”- tha në korrik Karlin Klejer, koordinatore e urgjencës në organizatën humanitare “Mjekët pa Kufij”.
Por të paktën për momentin ka disa arsye për të pasur shpresë. Duket sikur bota nuk do të ketë në dispozicion vetëm një vaksinë të vetme kundër koronavirusit, por një gamë të tërë të tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 48 vaksina kandidate janë duke kaluar nëpër testet klinike. Dhe 11 prej tyre janë në fazën vendimtare. Prodhuesit e këtyre vaksinave vijnë nga Kina, Shtetet e Bashkuara, Rusia, India dhe disa vende evropiane.
Në fillim të nëntorit, kompania farmaceutike kineze “Sinopharm” njoftoi se qindra mijëra kinezë ishin vaksinuar përmes një dekreti të emergjencës, duke përfshirë 56.000 kinezë që udhëtonin jashtë vendit, nga të cilët askush nuk ka dyshuar se është sëmurë me Covid-19.
Edhe konsorciumi gjermano-amerikan BioNTech dhe Pfizer, njoftoi së fundmi se vaksina e saj kandidate është 95 për qind efektive, ndërsa kompania amerikane “Moderna” ka thënë se vaksina e saj është 94.5 për qind efektiv. Rusia ka raportuar 92 për qind efikasitet për vaksinën e saj Sputnik V. Gjithsesi shpërndarja globale e vaksinës do të jetë shumë komplekse, edhe në rajonet e zhvilluara. Problemi i parë i madh është ftohja. Vaksina e BioNTech-Pfizer, që bazohet në teknologjinë mARN, duhet të ruhet në rreth – 70 gradë Celsius, gjë që as shumë spitale moderne nuk kanë mundësi ta bëjnë.
Për ta zgjidhur këtë problem, Pfizer ka nisur të prodhojë një kuti transporti ultra të ftohtë në madhësinë e një valixhe të vogël që mund të mbajë disa mijëra doza. Vaksinat e tjera kandidate, kanë më pak sfida në lidhje me temperaturën. Zhang Hongtao i Universitetit të Pensilvanisë thotë se vaksinat kineze mund të ruhet në temperaturën 2-8 gradë Celsius. Ndërkohë, që të parandalojnë vjedhjen e vaksinave të lakmuara, kompanitë farmaceutike po konsiderojnë pajisjen e dërgesave me gjurmues GPS apo dërgimin e kamionëve bosh për të mashtruar hajdutët e mundshëm, dhe për ta bërë më të vështirë planifikimin e sulmeve. Ndërkohë, ështëe paqartë se si do të organizohen 15.000 fluturimet që kompania gjermane e logjistikës DHL, vlerëson se do të nevojiten për shpërndarjen globale të vaksinave. Përtej kësaj, ekziston një kërkesë e lartë për qendra vaksinimi dhe personel të kualifikuar mjekësor për të bërë injeksionet.
Ekspertët druhen se duke pasur parasysh kapacitetet e kufizuara të prodhimit, shumë vende në zhvillim mund t’u duhet të presin në skenarin më të keq deri në vitin 2024 për tu vaksinuar. Që tani ka shenja që bota po ndahet në blloqe të vaksinimit. Sipërmarrësi indian i farmaceutikës Adar Ponaualla, beson se nga vaksinat e reja mARN do të përfitojnë kryesisht vendet e pasura, të industrializuara, jo vetëm për shkak të ruajtjes në të ftohtë, por edhe për shkak të çmimit të saj, që thuhet të jetë rreth 20-25 dollarë për dozë.
Familja e Ponaualla zotëron Institutin Serum në Indi, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë. Ai thotë se ai do të jetë në gjendje të prodhojë 1 miliard doza të vaksinës së Astra Zeneca deri në fund të vitit të ardhshëm, me një çmim prej rreth 3 dollarë për dozë.
Gjysma e këtij prodhimi do të mbetet në Indi, ndërsa gjysma tjetër do të shpërndarë në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine./Përshtatur nga CNA.al
Marrë me shkurtime: https://www.spiegel.de/international/world/geopolitics-of-covid-the-unprecedented-challenge-of-coronavirus-vaccine-distribution-a-12800062-e26a-4079-bf21-161080ae0f3a
Lajme të Rekomanduara:

Si lindi teoria e pllakave tektonike, që shpjegon ndodhjen e tërmeteve
Për shekuj me radhë, shtresa më e sipërme e Tokës mendohej të ishte statike dhe e ngurtë. Por teoria e tektonikës së pllakave, e ka...

Mansa Musa, kush ishte njeriu më i pasur në histori
Kur njerëzit mendojnë për njerëzit më të pasur në histori, u shkon më shpesh mendja tek industrialistët e epokës moderne, si Rotçajldët apo Rokefeler-ët. Ndoshta...