Qarku i Korçës duket se do të jetë një nga më të vështirët në përzgjedhjen që do të bëjë Lulzim Basha. Kështu ishte edhe me emërimin e drejtuesit politik të këtij qarku. U emërua nga të fundit, ishte Edmond Spaho, një personazh politik i cili ka qenë deri në vitin 2013 të paktën tre herë kandidat në këtë qark, dy herë nga lista, një herë në zonë të drejtpërdrejtë dhe më pas ai spostua në Durrës, më vonë në Elbasan, për tu rikthyer tashmë si drejtues politik në Korçë, raporton cna.al.
Përpara zotit Spaho emra të tjerë që u përdorën ishin ai i Dritan Shanos, ky i fundit i sulmuar në mënyrë agresive nga kreu i degës së PD në Korçë, Andrea Mano dhe ish-deputeti Ervin Salianji, por edhe Eno Bozdo, një nga ish-drejtuesit e PDR-së së Genc Pollos që aspironte të ishte në listën e qarkut të Korçës si drejtues. Por përtej këtyre emrave, Lulzim Basha do ta ketë vërtet të vështirë përcaktimin e listës në këtë qark.
Kreu i PBDNJ Vangjel Dule
Së pari, është fenomeni PBDNJ. Vangjel Dule, kreu i kësaj partie dhe aleat me Lulzim Bashën ka kërkuar që të jetë pjesë e listës së PD në këtë qark sepse përplasjet e tij me Fredi Bejlerin në qarkun e Vlorës kanë bërë që Dule të kërkojë spostimin.
Ai sistematikisht ka mundur të sigurojë 2-3 mijë vota në qarkun e Korçës. Në një llogari arithmetike nëse do t’i kalonte këto vota te opozita, mund ta ndihmonte këtë të fundit për të rritur mundësinë që nga katër të shkojë në pesë mandate, apo të kapin të gjashtin ashtu siç pretendohet.
Endrit Braimllari
Së dyti, është fenomeni LSI, aleati tjetër i Lulzim Bashës, i cili në qarkun e Korçës mesa duket do të jetë brenda listës së PD-së. Akoma ka diskutime sesi do të veprohet me dy koalicionet, pra do jetë në dy lista të ndara ku do të udhëhiqet lista e koalicionit të LSI-së nga Endrit Braimllari, apo në Korçë do të jetë brenda listës së PD-së.
Në fakt, pretendimet e deritanishme dhe informacionet thonë që Braimllari do të jetë brenda listës së PD-së dhe lista e LSI-së në qarkun e Korçës do të jetë fiktive, çka bën që tre vende me gjithë Spahon të jenë të zëna, përfshirë këtu dhe pozicionin e vendit të tretë që është një femër. Pra, i bie që katër vende të jenë të zëna nëse Braimllari do të jetë brenda listës së PD-së dhe Dule do të jetë në qarkun e Korçës, shkruan cna.al, sipas burimeve zyrtare nga PD.
Andrea Mano
Së treti, Andrea Mano, ish-kreu i degës, i dorëhequr, i cili kandidon dhe kandidon që nga viti 2015 dhe vetëm humb. Ashtu si Luli që ka ëndërr të bëhet kryeministër, Andrea ka ëndërr të bëhet deputet.
Mano ka qenë ish-kreu i degës së PD në Korçë, ka kandiduar në vitin 2005 si deputet dhe ka humbur. Më pas, ka kandiduar për kryetar të PD në Korçë, ka humbur. Ka kandiduar për kryetar bashkie, ka humbur. Ka qenë drejtues i fushatave të 2009-ës dhe 2013-ës, ka humbur. Është bërë kryetar dege dhe më pas ka humbur në zgjedhjet lokale të 2015-ës, ka humbur sërish në zgjedhjet e vitit 2017 duke qenë i pesti në listë dhe tashmë pretendon të bëhet deputet. Por mesa duket, në rast se do të jetë pjesë e listës, do të jetë te pjesa e sipërme, pra te tre apo katër vendet e sigurta.
Bledjon Nallbati
Një faktor tjetër është ish-kryetari i Bashkisë Devoll, Bledjon Nallbati. Lart e poshtë ish-kryebashkiaku pretendon se i është premtuar nga Lulzim Basha që të jetë te treshja ose katërshja e listës fituese, duke theksuar se Andrea Mano e fenomene të tjera nuk janë fare pjesë e kësaj liste. Ai është pjesë e listës fituese dhe për këtë ka marrë garanci nga Basha. Sa e mban fjalën Basha këtë e dimë të gjithë, por gjithsesi Ledjoni shpreson.
LEXO EDHE: Gjonaj sfidon Metën/ Presidenca i përgjigjet me sekonda: Ti qofsh moj çupë!
Fatbardh Kadilli
Një tjetër faktor i rëndësishëm që pretendon të jetë si emër kandidues jo më poshtë se numër tre i listës në Korçë, pra pretendon të jetë dyshi, është Fatbardh Kadilli. Kadilli kërkon që si përfaqësues i Pogradecit apo ish-drejtues i burimeve njerëzore, pra sekretar, i cili nuk u vendos si kandidat në vitin 2017, ka një borxh të Lulzim Bashës ndaj tij, duke qenë se Kadilli e mbështeti dhe me qëndrimin në krye të PD-së dhe bënë edhe një marrëveshje në atë kohë, pretendon se duhet të jetë i dyti në listë. Pas largimit nga Saranda, i mbetur si peshku pa ujë, Kadilli kërkon të jetë pjesë e listës fituese në këtë qark.
Erald Kapri
Një emër tjetër që pretendon sërish të jetë pjesë e listës fituese, këtë herë nga Pogradeci, është edhe Erald Kapri, i afërm i ish-kryebashkiakut demokrat të Pogradecit, Eduart Kaprit. Ky i fundit një ish-gazetar tashmë i kthyer në historian, i cili punon pranë Ramës, pretendon të jetë pjesë e listës fituese në qarkun e Korçës.
Ervin Salianji
Një emër jo i panjohur, por edhe i spikatur në politikë vitet e fundit, një produkt i dalë nga Lulzim Basha, është edhe Ervin Salianji. Salianji është njeriu i cili bashkë me Andrea Manon drejtuan fushatën e 2017-ës, duke regjistruar katastrofën më të madhe elektrorale të PD-së që nuk kishte ndodhur as në vitin 1997.
Salianji pretendon që të jetë në krye të listës dhe Brenda një zonë të sigurt, ai ishte i dyti në vitin 2017, por duket se këtë herë do ta ketë të vështirë për shkak edhe të një dënimi nga Gjykata e Faktit në Tiranë për çështjen Babale.
Janë edhe dy zonja të tjera nga Korça Ledina Aliolli dhe Sorina Koti, të cilat pretendojnë të jenë në pjesën e listës fituese të PD, duke gjetur vend midis treshit apo gjashtës pa menduar që mund të ketë ndonjë suprizë nga ana e Lulzim Bashës.
Dritan Shano
Ka edhe emra të tjerë që përfliten, zyrtarë, ish-drejtues apo emra të future në votim nga kreu i demokratëve, siç është emri i Dritan Shanos, i cili pretendon sërish të jetë në pesën e sipërme të listës.
Mësa duket, qarku i Korçës do të jetë një nga më të vështirët për Lulzim Bashën, pasi do të duket të gjejë vende të sigurta për aleatët dhe të mbajë gati 10 premtime që ka dhënë, duke zënë vend në listën fituese për të gjithë.
Basha tashmë do kërkojë të rinegociojnë pazaret e tij për të bërë të mundur të maksimalizojë votën në Korçë, por gjithsesi me këta emra sido që t’i rendisë nga i pari tek i fundit, pas shpalljes së listës në qarkun e Korçës parashikohet të ketë një stuhi të madhe brenda strukturave dhe një përplasje.
Këto janë shfaqur së fundmi kur është bërë prezantimi i zotit Edmond Spaho si drejtues i qarkut të Korçës, ku Andrea Mano dhe Ervin Salianji porositën strukturat që të flisnin fort. Ata kërkuan me çdo kusht, të porositur nga jashtë, që Salianji dhe Mano të ishin pjesë e listës fituese, në të kundërt nuk do të punonin, pra duke bërë presion të hapur ndaj Bashës. Në të njëjtën situatë ndodhet dhe Bledjon Nallbati. Kështu reagon edhe Fatbardh Kadilli.
Pra, sido që të veprojë Lulzim Basha, edhe sikur të duhet të vendosë gjastë emrat e parë, dy nga të cilat do t’i ketë femra dhe një Edmond Spaho, ka hapësirë për tre vetë, të cilët vetëm një ose dy mund të jenë fitues, kur në rast se do të ketë marrëveshje me Dulen për Korçën dhe me LSI-në në një listë, mesa duket gjithçka është e mbyllur dher përplasja brenda strukturave të PD-së dhe dështimi në këtë qark duket i pashmangshëm./ CNA.al