Nga Dr.Blerta Brati, mjeke mikrobiologe prane ISHP
Një numër në rritje i shkencëtarëve po shkojnë drejt hipotezes se Covid-19, do te jetë një sëmundje sezonale që do të përsëritet në dimrat e ardhshëm. Për të mbështetur këtë hipotezë, ata paraqesin disa argumente:
1.Vaksinat nuk japin imunitet të plotë ndaj SARS-CoV-2;
2.Disa variante të reja të virusit janë shumë më pak të ndjeshme ndaj vaksinave të disponueshme;
3.SARS-CoV-2 është një koronavirus, një familje virusesh me sezonalitet të theksuar;
4.Vaksinat nuk u jepen fëmijëve në këtë kohë, gjë që kufizon mundësinë e arritjes së imunitetit të tufës.
Shkencëtarët vlerësojnë se duhet ndërmjet 70 dhe 80% e popullatës imune për të arritur këtë imunitet të tufës, e cila zvogëlon në mënyrë drastike qarkullimin e virusit.
Për më tepër, mbeten për t’u studiuar disa faktorë, veçanërisht mundësia e ri-infektimit nga SARS-CoV-2. Pacientët e prekur nga lloji i egër i virusit mbase mund të infektohen për herë të dytë me variante të reja. I vetmi imunizim i mundshëm i plotë do të ishte atëherë përmes një vaksine efektive kundër të gjitha varianteve të virusit.
LEXO EDHE: “Bota është në prag të një dështimi katastrofik”/ Kreu i OBSH ngre alarmin
Ekspertët konsiderojnë pesë lloje të strategjive të mundshme per te perballuar nje covid sezonal.
Një intensifikim i përpjekjeve të vaksinimit për të imunizuar popullsinë më shpejt sesa shfaqen variantet;
Monitorim nga afër i epidemiologjisë Covid-19 dhe në veçanti shfaqjen e varianteve të reja për të përshtatur fushatat e vaksinave në kohë reale;
Përmirësim i kapaciteteve te shtrimit dhe reanimacionit për të menaxhuar më mirë format e rënda të Covid-19, pa shkaktuar mbushje të shërbimeve spitalore;
Ulja e transmetimit gjatë muajve të dimrit përmes miratimit të masave të veçanta të edukimit shëndetësor;
Modifikim i sjelljeve individuale të rrezikut, veçanërisht në mesin e njerëzve më të ndjeshëm ndaj virusit (njerëz të moshuar, njerëz me sëmundje kronike).
Vetëm e ardhmja mund të konfirmojë ose mohojë kthimin në dimër të Covid-19 në vitet që vijnë, por secili vend mund dhe duhet të përgatitet për të, duke miratuar njërën ose tjetrën nga këto strategji.