Blog
Çfarë ishte dikur Rruga e Mëndafshit, që sot Kina po përpiqet ta rindërtojë për të zgjeruar ndikimin e saj

Për shumicën e perëndimorëve, Rruga e Mëndafshit nxit imazhe ekzotike:karvanë plot me erëza dhe mëndafsh, tregjet në mjedise të hapura, të mbushur me shitës dhe tregtarë me rroba shumëngjyrëshe, qindra qilima të mbështjellë, udhëtarë dhe murgj që zbresin nga manastiret nëpër male.
Dikush nga Lindja historike, përfshirë Azinë Qendrore, Jugore dhe Juglindore, rruga legjendare tregtare që lidhte 2 civilizimet do të kishte bërë të njëjtën gjë, edhe nëse do ishte në kahun e kundërt. Kalorës dhe legjionarë romakë, kështjella dhe Krishterim – koncepte të huaja të mbartura nga tregtarë dhe misionarë nga vendet misterioze përtej Stepave euroaziatike. Sot, trashëgimia e Rrugës së Mëndafshit nuk janë mallrat që transportonte ajo por filozofitë dhe teknologjitë që erdhën me to. Për herë të parë, banorët e dy botëve shumë të ndryshme u përzien dhe shkëmbyen ide, gjuhë dhe art. Krishterimi e përhap drejt lindjes, ndërsa Budizmi u shpërnda nga India nëpër vende të tjera. Baruti dhe letra u futën në Evropë, ndërsa qelqi romak udhëtoi drejt lindjes. Njerëzit midis u përzien, bashkë me to edhe filozofitë, duke çuar në zhvillimin e kulturave dhe mënyrave të reja të jetës të ushqyera nga ndikimi i botës perëndimore dhe asaj lindore.
Rruga e Mëndafshit si një koncept daton vetëm në shekullin XIX-ë, kur termi u popullarizua nga eksploratori gjerman, baroni Ferdinand von Rihtofen. Para asaj kohe, nuk kishte një term të veçantë për rrugët tregtare që shtriheshin nga Evropa dhe Azi. Vetë Rruga e Mëndafshit, ishte në fakt një numër rrugësh të ndryshme tregtare, që së bashku shërbenin për të lëvizur mallrat nga Kina në Gadishullin Arabik dhe më tutje në Perëndim. Në të vërtetë, pak tregtarë udhëtonin gjatë gjithë kësaj rruge të gjatë 6400 km. Përkundrazi, mallrat kalonin në një lloj stafete përmes ndërmjetësve. Disa udhëtarë, si eksploruesi venecian Marko Polo dhe diplomati mongol Raban Bar Sauma, përshkuan shumë nga pjesët e kësaj rruge, duke sjellë informacione të vlefshme për civilizimet në anën tjetër, por ata përbënin një përjashtim.
Ajo që ne e quajmë sot Rruga e Mëndafshit, nisi të merrte formë gjatë dinastisë kineze Han, rreth shekullit të II para Krishtit. Pasi nënshtroi fiset nomade Xiongnu në veri dhe perëndim, dinastia Han filloi kolonizimin e territorit të ri, dhe zgjerimin e marrëdhënieve të tyre me popujt e jashtëm. Këtu përfshihej dhe dërgimi i të dërguarve diplomatikë, si ambasadori i Han, Zhang Qian, për të zgjeruar marrëdhëniet diplomatike, dhe për të mbledhur informacione mbi tokat e reja. Udhëtimet e Qian hodhën bazat për ekspansionet e mëpasshme në perëndim, dhe për rrjete të reja të vlefshme tregtare.
Dinastia Han e zgjeroi Murin e Madh të Kinës, pjesërisht për të mbrojtur karvanët nga hajdutët, teksa nisi të promovonte fluksin e mallrave brenda dhe jashtë Kinës. Në veçanti, Han po kërkonin kuaj të fortë për të furnizuar ushtrinë e tyre, duke i shkëmbyer ata me mëndafsh dhe specialitete të tjera. Karvanët e gjatë me deveve, secila e ngarkuar me rreth 150 kg mall, udhëtuan midis stacioneve tranzit në qytetet oazë në zonat shkretinore si Balk, Samarkand, Turfan dhe Kuça, duke shpresuar të shmangnin grabitjen nga banditët, apo stuhitë e tmerrshme të rërës. Mallrat do të përfundonin në Perandorinë Romake që ishte në rritje e sipër, qytetarët e pasur të së cilës filluan të kultivonin një shije për veshjet ekzotike, sidomos ato prej mëndafshi. Por edhe produktet romake udhëtonin shumë larg. Enë romake prej qelqi, janë gjetur në një varr japonez, ndërsa varëset prej qelqi të prodhuara në Romë, janë gjetur në Kinë.
Përveç rrugës tokësore të Rrugës së Mëndafshit, ekzistonte edhe një rrugë detare e cila lidhte Lindjen dhe Perëndimin, duke filluar nga portet kineze, duke u ndalur në Sri Lanka dhe Indi, dhe duke lëvizur më tej deri në Detin e Kuq në Egjipt. Tregtia e erëzave zhvillohej kryesisht përmes kësaj rruge. Rruga tokësore niste në qytetin Xian, më pas zhvendosej në perëndim, paralel me Murin e Madh, përshkonte shkretëtirën e ashpër Taklamakan, dhe vazhdonte më në perëndim përmes Samarkand, në Turqinë dhe Levantin e sotëm. Tregtia përgjatë Rrugës së Mëndafshit vazhdoi për afro 2 mijë vjet, duke u forcuar apo dobësuar herë pas here, ndërsa territoret ku ajo kalonte ndërronin vazhdimisht padron. Tregtia ishte veçanërisht e madhe gjatë dinastisë Tang, si dhe perandorisë së mëvonshme Mongole, kur Xhengiz Kan dhe pasardhësit e tij, bashkuan pjesën më të madhe të Azisë nën një mbretëri.
Vetëm me shpërbërjen e perandorisë mongole, nisi të prishej edhe Rruga e Mëndafshit, edhe pse tregtia midis Lindjes dhe Perëndimit vazhdoi për shekuj. Sot, Rruga e Mëndafshit është më e shquar për ndërthurjen e ideve dhe filozofive nga vende të ndryshme. Kjo çoi në variacione të reja të feve, të tilla si Krishterimi Nestorian, si dhe në ndryshime themelore në kulturë, si momenti kur Budizmi depërtoi në Kinë. Ne gjithashtu mund ta gjejmë trashëgiminë e Rrugës së Mëndafshit në ADN-në e njeriut të sotëm. Studimet e njerëzve modernë, gjejnë prova të ndërthurjes gjenetike midis evropianëve dhe aziatikëve në Azinë Qendrore, e cila përbënte afërsisht mesin e Rrugës së Mëndafshit. Përveç mallrave fizike, është e qartë se kjo rrugë tregtare bëri që njerëzit të vendoseshin në vende të huaja, duke çuar edhe kulturën e tyre. Nga ajo përzierje, lindën tradita dhe popuj të rinj, të formuar në bashkimin e civilizimeve të fuqishme./Përshtatur nga CNA.al
Burimi:https://www.discovermagazine.com/the-sciences/the-silk-road-was-more-than-a-vast-trade-route
Lajme të Rekomanduara:

Si lindi teoria e pllakave tektonike, që shpjegon ndodhjen e tërmeteve
Për shekuj me radhë, shtresa më e sipërme e Tokës mendohej të ishte statike dhe e ngurtë. Por teoria e tektonikës së pllakave, e ka...

Mansa Musa, kush ishte njeriu më i pasur në histori
Kur njerëzit mendojnë për njerëzit më të pasur në histori, u shkon më shpesh mendja tek industrialistët e epokës moderne, si Rotçajldët apo Rokefeler-ët. Ndoshta...