Connect with Us

Iraku arreston “shefin administrativ” të grupit ekstremist

Bota

Iraku arreston “shefin administrativ” të grupit ekstremist

Publikuar

-

Iraku arreston "shefin administrativ" të grupit ekstremist
Pjesëtarët e forcës elite kundër-terrorizmit të Irakut thanë se kanë arrestuar “shefin administrativ” të grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Arrestimi i tij ka ndodhur pasi ai ka arritur në aeroportin e Bagdadit.

Ai njihet si Abu Naba, dhe u arrestua gjatë muajit tetor, derisa po hynte në një taksi me të dalur nga aeroporti i Bagdadit”, i tha agjencisë AFP, zëdhënësi i forcës elite të Irakut, Sabah al-Noaman.

Ai e përshkroi të arrestuarin si një “shënjestër të rëndësishme” pasi dyshohej se siguronte mbështetje financiare për grupin, pastaj që i njëjti ka organizuar takime dhe ka shkëmbyer mesazhe ndërmjet anëtarëve të grupit.

Por, Noaman refuzoi të tregojë emrin e vërtetë të Abu Naba-s, dhe se prej nga ai kishte fluturuar për në Bagdad. Ai nuk tregoi as se si kishte arritur të kalonte kontrollin e sigurisë së aeroportit, para se të arrestohej.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Bota

Në prag të inaugurimit presidencial/ “Blindohet” Kapitoli në SHBA

Publikuar

-

Nga

Zyrtarët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara thonë se po marrin të gjitha masat paraprake për të mbrojtur nga një sulm i mundshëm gjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden të mërkurën në shkallët e Kapitolit të SHBA, përfshirë kontrollin e sigurisë nga FBI-ja të 25,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare të dislokuar në Uashington për ceremoninë.

“Megjithëse nuk kemi informacione zbulimi për ndonjë kërcënim të brendshëm, ne nuk po lëmë asnjë gur pa kthyer për të siguruar kryeqytetin,” tha në një deklaratë sekretari në detyrë i Mbrojtjes Christopher Miller.

Ai tha se trupave po u bëhet trajnim shtesë ndërsa mbërrijnë në Uashington dhe u është thënë se “nëse shohin ose dëgjojnë diçka që nuk është e përshtatshme, t’ia raportojnë atë eprorëve të tyre në zinxhirin e komandës.”

Raportet e zbulimit amerikan kanë lënë të kuptohet që disa protestues që besojne se Presidenti në largim Donald Trump u privua nga rizgjedhja për shkak të mashtrimeve me votat, mund të përpiqen të prishin ceremoninë e betimit dhe inaugurimin e zotit Biden.

Vendi ku do të bëhet inaugurimi është i rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela me gjemba, mes masave të pashembullta të sigurisë, që nuk janë parë në inaugurimet e kaluara.

Siguria është më në qendër se zakonisht, ndërsa inaugurimi vjen dy javë pasi mijëra mbështetës të zotit Trump sulmuan Kapitolin pasi ai i nxiti ata të marshonin drejt ndërtesës, ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e zotit Biden.

Dy ditë para marrjes së pushtetit, Biden dhe gruaja e tij, Jill Biden, kaluan një pjesë të së hënës duke bërë punë vullnetare në një bankë ushqimore, në qytetin e madh lindor të Filadelfias në Pensilvani. Ata e bënë një gjë të tillë në Ditën Kombëtare të Shërbimit që përkujton festën vjetore që nderon udhëheqësin e të drejtave civile, Rev. Martin Luther King Jr.

Në Uashington, grupet ushtarake dhe muzikore marshuan përpara Shtëpisë së Bardhë, duke bërë prova për paradën inauguruese të zotit Biden, megjithëse aktiviteti është reduktuar ndjeshëm krahasuar me inaugurimet e mëparshme për shkak të numrit në rritje të rasteve të koronavirusit në SHBA.

Pjesa më e madhe e kremtimit të inaugurimit të zotit Biden do të zhvillohet virtualisht, me grupe dhe banda muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së.

Ndërsa mbërrijnë në Uashington të Martën nga shtëpia e tyre në shtetin lindor të Deluerë, Joe dhe Jill Biden, si edhe nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Douglas Emhoff, planifikojnë të ndezin 400 drita pranë memorialit Lincoln, për të nderuar gati 400,000 amerikanët që kanë vdekur në pandeminë e koronavirusit.

Monumente të tjera në të gjithë SHBA, përfshirë Empire State Building në Nju Jork dhe Space Needle në Seattle, Washington, po ndezin drita në të njëjtën kohë me ngjarjen e Uashingtonit.

Zona e afërt përreth Kapitolit, ku zoti Biden dhe zonja Harris do të bëjnë betimin, është kthyer praktikisht në një fortesë të blinduar.

Autoritetet kanë mbyllur gjithashtu Shëtitoren Kombëtare si edhe rrugët dhe disa stacione metroje në qendrën e Uashingtonit. Urat që lidhin Virxhinian me Uashingtonin gjithashtu po mbyllen. Mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe oficerë të rendit janë vendosur në të gjithë zonën për të marrë masat ndaj ndonjë dhune të mundshme.

Megjithë shqetësimet e shtuara të sigurisë, zoti Biden planifikon ta bëjë ceremoninë e inaugurimit në vendin tradicional.

“Plani ynë dhe pritshmëria jonë është që Presidenti i zgjedhur Biden të vërë dorën në Bibël me familjen e tij jashtë në anën perëndimore të Kapitolit në datën 20,” tha Kate Bedingfield, drejtoresha e ardhshme e komunikimeve e zotit Biden, në një intervistë me emisionin “This Week”, të televizionit ABC të dielën.

Ajo tha se ekipi i zotir Biden ka “besim të plotë në Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara dhe partnerët e tyre të cilët kanë punuar për më shumë se një vit në planifikimin e një inaugurimi të sigurt.”

LEXO EDHE:  Shpërndanin lëndë narkotike/ Prangosen dy persona

LEXO EDHE:   Grabiti me dhunë karburantin, arrestohet një person

Presidenti Trump ka refuzuar të pranojë humbjen ose të urojë zotin Biden, megjithëse e pranon se do të ketë një “administratë të re” të mërkurën.

Zoti Trump, duke injoruar 160 vjet të traditës amerikane të një presidenti në largim që merr pjesë në ceremoninë e betimit të pasardhësit të tij për të demonstruar një transferim paqësor të pushtetit, ka njoftuar se ai planifikon të mos marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Nënpresidenti Mike Pence po planifikon të marrë pjesë.

Zoti Trump po planifikon të largohet nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes me një ceremoni me tapet të kuq ndërsa shkon drejt avionit presidencial Air Force One për të shkuar në rezidencën e tij në Florida.

Plani i presidentit Trump ka shkaktuar kritika, përfshirë nga një grup prej pesë anëtarësh demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët në një letër të shtunën drejtuar sekretarit në detyrë të mbrojtjes, Miller dhe Kreut të Shtatmadhorisë Mark Milley i kërkoi Pentagonit të mos vënë në dispozicion asnjë nga burimet e mbrojtjes për atë që ata e quajtën “ceremonia përçarëse e ikjes për presidentin në largim.”

“Veprimi i propozuar është i pamenduar, jokonvencional dhe çka është më e rëndësishmja, e vë sigurinë kombëtare pa nevojë në rrezik duke zhvendosur personelin dhe burimet thelbësore nga mbrojtja e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, ku do të përfaqësohen të gjitha institucionet e qeverisë, për të garantuar sigurinë, mbrojtjen dhe transportin e presidentit në largim,” shkruajnë ligjvënësit.

Dhoma e Përfaqësuesve javën e kaluar ngriti akuza për herë të dytë për shkarkimin e zotit Trump, këtë radhë për nxitje të rebelimit dhe gjyqi i tij në Senat do të fillojë menjëherë pas inaugurimit të zotit Biden. Nëse shpallet fajtor, zoti Trump, presidenti i parë amerikan mbi të cilin ngrihen dy herë akuza për shkarkim, mund të ndalohet të ketë post federal.

Megjithatë para se të largohet nga detyra, presidenti Trump pritet të bëjë dhjetëra falje dhe shkurtime dënimesh komutime, ndoshta për mbështetësit e tij kryesorë të dënuar për krime ose që përballen me gjykime.

Persona që kanë dijeni për këtë çështje thanë se zoti Trump u takua të dielën me këshilltarët e tij për të finalizuar një listë me më shumë se 100 falje që t’i bëjë publike përpara se t’i mbarojë mandati. Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se zoti Trump ka diskutuar mundësinë e faljes paraprake të tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes, asnjëri prej të cilëve nuk është akuzuar për ndonjë krim, por që tani nuk pritet ta bëjë një gjë të tillë.

Zonja Bedingfield tha të dielën se zoti Biden po planifikon të paraqesë një vizion “pozitiv, optimist” për vendin në fjalimin e tij inaugurues dhe “të përpiqet të lërë pas përçarjen dhe urrejtjen e katër viteve të fundit” nën zotin Trump.

“Mendoj se këtë duan amerikanët në të gjithë vendin,” tha zonja Bedingfield. “Ata duan një qeveri që të rikthejë vëmendjen tek ajo që duhet bërë dhe që t’i ndihmojë në jetën e tyre të përditshme.”

Pasi të marrë detyrën zoti Biden ka në plan të përmbysë shpejt politikat e shumta të zotit Trump.

Shefi i ardhshëm i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë, Ron Klain, tha të shtunën në mbrëmje se zoti Biden “po e merr presidencën në një moment krize të thellë për vendin tonë. Ne po përballemi me katër kriza paralele dhe të ndërlikuara: kriza e COVID-19-së, kriza ekonomike si rezultat i pandemisë, kriza e klimës dhe një krizë e pabarazisë racore. “/VOA

LEXO TE PLOTE

Bota

Kreu i OBSH-së: Bota “në prag të një dështimi moral katastrofik” lidhur me vaksinat

Publikuar

-

Nga

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se bota është “në prag të një dështimi moral katastrofik” për shpërndarjen e pabarabartë të vaksinave për COVID-19.

Duke folur në një takim të bordit ekzekutiv të OBSH-së të hënën në Gjenevë, Drejtori Ekzekutiv Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se nuk është “e drejtë që më të rinjtë dhe më të shëndetshmit në vendet e pasura të vaksinohen para punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve në vendet e varfëra”.

“Më shumë se 39 milion doza vaksinash janë injektuar tani në të paktën 49 vende me të ardhura më të larta. Vetëm 25 doza janë dhënë në një nga vendet me të ardhura më të ulëta, – jo 25 milion, jo 25,000 – vetëm 25,” tha ai.

Zoti Tedros tha nëse vendet e pasura nuk i ndajnë vaksinat COVID-19 me vendet e varfra, “ky dështim do të paguhet me jetë dhe mjete jetese.”

Ai tha që në fund të fundit, një “qasje egoiste” në shpërndarjen e vaksinave “vetëm do të zgjasë pandeminë.”

Po të hënën, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti amerikan Donald Trump kishte hequr ndalimet e lidhura me koronavirusin për udhëtimin për shumicën e qytetarëve joamerikanë nga pjesa më e madhe e Evropës dhe Brazilit, duke filluar nga 26 Janari.

“Ky veprim është mënyra më e mirë për të vazhduar mbrojtjen e amerikanëve nga COVID-19 ndërsa lejon udhëtimet të rifillojnë në mënyrë të sigurt”, tha zoti Trump në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Sidoqoftë, sekretarja e shtypit e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, Jen Psaki, u përgjigj disa minuta më vonë në Twitter, duke thënë: “Me këshillën e ekipit tonë mjekësor, administrata nuk ka ndërmend të heqë këto kufizime më 26 janar. Përkundrazi ne planifikojmë të forcojmë masat e shëndetit publik rreth udhëtimeve ndërkombëtare në mënyrë që të ndalim përhapjen e COVID-19-ës. ”

Udhëzimet e reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që hyjnë në fuqi më 26 janar, do të kërkojnë që të gjithë pasagjerët që hyjnë në SHBA nga ajri, të kenë një test negativ për COVID-19 përpara se të hipin në avion.

Po të hënën, një panel i pavarur që rishikon trajtimin global të pandemisë COVID-19 kritikoi si Organizatën Botërore të Shëndetësisë ashtu edhe Kinën për reagimin e tyre ndaj virusit.

Paneli i ekspertëve i udhëhequr nga ish-kryeministrja e Zelandës së Re Helen Clark dhe ish-presidentja liberiane Ellen Johnson Sirleaf thanë në një raport se OBSH-ja duhet të kishte shpallur një emergjencë ndërkombëtare më shpejt sesa 30 janari.

Komisioni gjithashtu tha se Kina mund të kishte zbatuar masat e shëndetit publik më me forcë në janar. Paneli do të paraqesë raportin e tij përfundimtar në maj.

Kryeministri japonez Yoshihide Suga u zotua se do të vazhdonte me përgatitjet për të mbajtur Lojërat Olimpike të Tokios këtë verë, megjithë një rritje të infeksioneve të koronavirusit në vend.

LEXO EDHE:  Operacioni antiterror prangos nëntë turq në Athinë

LEXO EDHE:  Vidhnin banesa dhe sende me vlerë, arrestohen tre të rinjtë në Vlorë

“Ne do të vazhdojmë me përgatitjet, me vendosmërinë e marrjes së masave të sigurta kundër infeksionit dhe mbajtjen e një aktiviteti të sjellë shpresë dhe guxim në botë,” tha Suga në një fjalim në Parlament.

Një rritje e fundit e rasteve në Japoni ka detyruar qeverinë të mbyllë kufijtë për të huajt jorezidentë dhe të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin, Tokio.

Sondazhet e fundit në media në Japoni tregojnë rreth 80% e publikut japonez mendojnë që Lojërat Olimpike nuk do të mbahen ose nuk duhet të mbahen këtë vit.

Olimpiadat e Tokios janë shtyrë një herë për shkak të pandemisë, pasi ishin planifikuar fillimisht për verën e vitit 2020.

Në Republikën Çeke, zyrtarët e shëndetësisë thonë se varianti i koronavirusit me përhapje të shpejtë i identifikuar për herë të parë në Britani është zbuluar në vend. Ministri i Shëndetësisë Jan Blatny tha se varianti përbën rreth 10% të kampionëve të testuar.

Disa variante të koronavirusit janë zbuluar në të gjithë botën, duke përfshirë ato të identifikuara për herë të parë në Britani, Afrikën e Jugut dhe Brazil. Zyrtarët e shëndetësisë në Bruksel thonë se varianti i parë i zbuluar në Britani ka filluar të përhapet në Belgjikë pas më shumë rasteve të raportuara atje.

Në Zvicër, autoritetet kanë vendosur dy hotele në qytetin e vendpushimit të skive në St. Moritz nën karantinë dhe urdhëruan që të gjithë klientët të testohen për koronavirusin pasi një person u testua pozitiv për variantin e koronavirusit të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut.

Në Itali, zyrtarët raportuan se numri i infeksioneve ditore të vendit ra të hënën nën 10,000. Zyrtarët konfirmuan 8,825 raste të reja. Zyrtarët francezë të shëndetësisë filluan një fushatë të hënën për të vaksinuar njerëz mbi 75 vjeç. Ata thonë se më shumë se gjysmë milioni persona janë regjistruar për të marrë të parën nga dy dozat e vaksinës deri në mes të shkurtit.

Zyrtarët kinezë të hënën regjistruan më shumë se 100 raste të reja për të gjashtën ditë radhazi. Agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se më shumë se 29 milion kinezë tani janë nën bllokim të rreptë për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga COVID-19 kaloi 398,000, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, shifra më e lartë në botë.

Brazili dhe India pasojnë Shtetet e Bashkuara në vdekjet me COVID-19 me përkatësisht më shumë se 209,000 dhe 152,000. Brazili miratoi dy vaksina për përdorim urgjent kundër koronavirusit të dielën ndërsa disa nga spitalet e tij u përballën me mungesë oksigjeni./VOA

LEXO TE PLOTE

Bota

U arrestua sapo mbërriti në Rusi/ 30 ditë paraburgim për opozitarin Navalny

Publikuar

-

Nga

U arrestua sapo mbërriti në Rusi/ 30 ditë paraburgim për opozitarin Navalny

Në Rusi, një gjykatës dha urdhër për ta dërguar kritikun e Kremlinit Alexei Navalny në paraburgim për 30 ditë, pa përfillur thirrjet e vendeve perëndimore për të liruar menjëherë politikanin e opozitës.

Vendimi merret një ditë pasi policia e ndaloi atë në aeroport ndërsa ai kthehej në vendin e tij për herë të parë që kur u helmua me një agjent nervor ushtarak dhe mund të jetë hapi i parë që ai të burgoset për një periudhë të gjatë.

Gjyqtari tha se vendimi jepej pasi Navalny kishte shkelur kushtet e një dënimi të pezulluar me burg.

Shërbimet e burgjeve të Moskës kishin aplikuar për të kthyer në fuqi në fund të muajit dënimin e pezulluar prej 3.5 vjetësh, ku ai u gjet fajtor për përvetësim. Zoti Navalny thotë se akuzat ishin të manipuluara. Ai përballet edhe me tre çështje të tjera penale.

Kombet e Bashkuara dhe vendet e Perëndimit i bënë thirrje Moskës para marrjes së vendimit që ta linin të lirë zotin Navalny. Disa vende kanë bërë thirrje për sanksione të reja nga Bashkimi Evropian si reagim për helmimin e opozitarit Navalny. Moska u kundërpërgjigj duke thënë se ata nuk duhet të ndërhynin në punët e brendshme.

LEXO EDHE:  Vidhnin banesa dhe sende me vlerë, arrestohen tre të rinjtë në Vlorë

LEXO EDHE:  Fshinte brenda banesës 8 kg drogë/ Arrestohet në flagrancë 40 vjeçari

Përmes një video të postuar në Twitter pas marrjes së vendimit, zoti Navalny u bëri thirrje rusëve që të dalin në protesta.

Mos u frikësoni, dilni në rrugë. Mos dilni për mua, por për veten tuaj, për të ardhmen tuaj,” shkruante zoti Navalny.

Ai e quajti trajtimin e tij të paligjshëm në bazë të ligjit rus ndërsa sulmoi Presidentin Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për shkelje të kodit penal./ VOA

LEXO TE PLOTE