Connect with Us

BE duhet të ndëshkojë sjelljen skandaloze të Hungarisë dhe Polonisë

Blog

BE duhet të ndëshkojë sjelljen skandaloze të Hungarisë dhe Polonisë

Publikuar

-

BE duhet të ndëshkojë sjelljen skandaloze të Hungarisë dhe Polonisë

Nga R.Daniel Kelemen “Politico.eu”

Titujt kryesorë në media këtë javë i bënë jehonë vetos që Hungaria dhe Polonia vunë ndaj buxhetit disa vjeçar dhe planit të rimëkëmbjes nga Covid-18 të Bashkimit Evropian me një shumë të përbashkët prej 1.8 trilionë euro.

Në fakt, ato nuk e kanë bërë diçka të tillë. Negociatat e të hënës – mbi një mjet të ri për të pezulluar financimin e BE-së për vendet që shkelin normat e bllokut, në lidhje me sundimin e ligjit – u zhvilluan në nivel diplomatësh.

Vendimi përfundimtar ka të ngjarë të mos merret deri në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 8 dhjetor. Kërcënimi me veto i kryeministri hungarez Viktor Orban dhe atij polak Mateush Moraviecki mund të jetë ende një blof. Dhe të tillë duhet ta quajnë edhe liderët e tjerë të BE-së.

Në këtë lojë pokeri ku në lojë janë shumë gjëra, renditja është thelbësore. Miratimi i rregullores së shtetit të së drejtës, kërkon një votim me shumicë të kualifikuar në Këshillin e Bashkimit Evropian. Prandaj diplomatët e BE ishin në gjendje të votonin të hënën, pavarësisht kundërshtimit të Hungarisë dhe Polonisë.

Arsyeja pse Varshava dhe Budapesti kanë në dorë disa mjete presioni, është sepse qeveria gjermane, në rolin e saj si presidente e radhës së BE-së, e ka lidhur kaq ngushtë rregulloren me miratimin e buxhetit të ardhshëm 7-vjeçar të BE-së dhe paketën e rimëkëmbjes (që të dyja kërkojnë miratim unanim nga të gjitha qeveritë e unionit).

Por nëse Këshilli konfirmon votimin e së hënës, dhe miraton zyrtarisht rregulloren e sundimit të ligjit me një shumicë të cilësuar, atëherë ai bëhet një fakt i kryer. Në atë pikë, Polonia dhe Hungaria do të humbin shpejt nxitjen e tyre për të bllokuar buxhetin e BE-së.

Sigurisht, Orban dhe Moraviecki duhet t`a kuptojnë se po luajnë duke qenë në një pozitë të dobët. Atëherë pse po bëjnë kaq shumë bujë? Pse po armiqësohen me kaq shumë qeveri të tjera anëtare, duke kërcënuar se do të mbajnë peng fondet që atyre u duhen kaq shumë?

Më shumë gjasa, ato po e përdorin këtë mosmarrëveshje, për t’i dhënë një goditje të fuqishme paralajmëruese Komisionit Evropian dhe udhëheqësve në Këshill. Ndërsa mund të mos jenë në gjendje të parandalojnë miratimin e rregullores së sundimit të ligjit, Varshava dhe Budapsti po dërgojnë një sinjal se çfarë do të bëjnë nëse rregullorja përdoret ndonjëherë kundër tyre.

Në thelb, mesazhi është:Nëse guxoni të pezulloni fondet tona, ne do ta shkatërrojmë BE-në, duke vënë veton ndaj gjithçkaje që kërkon unanimitet në Këshill. I gjithë ky episod shërben si një kujtesë e grackës së autokracisë në të cilën BE-ja e ka futur veten.

LEXO EDHE:  Integrimi/ Ambasadori i BE-së lajm të mirë për shqiptarët

Për 10 vjet, Partia Popullore Evropiane (PPE) e qendrës së djathtë e ka mbrojtur Orbanin, ndërsa ai konsolidonte qeverinë e parë anëtare autokratike të BE-së. Edhe sot, demokristianët gjermanë vazhdojnë që ta mbrojnë kryeministrin hungarez, dhe të bllokojnë dëbimin e partisë së tij nga PPE.

PPE e ka mbrojtur Orban për përfitime politike – për të siguruar që ai të mbetet blloku më i madh dhe më i fuqishëm në BE. Por këtë javë autokrati i saj i përkëdhelur, u kthye kundër mbrojtësve të tij prej një kohe të gjatë, duke kërcënuar planin e rimëkëmbjes nga pandemia, të mbështetur nga udhëheqësja de facto e PPE, kancelarja gjermane Angela Merkel.

Duke mos e kundërshtuar ballazi për vite më radhë, udhëheqësit e BE – në veçanti ata në PPE – i dhanë atij mundësinë të konsolidonte një regjim autoritar hibrid brenda BE-së. Suksesi i Orban, frymëzoi autokratë të tjerë aspirantë, përfshirë udhëheqësin de facto të Polonisë Jarosllav Kazinski, duke treguar se ata mund të hidhnin poshtë vlerat themelore të BE, ndërsa nga ana tjetër vazhdojnë të marrin subvencione të shumta nga Brukseli.

Dhe ndërsa të dyja vendet i janë nënshtruar të ashtuquajturave procedura të Nenit 7, mekanizmi i Traktatit të BE që mund t’u heqë të drejtën e votës regjimeve të tilla, udhëheqësit e BE-së nuk kanë arritur që t’a çojnë përpara procesin, duke i lënë të ulen në tryezën e përbashkët, nga ku mund të bëjnë shumë dëme.

Nëse udhëheqësit evropianë, duan që të shpëtojnë ndaj kurthit të autokracisë, ata duhet të fillojnë të kenë një qëndrim të ashpër ndaj regjimeve që përpiqen të mbajnë peng Bashkimin Evropian. Ata duhet të demaskojnë bllofin e Orban dhe Moravieckit, dhe të vazhdojnë me miratimin e rregullores që e kundërshton ndihmën me zbatimin e sundimit të ligjit në vendet anëtare.

Edhe PPE duhet të tregojë se sfida të tilla të hapura kundër normave të BE-së, e kanë një kosto, dhe kjo është dëbimi i regjimit të Orban nga ky grupimi, si dhe duke denoncuar në vijimësi praktikat autokratike të regjimeve hungareze dhe polake. Vetëm kur BE të dëshmojë vendosmëri në mbrojtje të demokracinë dhe shtetit të së drejtës, ajo mund t’i shpëtojë grackës që kanë krijuar vitet e tolerimit ndaj këtyre 2 vendeve anëtare./Përshtati në shqip CNA.al

 

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Nga miti tek historia/ A ekzistonte vërtet dhe ku ndodhej Kulla e Babelit?

Publikuar

-

Nga

Nga miti tek historia:A ekzistonte vërtet dhe ku ndodhej Kulla e Babelit?

Ajo e Kullës së Babelit, është një nga historitë më të famshme të Biblës, e cila është treguar mijëra herë nga prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. Natyra e tij e thjeshtëzuar, kombinon të gjithë elementët thelbësorë të një historie të shkëlqyer.

Ajo përshkruan Zotin, njerëzit, një rrokaqiell gjigant, dhe një nga temat më të dashura të njerëzimit, atë të arrogancës. Në kapitull në Librin e Zanafillës, libri i parë i Dhjatës së Vjetër, tregon sesi një popull vendosi të ndërtonte një kullë, e cila do të arrinte deri lart në qiell, ku banojnë Zoti dhe Ushtria e Engjëjve, për t’ju mburrur atyre për veprën e madhe që kishin bërë.

Sigurisht, askush nuk mund të duronte fqinjë të tillë të bezdisshëm, madje as vetë Zoti. Por ai nuk donte të shkatërronte racën njerëzore për këtë shfaqje të arrogancës ndaj tij. Ndaj vendosi t’u punojë njerëzve një rreng të vogël. Sipas Biblës ai “ngatërroi gjuhën e tyre”, ndaj ata nuk do të ishin më në gjendje të kuptonin njëri-tjetrin.

Është një fakt i njohur, që shumë histori të Biblës bazohen mbi ngjarje të vërteta. Ekziston një teori, sipas së cilës që kulla mitike e Babelit, bazohet gjithashtu mbi një godinë reale dhe shumë të madhe të botës antike afër Lindjes së Mesme, e cila në fakt është zbuluar dhe identifikuar nga arkeologët modernë.

Po ku ndodhej saktësisht Kulla e Babelit? Sipas profesorit Jan Gertz “Babel” është fjala ekuivalente në hebraishten e vjetër për termin “Babilon”. Toka e “Shinarit”, e cila përmendet në histori, është identifikuar gjithashtu me Babiloninë e lashtë.

Ajo ndodhej në pjesën juglindore të Mesopotamisë, dhe është pjesë e Iranit dhe Irakut të sotëm. Pra, nëse historia biblike do të ishte e vërtetë, vendndodhja e kullës është diku në qytetin e Babilonisë, mundësisht afër ose brenda mureve të saj. Këto janë të vetmet dy të dhëna, që ofron historia, në lidhje me vendndodhjen e kullës.

Popujt e Mesopotamisë Jugore, ishin pasardhës kulturorë të popullit sumer, që krijoi një nga civilizimet e para të njerëzimit. Kur qytetërimi sumer filloi të binte, pjesa tjetër e mesopotamianëve trashëguan shumë zakone shoqërore dhe fetare dhe njohuri shkencore nga sumerët.

Një nga këto të fundit ishte njohuria për pjekjen e tullave prej balte, në mënyrë që të ndërtoheshin shtëpi, pallate dhe tempuj, një teknikë që përdorej zakonisht midis popujve mesopotamianë. Autori i historisë biblike, e përmend faktin që hebrenjtë nuk përdornin teknika të ngjashme ndërtimi.

Në vend të tullave ata preferonin gurin, si materialin e tyre kryesor të ndërtimit. Duke përmendur këtë teknikë të bërjes së tullave, ne mund të jemi pothuajse të sigurt se njerëzit që e ndërtuan kullën ishin mesopotamianë dhe për shembull jo disa pushtues të huaj, dhe më konkretisht, babilonas pasi ajo ndodhej në Babiloni.

LEXO EDHE:  Integrimi/ Ambasadori i BE-së lajm të mirë për shqiptarët

LEXO EDHE:  Koronavirusi në Hungari/ Soros, migrantët dhe epidemia

Po pse u ndërtua në fakt kulla? Në tekstin origjinal, thuhet se kullëbn deshin ta ndërtonin njerëzit, dhe jo një mbret, tiran apo perandor. Fjala hebraike e vjetër për “kullë” ishte “migdal”. Ne e dimë se ashtu si shumë popuj të Lindjes së Mesme, izraelitët ndërtonin struktura gjigante, për të adhuruar Zotin e tyre.

Tempulli i Solomonit, ishte një prej tyre. Por ashtu si pjesa tjetër e njerëzve të tij, mbreti Solomon ishte kundër ndërtimit të projekteve të tilla kolosale, qëllimi i të cilave ishte adhurimi i Zotave të rremë. Babilonasit donin të ndërtonin një tempull, maja e të cilit të arrinte deri në qiell.

Tempujt sumerianë dhe babilonas quheshin “Ziggurats”, gjë që do të thotë “kulla që ngrihet në qiell”. Godina i ngjante një piramide të shkallëzuar, të përbërë nga tre deri në shtatë nivele tarracash, të cilat ngjiteshin lart në qiell. Në majën e saj ndodhej tempulli kryesor, ku kryeheshin ceremonitë dhe ritualet fetare.

Si “natyra mëkatare” e ziggurat-it si një vend i adhurimit të kombeve, ashtu edhe ngjashmëria e tij gjuhësore dhe strukturore me përshkrimin biblik të “Kullës së Babelit”, ka bërë që shumica e historianëve të besojnë se “teoria e origjinës tempullare” është në fakt e saktë, dhe mund të qëndrojë si një shpjegim i arsyeshëm i origjinës historike të ndërtesës mitike.

Kur po kryenin gërmime në Babiloni nën drejtimin e arkeologut të famshëm Robert Kolduei në vitin 1913, ekspertët zbuluan rrënojat e një tempulli gjigant me emrin ”Etemenanki”, që përkthehet fjalë për fjalë si “Shtëpia e Themelimit të Qiellit dhe Tokës”, një emër që përputhet në mënyrë të përsosur me përshkrimin biblik të Kullës së Babelit.

Ishte mbreti babilonas Nabukodonosori II, ai që urdhëroi ngritjen e Etemenankit. Në dekadat në vijim, janë gjetur një numër burimesh antike që e lidhin më tej Etemenanki me Kullën mitike të Babelit. Sipas njërit prej këtyre burimeve, dhe konkretisht, një pllake prej balte të gjetur në Uruk, tempulli kishte një lartësi 91 metra nga toka me shtatë nivele.

Këto dimensione kolosale, e bënë atë një nga ndërtesat më të larta të antikitetit, dhe një pikë referimi lehtësisht të njohur brenda qytetit! Tempulli i ishte kushtuar Marduk – perëndisë kryesore të babilonasve – diçka që padyshim do të kishte shkaktuar urrejtjen e popujve hebrenj.

Përkushtimi i tempullit ndaj Marduk, një Zot i qiellit që krijoi qiellin dhe tokën sipas mitit të krijimit babilonas, shpjegon origjinën e emrit të tij si “themeli i qiellit dhe tokës”. Ai gjithashtu shpjegon se përse hebrenjtë e urrenin kaq shumë këtë tempull specifik. Për ta, ekzistenca e ndërtesës, ishte një tallje kundër Zotit të vërtetë./Përshtati në shqip CNA.al

 

 

LEXO TE PLOTE

Blog

Historitë e veçanta, që kanë himnet kombëtare të vendeve kryesore pjesëmarrëse në “Euro 2020”

Publikuar

-

Nga

Historitë e veçanta, që kanë himnet kombëtare të vendeve kryesore pjesëmarrëse në “Euro 2020”

Himnet kombëtare marrin një vëmendje të pazakontë në turnetë ndërkombëtarë si Kampionati Evropian apo Kupa e Botës në futboll. Shumëkush që i dëgjon në fillim të ndeshjeve, mund të pyesë veten se nga vijnë edhe pse një vend i caktuar zgjodhi në një moment të caktuar të historisë së tij një melodi dhe tekst të caktuar për të përfaqësuar kombin e tij.

“Inno di Mameli” ose Kënga e Italianëve

Melodia u shkrua nga muzikanti gjenovez Mikele Novaro, ndërsa teksti i bazuar në shumë referenca klasike dhe historike, u shkrua në vitin 1847 nga 20-vjeçari Gofredo Mameli, një poet edhe ai nga Gjenova.

Dy vjet pasi shkroi himnin, Mameli u rreshtua me milicët e udhëhequr nga Xhuzepe Garibaldi që kishte pushtuar Romën dhe kishte shpallur Republikën e Italisë. Në shkurtin e vitit 1849 Mameli u plagos në këmbë dhe vdiq nga gangrena disa ditë më vonë në moshën 21 vjeçare. “Inno di Mameli” u bë himn kombëtar vetëm në vitin1946, pas shpalljes së Republikës së re italiane.

Marsejeza, himni i Francës

Është një nga më të njohurit në botë. Me kalimin e viteve, u bë himni i Francës republikane, por në fakt është shkruar nga një ushtri monarkiste. Klod dë Lislë ishte një oficer në ushtrinë monarkiste franceze, kur shkroi një seri këngësh patriotike përfshirë atë me titull “Kënga e Luftës për Ushtrinë e Rinit”.

Ajo i kushtohej ushtrive franceze që mbronin Francën nga fuqitë e tjera të mëdha. Kënga nisi të këndohej nga disa vullnetarë që shkuan nga Marseja për të mbrojtur Parisin, dhe kështu mori titullin Marsejeza.

Vilhelmus, himni i Holandës

Himni holandez është shkruar dhe kompozuar që në vitin 1570, dhe është ndoshta më i vjetri në botë. Ai quhet Vilhelmus, dhe teksti është një fjalim në vetën e parë nga themeluesi historik i Holandës, udhëheqësi politik Vilhelmi i Oranzhit.

Në kohën kur u shkrua himni, Holanda ishte në një luftë të gjatë për të fituar pavarësinë nga Spanja. Çuditërisht, në vargjet e para, Vilhelmi theksonte se ai “e nderonte gjithmonë mbretin e Spanjës”, ndaj dukej sikur donte të thoshte se ishte faji i këtij të fundit nëse në atë moment po zhvillohej një revoltë e përgjakshme.

Internacionalja, himni i Rusisë

Ka një histori shumë të trazuar. Me rënien e Carit dhe shpërthimin e Revolucionit Bolshevik, Bashkimi Sovjetik vendosi të adoptojë “Internacionalen Socialiste” si himnin e saj, që është kënga tradicionale e partive socialiste të të gjithë botës.

LEXO EDHE:  Morina: SHBA-ja dhe BE-ja, t’i bindin pesë vendet evropiane që ta njohin Kosovën

LEXO EDHE:  Shifrat e frikshme/ Ja sa shqiptarë "mësyjnë" rrugët e Europës

Ishte një himn i veçantë, shumë tërheqës, me të cilin udhëheqësit sovjetikë donin t’i bënin të qartë botës se Bashkimi Sovjetik nuk ishte një shtet si çdo shtet tjetër, por pararojë e botës e lëvizjes së punëtorëve. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, himni sovjetik u eleminua së bashku me simbolet e tjera të regjimit të vjetër. Në vend të tij u zgjodh një melodi e re pa fjalë, “Kënga Patriotike”. Por në vitin 2000, presidenti Vladimir Putin rivendosi himnin e vjetër.

Deutschlandlied, himni i Gjermanisë

Kur August Hofman von Falersleben shkroi himnin gjerman, Gjermania ishte ende larg nga të qenit një shtet i bashkuar. Ishte viti 1841 dhe Hofman, që ishte profesor dhe poet, ndodhej me pushime në Detin e Veriut, në ishullin Heligoland.

Duket se Hofman kishte ndjenja të forta jo vetëm ndaj kombit gjerman, por edhe ndaj grave dhe ndaj verës, të cilat në fakt janë pjesë e himnit:“Gratë gjermane, besnikëria gjermane/Vera gjermane dhe kënga gjerman/Ato duhet të mbajnë botën/Tingulli i tyre antik, i bukur ”.

Deutschlandlied (që do të thotë “Kënga e Gjermanëve”, është një nga tiparet e pakta të identitetit të Gjermanisë që u miratua edhe nga diktatori nazist Adolf Hitler dhe Gjermania republikane e pasluftës.

Megjithëse gjatë nazizmit këndohej vetëm vargu i parë (që fillon me fjalët “Gjermania, Gjermania mbi gjithçka), dhe më pas vijohej me himnin zyrtar të partisë. Sot himni kombëtar fillon me vargun e tretë (“Unitet, drejtësi dhe liri/Për atdheun gjerman!).

“Zoti Ruaj Mbretëreshën!”, himni i Anglisë

Një himn tjetër shumë i famshëm është ai i kombëtares që mburret se është shtëpia e futbollit, Anglisë. Melodia u frymëzua ndoshta nga një këngë e shekullit XVIII, dhe si shumë tipare të tjera të kulturës angleze ajo është vendosur përmes traditës, dhe jo përmes ligjit zyrtar.

Por aspekti më interesant i himnit është popullariteti i saj, që e ka bërë atë himnin kombëtar

edhe të vendeve të tjera në botë. Midis viteve 1871-1918, ajo ishte melodia e himnit të Gjermanisë së bashkuar. Pastaj u përdor edhe nga Rusia e carëve, nga mbretëria e Haiait, dhe përdoret ende sot nga Lihtenshteini në himnin  e tij “Oben am Jungen Rhein” (Atje lart, mbi Renin e ri)./Përshtati në shqip CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Gazsjellësi rus “Nord Stream 2” është gati, ja çfarë ndryshimesh do të sjellë në rajon dhe botë

Publikuar

-

Nga

Gazsjellësi rus “Nord Stream 2” është gati, ja çfarë ndryshimesh do të sjellë në rajon dhe botë

Nga Tim O’Donnell “The Week”

Gazsjellësi shumë i diskutueshëm rus “Nord Stream 2” me një gjatësi prej 1229 km është thuajse gati, edhe pse është kundërshtuar fort nga SHBA dhe Perëndimi në përgjithësi, me përjashtim të Gjermanisë që është përfituesja kryesore. Po çfarëdo të thotë kjo për rajonin dhe botën?

Pse është kaq i diskutueshëm ky gazsjellës i ri? 

“Nord Stream 2” do të transportojë gazin natyror direkt nga Rusia në Gjermani përmes Detit Baltik. Ai është kritikuar pasi deri tani gazi nga Rusia drejt Evropës, kalon nëpër vende të tjera, përfshirë Ukrainën, e cila mbështetet shumë tek të ardhurat që fiton nga tarifat e tranzitit.

Dhe ndërsa gazsjellësi origjinal “Nord Stream”është në punë që nga viti 2011, dhe ndjek të njëjtën trajektore, ky i dyti do të dyfishojë sasinë e gazit që vjen nga Rusia në Evropë. Ukraina dhe vendet e tjera transite, druhen se Kremlini do të devijojë që të gjitha linjat e furnizimit tek sistemi “Nord Stream”, duke nxjerrë jashtë loje të gjitha rrugët tokësore.

Pra, edhe pse Moska dhe Berlini pohojnë se “Nord Stream 2” është thjesht një sipërmarrje biznesi, SHBA dhe shumë vende evropiane nuk e besojnë këtë.

Si mund të ndikohet saktësisht Ukraina nga ky gazsjellës?

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe ministri i tij i Jashtëm Dimitro Kuleba, kanë argumentuar se ky gazsjellës jo vetëm që do ta dëmtojë ekonominë e Ukrainës – si dhe mund t’i kushtojë Kievit të paktën 2 miliardë dollarë nga tarifat e munguara të tranzit – por ai shihet gjithashtu edhe një kërcënim për sigurinë, pasi do t’i hiqte Ukrainës levën gjeopolitike që e mban atë në statusin e një fuqie të mesme.

Të ardhurat nga transiti, përbëjnë ndërkohë një pjesë të mirë të shpenzimeve të mbrojtjes së Ukrainës,pikërisht në një kohë kur vendi është ende i zhytur në një konflikt ushtarak me Rusinë dhe separatistët rusë në Ukrainën Lindore.

Çfarë qëndrimi po mban Gjermania?

Kancelarja gjermane Angela Merkel, është zakonisht mjaft e ashpër ndaj Rusisë dhe presidentit të saj, Vladimir Putin. Por në këtë rast, ajo është e detyruar të mbajë një qëndrim më pragmatik. Bizneset gjermane besojnë se braktisja e projektit “Nord Stream 2” do të pasonte një konflikt ligjor të kushtueshëm, dhe mbi të gjitha do të dëmtonte reputacionin e Gjermanisë si një “vend i sigurt për investime”.

Ndërkohë, prodhimi evropian i gazit po bie, por kërkesa pritet që të mbetet e qëndrueshme gjatë 2 dekadave të ardhshme. Për pasojë, ekziston shqetësimi mbi plotësimin e nevojave energjetike të kontinentit, dhe furnizimi me gaz nga“Nord Stream” mund të bëhet me një çmim relativisht të ulët.

Merkel dhe ministrat e saj lanë të kuptohet se marrëveshja mund të jetë në rrezik, kur autoritetet ruse arrestuan dhe burgosën liderin e opozitës Aleksei Navalni në fillim të këtij viti. Por ky kërcënim u zbeh shumë shpejt. Në atë mënyrë Merkel po përpiqej të tregonte një lloj vije të kuqe, për t’u siguruar që Ukraina të mbetet një vend tranzit edhe pas përfundimit të gazsjellësit. Por është e paqartë nëse Rusia do të pranojë këtë gjë.

LEXO EDHE:  Zbardhet çfarë bisedoi Basha me eurokomisionerin Hahn

LEXO EDHE:  Problemi kryesor i BE-së për vitin 2019

Cili është qëndrimi i SHBA-së?

Administratat e Trump pocashtu edhe ajo e Bajden e kanë kundërshtuar projektin, dhe për këtë qasje ka një konsensus bipartizan në Senat dhe Kongres. Duket se ekzistojnë shqetësime të ligjshme në lidhje me varësinë e mundshme të Evropës nga energjia ruse dhe ndjeshmëria e Ukrainës.

Por ekzistojnë edhe arsye egoiste:SHBA-ja dëshiron që të përfshihet më shumë në tregun evropian të gazit si furnitore. Presidenti Bajden e ka quajtur gazsjellësin si një “marrëveshje të keqe”, ndërsa Sekretari i Shtetit Entoni Blinken, e ka theksuar shpeshherë kundërshtimin e SHBA-së.

Megjithatë administrata hoqi dorë nga sanksionet mbi kompaninë që mbikëqyr ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”,AG e cila është në pronësi të gjigantit shtetëror rus të energjisë në Rusi Gazprom. Kreu i saj Mathias Varnig, një ish-oficer i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore, cilësohet një mik i Putinit.

Pse Uashingtoni hoqi dorë nga sanksione?

Kryesisht sepse administrata Bajden mendon se kundërshtimi i këtij projekti është tashmë i kotë. Gazsjellësi ka përfunduar në masën 95 për qind, dhe në këtë pikë të vetmet kompani që do të prekeshin nga sanksionet janë në anën gjermane.

Dhe presidenti amerikan nuk dëshiron që të dobësojë marrëdhënien Uashington-Berlin,

që mezi po ripërtërihet pas 4 viteve të vështira. Por edhe nëse administrata Bajden do të vazhdojë me masat ndëshkimore, ka jo pak pengesa:landi gjerman Meklenburg-Pomerania Perëndimore, ku do të dalë gazi, ka ngritur një fondacion për të mbrojtur kompanitë private nga sanksionet.

Pra gazsjellësi është një punë e mbaruar?

Duket se po. Putini tha në fillim të këtij muaji se ndërtimi i linjës së parë ka përfunduar, dhe e dyta mund të përfundojë brenda disa muajsh. Por gazi nuk do të fillojë të rrjedhë derisa të përfundojë një proces çertifikimi. SHBA-ja dhe Gjermania janë përfshirë në diskutime sekrete mbi këtë çështje.

Nëse Uashingtoni mund të arrijë ta bindë Gjermaninë ta shtyjë pak më shumë projektin, zgjedhjet parlamentare të shtatorit në Gjermani mund të ndryshojnë shumë gjëra. Partia e Gjelbër Gjermane, që deri tani në sondazhe ka treguar se mund të luajë një rol të rëndësishëm në qeverinë e ardhshme, u pozicionua kundër gazsjellësit në fillim të këtij viti për arsye mjedisore dhe gjeopolitike.

Nëse të Gjelbrit do të arrijnë një rezultat domethënës përpara çertifikimit përfundimtar

të “Nord Stream 2”, ka një shans që kjo parti ta rrëzojë projektin në minutën e fundit. Ndërkohë,Ukraina ka njoftuar se do të paditë“Gazprom” për të zhbllokuar furnizimet me

gaz nga Azia Qendrore, të cilat i mban peng prej më shumë se 15 vjetësh.

Nëse ka sukses, Kievi ka të ngjarë të mos e vrasë shumë mendjen për “Nord Stream 2”. “Vetëm gazi i Azisë Qendrore, mund të mbushë të gjithë sistemin e tranzitit të gazit në Ukrainë”- tha për “Financial Times”Juri Vitrenko, kreu i kompanisë ukrainase të gazit “Naftogaz”./ Përshtati në shqip CNA.al

 

 

LEXO TE PLOTE