Connect with Us

Si dhëndri i Erdogan e mori më qafë ekonominë turke

Blog

Si dhëndri i Erdogan e mori më qafë ekonominë turke

Publikuar

-

“The Economist”

Çfarë ndryshimesh mund të sjellë një grindje familjare! Vetëm disa javë më parë, lira turke po zhvlerësohej ne një nivel rekord, ndërsa Banka Qendrore po rrinte duarkryq, të huajt po shisnin aksionet e tyre në kompanitë turke, ndërsa Ministri turk i Financave, Berat Albajrak, po argumentonte se kurset e këmbimit nuk kishin shumë rëndësi.

Sot monedha turke po ri-forcohet ndjeshëm, tregu i aksioneve po rritet, dhe zyrtarët po flasin për nevojën e reformimit të gjykatave dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit. Për më shumë se 2 vjet, presidenti autokrat i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ishte mbështetur tek dhëndri i tij Albajrak për të drejtuar ekonominë e vendit.

Ky e fundit gati e çoi atë në humnerë. Ndërsa bankat jepnin kredi me norma nën atë të inflacionin për të ringjallur rritjen ekonomike, lira turke u zhvlerësua me mbi 40 për qind ndaj dollarit, duke shkaktuar humbjen e kursimeve te jetës për miliona turq. Në një përpjekje për ta shpëtuar monedhën kombëtare, Banka Qendrore dhe ato shtetërore, harxhuan të paktën 100 miliardë dollarë nga rezervat e çmuara në valutë të huaj. Më në fund Erdogan mori në dorë frenat e situatës. Më 7 nëntor, ai shkarkoi guvernatorin e Bankës Qendrore, duke e zëvendësuar atë me një nga rivalët e Albajrak.

Një ditë më vonë, Albajrak i indinjuar, i shpallur dikur si pasardhësi i ardhshëm i vjehrrit të tij në krye të vendit, dha dorëheqjen. Që atëherë lira ka pasur performancën e saj më të mirë javore (një rritje prej 10 për qind) në 2 dekadat e fundit. Ndryshimi ka qenë i jashtëzakonshëm. Guvernatori i ri i Bankës Qendrore, Naxhi Agbal dhe Ministri i ri i Financave, Lutfi Elvan, po bëjnë të gjitha lëvizjet e duhura për të stabilizuar monedhën vendase, dhe e ulur inflacionin në një normë 1-shifrore. Ministri i Drejtësisë, që ka drejtuar nga viti 2017 një goditje gjithëpërfshirëse ndaj kundërshtarëve të qeverisë, ka “zbuluar” një pasion për sundimin e ligjit, duke u kërkuar gjyqtarët të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe të ndihmojnë në përmirësimin e klimës për investitorët e huaj.

Dhe kjo e fundit është shumë e nevojshme. Për shkak të pandemisë, ekonomia turke u tkurr me gati 10 për qind në tremujorin e dytë të këtij vitit. Erdogan, një armik i betuar i normave të larta të interesit, thotë tani se Turqisë mund t’i duhet të gëlltisë “një pilulë të hidhur”, që do të thotë të nisë të shtërngojë paksa rripin.
Më 19 nëntor, Banka Qendrore vendosi një rritje spektakolare të normës të interesit. Presidenti u detyrua t‘i dorëzohej presionit të tregut dhe ta shkarkonte Albajrak. “Do të kishte një zhvlerësim dramatik të monedhës, nëse do të vazhdohej në atë kurs”- thotë Pol Meknamara i “Gam Investments”.

LEXO EDHE:  Shkon në 649 numri i viktimave nga Covid-19 në Turqi, mbi 30 mijë të infektuar

Një tjetër skenar do të kishte qenë kërkimi i ndihmës nga FMN, diçka që Erdogan e kishte përjashtuar më herët. Gjithashtu, presidentit mund të paguante një kosto politike. Një grup prej 30-40 deputetë të AKP-së, thuhet se kërcënuan të kalonin në opozitë nëse Albajrak nuk jepte dorëheqjen. Ndryshimi i stafit ekonomik nga Erdogan, i ka dhënë atij një lloj frymëmarrjeje, thotë Ugur Gurses, një ekonomist turk. Dhe kjo mund të ndihmojë udhëheqësin turk që të përballojë edhe humbjen e një miku të mirë në Uashington.
Për 4 vitet e fundit, Erdogan mund të mbështetej tek Donald Trumpi për shumëçka. Turqia i dëboi trupat amerikane nga Siria Verilindore, u përlesh me aleatët evropianë në Mesdhe, vendosi mercenarë sirianë në Libi dhe Azerbajxhan, dhe arrestoi mijëra njerëz në vend nën akuzën e terrorizimit.

Trump e mbrojti Turqinë nga vendosja e sanksioneve kundër saj nga SHBA, pas blerjes ng Ankaraja të sistemi rus S-400 të mbrojtjes ajrore. Nën Xho Bajden, që në fillim të këtij viti e cilësonte Erdoganin një “autokrat, që duhet të paguajë një kosto”, gjërat do të vështirësohen.
Amerika do të tërheqë disa vija të kuqe, dhe do t’i zbatojë ato në një mënyrë më të besueshme, thotë Lizel Hinc e Universitetit Xhon Hopkins. Erdogan do të ketë më pak hapësirë për të arritur kompromise me Shtëpinë e Bardhë. Sanksionet mbi sistemin rus do të jenë më të vështira për t’u anashkaluar, sidomos pasi Turqia e testoi në tetor këtë sistem. Nga ana tjetër, ekziston një kufi se sa larg është i gatshëm të shkojë Erdogani për të qetësuar administratën e re amerikane. Pavarësisht fjalimeve të tij fundit për reforma, ai nuk do të lehtësoje kontrollin e tij mbi institucionet kombëtare, dhe as të heqë dorë nga përndjekja e kundërshtarëve. Prokurorët e tij çelën kohët e fundit një hetim ndaj Ekrem Imamoglu, kryetarit të bashkisë së Stambollit nga radhët e opozitës, pasi ai kritikoi një nga projektet më të preferuara të presidentit, një kanal midis Detit të Zi dhe atij Marmara.

Erdogan duhet të shpresojë që fillimi i presidencës Bajden, të jetë më i mirë se fundi i presidencës Trump. Më 16 nëntor, sekretari i shtetit i zotit Trump, Majk Pompeo, i tha një gazete franceze se Amerika dhe Evropa, duhej të përballeshin me “veprimet agresive”
të Turqisë gjatë muajve të fundit. Një ditë më vonë Pompeo shkoi në Stamboll, ku vizitoi Patriarkun Ekumenik për të diskutuar mbi liritë fetare në Turqi (dhe ndoshta e dënoi shndërrimin në një xhami nga Erdogan të Hagia Sophia, një bazilikë e lashtë e krishterë). Ai nuk takoi asnjë zyrtar turk./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.economist.com/europe/2020/11/21/recep-tayyip-erdogan-faces-up-to-economic-facts

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Stabiliteti i BE-së do t’i zhgënjejë sërish kritikët e saj

Publikuar

-

Nga

Nga Gideon Rachman “Financial Times”

Sa herë që Evropa goditet nga një krizë – qoftë e borxheve, refugjatëve apo e Covid-19 – profetët e katastrofave parashikojnë më të keqen për Bashkimin Evropian. Në kulmin e krizës së euros, shumë nga ata sugjeruan se monedha e përbashkët e unionit nuk do të arrinte të mbijetonte.

Unë vetë isha ndër ata që menduan se kriza e refugjatëve e vitin 2015, mund ta bënte Brukselin shumë të parëndësishëm në skenën globale. Shtypi britanik pro-Brexit, vazhdon të parashikojë thuajse çdo javë shembjen e BE-së. Pandemia e Covid-19, ka sjellë shpërthimin e një vale të re pesimizmi.
Ekonomisti amerikan Paul Krugman, analizoi kohët e fundit menaxhimin e pandemisë në vendet e BE, duke arritur në përfundimin:”Projekti Evropian është në telashe të mëdha!”.Ka pak dyshime se performanca e BE-së përballë Covid-19 ka qenë e dobët.

Por kjo nuk duhet të çojë në një dëshpërim melodramatik mbi të ardhmen e organizatës. Projekti Evropian ekziston prej rreth 70 vjetësh, që nga themelimi i Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1951. Gjatë asaj kohe, ai u ka mbijetuar shumë krizave dhe plagëve të vetë-shkaktuara, dhe është më shumë se 4-fishuar në madhësinë e tij. Mos ndoshta ka ardhura koha ta pranojmë se është një organizatë mjaft elastike? Në fakt, nëse jeni duke kërkuar entitete politike që janë në “telashe të mëdha”, apo që janë të kërcënuar nga shpërbërja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë aktualisht kandidate më të besueshme sesa BE-ja.

Amerika sapo përjetoi një sulm mbi Kongres nga një turmë e zemëruar, dhe një nga dy partitë e saj të mëdha politike, ka ndërmarrë sulme periodike kundër demokracisë amerikane. Mbretëria e Bashkuar po përpiqet të parandalojë ringjalljen e dhunës në Irlandën e Veriut, dhe nga ana tjetër të shmangë një referendum të dytë për pavarësi në Skoci, që nëse ndodh dhe ka sukses do të sillte humbjen e një të tretës së territorit të saj.

Krahasuar me këto, problemet e BE-së duken relativisht më të lehta. Megjithatë mosbesimi në lidhje me të ardhmen afatgjatë të BE-së është i vazhdueshëm. Ai mund të burojë pjesërisht nga natyra unike e kësaj organizate.

BE është të një organizatë ndërkombëtare që ka shumë nga karakteristikat e një shteti, përfshirë një monedhë, një parlament, një gjykatë të lartë dhe një bankë qendrore. Kjo natyrë hibride e BE-së i josh të huajt, të mësuar të merren me shtetet-kombe, që ta konsiderojnë BE-në si diçka të panatyrshme, apo edhe të deformuar, dhe për këtë arsye edhe një kandidate të dukshme për të përjetuar një vdekje të hershme, si një njeri që ka lindur me organet e trupit në vendin e gabuar.
Por në realitet, kërcënimi i një krize ekzistenciale që mund ta shkatërronte BE-në, tashmë po zbehet. Pas votimit të Britanisë së Madhe pro Brexit në vitin 2016, ekzistonte një rrezik i qartë që edhe vendet e tjera evropiane mund të largoheshin nga BE.

Në Francë, udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marin Lë Pen bëri fushatë pro Frexit; ndërsa Mateo Salvini në Itali, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë të Lega Nord, promovoi idenë se vendi i tij duhet të linte eurozonën. Por tani nacionalistët e Evropës e kanë ndryshuar ”muzikën” e tyre.
Ndërsa po përgatitet për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit të ardhshëm, Lë Pen e ka braktisur idenë e largimit të vendit nga BE, dhe ka premtuar ta mbajë Francën në eurozonë.
Politika e saj e re është të qëndrojë brenda BE-së, dhe të bëjë fushatë për një “Evropë të kombeve”.
Në Itali, Salvini po mbështet aktualisht një qeveri teknokrate dhe pro-BE të udhëhequr nga Mario Dragi, ish-president i Bankës Qendrore Evropiane. Lë Pen dhe Salvini nuk u bënë befas eurofilë emocionalë. Ata i lexojnë me kujdes sondazhet.

LEXO EDHE:  Rama zgjodhi tokën për ndërtimin e spitalit në Fier/ Qytetarët ngrihen në protestë

LEXO EDHE:  Andi Përmeti tregon qarkun ku do kandidojë/ Bindja Demokratike do marrë 10 mandate

Dhe në Francë, ato sugjerojnë se një shumicë e madhe njerëzish e mbështesin qëndrimin brenda BE-së. Në Itali, në fillim të krizës së koronavirusit, kishte sondazhe që sugjeronin se më shumë se 40 për qind e italianëve donin largimin e vendit nga BE. Por që nga ajo kohë BE-ja ka miratuar një fond qindra miliarda euro të rimëkëmbjes nga Covid-19, një pjesë e mirë e të cilit do t’i jepet Italisë. Salvini e ka kuptuar se thirrjet për t’u larguar nga BE apo euro, nuk janë ato që dëshiron të dëgjojë elektorati.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, që i pëlqen të tallet me Brukselin dhe liberalizmin, ndodhet në një pozitë të ngjashme. Ai e di që vendi i tij përfiton shumë nga fondet e BE, dhe qasja në tregun e përbashkët. Pavarësisht marrëdhënieve të tij të këqija me Brukselin, Orban nuk do të largohet nga BE.
Ai mund të jetë cinik, por nuk është budalla. Procesi i ndryshimit të qasjeve, zhvillohet në
të dyja drejtimet. BE është shumë e pakënaqur mbi drejtimin që kanë marrë gjërat në Hungari dhe Poloni, dhe i ka vënë që të dyja në shënjestër për shkak të problemeve me sundimin e ligjit.
Por nuk ka gjasa që asnjëra prej tyre të dëbohet nga BE. Një fitore e Marin Lë Pen vitin e ardhshëm, që është e mundshme, do të ishte gjithashtu një tronditje e madhe për Brukselit. Por, edhe nëse Frexit është jashtë “menysë”, BE do të merrte një goditje nëse do të fitonte Lë Pen.

Me kalimin e kohës, projekti evropian mund të bëhet gjithnjë e më i sigurt. Sondazhet tregojnë se të rinjtë janë më pro-BE sesa të moshuarit. Ndryshimi i mjedisit ndërkombëtar po e favorizon BE-në. Me Kinën dhe Rusinë që duken si më kërcënuese se më parë, dhe më SHBA-në që duket si më pak e besueshme si partnere, për evropianët është duke u bërë më bindëse nevoja për të qëndruar të bashkuar.
Asnjëra nga këto nuk do të thotë se BE-ja mund të jetë e vetëkënaqur për të ardhmen e saj, ashtu siç Kina, SHBA-ja apo Mbretëria e Bashkuar, nuk mund të supozojnë me shumë siguri se stabiliteti i tyre politik është i garantuar.

Gabim është të besosh se strukturat unike dhe shpesh konfuze politike të BE-së, e bëjnë atë veçanërisht të ndjeshme ndaj një kolapsi të mundshëm. Në realitet, BE-ja gjendet në një ekuilibër i kujdesshëm dhe në zhvillim midis pushtetit kombëtar dhe atij mbi-kombëtar, dhe midis teknokracisë dhe demokracisë. Dhe ky është një burim i qëndrueshmërisë dhe forcës, jo i dobësisë apo i brishtësisë./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.ft.com/content/4e5cf2d3-9978-400a-b62f-2266dc86ce41

LEXO TE PLOTE

Blog

Nga shkëmbimet mall me mall tek Bitcoin/ Historia magjepsëse e parave

Publikuar

-

Nga

Nga Cody Cottier “Discover Magazine”

Transaksionet njerëzore kanë ndodhur që nga Epoka e Gurit. Tregtimi i mallrave nga paraardhësit tanë i la përfundimisht vendin parave, të cilat në mijëra vitet e shkuara kanë
kaluar nëpër forma të ndryshme, nga guackat e deti, tek metalet dhe letra.

Në shekullin XIX-të, ato manifestoheshin shpesh si transferime elektronike të paprekshme dhe madje edhe kriptovaluta. Paraja është një nga shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit. Për mijëvjeçarë me radhë ajo e bëri botën të “rrotullohet” dhe kjo nuk është diçka e panjohur:Siç e shprehu shkrimtari latin Publilus Sirus në shekullin I Para Krishtit:“Vetëm paraja vë në lëvizje gjithë botën”.

Për amerikanët, kjo fjalë sjell ndërmend cent-ët dhe dollarët. OKB njeh 179 monedha të tjera botërore, ndërsa përgjatë historisë kanë ekzistuar qindra apo mijëra të tjera. Përveç kësaj, paratë janë shumë më komplekse sesa thjesht kartëmonedhat dhe monedhat që mbajmë në çantat apo kuletat tona.

Fiziciteti i parasë mund të jetë vetia e saj më pak e rëndësishme. Në fakt, shumica e ekonomistëve bien dakord që në epokën moderne nuk ka nevojë për një formë fizike të saj. Ekonomistët Dejvid Orrell dhe Roman Klupati shkruajnë ndër të tjera në librin e tyre “Evolucioni i parave” se “koncepti i monedhës është bërë gjithnjë e më abstrakt, deri në pikën që monedhat dhe kartëmonedhat aktuale, formojnë vetëm një pjesë të vogël të parave që ekzistojnë”.

Po si lindën paratë? Shumica e mendimtarëve mbi këtë temë, nga Aristoteli tek ekonomistët e sotëm, kanë spekuluar se paratë lindën nga një ekonomi parahistorike e shkëmbimit, në të cilën njerëzit tregtonin tek njëri-tjetri drejtpërdrejt mallra dhe shërbime.
Një sistem i tillë kërkon që të dyja palët të dëshirojnë atë që tjetri ka për të ofruar, dhe që ata të mund të vendosin vlerën relative të secilit artikull. A barazohen 30 banane me një rrjetë peshkimi? Po 3 rrjeta peshkimi me një dem? Nga ana tjetër, paraja është ajo që e dëshirojnë të gjithë, është njësia me të cilën matet gjithçka tjetër.

Kjo do të thotë që unë mund t’ia shes dikujt tjetër bananet e mia për para, emërues i përbashkët ekonomik, dhe t’i përdor ato për të blerë demin tuaj. Gjithashtu, paraja na heq barrën e zhvendosjes së pasurisë sonë, që në pjesën më të madhe është fizikisht shumë e rëndë.
Imagjinoni të zvarrisnit një fuçi plot me elb nëpër rrugë drejt kafenesë së lagjes për të paguar kapuçinon tuaj. Sa dhi mund të duhen për të marrë me qira një ambient në lagjen SoHo të Londrës? S’ka dyshime se shoqëritë antike nuk ishin kaq komplekse, por ndërsa ato u rritën, shkruan ekonomisti Glin Dejvis tek

“Historia e Parave”, “kërkesat e tregtisë tejkaluan mjetet e shkëmbimeve”. Paratë u shfaqën si një shpëtim. Gati çdo gjë mund të shërbejë si para, për sa kohë që është e qëndrueshme dhe e pakët. Në pjesën më të madhe të Azisë dhe Afrikës, guackat e detit, shërbenin si para deri disa dekada me parë.
Në ishullin mikronezian Jap, gurët gëlqerorë të jashtëzakonshëm në formë petullash rrethore përmbushën famshëm rolin e monedhës, pavarësisht se ishin të palëvizshëm. Në raste të tjera, opsioni më i mirë ishte një lloj “paraje në mall”, si bagëtitë, kripa apo drithi, e cili ka vlerë thelbësore për të cilën bie dakord shumica në një shoqëri të caktuar.

Edhe lingtotat e metaleve të çmuar, si ari dhe argjendi janë mallra, me një përfitimin e shtuar të lakueshmërisë së tyre. Paratë e para prej metali datojnë që në kohën e dinastisë Zhou të Kinës. Por monedhat e para në formën që i njohim edhe sot do të prodhoheshin në Lidia, një mbretëri e lashtë që shtrihej në Turqinë e sotme, gjatë shekullit VII-të Para Krishtit. Monedha ishte shumë më e lehtë për t’u transportuar dhe vlerësuar, në krahasim me peshimin e copave të papërpunuara të metaleve. Ato u përhapën me shpejtësi në të gjitha qytetet e Greqisë dhe më gjerë. Ndërkohë, po në Kinë po zhvillohej një metodë edhe më e përshtatshme. Në vend se të zhvendoste vazhdimisht monedha nga një vend në tjetrin, qeveria kineze i mbajti të gjitha monedhat në një vend dhe lëshoi copa letre në vend të tyre.

LEXO EDHE:  Andi Përmeti tregon qarkun ku do kandidojë/ Bindja Demokratike do marrë 10 mandate

LEXO EDHE:  Malaj: Qeveria të reagojë kundër Erdogan

Pas udhëtimeve të tij në Lindje, italiani Marko Polo e solli këtë koncept në Evropë, duke sjellë lindjen e bankave të para, në fillim në Itali, dhe më vonë në Angli. Njerëzit filluan që të depozitonin tek argjendarët dhe noterët shufrat e tyre të metaleve të çmuara, të cilët në atë kohë në fakt vepronin si ato që ne tani i quajmë banka.

Edhe shumë shekuj më vonë, ari dhe argjendi mbetën simbolet më universale të pasurisë. Deri më sot, qeveria amerikane ruan afërsisht 5.000 tonë ar në “Fort Knox”. Disa qindra km në lindje, Banka Federale e Rezervave në Nju Jork zotëron depozitën më të madhe të arit në botë:që nga viti 2019 plot 6.190 tonë ar, në pronësi të klientëve nga e gjithë bota, gjenden në një bunker 25 metra poshtë rrugëve të Manhatanit.

Standardi i Arit e dominoi për shekujt më radhe ekonominë ndërkombëtare, duke e lidhur vlerën e monedhave me vlerën e metalit të rrallë në ngjyrë të verdhë. Por dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar. Tani standardi është “paraja fiat”, që nuk ka vlerë të brendshme dhe që nuk mbështetet nga asgjë që bën.
Ju nuk mund të shkoni në një bankë, të dorëzoni një sasi kartëmonedhash 100-dollarëshe dhe të kërkoni një ons ari. Ato fletë letre janë të vlefshme vetëm sepse kështu thotë qeveria amerikane, dhe vetëm për sa kohë që qytetarët kanë besim tek qeveria e tyre.

Por edhe monedha më e fortë, po bëhet më e vështirë për t’u siguruar. Siç shkruajnë Orrell dhe Klupati, sot jetojmë “në një regjim virtual, ku shumica e parave krijohen me dëshirën e bankave private, thjesht duke futur një numër në një llogari të hapur në kompjuter”.
Sot është epoka e parasë dixhitale, dhe Bitcoin është më i njohuri në një konstelacion në rritje të kriptovalutave. Kjo monedhë virtuale gjithnjë e më e popullore, është krijuar në vitin 2009 nga një person anonim apo grup i njohur vetëm si Satoshi Nakamoto.

Kriptovalutat nuk kanë nevojë për ndërmjetës si bankat apo qeveritë, duke lejuar transaksione të drejtpërdrejta midis një komuniteti të gjerë përdoruesish. Për shkak se kaq shumë njerëz janë duke ndjekur në mënyrë të pavarur transaksionet, është gati e pamundur që dikush të mashtrojë.
Ky format eleminon problemin e besimit tek miliona njerëz. Mjafton që ju t’i besoni sistemit.

Ekonomistët debatojnë ende se deri në çfarë mase kriptovalutat do ta ndryshojnë botën, dhe nëse po, për mirë apo për keq. Por në përgjithësi është duke ndodhur një transformim dixhital i monedhës, dhe kjo do ketë pasoja të mëdha. Ndoshta pas një shekulli, paratë e gatshme do t’u duken njerëzve po aq të vjetra sa edhe guaskat e detit që përdoreshin dikur si monedha./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.discovermagazine.com/planet-earth/from-barter-to-bitcoin-the-history-of-money

LEXO TE PLOTE

Blog

“Sofagate”, pse e poshtëroi Erdogan presidenten e Komisionit Evropian?

Publikuar

-

Nga

“Sofagate”, pse e poshtëroi Erdogan presidenten e Komisionit Evropian?

Nga Hans von der Burchard, Maia de la Baume, Adam Bouzi & Florian Eder “Politico.eu”

Tre presidentë, dy karrige, një foto e sikletshme para kamerave. Kur presidenti i Këshillit Evropian Sharl Mishel dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen mbërritën të martën në Ankara për të takuar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, ata gjetën në sallën e pritjes vetëm 2 karrige të vendosura përpara flamujve turq dhe të BE-së.

Ndërsa Mishel zuri vendin pranë Erdoganit përpara flamurit të BE-së, Von der Lejen mbeti në këmbë panë tij, me krahët e zgjatura paksa, me duart e ngritura si të pyeste se ku duhej të ulej.

“Hmmm….”- u dëgjua të mërmërisë ajo në një moment të dukshëm hutimi por edhe zemërimi në një video që u bë shpejt virale në internet. Von der Lejen u tërhoq prapa dhe u ul në një divan aty pranë, përballë Ministrit të Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu, që ishte ulur në një divan tjetër.

“Presidentit Mishel nuk i pëlqeu aspak ajo situatë”- tha për POLITICO një zyrtar i BE-së.
Nga ai moment në media nisi të flitej për “Sofagate”. Ishte një moment i vogël gjatë një dite të ngarkuar politike, ku tre udhëheqësit diskutuan se si të rifillojnë koordinimin me Turqinë për çështje jetike si emigrimi dhe zgjerimi i unionit BE-Turqi.

Por takimi u la në hije nga incidenti i turpshëm, që nxori menjëherë në pah një numër aspektesh të nxehta. Në fakt shumëçka, nga seksizmi tek roli i BE-së si një lojtare e politikës në arenën ndërkombëtare, deri te konfuzioni i vjetër mbi atë se kush flet në fakt ne emër të Bashkimit Evropian.
Dhe ndërsa stafet e Von der Lejen dhe Mishel dhanë versione të ndryshme për atë që kishte ndodhur, ajo ngjarje nxori në pah një problem tjetër:Marrëdhëniet midis dy udhëheqësve të lartë të BE-së dhe institucioneve të tyre.

Në fakt, brenda disa orësh nga skena me divanin, shpërtheu një debat i ashpër brenda BE-së rreth protokollit diplomatik. Sipas ekipit të Mishel, gjithçka ishte sipas protokollit, pasi ai në hierarkinë diplomatike qëndron më lart sesa zonja Von Der Lejen. Por në konferencën e përditshme për shtyp të Komisionit Evropian të mërkurën, zëdhënësi kryesor Erik Mamer tha se Von der Lejen “duhej të ishte ulur njëlloj si Presidenti i Këshillit Evropian dhe presidenti turk”.

“Siç mund ta shihni edhe nga pamjet filmike, Von der Lejen u befasua qartë nga mënyra
e vendosjes së ndenjësve”- tha Mamer. Gjithsesi Mamer tha se ndonëse ajo u befasua, preferoi t’i jepte përparësi përmbajtjes së çështjeve mbi protokollin apo formën.
Më vonë gjatë konferencës Mamer vuri në dukje se Von der Lejen kishte “kërkuar nga
ekipi i saj të merrte të gjitha kontaktet e duhura, që të sigurohej që një incident i tillë të mos ndodhte më në të ardhmen”.Të mërkurën në mbrëmje, pas një dite kritikash të rënda, Mishel theu heshtjen e tij mbi episodin duke këmbëngulur se ai nuk kishte qenë indiferent ndaj trajtimit të Von der Lejen.

“Disa nga imazhet që janë transmetuar kanë dhënë përshtypjen se unë mund të kisha qenë i pandjeshëm ndaj kësaj situate. Asgjë nuk është më larg nga realiteti ose nga ndjenjat e mia të thella” -tha ish-kryeministri belg në një postim në Facebook.

LEXO EDHE:  Andi Përmeti tregon qarkun ku do kandidojë/ Bindja Demokratike do marrë 10 mandate

LEXO EDHE:  Shkon në 649 numri i viktimave nga Covid-19 në Turqi, mbi 30 mijë të infektuar

Ai tha se “interpretimi i rreptë nga shërbimet turke i rregullave të protokollit”, kishte “prodhuar një situatë që ishte për të ardhur keq, një trajtim të ndryshëm, madje edhe shpërfillës ndaj presidentes së Komisionit Evropian”. Por Mishel tha se ai dhe Von der Lejen zgjodhën të mos e përkeqësonin atë me një incident publik, dhe t’i jepnin më shumë prioritet thelbit të diskutimit të tyre. Incidenti mbarti disa simbolika.

Së pari, ironia ishte se udhëheqësja më e lartë të BE-së u mënjanua pikërisht gjatë një vizite që synonte të ushtronte presion ndaj Turqisë për të mbështetur të drejtat e grave.
Turqia është tërhequr kohët e fundit nga Konventa e Stambollit, një traktat evropian i të drejtave të njeriut që synonte luftën kundër dhunës ndaj grave, dhe Von der Lejen e preku posaçërisht këtë temë gjatë vizitës së saj.

Politikanët e tjerë nxituan të vënë në pah këtë lloj diskriminimi gjinor, dy burra që zunë vendet e tyre ndërsa një grua kishte mbetur në këmbë. “Problemi nuk ishte Von der Lejen. Por dy burrat e tjerë që e vendosën në atë pozitë”-thotë Hana Neuman, eurodeputete gjermane e të Gjelbërve.
Në Parlamentin Evropian, grupi më i madh i bllokut, Partia Popullore Evropiane (EPP), reagoi ashpër:“Dikush duhet të turpërohet për mungesën e vendit të duhur. Gratë meritojnë
të njëjtin respekt si kolegët e tyre burra”- thuhet në reagimin përmes Twitter.
Ndërkohë ekzistonte njëfarë frike se Erdogan kishte organizuar një kurth politik në të cilin ranë liderët e BE-së, duke e bërë bllokun të dukej gjeopolitikisht naiv, pikërisht teksa po përpiqet që të pretendojë një rol më aktiv në skenën botërore.

Të tjerët vunë në dukje shembuj të shumë të mëparshëm të presidentit turk që akomodon përballe vetes më shumë se sa një të ftuar. Eurodeputetja liberale Sofia Veld shkroi:“Jo,
nuk ishte një rastësi, ishte e qëllimshme. Pse heshti presidenti i Këshillit Evropian?”
Një zyrtar i BE-së u përpoq ta zhdramatizonte situatën duke këmbëngulur se “turqit nuk synuan të shkaktojnë ndonjë incident diplomatik, se ata respektuan protokollin, dhe ne gjithashtu”.Po ashtu zyrtari vuri në dukje se vendimet strategjike të BE në lidhje me Turqinë i takojnë Këshillin Evropian të Mishel, dhe jo Komisionit Evropian.

Megjithatë, zëdhënësi i Von der Lejen, Mamer, nxitoi të kundërshtonte këtë interpretim. Komisioni, vuri në dukje ai, ka përparësi me Turqinë në çështje të tilla si bashkëpunimi ekonomik dhe lëvizshmëria.“Të gjitha këto çështje u diskutuan gjatë takimit me Presidentin Erdogan”-theksoi ai.
Pas takimit të së martës, shumëkush filloi që të gërmojë nëpër traktatet e BE-së për të kërkuar informacion sqarues në lidhje me rendin e saktë të hierarkisë midis organeve të ndryshme të BE-së. Sipas nenit 13 të Traktatit për Bashkimin Evropian, Komisioni renditet në të vërtetë i katërti në “rendin e përparësisë midis personaliteteve të institucioneve evropiane”- pas Parlamentit, Këshillit Evropian dhe Këshillit të BE-së.

Por në praktikë, presidenti i Komisionit Evropian përfaqëson gjënë më të afërt që BE ka me një drejtues qeverie. I pyetur për rendin institucional, Mamer tha se Von der Lejen dhe Mishel “janë që të dy presidentë të institucioneve evropiane, dhe për këtë arsye ata kanë të njëjtën gradë në protokoll”./Përshtatur nga CNA.al

Burimi:  https://www.politico.eu/article/sofagate-ursula-von-der-leyen-turkey-sofa-charles-michel-recep-tayyip-erdogan/

LEXO TE PLOTE