Politikë
Dikur komision për Metën, pastaj për Bashën/ Rama me “lugë bosh” për të vetët

Të gjithë jemi dëshmitarë se si prej të paktën 3 vjetësh, Edi Rama ka përfshirë grupin e vet parlamentar, në një seri keqpërdorimesh për akuza që nisen dhe kurrë nuk bitisen.
Seria zyrtare filloi me komisionin hetimor për shkeljet kushtetuese të Presidentit Ilir Meta.
Një serial televiziv i tipit Big Brother, brenda të cilit aktorë ishin deputetët e grupit parlamentar socialist. Maxhoranca ngriti me tërsëllëmë një komision hetimor kundër Presidentit Meta, në objektin e të cilit ishte shkruar qartë kërkesa për nisjen e procedurave të shkarkimit të Presidentit Meta.
Nismëtarët duket se nuk kishin dilema për motivet e nismës. Deri ditën kur filloi seanca e parë. Atë ditë u duk qartë demotivimi i anëtarëve të Komisionit Hetimor, mungesa e përgatitjes së tyre, mungesa e organizimit, mungesa e kauzës.
Në vazhdim procesi u la të lëngëzohej, të shuhej, të zgjohej gjasme me motivet e shtesave në objektin e hetimit, të mpakej, të rrudhej e në fund të modifikohej në konkluzione qesharake që nuk justifikojnë as shpërblimet e anëtarëve parlamentarë të atij komisioni për pjesëmarrje në mbledhje.

E tepërt të pretendohej se po motivonte politikisht të njëjtët në takimet me elektoratin socialist, i cili priste një konkluzion shkarkimi ndaj Metës. Me justifikimin e arsyetimit të Komisionit të Venecias, Rama dhe të tjerë filluan të shtireshin si të keqardhur për përmbylljen pa sukses të teatrit parlamentar.
Në fakt e vërteta është tjetër. Venecia u shpreh kundër shkarkimit të Ilir Metës me arsyetimin e kapjes nga maxhoranca edhe të postit të Presidentit. Ky ishte motivi pse komisioni hetimor devijoi, zgjati dhe shuajti në fund akuzat ndaj Metës.
Motivi i vërtetë fshihet tek ajo fjali e Komisionit të Venecias dhe jo tek “argumenti” se Presidentin nuk e shkarkon Kuvendi por Gjykata Kushtetuese! Që për Presidentin fjalën e fundit e thotë Gjykata Kushtetuese, dihej që kur u nis komisioni hetimor. Nuk është zbulim që u bë rrugës! Rrugës ajo që ndodhi ishte ndalimi që ju tha Ramës, jo vetëm nga Venecia, për caktimin e dikujt nga rradhët e parlamentarëve të vjetër të PS në postin e Presidentit, pas shkarkimit të Metës. Motivi që dha Rama nuk ngjiti në elektoratin e majtë. Ata e panë si pafuqi, paaftësi dhe si pazar tërheqjen e Ramës nga procesi i nisur i shkarkimit të Metës. Dhe kjo është gjysma tjetër e të vërtetës për tërheqjen nga procesi i shkarkimit të Metës. Midis Metës dhe një tjetri që nuk dilte nga rradhët e socialistëve të vjetër, le të mbetej më mirë Meta.
Këto ditë të gjithë jemi dëshmitarë të një procesi të lançuar nga kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Me tërsëllëmën e ditës së parë të lançimit të komisionit hetimor për Metën, u shpall nisja dhe depozitimi i nismës socialiste për hetimin e rolit të Luli Bashës në “hetimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së”. Kështu mund të perifrazohet ajo çka tha shefi i grupit parlamentar socialist.

Perdja u hap dhe socialistët e shkretë, të zhgenjyer nga “falja” që ju bë Metës nën vellon e Venecias, u mblodhën rreth televizorit për të ndjekur seriozisht hetimin ndaj Bashës. Ajo që ndodhi ishte një debat shterpë për akuza formalisht të rëna jo vetëm ndaj Bashës, por ndaj vetë të akuzuarve të Hagës. Torollia e Tiranës për shtëpi me ngjyra xhelozie, nuk bën pjesë në akuzat e Hagës, ndaj që në krye të herës ishte e qartë për çdo njeri me mend në kokë, që ky ishte thjesht një skenar për të mos lënë pa punë moderatorët e emisioneve televizive dhe analistët e akaparuar prej tyre. Palët u përfshinë me energji në një debat që më shumë sesa hetimin e ngjarjeve të pandodhura dhe akuzave inekzistente nga Haga, synonte fshirjen e debatit për akuzat e formuluara zyrtarisht në Hagë.
Aktorët përfaqësues të siglave partiake, të caktuar nga zyrat përkatëse të shtypit, bënin sikur debatonin në emër të dashurisë për Kosovën dhe luftës në të cilën dukej sikur NATO kishte bërë thjesht furnizimin me ushqime. Luli Basha në atë histori herë dilte si qendra e botës e herë si një përkthyes i rëndomtë që në zyrat ku hetohej, punonte part-time ndërsa vazhdonte Universitetin.
Pastaj papritur kur të gjithë pristin zbërthimin me hetim parlamentar, në mos të rolit të Bashës, të paktën zbardhjen e punësimit të tij nëpër zyrat e Kosovës, gjithshka ndryshoi kësaj rradhe pa nisur ende. Nga shefi i grupit parlamentar socialist u njoftua që hetimi nuk do bëhej për Bashën. Ai do kishte për qëllim çmontimin e akuzave!!!!
Të cilave akuza? Se për shtëpitë e verdha të veriut nuk ka aktualisht asnjë akuzë! Çfarë do çmontojë maxhoranca, përveç vetvetes sa herë që niset për luftë dhe rrugës ndërron e shkon për dasëm?!
Në fund as elektorati i majtë dhe as ai i djathtë, nuk do e marrin vesh se çfarë dreq pune paska bërë Luli Basha nga viti 1993 deri në vitin 2005 kur u emërua ministër. Dimë që gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë me letra student në Holandë. Por nuk dimë motivet e vizitave dhe punësimin e vërtetë në Kosovë, ndërsa zyrtarisht vazhdonte Universitetin. Të gjithë të tjerët janë punësuar në Kosovë vetëm pasi kanë marrë diplomat e universiteteve. Luli Basha jo!

Çfarë ka të veçantë ky njeri që të gjithë shqiptarët e shohin si dështak dhe të paaftë, por që dikush në Kosovë e paska vlerësuar si xhevahir aq sa ta punësonte kur ishte gati adoleshent?
Këtë socialistët nuk do e mësojnë dot. Nëse e vërteta zbulohet, Luli Basha rrezikon të mos vijojë dot detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike. Dhe midis një tjetri që nuk dihet kush mund të jetë dhe Luli Bashës, Edi Rama zgjedh Lulin. Ndaj lëshoi kushtrimin për të vetët kur tha që Luli është lule e pakëputshme. Komisioni hetimor menjëherë pas kësaj ndërroi drejtim. Luli nuk do këputet nga socialistët. Teatri vazhdon, sepse Edi Rama ka gati ndërkohë një gjasme nismë ligjore për Presidentin. Të shohim nëse do gjejë ende aktorë të gatshëm brenda grupit parlamentar, për t’i bërë show-n elektoral të rradhës./ CNA.al.
Lajme të Rekomanduara:

53 emrat e listës fituese të Lulzim Bashës
Lulzim Basha po paraqet ditë pas dite listën e tij të kandidatëve fitues në zgjedhjet e 25 prillit. Fiton apo jo opozita, Luli çdo ditë...

Zbulohet kandidatja surprizë e Lulzim Bashës
Partia Demokratike, duket se ka vendosur të na surprizojë edhe këtë herë me kandidatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit. Bëhet fjalë për një...