Në një fushatë aspak të zakonshme, për shkak të pandemisë së covid 19 dhe ndalimit të grumbullimeve, kandidatët nga të gjitha subjektet politike, kanë gjetur mënyra të ndryshme për t’i kërkuar qytetarëve votën e 25 prillit.
Stafi i kandidates së PS Ermonela Felaj, e cila nga qarku i Beratit këtë herë kandidon në Tiranë, ka shpërndarë derë më derë disa fletëpalosje ku qytetarët kanë mundësi të njihen me formimin e saj, si dhe backgroundin politik.
Ajo fton qytetarët të votojnë numrin 12 për partinë dhe 13 për kandidatin, pozicion në të cilin është vendosur në listë.
Më fto për kafe është nisma e kandidatit të Partisë Demokratike për Tiranën, Agron Shehaj me të cilën synon të takohet me qytetarët për të njohur nga afër problemet por edhe idetë e tyre.
Nga nisja e fushatës, telefonatat nga zyrat e subjekteve të ndryshme zgjedhore janë bërë të shpeshta. Telefonuesit, kërkojnë pak kohë për të njohur me kandidatin e tyre dhe për të marrë informacion nëse jeni mbështetës i tij .
Përdorimi i rrjeteve sociale është një tjetër mënyrë për të shpërndarë ofertën politike.
Eduart Shalsi, është i 18 në listën e kandidatëve të partisë socialiste për zgjedhjet e 25 prillit. Përmes një mesazhi në facebook ai kërkon mbështetjen për numrin 18, madje në fund kërkon që qytetarët t`i lënë edhe numrin e telefonit.
Të rinj të partisë demokratike, janë parë gjatë këtyre ditëve të trokasin në dyert e banesave të qytetarëve, duke u prezantuar nga vijnë dhe duke kërkuar informacion mbi numrin e votuesve, qendrën e votimit , sipas dëshirës edhe prirjen e votës.
Të tjerë kandidat po aplikojnë dërgimin e mesazheve në telefon.
I tillë është rasti i kandidatit Xhemal Qefalia, por edhe kandidatëve nga forca të tjera politike.
Përpara nisjes së fushatës elektorale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përmes një njoftimi për shtyp, deklaroi se po ndjek me vëmendje veprimtaritë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021.
Në njoftim thuhet se zyra e Komisionerit, po e monitoron situatën në vijimësi dhe do të vlerësojë çdo rast të cenimit të të drejtave të subjekteve të të dhënave personale si dhe nxit të gjithë qytetarët të jenë të ndërgjegjësuar për ushtrimin në praktikë të të drejtave të tyre, që garantohen nga legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave personale, duke denoncuar çdo rast të keqpërdorimit të tyre./euronews