Sport
“Doctor Honoris Causa”/ Universiteti i Sporteve vlerëson Armand Dukën

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është vlerësuar ditën e sotme me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Sporteve i Tiranës. Ky titull i është dhënë kreut të qeverisë së futbollit shqiptar me motivacionin “Për kontributin e çmuar në promovimin e modeleve dhe praktikave në të mira në fushën e sportit dhe në veçanti të futbollit në Shqipëri”.
“Në hapje te ceremonisë Rektori i Universitetit të Tiranës, z.Agron Kasa mbajti një fjalë përshëndetëse ku vlerësoi presidentin Duka për punën e çmuar që ka bërë për zhvillimin e sportit shqiptar, kryesisht në fushën e futbollit. Më pas, ishte anëtari i Senatit Akademik, z.Arben Kaçurri, i cili para të pranishmëve dha rekomandimet në lidhje me dhënien e titullit Doctor Honoris Causa”, Armand Dukës. Në fjalën e tij, Presidenti i FSHF-së, falënderoi Universitetin e Sporteve të Tiranës për vlerësimin dhe theksoi se ndihej mjaft i nderuar për marrjen e këtij titulli”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë që në fjalën e tij, presidenti i FSHF shprehur mirënjohjen dhe falënderimet për këtë vlerësim, duke treguar më tej edhe priritetet kryesore që ka Federata.
“Dy prioritetet kryesore të Federatës për vitet e ardhshme do të jenë zhvillimi i futbollit të femrave dhe ai i fëmijëve. Sepse ne synojmë që nëpërmjet tyre t’i japim sa më shumë mundësi fëmijëve djem dhe vajza që të edukohen, kaliten dhe largohen nga veset e këqija e të dëmshme. Ndërkohë që edhe shoqëria emancipohet gjithnjë e më tepër”, u shpreh Duka.
Ndërkohë, pas marrjes së titullit presidenti i FSHF-së ka shtruar darkë për dy homologët dhe miqtë e tij nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, Agim Ademi e Muhamed Sejdini. CNA.al/