LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si e shmangin studiuesit prekjen nga Covid-19?

22 Tetor 2020, 06:35, Lifestyle CNA
Si e shmangin studiuesit prekjen nga Covid-19?

Nga Grace C.Roberts ?The Conversation?

* Në mbarë botën, virologët në laboratorë po trajtojnë vazhdimisht shtame të SARS-CoV-2, virusi që shkakton Covid-19, si pjesë e kërkimit global për të kuptuar më shumë rreth tij, dhe me shpresë për t`a kapërcyer sa më shpejt këtë pandemi. Ne e dimë që SARS-CoV-2 është shumë infektiv, dhe mund të jetë vdekjeprurëse nëse futet brenda trupit tonë.

Prandaj është jetike që këta shkencëtarë të jenë të mbrojtur nga infektimi. Por kjo nuk është asgjë e re. Virologët, merren rregullisht me studimin e sasive të mëdha të virusit në forma shumë më të përqendruara sesa mund të hasen në botën e jashtme. Atëherë, si ia dalim të mos prekemi nga këta patogjenë?

Ka shumë nivele të ndryshme mbrojtjeje që përdorim, por ajo që vjen gjithçka është besimi dhe përgjegjësia. Para se ne të kemi qasje tek viruset e reja në laborator, duhet të marrim leje nga autoriteti përkatëse qeveritar. Ne i informojmë ata se çfarë synojmë të bëjmë me virusin, dhe tregojmë se mund të punojmë me të në një mjedis të sigurt.

Ne hartojmë dokumente që përshkruajnë në detaje mënyrën e trajtimit të patogjenëve, në mënyrë që të gjithë të qëndrojnë të sigurt. Kjo përfshin përdorimin e kapakëve të specializuar për të ruajtur mostrat e virusit, për të parandaluar derdhjet, dhe trajtimin e të gjitha lëngjeve si infektive, edhe nëse ai mund të jetë një shishe me ujë të sterilizuar të sapohapur.

Shkencëtarët që punojnë me këta viruse të rrezikshëm, i nënshtrohen një trajnimi të rëndësishëm. Këtu përfshihen kualifikimet akademike dhe përvoja laboratorike, por edhe udhëzimet specifike për trajtimin e patogjenëve në mënyrë të sigurt. Çdo përdorues duhet të ketë një numër minimal orësh trajnimi, duke mbuluar të gjitha procedurat e përdorura në institucion, dhe që në fund merr firmën e një virologu me përvojë dhe një oficeri të bio-sigurisë.

Nga ana tjetër, ne kemi dhoma të veçanta për punën me viruset, dhe ambientet të tjera për punët që nuk kanë lidhje me të. Viruset e rrezikshme, trajtohen në kabinete të specializuara që kontrollojnë fluksin e ajrit steril. Kjo e mbron përdoruesin nga patogjenët.

Në ajër dhe lëkurën tonë ka shumë mikrobe, dhe ne nuk duam që mostrat tona eksperimentale të kontaminohen me ndonjë nga ato. Në mjediset ku ka një kontroll më të rreptë, si ato ku studiohet SARS-CoV-2, e gjithë dhoma mbahet nën një presion negativ.

Pra, presioni i ajrit brenda laboratorit është më i ulët se presioni i ajrit jashtë tij.

Asnjë sasi ajri nuk mund të largohet nga këto dhoma pa kaluar një filtër special që largon patogjenët e mundshëm. Dollapët pastrohen me alkool para dhe pas përdorimit, ashtu si çdo gjë që merret brenda ose jashtë tyre. Përveç pastrimit të sipërfaqeve, gjithçka që përdoret brenda laboratorëve të virusit duhet të dezinfektohet para heqjes.

Të gjitha pajisjet dezinfektohen kimikisht dhe pastrohen më pas me një autoklavë. Si një masë paraprake shtesë, kryhet një tymosje e rregullt, ku e gjithë dhoma mbyllet dhe mbushet me gaz formaldehid për të neutralizuar çdo patogjen të mundshëm. Pastaj janë pajisje mbrojtëse personale (PPE).

Nëse ndiqen protokollet dhe pajisjet përdoren në mënyrë korrekte, nuk duhet të ketë raste kur një punonjës në laborator ekspozohet ndaj një virusi. Fatkeqësisht, ne s?mund t’i parashikojmë të gjitha incidentet dhe shkencëtarët janë tek e fundit njerëz. Ndaj PPE janë thelbësore për një punë të sigurt në laborator.

Pajisje mbrojtëse personale, mbrojnë gjithashtu mostrat tona nga ne. Ne kemi shumë mikrobe dhe enzima në lëkurën tonë, që nuk i duam të jenë të pranishme në eksperimentet tona. Në laboratorët që trajtojnë patogjenë me një rrezik të ulët, shkencëtarët veshin mantele laboratorike dhe doreza, dhe ndonjëherë edhe mbrotëse për sytë kur është e nevojshme.

Patogjenët nuk ka gjasa të largohen nga kabineti. Por nëse largohen, do të shkaktonin sëmundje të lehta vetëm tek individë të shëndetshëm. Ndërkohë përdoren më shumë pajisje mbrojtëse kur punohet mbi patogjenët, që ka më shumë të ngjarë të transmetohen ose të shkaktojnë sëmundje më serioze, ose të dyja bashkë.

Në këto raste, vishen kostume të plota, të cilat janë hermetike. Studiuesit veshin këpucë të specializuara, nga 2 palë doreza. Për viruse si SARS-CoV-2 që infektojnë sistemin e frymëmarrjes, mbahen syze dhe maskat FFP3 për tu mbrojtur nga ekspozimi përmes frymëmarrjes ose përmes syve.

Por pavarësisht nga patogjeni, rregulloret, apo sistemi i sigurisë në një laborator, forma kryesore e mbrojtjes nga viruset janë vetë shkencëtarët. Gjithçka që diskutohet në këtë artikull është efektive vetëm nëse çdo shkencëtar në laborator ndjek të gjitha rregulloret dhe ka trajnimin e duhur.

Të gjithëve na duhet të mbajmë veten, kolegët tanë dhe botën e jashtme të sigurt. Ky kujdes është i rëndësishëm për jetën tonë të përditshme gjatë pandemisë. Nëse duam që ta mposhtim këtë pandemi, të gjithë duhet të mendojmë pak më shumë si virologët.

Shënim: Grace C.Roberts, studiuese shkencore në Virologji, Universiteti i Mbretëreshës në Belfast./ Përshtatur nga CNA.al

 

Lajmet e fundit nga