LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sa shqetësohen investitorët e huaj për qeveritë autoritare në vendet ku ata investojnë?

22 Tetor 2020, 06:24, Blog CNA

Nga Giulia Guerrini ?Emerging Europe?

* Një nga keqkuptimet më të zakonshme në lidhje me regjimet autoritare, është besimi i përhapur se ato kundërshtohen nga biznesi. Koncepti se udhëheqësit autoritarë janë populistë anti-biznes, kundër liberalizimit ekonomik dhe globalizimit, është në fakt shumë larg realitetit.

Përkundrazi, një analizë e plotë e politikave autoritare, zbulon se korporatat transnacionale dhe udhëheqësit e biznesit, bëhen nganjëherë bastione të bazës elektorale që mbështesin udhëheqës të tillë. Në veçanti, ajo që mund të bëjnë regjimet autoritare, është të garantojnë një qasje të vendosur ndaj politikë-bërjes dhe stabilitetit që e dëshiron biznesi.

Stabiliteti mund të rrisë të ardhurat, duke siguruar një besim të shtuar në drejtim të strategjive afatgjata të kompanisë. Masa të tilla, si futja e taksës së sheshtë dhe shkurtimet në shpenzimet e mirëqenies sociale, mund të rrisin akumulimin e kapitalit për kapitalistët vendas dhe ndërkombëtarë.

Këto politika mund të kenë efekte të zgjatura, nëse zbatohen në një regjim ku kundërshtarët e kanë të kufizuar hapësirën për të konkurruar me elitën në pushtet, duke tërhequr kështu kapitalin e huaj, dhe duke e fokusuar pasurinë në duart e bizneseve vendase.

Gabor Sheiring, profesor në Universitetin Boçoni në Milano dhe ekspert në ekonominë politike hungareze, shpjegon se ky mekanizëm është shfrytëzuar me sukses të veçantë nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Që prej rënies së komunizmit në vitin 1989, Hungaria ka tërhequr gjithnjë e më shumë investime të huaja në vend.

Niveli i investimeve është përshpejtuar që kur Orban u ngjit në pushtet një dekadë më parë.

?Shumica e analistëve e përshkruajnë Orbanomics si një politikë anti-liberale, anti-biznes në shërbim të interesave të elitës politike dhe oligarkëve besnikë. Por, ky është një keqkuptim?- thotë profesor Shiering.

Ai shpjegon se pas zgjedhjeve parlamentare në Hungari në vitin 2010, politikat qeveritare në Hungari, janë të orientuara gjithnjë e më shumë drejt një grupi masash më miqësore ndaj biznesit. ?Qeveria jep subvencione të drejtpërdrejta financiare si për bizneset kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Këto subvencione e tejkalojnë shumë nivelin e para vitit 2010, dhe janë më të fokusuara ndaj bizneseve kombëtare sesa më parë.

Qeveria i hapi dyert për biznesin vendas, duke ftuar figurat kryesorë të tij, dhe që ishin më pak të politizuar në të zënin poste në qeveri. Edhe politika monetare ekspansioniste e prezantuar nga Giorgy Matolzi si Guvernatori i ri i Bankës Qendrore Hungareze, shihet në mënyrë të favorshme nga bizneset?- thotë ai.

Rasti i Hungarisë, tregon qartë se format e qeverisë që devijojnë nga rruga e demokracisë së pastër liberale, nuk janë domosdoshmërisht një pengesë për bizneset. Edrju Hander, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Ukrainë, thekson se lloji i regjimit në vetvete nuk është kriteri kryesor që merret në konsideratë nga biznesi:faktorë të tjerë mund të luajnë një rol më të rëndësishëm.

?Së pari, bizneset kërkojnë pajtueshmëri dhe parashikueshmëri mbi atë që do të ndodhë.

Ne duhet të shohim tablonë kryesore:se si politikat nga ana e tyre ndikojnë në sektorët socialë, mjedisorë etj. Ajo që është më e rëndësishme nuk është lloji specifik i qeverisjes, por nëse kjo qeverisje është transparente në një farë mase, dhe nëse bizneset mendojnë se mënyra e qeverisjes është e qëndrueshme?- shpjegon Hander.

Sidoqoftë, është thelbësore të kihet parasysh, se duket që ekziston një pikë ku mungesa e kontrolleve dhe ekuilibrave qeveritarë, e ul ndjeshëm joshjen për investitorët e huaj. Siç thotë Hander: ?Në fund, gjithçka kthehet tek shteti i së drejtës. A mund ta siguroj këtu biznesin tim, pasuritë e mia? Apo shteti do të trokasë në derë në një moment, duke mi rrezikuar të gjitha??- thekson ai.

?Për shembull në Ukrainë, ne po ushtrojmë presion për më shumë transparencë në sistemin gjyqësor. Fakti që 80 për qind e bizneseve nuk i besojnë gjyqësorit, është shumë i rëndësishëm për investimet e huaja direkte në vend?- shton Hander.

Pra ekziston një prag para të cilit avantazhet thjesht ekonomike, e tejkalojnë mungesën e transparencës qeveritare, e cila e mban në ekuilibër sistemin politik dhe ekonomik. Ky prag varet gjithashtu nga nuancat politike për sa i përket përkufizimeve teknike, thotë profesori i Universitetit të Bernmauthit, Kristofer Hartuell.

?Tani, kjo varet nga ajo që ju kuptoni me termin “autoritar”. PiS në Poloni dhe Fidesz në Hungari i kanë manipuluar institucionet, por ato ende po i fitojnë zgjedhjet me ndershmëri, dhe po u drejtohen investitorëve të huaj. Por për sa kohë që PiS nuk është një katastrofë e plotë në qeverisje, kompanitë janë të gatshme të anashkalojnë një ligj këtu apo atje, pasi Polonia është një treg i madh në BE.

Nga ana tjetër, paratë po ikin nga Rusia, pasi tregu është i dominuar nga persona të brendshëm politikë, dhe ndaj autoritarizmi i madh atje nuk josh investitorët?- thotë Hartuell.

Kjo gjë nuk është e vërtetë në Bjellorusi, ku biznesi – veçanërisht sektori në rritje i IT – ishte ndër sektorët e parë që dha alarmin për efektet shkatërruese ekonomike të represionit shtetëror, që pasoi zgjedhjet e manipuluara presidenciale të 9 gushtit.

Shumë kompani, kanë filluar të dërgojnë jashtë vendit punonjësit e tyre më të talentuar, në mënyrë që të vazhdojnë aktivitetin, të tjerët janë zhvendosur në bllok jashtë vendit. Dilema e vërtetë për biznesin është përllogaritja nëse politikat nga të cilat ai mund të përfitojë, do të zgjasin apo jo në një periudhë afatgjatë.

Nëse një regjim autoritar mund të sigurojë të paktën në një farë mase garanci, që ata të kenë një klimë të qëndrueshme dhe të begatë investimesh, drejtuesit e biznesit do të vazhdojnë të bëjnë një sy qorr ndaj aspekteve më pak të këndshme të sundimit të tyre./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga