LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Keqkuptimi i madh midis shekullarizmit francez dhe botës islamike 

22 Tetor 2020, 06:28, Blog CNA
Keqkuptimi i madh midis shekullarizmit francez dhe botës islamike 

Nga Pierre Haski ?Internazionale?

Në një përpjekje për t?u përballur me Islamin radikal, qeveria franceze po përballet me një problem që shkon përtej kufijve kombëtarë:vështirësinë për ta bërë botën myslimane të kuptojë strategjinë e saj, objektivat e saj dhe kontekstin e veçantë francez.

Simbol i kësaj vështirësie janë kritikat që vijnë nga Universiteti i Al Azharit, institucioni antik islamik me qendër në Kajro të Egjiptit, që zakonisht konsiderohet si autoriteti më i lartë suni, me kushtin që koncepti të ketë kuptim.

Rektori i Al Azhar, Sheiku Ahmed Al Tajeb, reagoi shumë i zemëruar ndaj fjalimit të fundit të mbajtur nga presidenti francez Emanuel Makron mbi ?separatizmin islamik?, duke e quajtur atë si ?racist?.

Ndërkohë Universiteti i Al Azhar, bëri publike një deklaratë të gjatë pas aktit makabër të prerjes së kokës së Samuel Pati, profesorit francez të historisë, vrarë më 16 tetor në Paris nga një çeçen i ri.

Deklarata dënon gjestin, por nga ana tjetër bën një kërkesë shumë specifike:miratimin e një ligji botëror kundër ?shpifjes ndaj feve dhe simboleve të tyre të shenjta?. Me fjalë të tjera, vrasja e Pati nuk është e pranueshme, por as karikaturat mbi Profetin Muhamed.

Pranimi i laicitetit

Al Azhar, nuk është siç argumentojnë disa, ekuivalenti i Vatikanit për myslimanët. Nuk ka një Vatikan mysliman, dhe mbase kjo është pjesë e problemit. Në çdo rast, ky institucion mijëravjeçar mbetet një pikë referimi, edhe pa një rregullore imponuese.

Pikërisht me kreun e këtij universiteti, Papa Françesku rifilloi dialogun midis katolikëve dhe myslimanëve në vitin 2016, që ishte ndërprerë që në kohën e Papës Benedikti XVI. Dhe po me sheikun Al Tajeb, Papa nënshkroi një ?dokument mbi vëllazërinë njerëzore? vitin e kaluar.

Në fillimin e vitit 2019, rektori i Al Azhar bisedoi gjatë me Emanuel Makron, gjatë vizitës zyrtare të presidentit francez në kryeqytetin egjiptian Kajro. Por kjo nuk e pengoi atë të lëshonte deklaratën e fundit tepër kritike për shefin e Elizesë.

Problemi qëndron tek pamundësia e një pjese të botës myslimane, tradicionaliste, edhe pse jo domosdoshmërisht islamike, për ta pranuar shekullarizmin francez, një koncept që mbetet shumë kombëtar dhe pak i eksportuar, edhe pse i vetmi vend që e ka kopjuar atë, Turqia, është aktualisht gjithçka përveçse jo laike.

Jehona e shtrembëruar e debateve dhe vendimeve të fundit të autoriteteve franceze, e ushqen këtë keqkuptim. Në Azi dhe Afrikë, kam takuar myslimanë që më pyetën se përse Franca po lufton Islamin. Për mua nuk ishte e lehtë t?u shpjegoja se pyetja nuk duhet të shtrohet në këto terma.

Emanuel Makron foli kohët e fundit për separatizmin, dhe do ta bëjë këtë gjë sërish gjatë homazheve ndaj profesorit të ndjerë Samuel Pati. Ndoshta presidenti francez duhet të shqetësohet edhe për adresimin ndaj pjesës tjetër të botës, duke trajtuar me kujdes një çështje që është bërë thelbësore jo vetëm për mandatin e tij, por edhe për imazhin ndërkombëtar të Francës.

Ai nuk ka pse ta justifikojë veten ? tek e fundit ai jep llogari vetëm para francezëve – por duhet të përpiqet t`a bëjë veten të kuptueshëm, për të shmangur një përçarje të zgjatur në kohë. Nuk do të ishte e drejtë, që ai të lejojë qarkullimin e tezës se Franca është armiqësore, jo vetëm ndaj Islamit radikal, por ndaj Islamit në tërësi në botë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga