Connect with Us

Nga Lorenc Vangjeli/ A është diktator Edi Rama?

Opinione

Nga Lorenc Vangjeli/ A është diktator Edi Rama?

Publikuar

-

Nga Lorenc Vangjeli/ A është diktator Edi Rama?

Për kundërshtarët e tij nuk ka asnjë dyshim. Edi Rama është diktator. Për përkrahësit e tij është ndryshe. Pavarësisht se bërtet më shumë se kritikët në studio televizive, pavarësisht se zgjedh të shohë nga poshtë plagën e mesme të gazetarit që nga lart i ul poshtë pantallonat apo pavarësisht se ndjek me sy të shqyer nga habia teatrale gishtin me akuzë që i tund vendosmërisht mbretëresha e kronikës së zezë; pavarësisht se flet për Bethovenin te Fevziu dhe nuk lë piano pa thyer dhe pavarësisht se i ofron biberon dhe jo debat kundërshtarit të tij, pavarësisht se e ka kthyer në ligj vullnetin e tij, pra, pavarësisht të gjitha këtyre, njerëzit e tij e tij e quajnë lider të fortë.

Dy skajet jo fort të largëta mes të qenit diktator dhe autoritar mund të ndriçohen më shumë nëse hidhet dritë mbi mënyrën se si Edi Rama nisi karrierën politike, si erdhi në pushtet dhe si e vazhdoi rrugën e tij drejt pushtetit. Varësisht zgjidhjes së kësaj dileme, diktator si fatkeqësi, apo autoritar si rrjedhojë, mund të llogariten hapat për ta përmbysur kundërshtarët në 25 prill apo për ta lartësuar përkrahësit e tij në të njëjtën ditë. Që në krye të herës, kur fjala mori lirinë e fjalës, ai ishte një nga mjeshtrit e rrallë të përdorimit të gjuhës në publik.

zurpoi vëmendjen e publikut të mësuar deri atëherë me gjuhën e drunjtë të komunistëve të rrjedhur nga mosha dhe që kishte nisur të gëlltiste gjuhën me gjemba urrejtjeje të të rinjve që po vinin.

Rama e përdori pushtetin e fjalës për të arritur në pushtetin e politikës në Shqipëri, një pushtet që rast pas rasti, ka magjinë e padiskutueshme për ta bërë orator edhe një memec fatkeq. Ministria e Kulturës që i dha Fatos Nanoja ishte shumë pak për ambicien e tij. Në të njëjtën zyrë ai priti dhe përcolli dy kryeministrat e tjerë socialistë, Majkon e Metën.

Për Majkon u thoshte me tallje miqve se e kishte mik të ngushtë, kurse Meta i bëri atë që seriozisht asnjë mik i ngushtë nuk do të ishte në gjendje ta bënte për tjetrin. Meta ishte shkëndija e duhur për ta ngjitur në qiellin e duhur Ramën si fishekzjarrin më shkëlqyes të socialistëve, gjithmonë të aftë të mbyteshin në një pikë ujë dhe të pandërgjegjshëm për pushtetin absolut që u jepte jo vetë pushteti që kishin, por numrat që i kishin sjellë në pushtet dhe alternativa arkaike që kishin mundur me zgjedhje e kallashnikovë.

Në atë kohë Rama e përmbuzte turmën e disiplinuar socialiste, e cila, nga ana e saj, e quante atë të ardhur, të huaj dhe e shihte si emigrant të përkohshëm në shtëpinë e saj, por ai shpejt mësoi si ta përdorë atë.

Portofoli i ministrit ishte vetëm trampolina që e çoi në krye të kryeqytetit kaotik shqiptar që po dilte nga vitet ‘90 i futur në kaos total. Duheshin fare pak gjëra normale për t’u dukur ndryshe nga të tjerët. Edi Rama, në diferencë me të tjerët, ishte më i qartë dhe dinte ku do të shkonte.

Pak nga parku Rinia me kioska, pak me fasadat dhe zgjerimin e disa akseve rrugore në Tiranë, ai kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër se forma, ngjyrat dhe shkëlqimi, njëlloj si indianëve të dikurshëm pasqyrat, u pëlqenin shqiptarëve më shumë se vetë përmbajtja.

Slogani për kthimin në identitet, nuk rrekej të harronte se sa e shëmtuar ishte Tirana nën grinë e shpëlarë të komunizmit, por sa të tmerrshëm e kishte bërë qytetin anarkia e viteve të para të demokracisë.

Atëherë askush nuk e kishte idenë për ligje urbanistike dhe për nevojën e një qyteti për t’u zgjeruar që po kafshohej barbarisht dhe po rrethohej edhe më barbarisht që nga periferia e Kamzës, te këmbët e Dajtit, në kodrat e Farkës, në fushën e Yrshekut, Kasharit e kudo gjetkë.

Madje, edhe brenda vetë Tiranës, e cila periferinë e dikurshme, me ritmet e rritjes po e kthente në pothuaj qendër. Ishte fare e lehtë që Rama të bënte diferencën me zyrtarët e fjetur shqiptarë dhe me një pjesë të madhe të ministrave që asokohe, si në të gjitha kohët në vijim, i ngjanin njëri-tjetrit si teshtima teshtimës.

Në bashki Rama zbuloi në praktikë se që të quheshe i rëndësishëm në Tiranë varej nga ajo që kishe në dorë dhe jo nga çfarë dije me kokë. Në ishullin e tij pranë Xhamisë së Ethem Beut, ai ngriti paralelisht strukturat më moderne të drejtimit me njerëz që e trajtonin si idhull oriental.

Ai u rrit paralelisht me ta, duke qenë gjithashtu i qartë se vetëm pushteti qendror të lë në dorë hallkën e parë të të gjitha interesave që kishin nisur të shtonin zerot pas. Mbas një duzine me vite në krye të Tiranës, grabitjen e dashurisë për bashkinë e Tiranës Rama e përjetoi si një humbje fatale, por pikërisht ky ishte gabimi fatal i Sali Berishës: duke i hequr fitoren Ramës, ai projektoi humbjen e tij vetjake.

Duke i dhuruar Bashës një prikë të pamerituar, Berisha la peng pushtetin e tij. Pa atë gur që i rëndonte zemrën si të gjitha dashurive që nuk u jepet fund në kohën e duhur, Rama u përqendrua në luftën për pushtetin në të gjithë Shqipërinë.

Dhe në 2013-n, mbasi kishte provuar gjithë sagën e 2009-s e në vijim, bojkotin, protestat, urinë në bulevard, ai kuptoi se e majta mund të vinte në pushtet me dy mënyra të thjeshta: duke u sjellë normalisht dhe duke u bashkuar.

Bashkë me Ilir Metën ai u konfirmua në zyrën e kryeministrit dhe dukej se vetëm marrëzia mund ta ndante dashurinë e rigjetur mes dy njerëzve që kishin pasur trajektore të ndryshme në jetë, por të takuar shumë shpesh si miq në krah dhe si armiq përballë.

Dy burrat që kontrollinin gjithçka në Shqipëri ishin në stinët e para të pushtetit si mishërim i aksiomës fatale që urrejtjet e thella shpesh kthehen në dashuri pa arsye. Si në rastin e pengut me pengmarrësin,

Por në rastin e tyre, ata ishin njëkohësisht pengje dhe pengmarrës të njëri-tjetrit. Pa kuptuar as njëri dhe as tjetri se me pushtet të ndarë me njëri-tjetrin kishin pushtet me të fortë përballë kundërshtarëve të tyre.

Atëherë kur dukej se do të kishin një udhë të gjatë e paralele në pushtet, pa mbyllur vitin e parë në paqe, u krisën egër me njëri-tjetrin për të nisur një ndeshje nervash, me ulje-ngritje, me cikël betejash të vazhdueshme dhe paqe të përkohshme, e cila ishte në fakt prologu i betejës më të egër dhe më të zgjatur mes tyre.

LEXO EDHE:  Krasta, dëshmia e kontrollit të medias nga droga dhe korrupsioni

Njëlloj si në mallkimin e hershëm që i sheh shqiptarët si armiqtë më të egër të shqiptarëve, vetëm socialistët ishin të aftë të mundnin socialistët në një vend me mazhorancë natyrale të majtë.

Kryetari i PD-së ishte absolutisht i vetmi njeri i aftë në Tiranë që mund të bënte të pamundurën, për të humbur në zgjedhjet e 2017-s. Me gjysmën e ministrive në dispozicion, me disa nga institucionet më të rëndësishme të vendit nën PD-në, me gati gjysmën e bashkive blu dhe me përçarjen e egër mes së majtës, ai humbi edhe më thellë sesa kishte bërë Sali Berisha përballë unifikimit të së majtës katër vite më herët.

Dhe si të mos mjaftonte ajo, me teknologjinë e shpëlarjes së asaj gjësë me atë gjënë, gjithë vjeshtën e 2017-s dhe më tej e kaloi në një seri betejash “fake”, me synimet e gabuara dhe njerëzit e gabuar, që duke dashur të vriste Edi Ramën, e bënte më të fortë. Deri në aktin final të marrëzisë kur dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet për pushtetin lokal.

Duke i lënë vetes vetëm pushtetin për listat e mundshme të deputetëve në 2021-shin dhe firmën për listën e makinave që mund të parkohen në oborrin e PD-së. I dyzuar dhe i pavendosur, i pabesueshëm edhe kur shumë shpesh ka shumë të drejtë, Basha hyn verbërisht në betejat që ia zgjedh Rama dhe me armët që vetë Edi ia imponon.

Njëlloj si ato vajzat që kanë provuar shtatzëninë me njeriun e gabuar, ai i shmanget edhe përqafimit politik me njerëzit e duhur, nga frika se mos e pëson sërish.

Në epilog të 2020-ës Edi Rama është përballë murit që deri më tani askush nuk e ka kaluar në Shqipëri: mandatin e tij të tretë. Dy mandate e kanë lodhur dhe dy mandata fatale, si tërmeti dhe pandemia që pothuaj e gjunjëzuan vendin, i kanë dhënë shumë peshë shpinës së tij me hernie pushteti.

Sheh me dëshpërim majtas dhe djathtas vetes dhe gjen vetëm njerëz që i binden si dikur idhujtarët e tij rioshë në bashki. Ata ndodhen aty thelbësisht vetëm për shkak të tij dhe që po për shkak të tij e kanë ambicien shumë më të madhe sesa mundësitë e tyre.

Të mësuar të marrin pa dhënë, të fitojnë duke iu shmangur betejave, të mësuar t’i përulen eprorit për të kërkuar më pas vetëm vartës të përulur, ata janë inercia me mandate politike që i ngatërrohen Ramës nëpër këmbë, pa kuptuar se politika është art që e luan talenti dhe jo prokurim i drejtpërdrejtë që e firmos dikush.

Deri në prillin e fushatës së ardhshme mund të ndodhë gjithçka. Por paradhënia është thënë, kartat janë shkartisur dhe letrat nën mëngë po nisin të dalin jashtë. Rama po i tërheq të gjithë edhe një herë në një ndeshje personale. Ku do të diskutohet për gjithçka dhe asgjë.

Do të jetë betejë me batuta me kundërshtarë që më shumë se kokën e tij, do të hanë kokën e njëri-tjetrit. Pa kohezion, me paranoja reciproke dhe me të bërtitura, me Saliun, Salianjin, por pa Klevisin, shenjat janë se PD-ja do ta tresë shansin e tyre përballë një Rame që dhe kësaj here do t’i shmanget llogaridhënies programore. Me fytyrën mbuluar me maskën e pandemisë dhe të dridhurave të tërmetit, nuk do të lërë kohë për të folur mbi qeverisjen e tij me koncesion.

Nën daullet e luftës askush nuk do të kujtohet të flasë për shumë nga njerëzit e tij që, duke qeverisur në emër të të varfërve, janë bërë shumë më të pasur sot. Për hir të një instrumenti të drejtë demokracie, por të përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme, disa mijëra demokratë të skualifikuar nga gara për listën e deputetëve, pjesa më e fortë dhe thelbi natyral i PD-së, do të jenë shumë më pranë Edi Ramës se Lulzim Bashës.

Dhe ata do të bëjnë diferencën në një garë milimetrike në të cilën Edi Rama i ka kundër të gjithë, deri edhe anonimatin ulëritës të pjesës më të madhe apolitike të kabinetit të tij, por ka për aleat, gabimet fatale të kundërsharëve.

Për të qenë rasti i parë që e bën për herë të tretë, jo për meritë vetjake dhe jo se e meriton, por sepse kundërshtarët e tij ia lanë në derë e në dorë. Më pas nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë në katër vjet, sa kohë që në Shqipëri, çudia më jetëgjatë e ka jetën me të shkurtër se tre 24-orësha bashkë.

Rama do të rrijë minimalisht në pushtet po aq kohë sa Skënderbeu, siç kanë qejf ta thërrasin njerëzit e tij, ka qenë në luftë me osmanët. Me gjithë pushtetin e grumbulluar në një dorë, pa dashur t’ia dijë as ai vetë se pushteti më i fortë në demokraci, është ai që ndahet dhe ekuilibrohet dhe pavarësisht se kundërshtarët e tij gjithmonë e më të shumtë nuk do të kenë asnjë dyshim se Edi Rama është diktator, e vërteta e tyre nuk do të ketë asnjë vlerë.

Sepse do të gabojnë në një pikë thelbësore. Kryeministrat në Shqipëri kanë pushtet të pakontrolluar. Pushtetin mbi çdo hallkë të shoqërisë ua ofron tradita e njëshit e ngulitur në Shqipëri, pushteti mbi forcën politike ata që drejtojnë dhe vetë Kushtetuta që fsheh një gënjeshtër të madhe fatale: formalisht ajo e bën Shqipërinë republikë parlamentare, në fakt ka vizatuar një republikë tipike presidenciale nën emrin e kryeministrit.

Të tre këto faktorë bashkë e bëjnë kryeministrin në pushtet autoritar në ekstrem, pa qenë fare nevoja të jetë diktator. I tillë ishte Sali Berisha dje, me asnjë gram më pak pushtet sesa ka Edi Rama sot.

I tillë do të ishte edhe Jezu Krishti, nëse Biri i Shenjtë vendos të qeverisë ndonjë ditë shqiptarët, çdonjëri prej të cilëve, i lindur në Tropojë apo banues në Sarandë, i ardhur në Tiranë apo denbabaden me shtëpi qerpiçi e carac në oborr, ka bindjen e patundur se është më i lartë se çdo mbret dhe më i shenjtë se çdo shenjt.

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
1 Koment

1 Koment

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Opinione

Nga Mentor Kikia/ Harrojeni Covidin, por shërohuni nga politika o njerëz të mjerë

Publikuar

-

Nga

Nga Mentor Kikia/ Harrojeni Covidin, por shërohuni nga politika o njerëz të mjerë

Bëra një postim dje në këtë faqe, ku kritikoja PD-në që akuzonte qeverinë duke përdorur ca foto nga morgu, si dhe qeverinë, që kur do të sulmojë opozitën, nxjerr doktorreshë Najadën dhe mjeket në koridor si të ishin kori i QSUT-së.

Ishte një nga shkrimet që tërhoqi shumë komentues. Qindra njerëz u lëshuan duke u sharë mes tyre. Ata që mbronin “Morgun” dhe kauzën e opozitës dhe ata që mbronin “Mjekët” dhe qëndrimin e qeverisë.

Padyshim që të gjithë bashkë shanin edhe autorin e shkrimit. Ca për pjesën e parë, e ca për pjesën e dytë.

Po nuk mungonin as ata që e shanin, pse i kishte kritikuar të dyja palët. Sepse njeriu duhet ta ndajë: O me njërën palë, o me tjetrën.

O njerëz të mjerë, o të pabrekë, o të pangrënë, që jeni gati ta shqyeni e ta hani njëri-tjetrin, për llogari të “atyre lart”, po a nuk e kuptoni se sa jeni robëruar nga varësia prej politikës?

LEXO EDHE:  Rama nuk ndalet/ Abuzuesit duan dëmshpërblim

LEXO EDHE:  Lëvizjet në Polici/A do të tërhiqet Rama?

Po jeni të gjithë njësoj të gënjyer e të mashtruar, të gjithë të vjedhur e të përdorur, sa nga njëra e sa nga tjetra palë.

Edhe unë kam bindjet dhe preferencat e mia politike dhe i mbroj ato. Por nuk jam gati të pështyj askënd që nuk ka të njajtat bindje me mua. Aq më pak ta “shqyej”. Sepse jam 1000% i bindur se në këtë vend nuk ka ende një udhëheqës apo një politikan që të meritojë të tillë sakrificë sublime nga populli i tij.

LEXO TE PLOTE

Opinione

Nga Astrit Patozi/ Ky debat makabër, si pasqyra e degradimit tonë moral

Publikuar

-

Nga

Nga Astrit Patozi/ Ky debat makabër, si pasqyra e degradimit tonë moral

Ky debati i neveritshëm me të vdekurit e COVID-it, është pasqyra më e qartë e degradimit të politikës në Shqipëri dhe prova më e fortë se ne nuk jemi një vend normal.

Sepse po të ishim, jo thjesht kjo çështje nuk do të ekzistonte, por në një rast të tillë, kur dorashka hidhet në publik, nuk mund të kishte më kthim prapa.

Njëri nga duelistët duhet ta paguante shtrenjtë dëmin, ngaqë nuk mund të jenë të pafajshëm të dy palët njëkohësisht.

Sepse është njësoj e rëndë për publikun, si t’i fshehësh të vdekurit për politikë, ashtu edhe po ta shpikësh këtë makabritet për një grusht votash më shumë.

Por jam i sigurt se asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur edhe kur publiku të mësojë më shumë për të vërtetën e kësaj shëmtie morale.

LEXO EDHE:  “Rama, plehrë kimike”!/Policia shpall në kërkim kreun e FRPD

LEXO EDHE:  Aurela Gaçe festoi ditëlindjen, kryeministri Rama i bën dhuratën e veçantë

Sepse kundërshtarët e tërbuar të momentit do të vijojnë me të njëjtin pasion dhe me të njëjtin cinizëm konfliktin e tyre të paskrupullt, i cili vazhdon prej dekadash, me ndalesa të shkurtra në momente pazaresh, që janë edhe më të pista se vetë lufta midis tyre.

 

LEXO TE PLOTE

Opinione

E gjetëm edhe tradhtarin, po më tej?

Publikuar

-

Nga

Nga Ilir Levonja

Si përfundim, tani që Lulzim Basha u shpall ”tradhtar” i UÇK-ës, a ja ulëm vlerën borxhit publik. A e ulëm shifrën 84% në 64%, aq sa e kishim në vitin 2013? A na i fali arbitrazhi në Washington (2019) detyrimet kontraktore të anulluara nga kjo qeveri, si gjoja korruptive nga qeveria e mëparshme. 110 milion euro, jo pak. Borxh i detyrueshëm publik. A u rregullua statusi publik i nëpunësit civil, pasi edhe këtu ka një firo të konsiderueshme rrjedhje parash nga buxheti, për ata që humbin vendin e punës në administratë nga ndryshimi i pushtetit?

Një postulat që u rri shqiptarëve si laku i kërpit rreth qafës, aman mos më merr në qafë se kam kalamaj për të ushqyer. Mezi e rregullova këtë vend pune. Pagova sa qimet e kokës. E ropa djalin në Gjermani. Ku di unë, i shkreti. U ngritën pensionet e mjeruara? Po nga përkrahja, a u hoq pyetja se kush ka dush e televizor, nuk i takon gjë. Duhet të jesh i vobektë që të japin 15 mijë lekë. Madje mish me dy sy, ku të ketë mundësi lal legeni dhe Ed shallvarexhiu, të vi me kamerat e ERTV e tu japi ndonjë thes miell. Tu flasi për ”tradhtarin” Lul hollandezin. Tani që e sqaruam se figura morale e kandidadit të ardhshëm për kryeministër është bizarre. Dhe se nuk ia vlen për kryeministër të ardhshëm, a u futëm në Europë? U hapën negociatat apo jo? Se kemi kaq vjet me gërrvërre se kush na fut në Europë, apo jo? Dhe e kaluam refuzimin e para dy ditëve, refuzimin e njëmbëdhjetë, ashtu si pa gajle.

Studiot vlonin…, Luli, Luli, UNMIK, UÇK, tradhtari, ka qënë përkthyes apo oficer legal? Europa na refuzoi rishtas, na tha sysh, gjeni gjuhën e bashkëpunimit, vini gjykatat në funksion, por ne kemi hallin se sa i pastër është moralisht kryeministri i ardhshëm. Tani që gjetëm dhe atë që një ish futbollist i kombëtarës, një çfarë të them, ”tradhtar”, ”armik”, një garip që i duket vetja se çfarë ka qënë etj. A e fituam betejën me covidin? A i përmisuam spitalet? I ulëm numrat e infektimit? I shtuam testimet ditore, me qëllim izolimin e vatrave? Po humbim njëri-tjetrin sikur nuk kemi qënë kurrë. Dhe as që po na dhëmb fare. Nuk po kemi kohë të qajmë sikur një minutë, të kuptojmë që jemi njerëz.

LEXO EDHE:  Berisha apo Basha?/ Rama sfidon demokratët

LEXO EDHE:  Dorëheqja e Ben Blushit/ Rama: Politika nuk ka humbur ndonjë gjë të madhe, por...

Nuk e kemi më një familjar, një të afërm, një mik me të cilin ndanim jetën. Jemi bërë grerëza, shifra, gumëzhimë, sende. Nga që nuk na lënë Edi Rama, Lali Eri, Ilir Meta apo ”tradhtari” Lul Basha. Ka qënë apo nuk ka qënë futbollist i madh Andi Lila? Pika neve… nuk po i shkojmë dot në varrim shoqi-shoqit. Nuk po i gjëndemi dot njëri-tjetrit, të ndajmë atë kafen e hidhur, tymin e duhanit, këtej çirremi për futbollistë e artistë. Të gjitha këtyre figurave, si majtas dhe djathtas, se e drejta e Zotit e do t’i drejtohesh njësoj si këtij Lilës edhe Eli Farës, ndryshe ecim mënjanë. U duhet thënë shkoqur…, ose më mirë juve se ata kanë strategji karriere. Të fashmën i bëri adhurimi jonë, jo plateja e politkës. Që domethënë, nëse je sportist i famshëm falu asaj bukurie fyti e sysh me mijra në shkallët e stadiumit, asaj që të adhuron, që çirret për ty. E nëse je artist i famshëm, falu asaj gjindje që të duartroket se ata të bënë ky që je. Nuk të bëri politika. Boll me poza krah lali Erit apo lali Verit.

Ne e dimë që sportisti a artisti është më i madh se Zoti, mos na rrëzoni adhurimin. Se po na mbushni mendjen që jeni të përdorueshëm si prezervativi. Eshtë e dhimbshme. Shenjtëria vjen nga poshtë, jo nga lart. Vëllezër ua kanë futur thellë. Aq thellë ua kanë futur aq sa jeni imunizuar kokë e këmbë. Nuk po ndjeni më asgjë. Jeni bërë engjuj të ndërgjegjshëm të djallit. Mashtroni me ndërgjegje të plotë, pa pikë turpi a sedre, pa pikë përgjegjësie për ato mut titujsh që mbani si medaljone. Madje ju rrofshin hekurosja, kollarja, apo klasi shtresë e ngritur. Eshtë e pabesueshme të dëgjosh në 2020 në një emison televiziv se akoma uji është me orar të kufizuar. Si mund të merresh me tradhtinë e një personi që ka çelsat e kashtës. Eshtë absurd kolektiv. Eshtë budallepsje. Se je akoma me depozita. Dhe për më keq, i pa përdorueshëm, i pistë dhe me mbetje të zeza. Merruni me tradhtinë e Lulit, ju të tredhurit dhe tradhtuarit njëmijë herë.

LEXO TE PLOTE