Connect with Us

Filip Çakulli, historia gazetarit rebel, nga diktatura në demokraci

Aktualitet

Filip Çakulli, historia gazetarit rebel, nga diktatura në demokraci

Publikuar

-

Nga Mitro Çela 

* Viti 1986. Në radio “Tirana” u bë një konkurs për tregimet humoristike. Çmimin e parë e mori Filipi.
Për dhënien e çmimeve u organizua një shfaqje televizive. Paraqitësi i programit pyeti: “Ku e gjeni humorin?” Filipi, hazër-xhevap, edhe pse jetonim në epokën e diktaturës:

-Humori më gjen vetë. Do një fakt? Një javë më parë u organizua një takim për fushatën e korrje-shirjeve në Lushnjë. I deleguar, shoku Pali Miska, ministër i Bujqësisë dhe anëtar i Byrosë Politike. Shoku Pali tha tre gjëra me shumë rëndësi
Së pari: Gruri mbillet në tokë.
Së dyti: Kur piqet, korret me autokombajnë.
Së treti: Buka e grurit bëhet me miell gruri?!” Ka humor më të bukur?”

Një ditë më vonë, në redaksinë e gazetës “Bashkimi” u ankua shoku Pali. Në një dosje të kuqe mbante një raport me 40 faqe. Nxinte në fytyrë dhe shkumëzonte nga inati:
“Ja, shoku kryeredaktor! Këto lexova në seminar?!”…
U mblodh redaksia. Dënimi? Edukim në Dibër?… Ndërsa makina “rënkonte” në të përpjetat e Qafë Buallit, më thotë Filipi:

Gazetari, Miro Cela dhe Regjisori, Filip Cakulli

-Mitro Xhani! Populli thotë: Një fije e ndan të mençurin nga budallai. Edhe humori qëndron në sinorin mes tragjikes dhe komikes! Prandaj humori “dënon” ata që guxojnë të shkruajnë e flasin…
“Për të njohur sa më mirë natyrën e popullit, ka thënë Makiaveli, është e domosdoshme të jesh princ. Ndërsa për të njohur mirë princin duhet të jesh popull.”
Unë e njoh Filipin në rolin e “princit” dhe “popullit”, domethënë e kam pasur vartës në gazetat ‘Bashkimi” dhe “RD”. Tani e kam shef në Top Channel.
Filipi, më i madhi i pesë fëmijëve, ka lindur në Dyrmisht, fshat minoritar në rrethin e Sarandës. (…Shkollën e kishim shumë larg. Prapa malit. Çdo ditë tre orë vajtje-ardhje. Pak bukë e lyer me vaj… për të sjellë në shtëpi vetëm dhjeta…)

Kreu shkollën e mesme pedagogjike në Gjirokastër. Vazhdoi studimet në fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë…
(Në drejtimin e gazetës “RD” në shtator të vitit 1991, ishim katër: kryeredaktori, zëvendësi, sekretari i kolegjiumit dhe kryetari i këshillit botues. Me votim të fshehtë u vendos: Dy në kompetencë të kryesisë së PD-së, njëri në hyqmin tim.
“Zëvendësin tënd, u tha në kryesi, do ta zgjedhësh me një kusht: të dijë gjuhë të huaj. Më mirë dy. Por edhe me një pranohet…”

U ktheva në gazetë. Hapa defterët. Nga të gjithë meshkujt gazetarë, mbi 30 vjeç, vetëm njëri ishte me gjuhë të huaj: Filip Çakuli. Nga dokumentet dilte me kombësi greke. Gjuhë të huaj kishte shqipen. Mos ma hedhë ky Filipi dhe nuk e di me gramatikë? Mora rrugën e fakultetit. Takova Profesor Shaban Demiraj.
-Në atë kurs, vetëm një student ka marrë 10 në gramatikën e shqipes, – më tha. E quanin Filip Çakuli…
Fakulteti i dha dy “pasuri”.
Së pari diplomën, të gjitha dhjeta.
Së dyti, gruan. (E dashuroi me shikimin e parë. Ndryshe nuk ke si e shpjegon faktin, që pranoi të punojë në revistën “Hosteni”, me zyrë në Divjakë. Aty e kishte shtëpinë Vasilika?! Fati i humoristit: në sinorët e tragjikes dhe komikes.)

Në revistën “Hosteni”, djali 22-vjeçar nga fshati dhe dhëndri nga Divjaka, kishte për kolegë Dritëro Agollin, Niko Nikollën, Hyskë Borobojkën, Sabri Godon, Qamil Buxhelin. “Baballarë” të letërsisë. Dishepuj të humorit. Mbledhjet e redaksisë bëheshin të hapura. Brenda të rinj e të vjetër.
Filipit, që i hanin brirët, bëri një proçkë, nga ato që do ta ndiqnin gjithë jetën: kritikoi një tregim të Sabri Godos! Hata e madhe…
-Më thotë Hyskë Borobojka në vesh: Këpucar qëndro te këpucët!-Kujton Filipi.- Ngrita supet… Më tregoi fabulën. Goja po pikturonte mbretin. Me penel në dorë, ra në mendime për këpucët… Thirri këpucarin. Ai fliste. Piktori punonte mbi këpucët e mbretit, sipas vërejtjeve të këpucarit… Kur piktori fshiu penelin, këpucari tha:

-Flokët, pak më shkurt… Kishte edhe një nishan… Këpucar, tha piktori, qëndro te këpucët…
Ndërkohë u dëgjua zëri i Godos: Ky djali i ri, duhet ta njohë më mirë vatanë! Ka nevojë për më shumë shërbime në veri…)
Në vitin 1986 u bashkuam të dy në gazetën “Bashkimi”. Unë shef i ekonomisë.
Kur kryeredaktori, zoti Hamit Boriçi, ndau gazetarët nëpër sektorë më tha mua:
-Çdo sektor do të ketë pesë deri në gjashtë gazetarë. Ti do të kesh vartës vetëm Filip Çakulin. Me Filipin jetoj si mbi mina!” …

LEXO EDHE:  "Vangjush Dako “fillon punën” në Bashkinë e Durrësit"/ Berisha publikon videon

Një javë më vonë doli profecia e kryeredaktorit. Filipi bëri një shkrim me titull: “Planifikohet edhe numri i të vdekurve”. Përmbajtja: “Sot në Durrës, ndalohet të vdesësh. Është realizuar plani i vdekjeve, si për burra dhe për gra.” Shkrimin e lexoi shoku Ramiz Alia. Mori në telefon redaksinë: “Shoku kryeredaktor! Kaq i mençur qenka Filip Çakuli, sa të tallet me planifikimin e treguesve të ekonomisë socialiste…”
Kaq u desh. Mbledhje. Kritika. Autokritika.

Me shkrim e me gojë. Dënime. Filipi në verilindje. Anëtarët e kolegjiumit me në krye kryeredaktorin: vërejtje me paralajmërim pushimi nga puna. Unë edhe një thelë mbi bisht: gjobë një gjysëm rrogë mujore!” Sarkazëm e gjallë: të dënohesh si shef për kusuret e vartësit!
Në vitin 1993, Filipi, bëri një eksperimentim në revistën “Hosteni”. Nisi të botojë disa buste lakuriq. Për koka, përdorte kokat e politikanëve të lartë: Meksi, Arbnori, Dokle, Meta…Mitro. Gjëra me kripë! Por proçka erdhi, kur në faqen e parë të revistës, mbi bustin lakuriq u vendos koka e presidentit tonë të nderuar, zotit Sali Berisha.

Një natë pa hënë, një ditë më parë se revista të shpërndahej, në redaksi mbërritën tre punonjës të SHIK-ut. Me shumë takt, morën me vete revistat me Berishën lakuriq dhe Filipin të veshur. Hipën në një benz të zi. Ndaluan në një zyrë. Mes tyre nisi një bisedë me nota surrealiste:
Shikasi: – Kush janë bashkëpunëtorët e tu?

Filipi: – Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Agron Musarai, Mitro Çela…
Shikasi: – Nuk jemi këtu për t’u tallur?!
Filipi: – Po dyshuat në fjalën time, ja ku është telefoni për verifikim…
Kishte kaluar mesnata. Vasilika u shqetësua. Kërkonte burrin. Ai, i humbur. Pa gdhirë mirë mori në telefon dhe përfundoi në zyrën e Agron Musarait, ministër i Brendshëm. Ai ngriti supet dhe formoi numrin e Kryeministrit Meksi. As ai nuk dinte gjë. Asnjë informacion as nga Prokurori i Përgjithshëm, as nga Presidenti Berisha. Meselenë e kishte gatuar Gazidede…
Filipi u gdhi në birucë. Hynë hetuesit. Me tjetër pamje. Pak të hutuar. Pyetën me mirësjellje:
– Të porosisim ndonjë gjë për të ngrënë?…
– Po. Një bërxollë derri, pilaf dhe një gotë verë të kuqe…
– Biruca nuk është restorant!…
– Vetë më pyetët për menunë!…

Ndërkohë një prej hetuesve hartoi një procesverbal… Pasi e lexoi, Filipi shkroi me stilin e Shvejkut: “Zotërinjtë e SHIK-ut, me shumë edukatë më rrëmbyen nga zyra dhe më prunë në birucë. Me shumë kulturë më mbajtën 24 orë në izolim. Me shumë takt më thanë se çfarë duhet të ha e të pi…”
Një javë më vonë problemi i arrestimit të gazetarit Filip Çakuli, u bë objekt rezolute në Bruksel, Strasburg dhe në OKB…

Tragjedi dhe komedi të nakatosura së bashku… Gurrë humori…
Në vitin 2006 Filipi u dekurua “Mjeshtër i Madh i Punës.

Kur Presidenti dorëzoi medaljen, m’u kujtua një proverb i lashtë grek: “Të bësh një kurorë dafine është gjë e lehtë. Të meritosh një kurorë me dafina, është shumë e vështirë.” Po për Filipin? Një “kurorë” e merituar nga Presidenti, por shumë e vonuar në kohë. E mori kur mbushi 51 vjeç, kur zakonisht jepet në përvjetorë të “rrumbullakët”. Koka e Çakulit ishte e denjë për “kurorë me dafina” 25 vjet më parë, kur u bë personazhi më i njohur në revistën “Hosteni”. “Sebepe” pa fund: kur punonte te “Bashkimi” a “RD”; kur u arrestua nga SHIK-u, a kur vuri dy herë kandidaturën për deputet; kur shkruante skeçe për estradat e vendit a kur botonte 5-6 libra me humor…
Botuar në vitin 2006

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kronika

Strehonin emigrantë me destinacion BE/ Gjykata jep masën e sigurisë për 5 të arrestuarit

Publikuar

-

Nga

cna lajme kronike

Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e sotme masën “arrest me burg” për Rigers Vejsiun, i cili dyshohet se është arrestuar për trafik dhe strehim emigrantësh.

Ndërsa për bashkëpunëtorët e tij, gjykata ka caktuar masën “arrest shtëpie”.

Janë lënë në arrest shtëpie dy motrat: Drita Shehu, 55 vjeçe, Sanije Shehi, 64 vjeçe, shoferi Sterjo Germenji dhe Anamaria Mihallari, 24 vjeçe.

Kujtojmë së grupi trafikonte  emigrantë të huaj drejt BE, të cilët vinin në Shqpëri si turistë ose me leje pune.



Koka e këtij grupi kriminal, ishin 2 motrat, Drita Shehu dhe  Sanije Shehi, pronare të hoteleve në zonën e Laprakës. Bashkëpunëtor i ngushtë i tyre ishte dhe djali i Drita Shehut, Rigers Vejsiu.

LEXO EDHE:  “U vënë dorën në ballë/ Qeveria asnjë mjet kontrolli për të prekurit nga koronavirus”

LEXO EDHE:  "Vangjush Dako “fillon punën” në Bashkinë e Durrësit"/ Berisha publikon videon

Në funksion zbatoheshin 2 plane të mirëorganizuara, një për emigrantët që hynin në Shqipëri ilegalisht dhe një tjetër për emigrantë që vinin në vendin tonë si turistë të rregullt apo me leje pune. Qëllimi ishte destinacioni final drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Rigers Vejsiu është arrestuar në 2020 për trafik emigrantësh të paligjshëm dhe për vjedhje të parvazeve metalike dhe kangjella rrethuese për t’i shitur për skrap në pikat e grumbullimit./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Aktualitet

Video-Berisha sot do t’iu përgjigjet të gjithëve/ Intervistë në “Now”, përballë Erla Mëhillit

Publikuar

-

Nga

cna lajme politike

Sonte starton emisioni “Now” me moderatore, Erla Mëhillin, në Euronwes Albania.

Përballë Mëhillit do të jetë ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri Sali Berisha, lideri historik i Partisë Demokratike.

Berisha do ta flasë para ish-këshilltares së tij, pa dorashka, për çështjet më të lakuara që lidhen me emrin tij.

Dalja e Berishës, vjen ndërkohë që vetëm pak ditë na ndajnë nga fillimi i sesionit të ri parlamentar, ku ka shumë “zhurmë”, në lidhje me ish-kryeministrin Berisha, nëse do jetë apo jo në Kuvend.

LEXO EDHE:  Kosova humb 8200 hektarë tokë nga Demarkacioni/ Berisha: Nuk e besoj…

LEXO EDHE:  Patozi ‘kryqëzon‘ PD-në për Boden/ E konsideruan të paaftë, zgjedhja e tij e pagjykueshme

Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA ka pasur qëndrime të forta e të drejtpërdrejta, që Berisha të mos jetë pjesë e Kuvendit.



Për të gjitha këto, Berisha do flasë sonte me Erla Mëhillin në Now, në Euronews Albania.

“Now” një emision tejet i ndjekur dhe i shikuar pritet të mbërthejë para ekranit, jo vetëm njohësit e çështjeve politike, por edhe një pjesë të madhe të opinionit publik, pasi Berisha është një emër me CV dhe histori të gjatë në politikën shqiptare./CNA.al

 

LEXO TE PLOTE

Sociale

Në prag të fillimit shkollor/ Rreth 30% e mësuesve të pavaksinuar në Shkodër

Publikuar

-

Nga

cna lajme sociale

Nga 1 shtatori kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ku mes të tjerash u vendos vaksinimi i detyruar për shërbimin shëndetësor, arsimtarët dhe studentët.

Por duket se jo të gjithë pajtohen me procesin e vaksinimit të detyrueshëm. Edhe pse vetëm dy javë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri shkollor,  rreth 30% e arsimtarëve në Shkodër janë ende të pavaksiksinuar.

Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Xheni Halili, thotë se janë 30% e sistemit arsimor parauniversitar në Shkodër të pavaksinuar.

Shkodra nuk i bindet apeleve për t’u vaksinuar as kur është me detyrim! Teksa shkollat kanë hapur dyert për nxënësit, ndërsa zyrtarisht procesi mësimor nis në datën 27 shtator, në shkodër ende jane 450 mësues të pavaksinuar



Vaksinimi ka patur ecuri të kënaqshëm në tërësi, por nuk mund t’a them të njejtën gjë për arsimtarët! Ende 30% e tyre janë të pa vaksinuar! Nese e përkthejme me shifra janë rreth 450 mësues! Tashmë ata e dinë që vaksinimet janë të detyruara ndaj apelpj drejt tyrë që të aplikojnë sa më parë dozën e parë të vaksinës në cdo qendër shëndetesore”, shprehet Halili.

LEXO EDHE:  Rrethimi i Astirit/ Reagon ashpër Berisha: “Ndal terrorit banditesk ndaj protestuesve”

LEXO EDHE:  Kosova humb 8200 hektarë tokë nga Demarkacioni/ Berisha: Nuk e besoj...

Sa i takon studentëve, Halili thotë se ka patur një ndërgjegjësim të tyre per kryerjen e vaksinës.

“Studentët kanë nisur gjatë javës që lamë pas që të vijnë për t’u vaksinuar! Edhe për ata është e detyrueshme, nese nuk aplikojnë vaksinat duhet që të kryejnë testin PCR çdo 72 orë nese duan të jenë në auditore”!

Deri më tani janë vaksinuar në Shkodër rreth 750 arsimtarë thekson Halili./ CNA.al

LEXO TE PLOTE