LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nuk e shkaktoi ajo Revolucionin Francez/ Çfarë mund ta keni mësuar gabim mbi mbretëreshën Maria Antoneta

19 Tetor 2020, 07:40, Blog CNA
Nuk e shkaktoi ajo Revolucionin Francez/ Çfarë mund ta keni

Maria Antoneta është e famshme për bëmat e saj. Apo më mirë për bëmat e saj të supozuara. Në kohën kur u ekzekutua në gijotinë më 16 tetor 1793 (9 muaj pasi burri i saj, mbreti Luigji XVI u vra në të njëjtën mënyrë), ajo përçmohej si një grua mendjelehtë, egoiste dhe imorale, që jetonte në një luks të shfrenuar, ndërsa shumë njerëz të thjeshtë vdisnin urie.

Natyrisht, Maria nuk ishte një shenjtore. Ajo besonte se monarkia franceze e Burbonëve kishte bekimin e vetë Zotit, ndaj nuk e pranonte idenë që mbretërit si ajo, të ishin të barabartë me nënshtetasit e tyre. Por jo të gjitha kritikat ndaj mbretëreshës ishin të justifikuara, apo edhe të vërteta.

Ajo nuk tha kurrë:?Nuk kanë bukë, epo mirë le të hanë tortë!?

Në kohën kur Maria Antoneta, e lindur në Austri, u ngjit në fron, francezët ia kishin atribuar për dekada këtë frazë bashkëshorteve të huaja të mbretërve francezë, për të shprehur zhgënjimin me monarkinë, thotë Karolin Ueber, autore e librit ?Mbretëresha e Modës:Çfarë i dha Revolucionit Maria Antoneta?.

Ndërsa pabarazia ekonomike në Francë u rrit ndjeshëm në shekujt XVII-XVIII, ishte ?më e lehtë për patriotë francezë, që ta imagjinonin një mbretëreshë të lindur në një vend të huaj, si më të pandjeshme ndaj gjendjes së tyre së mjerë, sesa vetë mbreti francez?, thotë Ueber.

Ishte subjekt i pornografisë

Studiuesit kanë vërejtur se meqë Luigji XVI nuk kishte dashnore, Maria Antoneta iu nënshtrua një niveli të lartë të përçmimit publik. Para se të bëhej mbretëreshë, pamfletet dhe librat pornografikë me temë politike që qarkullonin në mbarë Francën, ironizonin vetëm dashnoret e mbretit, të cilat konsideroheshin të pacipa pse flinin me një burrë të martuar.

Por pa një dashnore për ta tallur, pornografët politikë shënjestruan mbretëreshën.

Vizatimet e tyre pornografike, akuzonin Maria Antonetën se flinte me shumë burra dhe gra të oborrit mbretëror. Në fakt, ka dëshmi se ajo kishte vetëm një mik të afërt (dhe marrëdhënia mund të ketë qenë thjesht platonike). Cilësimi i saj si një grua imorale që flinte me kunatin – siç pretendonin disa nga imazhet pornografike – ishte një mënyrë përmes së cilës revolucionarët argumentonin se monarkia ishte e korruptuar.

Nuk ishte e fiksuar aq e fiksuar pas këpucëve

Me gjithë famën, Versaja ishte një vend shumë i pistë, i mbushur me kafshë dhe jashtëqitje. Në vend se të pastronin këpucët, mbretërit dhe aristokratët i ndërronin ato çdo ditë, duke i hedhur në koshin e plehrave. Kjo kulturë e shpërdorimit, ekzistonte pra edhe para se të mbërrinte Maria Antoneta.

Ajo as nuk e krijoi atë, dhe as e çoi në ekstrem si të tjerët. Të paktën 4 anëtarë të familjes mbretërore shpenzuan më shumë për veshje sesa ajo, përfshirë vëllain e Luigjit XVI, kontin Artua, që porosiste 365 palë këpucë në vit, pra 1 për çdo ditë.

I pëlqente të vishej bukur, por pa shumë shpenzime

Së bashku me rrobaqepësen e saj, Maria Antoneta dizenjoi një ?fustan të vogël të bardhë? të thjeshtë, një veshje që i tronditi njerëzit me thjeshtësinë e saj, sepse kur e vishte atë ajo nuk dukej si një mbretëreshë. ?Një nga ironitë e Revolucionit Francez, është se ajo veshje u bë në thelb uniforma e grave revolucionare?- vazhdon Ueber.

?Të njëjtat gra që mendonin se Maria Antoineta kishte qenë një fatkeqësi për Francën, dhe kërkonin kokën e saj në gijotinë, u pëlqente vërtet fustani i vogël i bardhë, pasi ai ishte e thjeshtë, dhe jo shumë i kushtueshëm?.

Shpenzimet e saj, nuk ishin shkaku kryesor i shpërthimit të Revolucionit Francez

Tomas Xheferson, thuhet se është shprehur në një rast, se po të mos ishte për Maria Antonetën, nuk do të kishte pasur asnjë Revolucion Francez. Pavarësisht nëse e ka thënë apo jo këtë gjë, ka paur sigurisht një perceptim të gabuar gjatë gjithë historisë se shpenzimet e tepruara të Marias, luajtën një rol të madh në problemet ekonomike të Francës.

Siç u tha më lart, Maria Antoineta, vetëm sa e miratoi dhe nuk e shpiku stilin ekstravagant të jetës që bëhej në Versajë. Përveç kësaj, Franca ishte në krizë që para se ajo të mbërrinte atje.

Pavarësisht kësaj, mbreti zgjodhi të dërgojë trupa franceze në kolonitë amerikane për të luftuar kundër Britanisë. ?Nuk ishte një vendim popullor, ai i dërgimit të trupave franceze për të luftuar përkrah amerikanëve në Revolucionin Amerikan, pasi Franca ishte në thelb e falimentuar?- thotë Ueber. Maria Antoneta ishte në këtë rast thjesht një ?kokë turku?./ nationalgeographic.comPërshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga