LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Telushi: Mua s'më tremb lufta në Azerbajxhan, Kukësi është për titull këtë sezon

18 Tetor 2020, 08:19, Sport CNA
Telushi: Mua s'më tremb lufta në Azerbajxhan, Kukësi

Bruno Telushi la Shqipërinë për Azerbajxhanin. Edhe pse atje ka nisur lufta, për një ?ushtar? si ai nuk mund të jetë assesi problem. Vlonjati ka nënshkruar kontratë sezonale me Netfçi Bakunë, prej të cilës do të përfitojë një shumë prej 15 mijë dollarësh në muaj. Mesfushori nuk trembet nga gjendja që ka pushtuar vendin ku do të vijojë karrierën, e megjithatë bezdiset nga interneti i dobët.

Në një intervistë të dhënë për ?Panorama Sport?, 29-vjeçari rrëfen merkaton e vrullshme që pati këtë verë. ?Divorci? i tij me Partizanin ndoshta nuk erdhi ashtu si ai do të donte, por pengje nga ajo që kaloi te të kuqtë nuk ka. Falënderon Kukësin që nuk iu bë për asnjë moment pengesë për këtë transferim, ndërsa rrëfen se ndihet borxhli ndaj Skënder Gegës.

Ka qenë merkato e vrullshme për Telushin, nga Partizani te Kukësi e më pas përfundon te Neftçi Baku. E kishit menduar që do të shkonte kështu?

Të them të drejtën, në fillim prita Partizanin. Më pas pata ofertë nga Kukësi dhe profesor Skënder Gega. Dëshira e madhe që të më kishte në ekip, më bëri që të mos e mendoja dy herë. Plus që edhe klubi prej vitesh më ka kërkuar, ndaj shkuam drejt firmës. Më realizuan kushtet e mia dhe e mbylla. Neftçi Baku doli rrugës pastaj, edhe pse, të tregohem i sinqertë, nuk është se nuk e prisja këtë ofertë. Por ndodhi pak më shpejt sesa e kisha menduar dhe ja ku jam sot. Jam zyrtarizuar tashmë dhe ndihem më shumë se gati për të nisur këtë aventurë të re.

Si e zgjidhët me Kukësin, kishit ndonjë klauzolë në kontratë që ju lejonte të largoheshit apo??

Me Kukësin pati zgjidhje të shpejtë, prej xhentëlmenësh. Në fakt, ashtu kisha rënë dakord dhe ishte një klauzolë në kontratë. Kukësi nuk m?u bë absolutisht pengesë, ma bënë shumë herë më të lehtë dhe për këtë duhet t?i falënderoj.

Në Azerbajxhan ka nisur lufta, ju tremb kjo gjë?

Është e vërtetë, në Azerbajxhan ka nisur lufta, por kjo ka kohë që ndodh, madje këtu i quajnë luftëra të vogla. Mua nuk më shqetëson fare kjo, nuk ka vend për trembje. E vetmja gjë që më bezdis lidhet me internetin, që është shumë i dobët dhe nuk më lejon që të flas dot siç duhet me familjen (qesh).

Si u bindët për të shkuar aq larg dhe në një realitet krejt të ndryshëm nga Shqipëria? mendoni se do të përshtateni?

Çdo futbollist e dëshiron një aventurë jashtë vendit, i tillë është rasti im. Është një mundësi për të bërë hapin e madh dhe treguar veten. Këtë gjë dua dhe unë. Ndihem shumë i lumtur për këtë, pasi e arrita dhe kam shansin që të ec përpara në karrierë. Pastaj ndihem komod, pasi kam ardhur në një klub shumë të mirë.

Dy ekipet e fundit me të cilat keni luajtur, kanë probleme. Partizanit iu bllokua merkatoja dhe Kukësi thuajse u çmontua me largimet e shumta që pati, e prisnit që do të shkonte kështu?

Për Partizanin më vjen keq që iu bllokua merkatoja, ndërsa te Kukësi nuk mendoj se do të ndikojnë largimet. Ata kanë bërë afrime shumë cilësore kohët e fundit dhe shpresoj që të shkojnë sa më larg. Të njëjtën gjë i uroj sigurisht edhe Partizanit.

Cili është pengu më i madh që ju mbeti nga përvoja gati 3-vjeçare te Partizani?

Nuk kam ndonjë peng, në fakt. Në ato dy vite e gjysmë që luajta te Partizani, fitova thuajse gjithçka: titull, Superkupë dhe shumë miq. Nuk kam asnjë lloj pendese për atë kohë, thjesht më kanë mbetur kujtime shumë të bukura nga ajo periudhë.

Të shumtë kanë qenë ish-lojtarë të Partizanit që e cilësuan të gabuar largimin tuaj, por pse erdhi ky ?divorc? dhe kush nuk ju donte në ekip?

Nuk kam koment.

Në karrierën tuaj keni ndërruar shumë trajnerë, por kush është ai që ju ka lënë më shumë mbresa?

Unë marrëdhënien e kam pasur shumë të mirë me të gjithë trajnerët që kam kaluar në karrierë, në fakt, por dihet që raporti im me Skënder Gegën. Profesori më ka dhënë realisht shumë dhe ndihem borxhli ndaj tij, ndaj mund ta them me plot gojën që ai është trajneri më i mirë për mua.

Kundërshtari më i rrezikshëm që keni hasur cili është?

Nuk jam përballur me ndonjë kundërshtar shumë të rrezikshëm në Shqipëri dhe ta kem pasur problem. Të gjithë kundërshtarët kanë forcën e vet, por kjo nuk më ka trembur kurrë.

Si ju duket gara këtë vit në elitë? Cilin ekip shihni më të favorizuar për titullin?

Shpresoj njëherë që të nisë sa më shpejt Kategoria Superiore, pasi zgjati pak si shumë bojkoti dhe kjo nuk i bën mirë futbollit shqiptar. Pres një garë të fortë, në fakt, por shpresoj që ekipet ku kam luajtur të bëjnë mirë dhe, pse jo, të shkojnë drejt titullit. Partizani do ta ketë pak të vështirë për ato vendet e para, por Kukësi ka shanse dhe uroj që të jenë ata kampionët për këtë sezon.

Lajmet e fundit nga