LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Ngo u ndje i fyer nga Halili"/ Menaxheri: Ja si mund të rikthehet te Tirana

16 Tetor 2020, 08:07, Sport CNA
"Ngo u ndje i fyer nga Halili"/ Menaxheri: Ja si mund të

Majkëll Ngo mund të rikthehet te Tirana, pasi ende nuk ka firmosur për ndonjë klub. Javën e kaluar u forcuan zërat për një ribashkim të sulmuesit me bardheblutë, por si është e vërteta dhe pse palët nuk janë ende pranë një marrëveshjeje zyrtare, e tregon ekskluzivisht për ?Panorama Sport? agjenti shqiptar i anglezit, Mario Cenolli.

Ky i fundit komenton gjithashtu deklaratat e presidentit të Tiranës, Refik Halili, si dhe të trajnerit Emanuel Egbo. Sipas Cenollit, Ngo është ndier i fyer pas asaj që ka thënë kreu i klubit dy javë më parë.

Mario, javën e kaluar është folur për negociata mes klubit të Tiranës dhe Majkëll Ngosë. Madje, vetë trajneri Egbo ka thënë se e mirëpret një rikthim të sulmuesit. Si është e vërteta??

I kam ndjekur me shumë interes deklaratat që janë bërë nga përfaqësues të klubit të Tiranës për Majkëll Ngonë. Më vjen mirë që së fundmi trajneri Egbo vlerësoi Majkëllin për kontributin në sezonin e kaluar. Të them të drejtën, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Tiranën, më konkretisht me drejtoren Goldi Halili, por deri më tani që po flasim nuk ka asgjë konkrete.

Si mund të rikthehet Ngo te Tirana dhe çfarë është bërë pengesë për mungesën e një akordi?

Kemi dëgjuar ofertën e Tiranës dhe nuk kemi dashur ta bëjmë kurrë publike shifrën e ofruar për rrogën e Ngosë, por meqë e ka thënë vetë presidenti Halili, mund të konfirmoj se ashtu është e vërteta. Pra, na është ofruar një kontratë me shifrat që ka deklaruar presidenti (8500 euro rrogë në muaj), por ne e kemi refuzuar, sepse nuk na u duk oferta më e mirë që klubi i Tiranës mund të jepte. Pastaj, janë edhe gjëra të tjera në mes që e pengojnë hapin konkret.

Presidenti Halili ka thënë se Ngo nuk do të luajë më futboll, sepse është e vështirë ta pranojnë ekipet e tjera përveç Tiranës. Keni një koment për këtë?

Sigurisht që nuk mund të më vijë mirë, si mua ashtu edhe Majkëllit për ato deklarata. Cili është ai lojtar që nuk do të ndihej i fyer pasi dëgjon nga presidenti i tij ato fjalë, për më tepër që Ngo u shpall kampion dhe kryegolashënues i ekipit. Ngo dhe unë jemi surprizuar që zoti Halili ka folur në këtë mënyrë për një lojtar që ka dhënë shumë për t?u shpallur kampion. Duke parë se çfarë ka dhënë për Tiranën, mendoj se janë deklarata kontradiktore.

Presidenti ka thënë që Ngo është toleruar nga Tirana, por ama edhe vetë lojtari e ka toleruar klubin. Presidenti e di shumë mirë se për çfarë arsyeje bëhet fjalë. Gjithsesi, ne nuk kemi dëshirë të bëjmë polemika. Koha do ta tregojë nëse Halili e ka fituar apo humbur bastin me Ngo. Secili ka mendimin dhe idetë e tij, çdo njeri është i lirë ta bëjë këtë. Thjesht unë mendoj se përpara se të bëhen të tilla deklarata, duhen menduar mirë. Unë e njoh presidentin Halili si një person të matur në deklaratat e tij, por këtë herë ndoshta nuk është matur aq sa duhet.

Lajmet e fundit nga