LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Guidë falas nga Edi Rama/ Si nuk fitohet debati me një foto

16 Tetor 2020, 08:49, Politikë CNA
Guidë falas nga Edi Rama/ Si nuk fitohet debati me një foto

Debati në Opinion mbrëmë i ka pasur të gjitha, dhe ka qenë një prej eventeve më të rëndësishme politike të kohëve të fundit, por sidomos, aty u nxor tashmë zyrtarisht në qarkullim një guidë nga Edi Rama, se si nuk mund të fitohet një përballje, vetë me një foto.

Me një foto e kishte planifikuar Kryeministri të dilte në krye të një prej temave më të nxehta dhe që është akuza më e madhe për momentin ndaj tij dhe qeverisë.

Me një bashkim të dy fotove më saktë, Rama pat menduar se do ta kthente në favorin e tij klimën më të vështirë për të.

Dhe me atë gjësend, do të hidhte poshtë jo vetëm faktet, e denoncimet, po do të godiste mu në zemër dhe kundërshtarin politik, e do të mrekullonte dynjanë.

Në njërën anë një mal me plehra, në anën tjetër një resme e një incerenatori.

Kjo ana me mbetje ishte sipas Ramës PD, kjo me impiantin vezullues ishte ai.

E kishte paralajmëruar që në drekë kryeministri, duke thënë se në darkë te Fevziu do bëhej nami. Do sqarohej një herë e mirë çfarë janë ato projekte dhe pse bërtet Luli.

Po skema ra që në krye.

Panelistët e ftuar, gazetarë të njohur, nuk u verbuan aspak, as nuk u mahnitën nga kjo lojë me imazhe. Nga ky konstelacion i cekët dhe bosh.

Sapo nisën të gërvishin pak mbi lëkurë, dolën menjëherë të palarat, për të cilat Rama nuk pati asnjë përgjigje asnjë argument.

Kryeministri i vendit, përgjegjës për buxhetin, nuk diti të thotë si ka mundësi që janë dhënë 75 milionë euro deri tani, një personi, të njëjtit njeri, për 3 inceneratorët, të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, dhe asnjëri syresh nuk punon.

Doli hapur në publik se qeveria i është përgjigjur brenda ditës nevojave të këtij sipërmarrësi për para, i është gjendur edhe në ditët e vështira të pandemisë me shuma të majme, ndërsa punët atje në rastin më të mirë kanë shkuar në nivelin 20 përqind.

Përpos se kontrata është me shumë probleme. Tenderimi pa garë dhe favorizues. Sërish, as ato pika të firmosura nuk janë plotësuar. Dhe kjo, sipas vetë Ministrisë së Financave.

Edi Rama nuk kishte asnjë shpjegim, asnjë fjalë bindëse, asnjë të dhënë në favor.

Por si zakonisht, kishte sulme. Sulme ndaj gazetarëve. Fyerje, tallje, bullizëm dhe poshtërim.

Teksa vetë ishte kapluar nga një nervozizëm i skajshëm e çoroditës sa nisi të bredhë nëpër studio pa e ditur saktë se ku po shkonte e çfarë po kumtonte.

E mbrëmshja ka qënë nata më e keqe politike e mediatike e Edi Ramës.

Batutat e tij nuk vlenin për asgjë.

I papërgaditur po ashtu për të tjera përgjegjësi direkt të tijat, që lidhen me buxhetin. Nuk e dinte se nuk e dinte, sa para janë hedhur deri më tani për rindërtimin. Që është turi më i madh propagandistik i tij dhe i përditshëm. Çka tregon se ai e bën thjesht për PR. Sepse, se si janë punët, ai nuk e ka idenë.

U desh t’i vinte një copë letër nga stafi për të bërë të ditur në publik të dhënat për miliardat e investuara deri më tani.

Të gjitha këto, hesape të qeverisë dhe që kërkojnë transparencë. Sepse, janë çështje që kanë të bëjnë direkt me taksat e qytetarëve.

Pati në debat mbrëmë edhe kulme të natyrës spektakolare si kuturisjet haluçinante apo afrimi i tij kërcënues ndaj gazetarit Rakipllari, duke shkelur protokollin anti-Covid, çka e detyroi analistin Shkullaku të mbrohej vetë, duke vendosur maskën në studio.

Një prej zhvillimeve më interesante, çka e bën debatin e mbrëmshëm një ngjarje politike, është se për herë të parë, u përballën në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën audience, kryeministri me kryetarin e Opozitës.

Teksa Basha pati argumenta, shifra dhe fakte, Rama zgjodhi ndodshta të vetmen rrugë që njeh, batutën. Po edhe ajo e shpëlarë tashmë. Populli e ka marrë atë vaksinë, dhe të tilla viruse me fjalë shpotitëse, ironike, pa thelb, pa përmbajtje, nuk bëjnë më efekt.

Në analizë të fundit, mund të thuhet se Edi Rama ka humbur mbrëmë në mënyrë bindëse një debat, dhe të parën e ndoshta të fundit përballje mediatike me kryetarin e Opozitës./MAPO

Lajmet e fundit nga