Connect with Us

Kur shkenca bie ndesh me politikën, OBSH zgjedh politikën

Blog

Kur shkenca bie ndesh me politikën, OBSH zgjedh politikën

Publikuar

-

OBSH: 10% e popullsisë globale mund të jetë infektuar me koronavirus

Nga Jay W.Richards, Douglas Axe &William Briggs ”The Federalist”

Na e thonë vetëm tani! Pasi nxiti bllokimet në gjithë botën për muaj të tërë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ndryshuar mendim. I dërguari special i OBSH-së për Covid-19, David Nabarro, tha në një intervistë të fundit:”Ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve botërorë: ndalni përdorimin e bllokimit, si metodën tuaj kryesore të kontrollit të pandemisë”.

Ai vazhdoi duke thënë atë që skeptikët e bllokimit e kanë përsëritur për muaj të tërë:se efekti kryesor i këtyre politikave është shkatërrimi i ekonomive, dhe veçanërisht i të varfërve. “Shihni se çfarë ka ndodhur me fermerët e vegjël në të gjithë botën. Shihni se çfarë po ndodh me nivelet e varfërisë. Duket se mund të kemi një dyfishim të varfërisë në botë deri në vitin e ardhshëm. Dhe mund të kemi të paktën një dyfishim të kequshqyerjes së fëmijëve”- tha ai.

Nabarro pretendoi nga ana tjetër se “i vetmi rast kur ne besojmë se një bllokim është i justifikuar, është blerja e kohës për të riorganizuar, rigrupuar, ri-balancuar burimet tuaja, për të mbrojtur punonjësit e lodhur në sistemin tuaj shëndetësor, por në përgjithësi, është më mirë që mos ta praktikojmë këtë gjë”.

Edhe pse jemi në muajin e shtatë të këtyre masave, këshilla e OBSH-së për udhëheqësit botërorë është tani:”Ndalni bllokimet!”. Dikush duhet t’ia thotë këtë edhe Xho Bajdenit. Supozimi ynë, është që kundërshtimi në rritje i publikut ndaj bllokimeve dhe lajmet për një kthim në normalitet në vende si Suedia, e dobësoi qasjen e OBSH-së për masat kufizuese.

Ne jemi të kënaqur që organizata doli më në fund kundër bllokimeve. Por siç e tregojmë në librin tonë “Çmimi i panikut”, nuk ka pasur kurrë prova të forta shkencore se bllokimet funksionojnë. Megjithatë, OBSH vendosi ta pranojë vetëm tani këtë gjë.

Për fat të keq, kur presioni është mbi të, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lejuar që politika të dominojë mbi shkencën. Edhe “New York Times” tani e pranon këtë. Gazeta botoi kohët e fundit një raport investigativ, që përshkruan se si mbështetja e OBSH-së për kufijtë e hapur, madje edhe gjatë një pandemie, bazohej tek politika, dhe jo tek shkenca.

Por preferenca e agjencisë së OKB ndaj politikës, ka qenë e dukshme që nga fillimi i pandemisë. Në tetorin e vitit të shkuar, OBSH publikoi ​​një raport tanimë të harruar mbi “masat jo-farmaceutike të shëndetit publik” në luftën kundër një pandemie të gripit. Përfundimi ishte se provat për këto masa ishin “të kufizuara”. Ndërhyrjet që rekomandonte OBSH përfshinin masat “personale”, “mjedisore” dhe “të distancimit social”.

Pra larjen e duarve, kollitjen duke mbajtur krahun para, mbajtjn e maskave, pastrimin e sipërfaqeve, gjurmimin e kontakteve, mbylljen e shkollave dhe vendeve të punës, ndalimi i tubimeve të mëdha, dhe vendosja e kontrolleve dhe kufizimeve të ndryshme në udhëtim.

Pra, këshillat që kemi interpretuar për pjesën më të madhe të vitit 2020. Në fund të marsit të këtij viti, zyrtarët këmbëngulën se të gjitha këto masa do të ndihmonin në frenimin e përhapjes së Covid-19. Ndërkohë, OBSH, kishte arritur në një përfundim të kundërt disa muaj më parë. Kur askush nuk po i kushtonte vëmendje, OBSH tha që provat ishin të dobëta dhe kostot ishin shumë të larta për të ndjekur shumicën e këtyre masave, përveç një pandemie me përmasa historike.

Sigurisht, larja e duarve është një këshillë e mirë, dhe askush nuk e dekurajon atë. Çështja është që edhe vlera e një veprimi të thjeshtë, dhe me një kosto të ulët si larja e duarve, nuk mbështetet nga studimet që të tregojnë se ai funksionon mjaftueshëm për të luftuar në mënyrë të matshme gripin.

Provat e kontrolluara, siç thanë ata, “nuk kanë zbuluar që higjiena e duarve është efektive në zvogëlimin e transmetimit të gripit, e konfirmuar kjo nga testet laboratorike”. Mbajtja e maskave të fytyrës, ka kuptim në disa mjedise. Megjithatë, për njerëzit pa simptoma që i mbajnë ato në publik, “nuk ka asnjë provë, që ajo është efektive në zvogëlimin e transmetimit”.

LEXO EDHE:  Nga Mari Kyri tek Aleksandër Bogdanov/ Shkencëtarët që u vranë nga shpikjet dhe studimet e tyre

Në mënyrë më të diskutueshme, OBSH raportoi:”Masat e lidhura me udhëtimet, nuk kanë gjasa të jenë të suksesshme në shumicën e vendeve, pasi mjetet aktuale të shqyrtimit si skanuesit termikë, nuk mund t’i identifikojnë infeksionet para-simptomatike dhe infeksionet afebrile. Ndaj kufizimet apo ndalimet e udhëtimit, ka të ngjarë të kenë pasoja të mëdha ekonomike”.

Është kjo deklaratë, që tregon se politikat e OBSH janë të ndikuara nga politika. Në të njëjtin raport, OBSH paralajmëroi gjithashtu se “masat e distancimit social (për shembull, gjurmimi i kontakteve, izolimi, karantina, masat apo mbylljet e shkollës dhe vendeve të punës dhe shmangia e grumbullimit të njerëzve) mund të jenë shumë përçarëse, dhe kostoja e tyre masave duhet të peshohet me ndikimin e tyre të mundshëm.

Për më tepër, ato mund të bëjnë më pak sesa supozojnë shumica e njerëzve. OBSH gjykoi se cilësia e provave që mbështesin këto masa ishte “shumë e ulët”. Bllokimet, tha ky organizëm, mund të përhapin edhe sëmundje, pasi “karantina në kushtet e shtëpisë mund të rrisë rreziqet e infektimit të anëtarëve të familjes”.

Përputhshmëria është gjithmonë një problem, dhe bashkimi i njerëzve të shëndetshëm me të sëmurët mund të përhapë virusin tek njerëzit në rrezik. “Mbyllja e vendit të punës”, paralajmëroi OBSH, “duhet të jetë hapi i fundit që konsiderohet, dhe vetëm nëse epidemia dhe pandemia janë shumë të rënda”.

Pra, edhe qëndrimi zyrtar mbi pandeminë, paralajmëronte mbi koston e lartë të distancimit social në nivele ekstrem. Të njëjtët zyrtarë e pranuan se studimet nuk kishin provuar kurrë se këto masa funksionojnë, dhe në shumë raste ata kishin sugjeruar se ato nuk do të funksiononin.

Për pasojë, OBSH mendoi se kostoja më e madhe nga akte si mbyllja e shkollave dhe bizneseve, mund të justifikohet vetëm në rastet më ekstreme. Vjeshtën e kaluar, ky ishte gjykimi shkencor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kundërshtimi i tyre i papritur ndaj bllokimeve, është sot një rikthim në pozicionin e tyre të mëparshëm.

Po pse raporti nuk mori vëmendjen e gjithë medias në mbarë botën? Pse OBSH e injoroi atë vetëm disa muaj më vonë? “New York Times” argumenton tani se këshillat e OBSH-së mbi kufijtë e hapur, ishin më shumë politike sesa shkencore. Dhe kjo është e besueshme.

Në përgjithësi, raporti i tetorit 2019 ishte i matur dhe i plotë. Ai përmbante referenca nga më shumë se 240 punime shkencore dhe punime të tjera. Ai vlerësonte maturinë mbi panikun. Politikat e turpshme erdhën më vonë. Nga fundi i marsit, kishte pak treg për analiza të matura shkencore.

Infeksioni viral, kishte mbërritur nivele të rrezikshme. Raporti i mjegullt i OBSH-së, u dha politikanëve dhe këshilltarëve të tyre pak stimuj për të bërë diçka dramatike. Pra, në vend se t’i qëndronte vlerësimin e vet shkencor, OBSH-ja ndryshoi kur ndryshuan edhe “erërat” politike.

Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adanom, hodhi poshtë që në janar rreziqet e koronavirusit, ndërsa më vonë shpalli një model spekulativ që supozonte, se pandemia do të ishte aq e keqe sa edhe Gripi Spanjoll. Ai i nxiti më pas qeveritë që t’i trajtonin qytetarët e tyre si derra në një eksperiment bllokimi prej triliona dollarësh, që nuk ishte kryer kurrë më parë, dhe një eksperiment që kishte pak prova të çmuara shkencore në favor të tij.

Pra janë tallur me të gjithë ne. Kur ishte e leverdishme, OBSH-ja e braktisi injorimin e shkencës dhe ndali bllokimet. Tani që është e qartë se kostoja e këtyre bllokimeve është shumë më e madhe se sa përfitimet e tyre, OBSH shpreson të distancohet nga këto masa. Leksioni kryesor që duhet të marrim nga e gjithë kjo, është se kur politika bie ndesh me shkencën, OBSH zgjedh politikën./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Keqkuptimi i madh midis shekullarizmit francez dhe botës islamike 

Publikuar

-

Nga

Keqkuptimi i madh midis shekullarizmit francez dhe botës islamike

Nga Pierre Haski “Internazionale”

Në një përpjekje për t’u përballur me Islamin radikal, qeveria franceze po përballet me një problem që shkon përtej kufijve kombëtarë:vështirësinë për ta bërë botën myslimane të kuptojë strategjinë e saj, objektivat e saj dhe kontekstin e veçantë francez.

Simbol i kësaj vështirësie janë kritikat që vijnë nga Universiteti i Al Azharit, institucioni antik islamik me qendër në Kajro të Egjiptit, që zakonisht konsiderohet si autoriteti më i lartë suni, me kushtin që koncepti të ketë kuptim.

Rektori i Al Azhar, Sheiku Ahmed Al Tajeb, reagoi shumë i zemëruar ndaj fjalimit të fundit të mbajtur nga presidenti francez Emanuel Makron mbi “separatizmin islamik”, duke e quajtur atë si ”racist”.

Ndërkohë Universiteti i Al Azhar, bëri publike një deklaratë të gjatë pas aktit makabër të prerjes së kokës së Samuel Pati, profesorit francez të historisë, vrarë më 16 tetor në Paris nga një çeçen i ri.

Deklarata dënon gjestin, por nga ana tjetër bën një kërkesë shumë specifike:miratimin e një ligji botëror kundër “shpifjes ndaj feve dhe simboleve të tyre të shenjta”. Me fjalë të tjera, vrasja e Pati nuk është e pranueshme, por as karikaturat mbi Profetin Muhamed.

Pranimi i laicitetit

Al Azhar, nuk është siç argumentojnë disa, ekuivalenti i Vatikanit për myslimanët. Nuk ka një Vatikan mysliman, dhe mbase kjo është pjesë e problemit. Në çdo rast, ky institucion mijëravjeçar mbetet një pikë referimi, edhe pa një rregullore imponuese.

Pikërisht me kreun e këtij universiteti, Papa Françesku rifilloi dialogun midis katolikëve dhe myslimanëve në vitin 2016, që ishte ndërprerë që në kohën e Papës Benedikti XVI. Dhe po me sheikun Al Tajeb, Papa nënshkroi një “dokument mbi vëllazërinë njerëzore” vitin e kaluar.

LEXO EDHE:  Fjala e shkencës/ Atak kardiak? Jo, në disa raste është virusi që godet zemrën, rasti i 53-vjeçares në Itali

LEXO EDHE:  Ministria e Shëndetësisë apel të fortë/ “Mos neglizhoni asnjë shenjë të sëmundjes, kini kujdes”

Në fillimin e vitit 2019, rektori i Al Azhar bisedoi gjatë me Emanuel Makron, gjatë vizitës zyrtare të presidentit francez në kryeqytetin egjiptian Kajro. Por kjo nuk e pengoi atë të lëshonte deklaratën e fundit tepër kritike për shefin e Elizesë.

Problemi qëndron tek pamundësia e një pjese të botës myslimane, tradicionaliste, edhe pse jo domosdoshmërisht islamike, për ta pranuar shekullarizmin francez, një koncept që mbetet shumë kombëtar dhe pak i eksportuar, edhe pse i vetmi vend që e ka kopjuar atë, Turqia, është aktualisht gjithçka përveçse jo laike.

Jehona e shtrembëruar e debateve dhe vendimeve të fundit të autoriteteve franceze, e ushqen këtë keqkuptim. Në Azi dhe Afrikë, kam takuar myslimanë që më pyetën se përse Franca po lufton Islamin. Për mua nuk ishte e lehtë t’u shpjegoja se pyetja nuk duhet të shtrohet në këto terma.

Emanuel Makron foli kohët e fundit për separatizmin, dhe do ta bëjë këtë gjë sërish gjatë homazheve ndaj profesorit të ndjerë Samuel Pati. Ndoshta presidenti francez duhet të shqetësohet edhe për adresimin ndaj pjesës tjetër të botës, duke trajtuar me kujdes një çështje që është bërë thelbësore jo vetëm për mandatin e tij, por edhe për imazhin ndërkombëtar të Francës.

Ai nuk ka pse ta justifikojë veten – tek e fundit ai jep llogari vetëm para francezëve – por duhet të përpiqet t`a bëjë veten të kuptueshëm, për të shmangur një përçarje të zgjatur në kohë. Nuk do të ishte e drejtë, që ai të lejojë qarkullimin e tezës se Franca është armiqësore, jo vetëm ndaj Islamit radikal, por ndaj Islamit në tërësi në botë./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Sa shqetësohen investitorët e huaj për qeveritë autoritare në vendet ku ata investojnë?

Publikuar

-

Nga

Sa shqetësohen investitorët e huaj për qeveritë autoritare në vendet ku ata investojnë?

Nga Giulia Guerrini “Emerging Europe”

* Një nga keqkuptimet më të zakonshme në lidhje me regjimet autoritare, është besimi i përhapur se ato kundërshtohen nga biznesi. Koncepti se udhëheqësit autoritarë janë populistë anti-biznes, kundër liberalizimit ekonomik dhe globalizimit, është në fakt shumë larg realitetit.

Përkundrazi, një analizë e plotë e politikave autoritare, zbulon se korporatat transnacionale dhe udhëheqësit e biznesit, bëhen nganjëherë bastione të bazës elektorale që mbështesin udhëheqës të tillë. Në veçanti, ajo që mund të bëjnë regjimet autoritare, është të garantojnë një qasje të vendosur ndaj politikë-bërjes dhe stabilitetit që e dëshiron biznesi.

Stabiliteti mund të rrisë të ardhurat, duke siguruar një besim të shtuar në drejtim të strategjive afatgjata të kompanisë. Masa të tilla, si futja e taksës së sheshtë dhe shkurtimet në shpenzimet e mirëqenies sociale, mund të rrisin akumulimin e kapitalit për kapitalistët vendas dhe ndërkombëtarë.

Presidenti i Venezueles, Nicolás Maduro

Këto politika mund të kenë efekte të zgjatura, nëse zbatohen në një regjim ku kundërshtarët e kanë të kufizuar hapësirën për të konkurruar me elitën në pushtet, duke tërhequr kështu kapitalin e huaj, dhe duke e fokusuar pasurinë në duart e bizneseve vendase.

Gabor Sheiring, profesor në Universitetin Boçoni në Milano dhe ekspert në ekonominë politike hungareze, shpjegon se ky mekanizëm është shfrytëzuar me sukses të veçantë nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Që prej rënies së komunizmit në vitin 1989, Hungaria ka tërhequr gjithnjë e më shumë investime të huaja në vend.

Niveli i investimeve është përshpejtuar që kur Orban u ngjit në pushtet një dekadë më parë.

“Shumica e analistëve e përshkruajnë Orbanomics si një politikë anti-liberale, anti-biznes në shërbim të interesave të elitës politike dhe oligarkëve besnikë. Por, ky është një keqkuptim”- thotë profesor Shiering.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban

Ai shpjegon se pas zgjedhjeve parlamentare në Hungari në vitin 2010, politikat qeveritare në Hungari, janë të orientuara gjithnjë e më shumë drejt një grupi masash më miqësore ndaj biznesit. “Qeveria jep subvencione të drejtpërdrejta financiare si për bizneset kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Këto subvencione e tejkalojnë shumë nivelin e para vitit 2010, dhe janë më të fokusuara ndaj bizneseve kombëtare sesa më parë.

Qeveria i hapi dyert për biznesin vendas, duke ftuar figurat kryesorë të tij, dhe që ishin më pak të politizuar në të zënin poste në qeveri. Edhe politika monetare ekspansioniste e prezantuar nga Giorgy Matolzi si Guvernatori i ri i Bankës Qendrore Hungareze, shihet në mënyrë të favorshme nga bizneset”- thotë ai.

Rasti i Hungarisë, tregon qartë se format e qeverisë që devijojnë nga rruga e demokracisë së pastër liberale, nuk janë domosdoshmërisht një pengesë për bizneset. Edrju Hander, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Ukrainë, thekson se lloji i regjimit në vetvete nuk është kriteri kryesor që merret në konsideratë nga biznesi:faktorë të tjerë mund të luajnë një rol më të rëndësishëm.

“Së pari, bizneset kërkojnë pajtueshmëri dhe parashikueshmëri mbi atë që do të ndodhë.

LEXO EDHE:  Sërish bilanc i rëndë në Kosovë/ 13 viktima dhe 99 raste të reja me Covid-19

LEXO EDHE:  Ironia e Tritan Kalos/ Ti nuk do më shkarkosh, rrënoftë Demon-kracia

Ne duhet të shohim tablonë kryesore:se si politikat nga ana e tyre ndikojnë në sektorët socialë, mjedisorë etj. Ajo që është më e rëndësishme nuk është lloji specifik i qeverisjes, por nëse kjo qeverisje është transparente në një farë mase, dhe nëse bizneset mendojnë se mënyra e qeverisjes është e qëndrueshme”- shpjegon Hander.

Sidoqoftë, është thelbësore të kihet parasysh, se duket që ekziston një pikë ku mungesa e kontrolleve dhe ekuilibrave qeveritarë, e ul ndjeshëm joshjen për investitorët e huaj. Siç thotë Hander: “Në fund, gjithçka kthehet tek shteti i së drejtës. A mund ta siguroj këtu biznesin tim, pasuritë e mia? Apo shteti do të trokasë në derë në një moment, duke mi rrezikuar të gjitha?”- thekson ai.

“Për shembull në Ukrainë, ne po ushtrojmë presion për më shumë transparencë në sistemin gjyqësor. Fakti që 80 për qind e bizneseve nuk i besojnë gjyqësorit, është shumë i rëndësishëm për investimet e huaja direkte në vend”- shton Hander.

Pra ekziston një prag para të cilit avantazhet thjesht ekonomike, e tejkalojnë mungesën e transparencës qeveritare, e cila e mban në ekuilibër sistemin politik dhe ekonomik. Ky prag varet gjithashtu nga nuancat politike për sa i përket përkufizimeve teknike, thotë profesori i Universitetit të Bernmauthit, Kristofer Hartuell.

“Tani, kjo varet nga ajo që ju kuptoni me termin “autoritar”. PiS në Poloni dhe Fidesz në Hungari i kanë manipuluar institucionet, por ato ende po i fitojnë zgjedhjet me ndershmëri, dhe po u drejtohen investitorëve të huaj. Por për sa kohë që PiS nuk është një katastrofë e plotë në qeverisje, kompanitë janë të gatshme të anashkalojnë një ligj këtu apo atje, pasi Polonia është një treg i madh në BE.

Nga ana tjetër, paratë po ikin nga Rusia, pasi tregu është i dominuar nga persona të brendshëm politikë, dhe ndaj autoritarizmi i madh atje nuk josh investitorët”- thotë Hartuell.

Kjo gjë nuk është e vërtetë në Bjellorusi, ku biznesi – veçanërisht sektori në rritje i IT – ishte ndër sektorët e parë që dha alarmin për efektet shkatërruese ekonomike të represionit shtetëror, që pasoi zgjedhjet e manipuluara presidenciale të 9 gushtit.

Shumë kompani, kanë filluar të dërgojnë jashtë vendit punonjësit e tyre më të talentuar, në mënyrë që të vazhdojnë aktivitetin, të tjerët janë zhvendosur në bllok jashtë vendit. Dilema e vërtetë për biznesin është përllogaritja nëse politikat nga të cilat ai mund të përfitojë, do të zgjasin apo jo në një periudhë afatgjatë.

Nëse një regjim autoritar mund të sigurojë të paktën në një farë mase garanci, që ata të kenë një klimë të qëndrueshme dhe të begatë investimesh, drejtuesit e biznesit do të vazhdojnë të bëjnë një sy qorr ndaj aspekteve më pak të këndshme të sundimit të tyre./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse shtrigat fluturojnë mbi fshesat magjike?/ Ja si ka lindur kjo legjendë

Publikuar

-

Nga

Shtriga e keqe me lëkurë të gjelbër që fluturon mbi fshesën e saj magjike, mund të jetë një imazh ikonik i Festës së Hallouinit. Por historia e vërtetë se pse shtrigat lidheshin me një objekt kaq të zakonshëm në shtëpitë tona, është gjithçka përveçse jo magjepsëse.

Nuk është e tamam e qartë, kur u shpik vetë fshesa për herë të parë. Por akti i fshirjes daton që nga kohërat antike, kur njerëzit me gjasë përdorën tufa bimësh të lidhura pas një shkopi, kallamishteje dhe fibrave të tjera natyrore për të hequr pluhurin apo hirin nga një zjarr ose vatër.

Siç shkruan Xh.Brajan Lauder, kjo punë shtëpiake shfaqet madje edhe në Dhjatën e Re, e cila daton në shekujt I dhe II Pas Krishtit. Vetë fjala fshesë, broom në anglisht vjen një bimë me të njëjtin emër, ose kaçube, që është përdorur për të prodhuar shumë pajisje të hershme të pastrimit.

Që nga fillimi, fshesat lidheshin kryesisht me gratë. Por pavarësisht kësaj, shtriga e parë që u tha se hipte dhe fluturonte mbi një fshesë magjike ishte një burrë:Gijon Edelin. Ky ishte një prift nga Shën Zhermen-en-Laje, afër Parisit. Ai u arrestua në vitin 1453 dhe u gjykua për magji, pasi kritikoi publikisht gjuetinë e Kishës kundër shtrigave.

Rrëfimi i tij u bën nën tortura. Në fund ai u pendua, por u burgos për jetë. Në kohën e “rrëfimit” të Edelinit, ishte bërë shumë popullor ideja e shtrigave që hipnin mbi fshesat magjike dhe fluturonin në qiell. Imazhi më i hershëm i njohur i shtrigave mbi fshesa, daton në vitin 1451, kur dy ilustrime u shfaqën në dorëshkrimin e poetit francez Martin Le Shampion dë Dames (Mbrojtësi i Zonjave) .

Në të dyja vizatimet, një grua fluturon në ajër mbi një fshesë; ndërsa tjetra mbi shkop të bardhë.  Që të dyja gratë mbajnë shalle në kokë, që i identifikojnë ato si Valdensiane, anëtarë të një sekti të krishterë të themeluar në shekullin XII-të, të cilësuar si heretiks nga Kisha Katolike, pjesërisht pasi i lejonte edhe gratë të bëheshin priftëresha.

Antropologia Robin Skelton, sugjeron që lidhja midis shtrigave dhe fshesave, mund ta ketë origjinën në një ritual pagan të pjellorisë, në të cilin fermerët kërcenin mbi fshesa nën dritën e Hënës së plotë për të inkurajuar shtimin e të korrave të tyre. Kjo “vallëzim i fshesave”, shkruan ajo, u përzje me tregimet e zakonshme të shtrigave që fluturonin natën rrugës për në aktivitete okulte dhe të paligjshme.

Në vitin 1324, kur vejusha e pasur irlandeze Elis Kajteller u gjykua për magji dhe herezi, hetuesit raportuan se gjatë kontrollit të shtëpisë së saj, ata gjetën “një shkop të vajisur, mbi të cilën besohej se ajo fluturonte”.

Farmakologu Dejvid Kroll shkruan në “Forbes” se shtrigat e dyshuara në Mesjetë, mendohej se i sajonin porcionet e tyre magjike nga bimë të tilla si Atropa belladonna, Hyoscyamus niger, Mandragora officinarum dhe Datura stramonium, ku që të gjitha përmbajnë kimikate halucinogjene, të njohura si alkaloide tropane.

LEXO EDHE:  Nga Mari Kyri tek Aleksandër Bogdanov/ Shkencëtarët që u vranë nga shpikjet dhe studimet e tyre

LEXO EDHE:  Kush ishte Salvatore Rina, kryebosi i frikshëm i mafias siçiliane “Cosa Nostra”

Sipas disa rrëfimeve historike, në vend se t’i gëlltisnin këto substanca që ndryshojnë mendjen duke i ngrënë apo pirë, gjë që do t’u shkaktonte shqetësime në zorrë, shtrigat zgjodhën t’i thithnin ato përmes lëkurës, shpesh në zonat më intime të trupit të tyre.

Në librin e tij “Vrasja, magjia dhe mjekësia”, Xhon Man citon një tekst të shekullit XV-të të teologut Xhordan de Bergamo, i cili shkroi se “vulgarët besojnë edhe shtrigat rrëfehen, se në disa ditë ose net të caktuara, ato vajosin një shkop, dhe hipin mbi të në vendin e caktuar”’.

Është e pamundur të dihet nëse histori të tilla, të raportuara në kulmin e ankthit dhe frikës mbi magjinë në Evropë në kohën e Mesjetës, pasqyrojnë apo jo realitetin. Shumica e asaj që dimë mbi magjinë e Mesjetës, na vjen sot nga regjistrat e inkuizitorëve fetarë, gjyqtarët, dhe dëshmitë e vetë shtrigave të akuzuara, zakonisht gjatë torturave.

Duke filluar nga shekulli XVII-të, dëshmitë mbi shtrigat që përdorin fshesat për të fluturuar nga oxhaqet e shtëpive u bënë më të zakonshme, edhe pse gratë u lidhën më ngushtë me familjen dhe punët e shtëpisë se kurrë më parë.

Sipas një zakoni, gratë mbështesnin një fshesë jashtë derës, ose e vendosnin atë në një oxhak, për t’u lënë të tjerëve të kuptonin se ndodheshin larg shtëpisë. Ndoshta për shkak të kësaj, legjenda popullore përqafoi idenë se shtrigat largoheshin nga shtëpitë e tyre përmes oxhaqeve të tyre, edhe pse shumë pak shtriga të akuzuara, kanë rrëfyer ndonjëherë se e kanë bërë këtë gjë.

Ankthi popullor mbi magjinë, u reduktua ndjeshëm duke nisur nga shekulli XVIII-të. Megjithëse sot në SHBA ka ende shumë “shtriga” të vetë-identifikuara si të tilla, falë rritjes së traditave fetare neo-pagane si “Wicca”, pak prej tyre pretendojnë se fluturojnë në qiell. Por imazhi i shtrigave që fluturojnë mbi fshesat e tyre qëndron ende, sidomos gjatë festës së Halluinit./ History.com-Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE