Qarku i Korçës është duke u përballur përsëri me një rritje të numrit të infektimeve gjatë ditëve të fundit, madje duke u renditur i dyti në shkallë vendi, në tabelën që Ministra e Shëndetësisë përditëson.
Fluksi i turistëve, të favorizuar edhe nga moti i mirë por edhe tubimet elektorale të partive të ndryshme mendohet se kanë ndikuar në këtë situatë.
Për shifrat e larta të raportuara në qytetin juglindor, drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë, Mikel Llogori u shpreh në Euronews Albania se nuk duhet të ulet vigjilenca dhe duhet të respektohen masat anti-COVID.
“Duke e krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, jemi në kushte shumë të mira. Kjo nuk do të thotë të ulim vigjilencën apo të mos të mbrohemi”, u shpreh zoti Llogori.
LEXO EDHE: Në 9 vite, gjyqtarja u bë me 3 apartamente/ Pasuria e pedagoges së Magjistraturës
Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë theksoi më tej se edhe në tubimet elektorale të zhvilluara në këtë qytet nuk janë respektuar masat anti-COVID.
“Shifrat e dy ditëve të fundit na kanë treguar se kujdesi duhet të jetë akoma i lartë. Faktorët kryesorë janë ulja dhe mos-mbajtja e masave nga ana e qytetarëve dhe lëvizja e turizmit. Ka edhe grumbullime të llojeve të tjera”, tha ai./CNA.al