Kronika
Plagosja në Shkodër/ Babë e bir përfundojnë në spital, shpëton paq bashkëshortja e shefit të policisë

Policia ka dhënë informacionin zyrtar lidhur me të shtënat me armë që janë regjistruar sot në Shkodër.
Blutë konfirmojnë se ka mbetur i plagosur shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj dhe babai i tij Xhelal Hasanaj.
Raportohet se në momentin që janë regjistruar të shtënat me armë, shefi i policisë ka qenë duke udhëtuar me makinë me bashkëshorten dhe të atinj, por fatmirësisht bashkëshortja i ka shpëtuar plumbave.
Babë e bir janë dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por ende nuk bëhet me dije gjendja e tyre shëndetësore.
“Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.
Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.
Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe indetifikimin e autorit./ CNA.al