LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Infektimi me Covid/ Mjeku i Presidentit Trump thotë se ai nuk përbën më rrezik për të tjerët

11 Tetor 2020, 13:46, Kosova & Bota CNA
Infektimi me Covid/ Mjeku i Presidentit Trump thotë se ai nuk

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump mbajti një tubim të madh fushate politike në Shtëpinë e Bardhë të shtunën, aktiviteti i tij i parë publik që kur rezultoi pozitiv për koronavirusin.

Disa orë më pas, mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, lëshoi një deklaratë ku thuhej se presidenti nuk përbën më rrezik për ta transmetuar virusin tek të tjerët, sipas rezultateve të një testi për COVID-in të shtunën në mëngjes. Sipas standardeve të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), thuhet në deklaratën e dr. Conley-t, presidenti mund të ndalë në mënyrë të sigurt izolimin nga të tjerët.

Tubimi shënoi rinisjen e aktiviteteve të fushatës publike për zotin Trump, i cili u shtrua në spital për tre net për trajtimin e COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.

Ndërsa vazhdon të ketë pikëpyetje për shëndetin e tij, zoti Trump foli nga një ballkon pa veshur maskë, duke i thënë një turme të përbërë kryesisht nga afrikano-amerikanë dhe hispanikë, të cilët janë prekur në mënyrë disproporcionale nga koronavirusi, se ka “shumë vatra të tij, por (sëmundja) do të zhduket “.

Ai tha se një “vaksinë do të vijë shumë, shumë shpejt në një kohë rekord?, por nuk dha prova për një gjë të tillë.

Të gjithë të pranishmëve iu kërkua të mbanin maskë për atë që u vlerësua si “një protestë paqësore për rendin dhe ligjin” në Shtëpinë e Bardhë. Atyre iu bë thirrje të praktikonin distancimin fizik dhe iu kontrollua temperatura, si edhe iu kërkua të plotësonin një pyetësor të shkurtër. Associated Press njoftoi se shumica e pjesëmarrësve mbante maska, por kishte pak distancim fizik.

Aktiviteti i fundit publik i presidentit, paraqitja e kandidates së tij për Gjykatën e Lartë, Amy Coney Barrett, u zhvillua më 26 shtator në Kopshtin e Trëndafilave, dhe u ndoq nga më shumë se 200 njerëz, shumica e të cilëve nuk kishin maskë. Ai aktivitet është përshkruar si një super përhapës i koronavirusit, pasi u pasua nga njoftimet se mbi 25 të pranishëm rezultuan pozitivë për COVID-19, përfshirë presidentin Trump, zonjën e parë Melania Trump dhe disa këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë.

Njoftimi për tubimin e së shtunës u bë ndërsa Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i qeverisë amerikane për sëmundjet infektive, paralajmëroi Shtëpinë e Bardhë që të shmangte grumbullimet e mëdha të njerëzve pa maska.

Mjekët e zotit Trump thanë se presidenti filloi të shfaqte simptoma të COVID-19 më 1 tetor. Mjeku i Shtëpisë së Bardhë i zotit Trump, Conley një komandant në Marinën Amerikane, tha në një deklaratë më 8 tetor se gjendja e zotit Trump “mbetej e qëndrueshme dhe pa shenja që të linin të kuptohej se sëmundja po rëndohej”, dhe se presidenti mund të rifillonte pa rrezik mbajtjen e aktiviteteve të shtunën.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandojnë që njerëzit që e kanë marrë veten nga infeksioni, të vazhdojnë të mbajnë maska dhe të marrin masa për distancimin fizik. Zoti Trump, i cili mori trajtime eksperimentale për koronavirusin ndërsa ishte i shtruar në Qendrën Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed, nuk ka mbajtur rregullisht maskë gjatë pandemisë.

Kandidati demokrat për president Joe Biden bëri fushatë në Erie të Pensilvanisë të shtunën, kandidati i parë presidencial që viziton qytetin që nga vizita e zotit Trump në vitin 2016./VOA

Lajmet e fundit nga