Connect with Us

Çfarë na ka mësuar reagimi i Gjermanisë ndaj koronavirusit

Blog

Çfarë na ka mësuar reagimi i Gjermanisë ndaj koronavirusit

Publikuar

-

Çfarë na ka mësuar reagimi i Gjermanisë ndaj koronavirusit

Bodo Ramelov, guvernator i landit lindor gjerman të Turingisë, flet ulur në zyrën e tij për autobusët. Më saktë për dy prej tyre. Autobusi i parë ishte plot me nxënës që vinin nga një ekskursion në Liqenin Balaton në Hungari, ndërsa tjetri po transportonte pensionistë nga llixhat Františkovy Lázně në Republikën Çeke.

Secili kishte në bord pasagjerë të infektuar me koronavirusin e ri. Në autobusin e parë, asnjë fëmijë tjetër nuk e prek nga infeksioni. Por në autobusin e dytë, u prekën thuajse të gjithë, ashtu si shumë nga njerëzit me të cilët më vonë ranë në kontakt në landin Turingisë.

“Tek pensionistët, virusi u përhap në mënyrë shpërthyese, por me fëmijët kjo gjë nuk ndodhi”-thotë Ramelov. Nëse dikush mund të supozojë se këto udhëtime me autobus ishin përfaqësuese të sjelljes së virusit, atëherë kjo do të nxirrte në pah dy gabime domethënëse të bëra nga udhëheqësit politikë në fillim të pandemisë.

Një nga reagimet e para ndaj përhapjes së SARS-CoV-2, ishte mbyllja e qendrave të kujdesit ditor dhe shkollave. Ndërkohë, masat e veçanta të mbrojtjes për të moshuarit u refuzuan, përveç atyre në azilet e të moshuarve. Por në fillim të pandemisë, situata ishte e re dhe kishte aq shumë pasiguri, sa që fjala “gabim” nuk ka të njëjtin ndikim si zakonisht.

Një gabim i tillë do të ishte i pafalshëm, nëse prej tij nuk do të merren mësimet e duhura. Por a ka ndodhur kështu? Gjermania ka kaluar gati 7 muaj nën zgjedhën e koronavirusit, dhe pandemia vazhdon të diktojë jetën tonë të përditshme si dhe shumë vendime politike.

Pas një pranvere të vështirë, dhe një vere relativisht të relaksuar, vendi gjendet aktualisht nën tension pasi ka mbërritur vjeshta. Me shifrat e rritura ndjeshëm të rasteve të reja, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë më tej. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka folur për skenarin e 19.200 rasteve të reja çdo ditë deri në Krishtlindje, shifër që shumë njerëz mendojnë se është shumë alarmante.

Por tani e dimë që vetëm numri i infeksioneve, nuk tregon aq shumë mbi rreziqet që vijnë nga koronavirusi. E megjithatë ky numër është ende në fokusin kryesor të udhëheqjes politike dhe medieve në Gjermani. Atëherë, a kemi mësuar ndonjë gjë nga pandemia?

Në tërësi, njohuritë tona mbi virusin, sjelljen dhe efektet e tij janë shtuar shumë, duke e përmirësuar bazën për vendimet politike. Gjithsesi, ka ende shumë pasiguri, prandaj ka një pikëpyetje pas çdo vendimi të marrë nga qeveria.

Çfarë është më e arsyeshme? Cili është vendimi i saktë brenda treshes së shqetësimeve: shëndeti, liria dhe prosperiteti? Shëndeti, ka sigurisht përparësi. Por është po aq e rëndësishme të shmanget një bllokim i dytë, për shkak të implikimeve të tij mbi lirinë dhe prosperitetin.

Nëse e pyet Rene Gotshalk, infektiolog dhe drejtues i Departamentit të Shëndetit Publik në qytetin e Frankfurtit, se mos Gjermania ka qenë me fat, pasi pandemia nuk e ka goditur vendin aq fort sa të tjerët, përgjigjja e tij është:”Jo, nuk ishte fat, por një sistem shumë efektiv i kujdesit shëndetësor publik”.

Spitalet kanë shumë shtretër, thekson ai, dhe zyrtarët e shëndetësisë kanë qenë të zellshëm në gjurmimin e zinxhirëve të infeksioneve. “Gjurmimi i kontakteve, veçanërisht në fazat e hershme, ishte çelësi i suksesit”- thotë ai.

Gjatë shpërthimit të parë epidemik të të SARS në vitin 2003, Gotshalk shkoi në Hong Kong. Përdorimi i gjerë i maskave, i kombinuar me masat e vendosura nga zyrtarët e shëndetit publik, thotë ai, çoi në zhdukjen e virusit. Të gjitha viruset e tjerë që përhapen përmes ajrit u kufizuan gjithashtu, shton ai.

Mësimi që ai ka nxjerrë:”Nëse njerëzit do të mbanin vazhdimisht maska, makthi do të mbaronte për disa javë”. Por kancelaria Merkel dhe shefja e kabinetit Helga Braun, nuk ishin që në fillim dakord me këtë qasje. Ato madje menduan se maskat mund të ishin kundërproduktive.

LEXO EDHE:  “Jemi përpara “fillimit të stuhisë”/ Pipero tregon se kur do të “thyhet” epidemia

Covid-19 “gjunjëzon” botën/ Arrin në 1 milion numri i viktimave

Ndaj në vend të kësaj, u zbatua një bllokim i moderuar. “Po flasim për një sëmundje, me të cilën 80 për qind e popullsisë nuk ka ndojë problem serioz. Shumë pak pacientë vdesin. Në Gjermani norma është midis 0.4-0.7 përqind. Që nga marsi, 3.428 njerëz në Frankfurt janë infektuar me virusin, dhe 71 prej tyre kanë vdekur”- thotë Gotshalk.

A është kjo situatë për shkak të masave të vendosura? A do të kishte dalë Gjermania relativisht e padëmtuar edhe pa një bllokim? Ky është një debat që ka të ngjarë të vazhdojë gjatë. Propozimi i Gotshalk për një qasje të re është:”Mbroni ata që janë veçanërisht në rrezik, pra të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Popullsia është duke u bërë gjithnjë e më e vetëdijshme për rëndësinë e masave”- thotë Gotshalk

Mbyllja e shkollave dhe qendrave ditore në Gjermani, ishte një nga hapat e hershëm që u ndërmor pasi virologu Kristian Drosten, që u bë këshilltari kryesor i qeverisë gjermane për Covid-19, ndryshoi mendim mbi këtë çështje, dhe pasi guvernatorët e landeve nisën të shqetësohen gjithnjë e më shumë për pandeminë.

Armin Lashet dhe Markus Soder, janë përkatësisht drejtuesit e landeve të Vestfalisë së Veriut dhe Bavarisë. Ata kanë pasur një qasje të ndryshme ndaj pandemisë. Soder kërkoi që në fillim masa të rrepta, strategji që u mirëprit në Bavari dhe në të gjithë vendin.

Ndërkohë Lashet, ishte shumë dyshues. Sa kufizime në të drejtat themelore mund të përballojë një demokraci? Por pavendosmëria e tij nuk u prit mirë nga qytetarët, dhe këtë e treguar sondazhet. Gjatë një krize, gjermanët me sa duket preferojnë shfaqjen e sigurisë dhe një tendence drejt autoritarizmit. Edhe ky është një mësim interesant nga kjo pandemi.

Por Soder refuzon ta përdorë termin ”autoritar”. As ai dhe as pjesa tjetër e bavarezëve, këmbëngul ai, nuk janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj prirjeve autoritare.

“Sa më shumë liri që të jetë e mundur, aq më shumë mbrojtje që është e nevojshme”, ishte ky “litari” i hollë në të cilin ai po përpiqej të ecte. Është një fjali që komunikon qartë hierarkinë:E domosdoshmja përcakton shkallën e mundshme. Liria vinte e dyta pas shëndetit.

Edhe kancelarja, që shihet si një liberale ashtu si Lashet, e ka shumë të qartë përparësinë e shëndetit publik mbi liritë demokratike.

Gjatë konferencës së fundit online me guvernatorët e landeve gjermane të martën e kaluar, ajo bëri thirrje për zbatimin e rreptë të masave mbrojtëse. Ajo donte imponim të tyre. Shumë guvernatorë, veçanërisht nga landet që dikur përbënin Gjermaninë Lindore, ishin kundër.

Në Gjermani ka pasur herët paralajmërime për një pandemi virale. Në një raport të vitit 2013 në parlamentin gjerman, u fol për rreziqet e mundshme për sigurinë e vendit, dhe për mundësinë e një epidemie të ngjashme më atë të SARS-it.

Të gjithë u tronditën, thotë Ramelov, por nuk u mor asnjë masë. “Ne nuk kishim një pandemi në radarin tonë”- thekson ai. Ky është dështimi më i madh i udhëheqjes politike dhe institucioneve të vendit, por edhe i shoqërisë, përfshirë mediat. Me sa duket, një paralajmërim bardh e zi nuk ishte i mjaftueshëm.

Njerëzit duhej të vdisnin para se gjërat të lëviznin. “Ne i mbrojmë rrjetet kompjuterike nga viruset, por jo në jetën tonë reale”- thotë Ramelov. “Unë e shoh këtë gjë si një gabim të rëndë”- shton. Ai propozon marrjen e masave paraprake për të shmangur emergjenca të tilla në të ardhmen.

Marrë me shkurtime-“Der Spiegel”-Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Pastrimi i parave rrit çmimet e pronave në Ballkanin Perëndimor

Publikuar

-

Nga

Pastrimi i parave rrit çmimet e pronave në Ballkanin Perëndimor

Nga Clare Nuttall “Intellinews”

Sektorët e pasurive të patundshme dhe ndërtimit, po përdoren për të pastruar paratë e fituara në mënyrë ta paligjshme nga tregtia e drogës dhe trafikimit të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor, duke çuar në një rritje të çmimeve të pronave.

Në këtë përfundim mbërrin një raporti i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar. Raporti thekson se pastrimi i parave përmes ndërtimit dhe pasurive të patundshme “është i popullarizuar, pasi sepse mbetet një mënyrë relativisht e lehtë, dhe mund të thithë sasi të mëdha kapitalit”.

Raporti ndalet në disa nga vendet kryesore të pastrimit të parave në rajon, të cilat kanë pësuar një rritje të fuqishme të çmimeve të pronave në vitet e fundit. Në Shqipëri, raportet ndalet kryesisht tek rritja e ndjeshme e çmimeve si në kryeqytetin Tiranë – që ka përjetuar një bum në ndërtime por edhe një rritje të çmimeve të pronave – ashtu si edhe në qytetin bregdetar të Vlorës, ku çmimet gjithashtu janë rritur.

Ndërsa ekonomia e Shqipërisë në tërësi, sidomos sektori i turizmit, u godit nga pandemia, aktiviteti i pasurive të patundshme u zgjerua me 5.5 për qind në vitin 2020. “Në Vlorë, mendohet se grupet kriminale kanë investuar në sektorin e turizmit, duke përfshirë në hotele luksoze në bregdet. Çmimet janë rritur nga 600-700 euro për metër katror në vitin 2017 buzë  bregut të detit në 1.000-1.200 euro në fillim të këtij viti.

Ekspertët kanë argumentuar se kjo rritje nuk mund të shpjegohet me një kërkesë më të lartë nga ekonomia reale apo rritja e të ardhurave zyrtare, por përkundrazi diktohet kryesisht nga paraja që buron nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, e cila është investuar në ndërtim dhe pasuri të paluajtshme. Në Tiranë, po zbatohen aktualisht projekte luksoze në qendër të qytetit, të cilat nuk pasqyrojnë forcat e tregut”- thekson raporti.

Dokumenton citon një agjent të shitjes së pronave në Shqipëri, që thotë se një përqindje

e madhe e njerëzve që blejnë apartamente luksoze “përdorin para që vijnë nga burime të paligjshme, dhe paguajnë me para në dorë”. Edhe kur pagesat nuk bëhen kesh por përmes bankave, verifikimi i burimit të fondeve nga bankat është “shumë sporadik”.

Edhe industria e pasurive të patundshme në Serbi, përjetoi një “rritje jashtëzakonisht të lartë” midis viteve 2018-2020, edhe pse shumë prej pallate të reja mbeten bosh. “Ngjashëm me Shqipërinë, industria e ndërtimit vazhdoi të rritet gjatë pandemisë së Covid-19, pavarësisht tkurrjes së tërësi të ekonomisë.

Një shembull është punësimi në rritje dhe blerja e materialeve për projektin ujor të Beogradit. Çmimet për metër katror, kanë vazhduar të rriten në një treg që cilësohet si i ngopur. “Ekspertët argumentojnë se kjo rritje, ka shumë të ngjarë të jetë pasojë e një sasie të konsiderueshme fondesh të paligjshme që po injektohen në treg. Ata sugjerojnë që tregu serb i pasurive të patundshme, është bërë qendra rajonale për pastrimin e parave përmes pasurive të patundshme”- vijon më tej raporti.

Në Malin e Zi, Nisma Globale vlerëson se klanet mafioze Kavac dhe Skaljari, zotërojnë pronë me një vlerë minimale 27 milion euro. Edhe tregu i pasurive të patundshme në Bosnje, dhe sidomos në Sarajevë “ka tërhequr jo vetëm ka tërhequr kriminalët e zonës, por edhe grupe të trafikut të drogës dhe investitorë arabë që veprojnë ndërkombëtarisht… dhe kjo konfirmon faktin që Ballkani Perëndimor, përbën një vend tërheqës për pastrimin e parave të kompanive të huaja”.

LEXO EDHE:  S’ka më dyshime/ Trump do të rikandidojë për president në vitin 2024

LEXO EDHE:  Bazil Zaharof, “tregtari” i vdekjes që u bë njeriu më i pasur i Evropës

Edhe Kosova përjetoi një bum në sektorin e ndërtimit në disa qytete në vitet 2016-2019. “Një pjesë e madhe e këtyre, investimeve pretendohet se janë realizuar përmes fondeve të gjeneruara nga aktiviteteve kriminale, përfshirë korrupsionin, evazionin fiskal dhe trafikun e drogës nga njerëz pranë elitës në pushtet”-pretendon raporti.

Pas një bumi të ngjashëm edhe në Maqedoninë e Veriut, në vend janë hapur disa hetime mbi pastrimin e parave përmes industrisë së pasurive të patundshme, përfshirë një hetim ndaj ish-kryeministrit tashmë në arrati Nikola Gruevski.

Duke parë mënyrën se si pastrohen paratë përmes sektorit, raporti vëren se në disa vende në të gjithë rajonin, kompanitë që aplikojnë për leje ndërtimi, nuk janë të detyruar me ligj që të tregojnë prova të kapitalit të tyre apo origjinës së tij. Mjafton që ato të paguajnë taksën e infrastrukturës, e cila varet nga vlera e ndërtimit.

Dokumenti përmend praktika të shumta, të cilat krijojnë hapësirë ​​për fshehjen e parave

të paligjshme, siç janë parapagimet e apartamenteve nga klientët, detyrimet e larta ndaj furnitorëve, deklaratat e kredive të mëdha nga palët e tjera (përveç bankave apo institucioneve financiare) dhe transaksione të drejtpërdrejta ndërmjet blerësve dhe investitorëve ose ndërtuesve.

“Këto metoda, u japin mundësi kompanive të pretendojnë se i gjithë investimi kryhet bazuar

në pagesat nga klientët, nga furnitorët dhe huatë nga palët e treta, duke lejuar kështu përfundimin e ciklit të pastrimit të produkteve kriminale”- thekson raporti.

Gjetja e mënyrave për të pastruar shuma më të mëdha parash, është bërë më e ngutshme në kushte kur po shtohen flukset e fondeve nga aktivitetet e paligjshme, të tilla si tregtia e barnave dhe kontrabanda e njerëzve. Vlerësimi i Nismës Globale për vlerën totale të tregut të kontrabandimit të emigrantëve në rajon (me një marzh gabimi prej 20 për qind) është midis 33.7 milion 50.6 milion euro për tre zonat kryesore të tranzitit, ndërsa totali për Ballkanin Perëndimor është disa herë më i lartë.

Ekziston gjithashtu një trafik i konsiderueshëm i drogave në rajon, që është njëkohësisht një burim dhe një rrugë tranziti për narkotikët. Shqipëria ka qenë prej kohësh një vend i rëndësishëm për prodhimin e kanabisit, me gjithë përpjekjet e qeverisë për ta zhdukur këtë fenomen, dhe sasi gjithnjë e në rritje të drogës prodhohen tani në Bosnjë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Për më tepër, Ballkani Perëndimor është një rajon kryesor tranzit për trafikimin e kanabisit, heroinës, kokainës dhe drogave sintetike. Sipas një vlerësimi nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC), pastrimi i parave përbën rreth 2.7 për qind të PBB-së globale, ose 1.6 trilionë dollarë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, flet për 2-5 për qind të PBB-së globale. Duke i përkthyer  këto përqindje për Ballkanin Perëndimor, atëherë rezulton se çdo vit në rajon pastrohen midis 1.8 miliardë dhe 4.6 miliardë euro. “Këto shifra janë të jashtëzakonshme, veçanërisht kur vihen në perspektivë. Për shembull, për këtë vit, buxhetet e Ministrive të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ishin secila 168 milion euro; ndërsa ai i Kosovës vetëm 87 milion euro”- thotë raporti.

Raporti thekson se bankat “luajnë një rol kryesor në pastrimin e parave, pasi ato shërbejnë shpesh si porta hyrëse drejt sistemit financiar”. Një mënyrë tjetër e pastrimit të parave është përmes blerjeve të aseteve luksoze, të tilla si veprat e artit, bizhuteritë, makinat dhe jahtet,

apo investimet në tregjet në rritje në kriptomonedhat dixhitale./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Komunistët kinezë vazhdojnë të marrin ndihma nga Amerika

Publikuar

-

Nga

Komunistët kinezë vazhdojnë të marrin ndihma nga Amerika

Nga Newt Gingrich &Claire Christensen “Newsweek”

Edhe pse Partia Komuniste Kineze (PKK) ka të ngjarë të jetë përgjegjëse për pandeminë e koronavirusit, përmes mbulimit të origjinës së Covid-19, diktatura totalitare komuniste e ka shndërruar këtë krizë globale në një përfitim të madh për vete.

Në fillim të pandemisë, Kina komuniste – si prodhuesja kryesore e pajisjeve mjekësore në botë – grumbulloi dhe më vonë u shiti produkte mjekësore vendeve më të dëmtuara nga koronavirusi. “Diplomacia e vaksinave”e Kinës, është vijimi i Rrugës së saj të Mëndafshit të Shëndetit.

Ajo po eksporton jashtë vendit qindra miliona doza të vaksinave të saj, ndërsa akuzon vendet perëndimore për “nacionalizmin e vaksinave”. Ndërkohë, ndërsa vendet po merreshin me reagimin ndaj pandemisë, trupat kineze dhe indiane u përleshën përgjatë kufirit të diskutueshëm në rajonin e Himalajeve.

Gjithashtu Pekini i përshkallëzoi tensionet, dhe bëri pretendime të paligjshme në Detin i Kinës Jugore, forcoi më tej kontrollin e tij totalitar mbi Hong Kongun, dhe provokoi ushtarakisht Tajvanin. Shfrytëzimi i një krize ndërkombëtare,për ndjekjen e një strategjie globale nuk është një qasje e re për diktaturën komuniste kineze.

Pas krizës financiare të vitit 2008, PKK e shfrytëzoi recesionin globale për përfitimet e veta.Në mënyrë të ngjashme, në prag të pandemisë së Covid-19 ndërsa Shtetet e Bashkuara po shpërndanin me shpejtësi huatë e emergjencës, si pjesë e Programit të Mbrojtjes Paycheck (PPP) për t’i ndihmuar bizneset amerikane në vështirësi, diktatura kineze gjeti një mundësi që të shtinte ne dorë një pjesë të parave dhe i mori ato.

Sipas një raporti të “Horizon Advisory”, deri në 419 milionë dollarë fonde PPP iu dhanë kompanive që zotërohen apo në të cilat kanë investuar biznesmenë nga Kina komuniste. Për shkak të sistemit totalitar të Kinës, në këtë vend nuk ka mundësi që një biznes të jetë plotësisht i pavarur dhe i lirë nga mbikëqyrja dhe kontrolli i Partisë Komuniste Kineze.

Nga një mostër e përfituesve të PPP, raporti identifikoi më shumë se 125 marrës të kredive emergjente nga Administrata e Biznesit të Vogël dhe Departamenti i Thesarit,të zotëruara nga entitetet e lidhura me diktaturën kineze. Të paktën 32 subjekte të kontrolluara nga qeveria kineze, morën më shumë se 1 milionë dollarë kredi secila.

Raporti deklaroi se:“Këto subjekte shtrihen nga ndërmarrjet shtetërore kineze; tek kompanitë që kanë lidhje me programet e ushtarake dhe ushtarako-civile të Kinës; kompani që qeveria amerikane i ka identifikuar si kërcënime të sigurisë kombëtare; kompanitë bashkëpunëtore në gjenocidin që po kryen Kina kundër pakicës ujgure në Xinjiang; dhe media të zotëruara nga PKK apo që operojnë nën urdhrin e tyre”.

LEXO EDHE:  Koronavirusi “gjunjëzon” ekonominë/ Eksperti apel qeverisë: Njerëzit duan ndihmë

LEXO EDHE:  Vëllai i Adriatik Alimadhit preket nga koronavirusi

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, ka publikuar një listë të kompanive të lidhura me ushtrinë kineze. Të paktën 8 subjekte të lidhura me ushtrinë kineze morën hua nga Programi i Mbrojtjes Paycheck.

Për më tepër, sipas raportit Horizon, “marrësit e identifikuar, të lidhur me kompanitë kineze përfshijnë industri kritike dhe strategjike, si hapësirën ajrore dhe mbrojtjen; ​​farmaceutikën dhe teknologjinë mjekësore; prodhimin e automobilave të reja; telekomunikacionin; teknologjinë financiare; argëtimin dhe median”.

Shumë nga këto industri janë jetike për planin industrial të komunistëve kinezë “Made in China 2025”, që synon ta bëjë Kinën prodhuesen kryesore të teknologjisë së lartë në botë. Është vërtet një tragjedi që huatë që synonin të ndihmonin në ruajtjen e bizneseve amerikane, ndihmuan në fund të fundit qëllimin e Kinës komuniste për ta zëvendësuar Amerikën si vendin më të fuqishëm të botës.

Por me thënë të drejtën, këto qindra miliona dollarë nuk u vodhën. Paratë u dorëzuan me vullnet të plotë për shkak të mungesës së mbrojtjeve të duhura. Administrata e Biznesit të Vogël, duhet të punojë me studiues dhe ekspertë të jashtëm, për të hartuar një listë të kompanive të njohura të lidhura me Kinën, për të siguruar që këto kredi të shlyhen plotësisht.

Së dyti, Administrata e Biznesit të Vogël dhe Departamenti i Thesarit, duhet të vendosin më shumë masa mbrojtëse, për të siguruar që kreditë të mos u jepen në të ardhmen subjekteve të lidhura me kundërshtarët e Amerikës. Bizneset amerikane nuk duhet të vijnë në plan të dytë.

Është përgjegjësi e qeverisë amerikane që të garantojë sigurinë e amerikanëve në kohëra krizash, dhe të mos lejojë që të përfitojnë kundërshtarët tanë oportunistë. Qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet të veprojë tani, për të zhvilluar sistemet që do t’i garantojnë taksapaguesit amerikanë se nuk janë duke subvencionuar një diktaturë./ CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Edhe sa kohë i ka mbetur njerëzimit për të ekzistuar?

Publikuar

-

Nga

Edhe sa kohë i ka mbetur njerëzimit për të ekzistuar?

Nga Avi Loeb “Scientific American”

Këshilla ime për shkencëtarët e rinj që kërkojnë një synim në hulumtimet e tyre, është të përfshihen në shqyrtimin e çështjeve që kanë rëndësi për shoqërinë, si moderimi i ndryshimit të klimës, riorganizimi i zhvillimit të vaksinave, plotësimi i nevojave tona për energji ose ushqim, krijimi i një baze të qëndrueshme në hapësirë apo i relikeve teknologjike të qytetërimeve të huaja.

Sfida më jetike shoqërore është zgjatja e jetëgjatësisë së njerëzimit. Në një leksion të kohëve të fundit që pata në Universitetin e Harvardit,m`u shtrua pyetja se edhe për sa kohë parashikoj se do të mbijetojë civilizimi ynë teknologjik. Përgjigja ime u bazua në faktin se ne zakonisht e gjejmë veten rreth pjesës së mesme të jetës sonë.

Mundësia për të mbijetuar ditën e parë pas lindjes është dhjetëra mijëra herë më e vogël sesa të qenit i rritur. Është po aq e vështirë të jetosh 1 shekull pas fillimit të epokës sonë teknologjike, nëse kjo fazë do të zgjasë miliona vjet në të ardhmen.

Aktualisht jemi duke dëshmuar epokën e pjekur të jetës sonë teknologjike, dhe ka të ngjarë

të mbijetojmë disa shekuj, por jo shumë më gjatë. Pasi e deklarova publikisht këtë verdikt statistikor, kuptova se çfarë parashikimi të tmerrshëm përfshin ai. Por a është i pashmangshëm fati ynë statistikor?

Ka një mundësi për ta shmangur këtë skenar. Ai përfshin mundësinë që ne të kemi vullnetin e lirë, dhe mund të reagojmë ndaj kushteve të përkeqësuara duke promovuar një të ardhme edhe më të gjatë se disa shekuj. Politika e mençur publike, mund të reduktojë rrezikun nga katastrofat teknologjike që lidhen me ndryshimin e klimës, pandemitë e vetë-shkaktuara ose luftërat.

Mbetet e paqartë nëse politikë-bërësit tanë do të reagojnë vërtetë ndaj sfidave që na presin, dhe të na shpëtojnë nga verdikti statistikor i mësipërm. Njerëzit nuk janë shumë të aftë në përballimin e rreziqeve që nuk kanë hasur kurrë më parë, siç ilustrohet nga politika e ndryshimit të klimës.

Dhe kjo na kthen tek pikëpamja fataliste. Modeli Standard i fizikës supozon se ne të gjithë jemi të përbërë nga grimca elementare, pa përbërës shtesë. Si sisteme të tilla të përbëra, ne nuk zotërojmë një nivel themelor, pasi të gjitha grimcat dhe bashkëveprimet e tyre ndjekin ligjet e fizikës.

Duke pasur parasysh atë perspektivë, ajo që ne e interpretojmë si “vullnet i lirë”, përmbledh thjesht pasiguritë që lidhen me një grup kompleks rrethanash, të cilat ndikojnë tek veprimet njerëzore. Këto pasiguri janë thelbësore në shkallën e një individi, por janë evazive kur kemi të bëjmë me një numër të madh njerëzish.

Njerëzit dhe ndërveprimet e tyre komplekse,e shmangin ndjenjën e parashikueshmërisë në nivelin personal. Por ndoshta fati i qytetërimit tonë si një i tërë,diktohet nga e kaluara jonë në një kuptim të pashmangshëm statistikor.

Parashikimi se edhe sa kohë na ka mbetur në të ardhmen tonë teknologjike, mund të vijojë më pas nga informacioni statistikor në lidhje me fatin e qytetërimeve si ai që na ka paraprirë, dhe ka jetuar nën kufizime të ngjashme fizike.

Shumica e yjeve u formuan miliarda vjet para Diellit, dhe mund të kenë nxitur zhvillimin e civilizimeve teknologjike në planetët e tyre të banueshëm, që tani janë zhdukur. Nëse do të kishim të dhëna historike mbi jetëgjatësinë e një numri të madh prej tyre, mund të kishim llogaritur gjasat që ka civilizimi ynë për të mbijetuar për periudha të ndryshme kohore.

Kjo qasje do të ishte e ngjashme me kalibrimin e mundësisë së prishjes së një atomi radioaktiv, bazuar në sjelljen e dokumentuar të shumë atomeve të tjerë të të njëjtit lloj. Në parim, ne mund të mbledhim të dhëna të lidhura duke u përfshirë në arkeologjinë hapësinore, dhe duke kërkuar në qiell relike të civilizimeve të vdekura.

LEXO EDHE:  “Njerëzit nuk mund të vdesin urie”/ Deputeti apel të fortë Ramës

LEXO EDHE:  S’ka më dyshime/ Trump do të rikandidojë për president në vitin 2024

Kjo do të supozonte, se fati i civilizimit tonë diktohet nga kufizimet fizike. Por, pasi të përballet me shpërndarjen e probabilitetit të mbijetesës, shpirti njerëzor mund të zgjedhë që t’i sfidojë të gjitha shanset. Për shembull, shansi ynë për mbijetesë mund të përmirësohet nëse disa njerëz vendosin të largohen nga Toka.

Aktualisht, të gjitha vezët tona janë në një shportë. Eksplorimi i hapësirës, ofron avantazhin e ruajtjes së civilizimit tonë nga një katastrofë e mundshme. Megjithëse Toka shërben si një shtëpi komode për momentin, ne do të detyrohemi të zhvendosemi nga këtu, pasi Dielli do të avullojë të gjithë ujin e lëngshëm në sipërfaqen e planetit tonë brenda 1 miliardë vjetësh. Krijimi i bashkësive të shumta të njerëzve në botët e tjera, do t’i ngjante momentit të shumëfishimit të Biblës nga shtypshkronja Gutenberg rreth vitit 1455, e cila parandaloi humbjen e përmbajtjes së çmuar nga një katastrofë e mundshme.

Sigurisht, edhe një udhëtim në distancë të shkurtër nga Toka në Mars, bart rreziqe të mëdha shëndetësore nga rrezet kozmike, grimcat diellore energjike, rrezatimi Ultravjollcë, mungesa e një atmosfere me oksigjen dhe graviteti i ulët.

Kapërcimi i sfidave të vendosjes në Mars, do të përmirësojë gjithashtu aftësinë tonë për të njohur planetë të formuar rreth yjeve të tjerë, dhe kjo bazuar në përvojën tonë. Përkundër këtij vizioni, të qenit i vetëdijshëm për sfidat që ka Toka, mund ta pengojë njerëzimin nga përqafimi i një perspektive të guximshme për udhëtimet në hapësirë.

Dikush mund të argumentojë që ne kemi mjaft probleme në shtëpi dhe të pyesë:“E pse të harxhojmë kohë dhe para të vlefshme në sipërmarrje hapësinore, që nuk merren me adresimin e nevojave tona më urgjente pikërisht këtu në planetin Tokë?”

Përpara se t’i dorëzohemi kësaj premise, ne duhet të pranojmë se ndjekja në mënyrë rigoroze e synimeve të rëndomta, nuk do të na sigurojë një aftësi më të gjerë, që është e nevojshme për t’u përshtatur me ndryshimin e rrethanave në planin afatgjatë.

Një përqendrim i ngushtë vetëm tek problemet e përkohshme, do t’i ngjante fiksimeve historike që në fund rezultuan të ishin të parëndësishme, të tipit “Si mund t’i zhvendosim vëllimet në rritje të jashtëqitjeve të kalit nga rrugët e qytetit?” përpara se të shpiket makina, ose “Si ndërtohet një rrjet i madh fizik i linjave telefonike fikse?”, para se sa të shpikej celulari.

Është e vërtetë që ne duhet ta përqendrojmë vëmendjen tonë të menjëhershme tek problemet lokale. Por ne kemi gjithashtu nevojë për një frymëzim që e ngre perspektivën tonë në një shkallë më madhështore dhe që hap horizonte të reja.

Ngushtimi i fushëpamjes tonë na shtyn vetëm në konflikte, pasi ai amplifikon dallimet dhe burimet e kufizuara. Në vend të kësaj, një perspektivë më e gjerë, nxit bashkëpunimin në përgjigje të sfidave globale. Dhe nuk ka përshtatje më të mirë për një perspektivë të tillë sesa shkenca, “loja me shumën e pafundme” që mund ta zgjasë jetën e njerëzimit.

Siç u shpreh dikur Oskar Uajld:“Të gjithë jemi ulur mbi çati, por vetëm disa prej nesh po shohin yjet”.Ne shpresojmë që më shumë prej nesh të shohin lart. Frymëzimi i përftuar nga kjo pikëpamje, mund të na çojë përtej parashikimit statistikor që nxit alternativën fataliste.

Shënim:Avi Loeb është ish-drejtues i departamentit të astronomisë në Universitetin e Harvardit, aktualisht drejtor i Institutit për Teorinë dhe Llogaritjen në Qendrën Smithsonian për Astrofizikën./ CNA.al

LEXO TE PLOTE