Blog
Është Makron dhe jo Trump, ai që po e shkatërron NATO-n

Nga Sasha Toperich “The Hill”
Nëntorin e kaluar, presidenti francez Emanuel Makron tronditi dhe çuditi shumëkënd kur tha se NATO po “pëson një vdekje celebrale”. Angela Merkel e kritikoi si një “deklaratë të ekzagjeruar ” atë të Makron. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, reagoi shpejt duke e hedhur poshtë reagimin e Makron.
Ndërkohë ai e vlerësoi angazhimin e Uashingtonit ndaj organizatës veri-atlantike. Dhjetë ditë më vonë – dhe përpara samitit të NATO-s në Londër – Markon përsëriti kritikat e tij në një dalje të përbashkët për mediat me Stoltenberg, duke sugjeruar se aleanca është fokusuar më shumë sesa duhet tek çështjet e buxhetit, në vend se tek evolucioni i gjeopolitikës.
Presidenti amerikan Donald Trump, tha se komentet e Makron ndaj NATO-s “tregonin një mungesë respekti” ndaj kësaj organizate. Por retorika e mirë-menduar e Makron, synonte të tërhiqte vëmendjen e medias ndaj mbështetjes së zvogëluar të Amerikës për aleancën, dhe të mbështeste rolin e Francën si një udhëheqëse.
Njëkohësisht, Makron punoi në heshtje për të përmirësuar marrëdhëniet e Francës me Rusinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me synim mbështetjen e një grusht shteti ushtarak në Libi, në mënyrë që të fitojë qasje në pasuritë e mëdha natyrore të vendit të shkatërruar nga lufta.
Roli destruktiv i Francës në destabilizimin e Libisë, parmes mbështetjes së gjeneralit rebel Haftar, dhe koordinimi i paparë me Vladimir Putinin, solli një prani të konsiderueshme në Libi të luftëtarëve mercenarë rusë të “Grupit Vagner”, si dhe ndërtimin e një baze ushtarake ruse në Sirte, duke bërë që AFRICOM të ngrejë alarmin në Uashington.
Pa ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Libi, të kërkuar nga qeveria e Tripolit e njohur ndërkombëtarisht, tani aty do të kishte disa baza ushtarake ruse, duke e rrezikuar seriozisht krahun jugor të sigurisë evropiane dhe të NATO-s.
Pretendimet e Makron në Libi, kanë qenë më se të qarta. Ndërsa Franca dënoi me shpejtësi veprimet e Turqisë në Libi, ajo ka bërë një sy qorr – por edhe ka bashkëpunuar – ndaj ndërhyrjeve nga ana e vendeve të tjera.
Humbjet e mëdha si nga forcat e Haftar, ashtu dhe e aspiratave të politikës së jashtme franceze në Libi, vetëm sa e shtuan inatin e Makron ndaj Turqisë, si një aleat i NATO-s. E megjithatë, Makron vazhdon përpjekjet e tij për të imponuar ndikimin francez në Libi.
Për shembull, në Kombet e Bashkuara javën e kaluar, Makron njoftoi një nismë të re për të bashkuar dhe ri-angazhuar vendet fqinje të Libisë, për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin libian. Në realitet, ajo për të cilën ka nevojë Libia është që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të caktojë një të dërguar të ri të posaçëm mbi Libinë, që të vazhdojë punën e Gasan Salames drejt një zgjidhjeje politike të përhershme të krizës.
Konferenca e përgatitur prej mbi 18 muajsh, synoi të përcaktonte datën e zgjedhjeve të reja, midis çështjeve të tjera të rëndësishme. Por ajo nuk u zhvillua asnjëherë për shkak të ofensivës së Haftar kundër Libisë Perëndimore, një përpjekje që Makron e mbështeti.
Jashtë Libisë, tensionet e rritura kohët e fundit për shkak të mosmarrëveshjes detare midis Greqisë dhe Turqisë, i dhanë Makronit një mundësi të re për të rikonfirmuar rolin e Francës në rajon.
Makron dërgoi avionë dhe anije luftarake në Mesdheun Lindor për të mbështetur Greqinë, por në emër të kujt? Franca nuk ndan ndonjë kufi detar në Mesdheun Lindor, ndërsa as BE nuk i bëri thirrje Makronit të dërgojë anije luftarake në ato ujëra.
Presioni francez ka prodhuar tashmë disa rezultate, pasi Franca do t’i shesë Greqisë avionët luftarakë “Rafale”, një marrëveshje që sigurisht do ta ndihmojë ekonominë franceze aktualisht në krizë.
Kur është fjala fjalë për tensionet midis Turqisë dhe Greqisë në Mesdheun Lindor, UNCLOS (Konventa e OKB për Ligjin e Detit) miraton parimin e distancës së barabartë të ujërave bregdetare, si një metodë për të përcaktuar kufijtë detarë “nga pika më e afërt e vijave bazë nga të cilat matet gjerësia e detit territorial të secilit prej dy shteteve”.
Kjo është qasja që duhet të ketë Franca, në vend se të shohë interesat e asaj personale në një situatë tashmë të tensionuar. Janë përpjekjet e vazhdueshme diplomatike të Gjermanisë, dhe jo ato të Francës, që ilustrojnë udhëheqjen e vërtetë të BE-së, e cila punon seriozisht për të ulur në tryezën e negociatave aleatët e NATO-s Greqinë dhe Turqinë.
Vitin e kaluar, Makron sugjeroi se aleanca ka nevojë për “një zile zgjimi”. Por ai është tashmë nën mbikëqyrje: në krye të agjendës së diskutimeve, duhet të jetë sjellja e tij e pamatur.
Shënim:Sasha Toperich, është zv.president i Rrjetit të Lidershipit Transatlantik./ Përshtatur nga CNA.al