Connect with Us

Në cilën anë të shtratit flini?/Ja çfarë do të thotë kjo për personalitetin tuaj

Blog

Në cilën anë të shtratit flini?/Ja çfarë do të thotë kjo për personalitetin tuaj

Publikuar

-

Sipas një studimi me 3.000 të rritur të kryer nga “Premier Inn”, ata që flenë në anën e majtë të shtratit zgjohen më të lumtur, dhe më të përgatitur për t’u përballur me streset dhe presionet e jetës së përditshme, ndërsa ata që flenë në të djathtë ka të ngjarë të jenë më të brishtë, dhe të kenë një pikëpamje shumë më negative mbi gjërat.

Studimi deklaroi se “mbi një e katërta e njerëzve që flenë në anën e majtë të krevatit, mendojnë se kanë një pamje vërtet pozitive për jetën në përgjithësi, krahasuar me 18 për qind të atyre që flenë në të djathtë”.

Dhe të dhënat sugjerojnë se e gjithë ajo energji pozitive, çon në një rritje të besimit, dhe një kënaqësi më të madhe në vendin e punës. At që flenë në anën e majtë – ose “mëngjerashët” – kanë më shumë të ngjarë të kenë një punë të përhershme, në një kohë që dy të tretat e tyre e menaxhojnë më mirë në krizë sesa partneri i tyre.

Studimi konfirmoi se “31 për qind e atyre që flenë në të majtë, e duan punën e tyre krahasuar me vetëm 18 për qind të atyre, që flenë në krahun e djathtë të krevatit. Madje 10 për qind e këtyre të fundit e urrejnë punën që bëjnë”.
Një studim i ngjashëm me 1.000 të rritur nga prodhuesi i krevateve dhe dyshekëve “Sealy UK” i konfirmon këto gjetje, duke raportuar se ata që flenë në anën e majtë kanë 8 për qind më shumë gjasa ta duan punën e tyre, dhe të kenë shumë miq të mirë. Një studimi i ri i 2.000 amerikanëve nga “Slumber Cloud“, zbuloi se ata që flenë në anën e majtë kanë më shumë të ngjarë të preferojnë muzikën e vjetër, filmat dramatikë, pëlqejnë më shumë të pinë verë, dhe janë politikisht të majtë, ndërsa ata që flenë në anën e djathtë preferojnë muzikën rok, filmat aksion, të pinë birra, dhe ka më shumë të ngjarë të mbështesin jashtëzakonisht qasjet provokative. Pavarësisht se dikush mund të mos e besojë, këto bazohen në të dhëna deri diku shkencore.
Ideja e zgjimit në “anën e gabuar të krevatit”, është një frazë për origjinën e së cilës askush nuk është plotësisht i sigurt. Por ndërkohë ekzistojnë shumë teori dhe bestytni; me sa duket që në Romën e lashtë.

Në atë kohë besohej se ishte keq ngriheshe nga ana ana e majtë e shtratit, pasi kjo mund të parathoshte një ditë shumë të keqe në vijim. Psikologia dhe ekspertja e gjumit në kompaninë britanike të dyshekëve “Simba”, Houp Bastin, shpjegon pse ajo beson se ana e krevatit ku zgjidhni të flini, mund të thotë shumë gjëra për personalitetin tuaj.

LEXO EDHE:  Darka në Dubai/ Flet Arbian Mazniku: Nusretin e takuam, i pagoi të gjitha investitori

Ajo thotë:”Në fakt, studimet sugjerojnë se gjendja juaj shpirtërore, qëndrimi ndaj punës dhe madje edhe të ardhurat, mund të parashikohen nga ana e shtratit në të cilin ju vendosni të flini”. Tek Feng Shui, praktika e lashtë kineze e rregullimit të mjediseve për të sjellë harmoni, ana e majtë e shtratit është më e mira, pasi lidhet me pasurinë, fuqinë dhe madje edhe shëndetin e mirë.

Sigurisht, ana e krevatit që zgjidhni për të fjetur, mund të ketë të bëjë më shumë me pozicionin e shtratit tuaj se gjithçka tjetër.  Nëse keni prirje klaustrofobike, do të keni më pak të ngjarë të flini pranë një muri, pasi mund t’ju bëjë të ndiheni si më të mbyllur.

Nga ana tjetër, ata që ndihen më të sigurt kur janë në hapësira të mbyllura, mund të shmangin fjetjen pranë një dritareje ose dere, dhe të preferojnë të flenë pranë një muri.Shumë njerëz – 40 për qind sipas sondazhit të “Simba” – flenë në njërën anë vetëm sepse partneri i tyre preferon anën tjetër, dhe ata thjesht nuk duan që të kenë konflikte.

Në fakt, gjithçka mund të varet nga praktika dhe jo nga personaliteti i njeriut. Disa prej nesh thjesht duan të jenë më afër televizorit, apo më afër derës për t’u kujdesur për fëmijët e vegjël gjatë gjithë natës. Deri në 10 për qind e çifteve, sërish sipas sondazhit të “Simba”, debatojnë për anën e tyre të shtratit, gjë që mund të mërzisë njërin nga partnerët.

Mbi të gjitha, që të dy mund të kenë të drejtë. Dhe kjo gjë do të shpjegonte pse personi  që zgjohet në të majtë, është më në humor të keq. Lajmi i mirë është se zgjedhja e njërës apo tjetrës anë të shtratit, ka të bëjë më shumë me zakonin se sa gjithçka tjetër.

Dhe efekti i tij në gjendjen tonë shpirtërore, suksesin në karrierë ose faktorë të tjerë mund të jetë për shkak të faktit se ne flemë më mirë kur qëndrojmë në pozicionin në të cilën ndihemi më mirë.Ana e shtratit që ju zgjidhni, mund të bëjë diferencën në mënyrën se si ndiheni në mëngjes.
Por kjo sepse ne jemi krijesa të zakonit. Në realitet, gjëja më e rëndësishme është cilësia e gjumit që bëni. Askush nuk zgjohet i lumtur pas një nate me një gjumë të ndërprerë herë pas here. Eksperti i gjumit i “Sealy”, Nill Robinson beson se çiftet nuk duhet të fiksohen shumë pas anës së shtratit ku flenë çdo natë, por të fokusohen më shumë tek fjetja për plot 8 orë./Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Si lindi teoria e pllakave tektonike, që shpjegon ndodhjen e tërmeteve

Publikuar

-

Nga

Si lindi teoria e pllakave teknike, që shpjegon ndodhjen e tërmeteve

Për shekuj me radhë, shtresa më e sipërme e Tokës mendohej të ishte statike dhe e ngurtë. Por teoria e tektonikës së pllakave, e ka tronditur këtë imazh të planetit tonë. Tektonika e pllakave zbulon se si sipërfaqja e Tokës është vazhdimisht në lëvizje dhe si tiparet e saj – vullkanet, tërmetet, oqeanet e nëndheshme dhe malet – janë shumë të lidhura me brendësinë e saj tepër të nxehtë.

Kjo teori përshkruan se si e gjithë shtresa e jashtme, më e trashë 100 km, e quajtur litosferë, përmban disa pllaka shkëmbore gjigante që mbajnë “mbi shpinë” si kontinentet ashtu edhe dyshemenë e oqeaneve. Ato rrëshqasin ngadalë mbi një shtrese të brendshme të nxehtë. Duke lëvizur me një ritëm midis 2 deri 10 cm çdo vit, disa nga këto pllaka përplasen më njera-tjetrën, disa ndryshojnë formë,dhe disa gërryhen duke u fërkuar me njëra-tjetrën.

Në vitin 1912, meteorologu gjerman Alfred Vegener propozoi në një takim të Shoqatës Gjeologjike të Frankfurtit që pjesa e poshtme e Tokës mund të ishte në lëvizje. Në atë kohë, ideja mbizotëruese ishte ajo sipas së cilës,malet formoheshin si rrudha në planet, të cilat më pas e humbisnin ngadalë nxehtësinë e kohës së formimit dhe sipërfaqja e tyre tkurrej.

Në vend të kësaj, Vegener sugjeroi se malet formohen kur kontinentet përplasen, ndërsa lëvizin vazhdimisht mbi sipërfaqen e planetit. Kontinentet ishin shumë kohë më parë të bashkuara në një super-kontinent që Vegener e quajtur Pangea, ose “Gjithë-Toka”. Kjo teori shpjegon edhe pse të njëjtit shkëmbinj të të njëjtës moshë, apo dhe fosile identike, gjenden në të dy anët e Oqeanit Atlantik.

Ideja e lëvizjes së kontinenteve intrigoi disa shkencëtarë. Por shumë të tjerë, sidomos gjeologët, e kundërshtuan atë. Sipas tyre, ideja e Vegener ishte shumë spekulative, e pabazuar sa duhej në parimet gjeologjike dominuese siç është uniformizmi, që thotë se të njëjtat forca gjeologjike lëvizëse të ngadalta që funksionojnë sot tek Toka, duhet të kenë ekzistuar edhe në të kaluarën.

Gjeologu gjerman Maks Semper, shkroi në vitin 1917 me përbuzje se ideja e Vegener “lindi pas një përdorimi sipërfaqësor të metodave shkencore, dhe duke injoruar fusha të ndryshme të gjeologjisë”. Debati midis ekspertëve u ndez edhe më shumë në vitet 1920, edhe në qarqet anglishtfolëse.

Në vitin 1926, në një takim në Nju Jork të Shoqatës Amerikane të Gjeologëve të Naftës, gjeologu Rolin Çamberlen e hodhi poshtë hipotezën e Vegener si një mishmash vëzhgimesh të palidhura logjikisht mes tyre. Por në vitin 1928, gjeologu anglez Artur Holms, e mbështeti teorine e Veneger dhe doli me një shpjegim të mundshëm të saj.

Ai propozoi se kontinentet notonin si gomone në majë të një shtrese shkëmbinjsh të trashë, pjesërisht të shkrirë në thellësi të mëdha të Tokës. Holms e pranoi se ai nuk kishte të dhëna konkrete për t`a mbështetur këtë ide, dhe komuniteti i gjeologëve mbeti kryesisht i bindur për lëvizjen kontinentale.

LEXO EDHE:  Darka në Dubai/ Flet Arbian Mazniku: Nusretin e takuam, i pagoi të gjitha investitori

LEXO EDHE:  A do kemi izolim të dytë?/ Brataj: Nuk përjashtohet as mbyllja e madhe

Në vitet 1950 pati një interes të ri mbi teorinë e zhvendosjes së pllakave kontinentale. Këtë herë pati prova, dhe ato erdhën nga fundi i oqeaneve. Lufta e Dytë Botërore kishte sjellë zhvillimin e shpejtë të nëndetëseve, dhe shkencëtarët shumë shpejt vunë në punë teknologjitë e reja për të studiuar shtratin e detit.

Duke përdorur solarin, që harton dyshemenë e detit përmes valëve zanore, studiuesit hartëzuan hapësirën e një zinxhiri malor nënujor të vazhdueshëm dhe të degëzuar me një çarje të gjatë që shkon drejt qendrës së tij. Ky sistem çarjesh kishte një gjatësi mbi 72.000 kilometra, duke prekur qendrat e oqeaneve të botës.

Të pajisur me magnetometra për matjen e fushave magnetike, studiuesit zbuluan se shkëmbinjtë e dyshemesë së detit kishin një model të veçantë në formën e “shiritave të zebrës”, secila e formuar në kohë të ndryshme. Mbështetja në rritje për zbulimin dhe ndalimin e provave bërthamore nëntokësore, krijoi një mundësi për sizmologët:shansi për të krijuar një rrjet global, të standardizuar të stacioneve sizmografike.

Në fund të viteve 1960, rreth 120 stacione të ndryshme u instaluan në 60 vende të ndryshme, nga malet e Adis Ababa të Etiopisë deri në sallën e Universitetit Xhorxhtaun në Uashington, dhe deri në Polin e Jugut.

Falë të dhënave të shumta sizmike me cilësi shumë të lartë, shkencëtarët zbuluan dhe gjurmuan zhurmë përgjatë sistemit të çarjeve në mes të oqeanit, që tani quhen kreshta. Megjithatë ka ende shumë gjëra që nuk i dimë, si për shembull kur dhe si filloi zhvendosja e sipërfaqes së Tokës, dhe kur mund të mbarojë ajo./CNA.al

https://www.sciencenews.org/article/earth-plate-tectonics-volcanoes-earthquakes-faults

LEXO TE PLOTE

Blog

Jo, kaosi politik në Amerikë nuk është një dhuratë për Kinën dhe Rusinë

Publikuar

-

Nga

Jo, kaosi politik në Amerikë nuk është një dhuratë për Kinën dhe Rusinë

Nga Maria Repnikova “The New York Times”

A është vërtet kaosi politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “një dhuratë e Zotit për kritikët e Amerikës”. Hua Çunjing, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, iu kundërpërgjigj disa zyrtarëve dhe politikanëve amerikanë që i përshkruan protestuesit në Hong Kong si “heronj të demokracisë, duke thënë se mbështetësit e Trump që sulmuan

javën e shkuar Kapitol ishin “banditë” dhe “ekstremistë”.

Zëvendës ambasadori rus në OKB, Dimitri Polianskij, denoncoi në Twitter faktin se protestuesit mësynë Kapitol në stilin e “Maidan”- duke iu referuar kryengritjes së vitit

2014 në Ukrainë, që pati shumë mbështetje nga Perëndimi.

Më 7 janar një editorial në “Global Times”, një tabloid kinez i kontrolluar nga Partia Komuniste shpalli “kolapsin e sistemit politik të SHBA-së”. Por a është vërtet kështu? Dhe a e rrit legjitimitetin e Kinës dhe regjimeve të tjera autoritare, thellimi i plasaritjeve

në sistemin politik amerikan?

Vetë-portretizimi i SHBA-së si një fanar ndriçues i demokracisë, është kontestuar prej kohësh, edhe para se Donald Trump të bëhej president, nisur nga denoncimet e torturave ndaj irakianëve të burgosur në Abu Ghraib, apo përgjimet e paligjshme të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë.

Epoka Trump, u ka ofruar më shumë “municione”kritikëve të Amerikës, përfshirë imazhet prekëse të fëmijëve të emigrantëve të mbyllur në kafaze, dhe vdekjen e Xhorxh Floid në duart e policisë, apo skenat apokaliptike të spitaleve amerikane të mbipopulluara me pacientët e prekur nga Covid-19.

Gjithsesi, unë nuk shoh deri tani asnjë arsye për të besuar se edhe kjo situatë e vështirë për prestigjin e SHBA-së, do të forcojë imazhin e udhëheqësve autokratë diku tjetër.

Statura globale e Kinës, është dëmtuar që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit, edhe pse vendi është paraqitur në tërësi më mirë se shumë shtete të tjera të mëdha në menaxhimin e krizës. Në një sondazh të kryer nga “Pew Research Center” në 14 vende të industrializuara vjeshtën e vitit të shkuar, treçereku i të anketuarve e shihte Kinën “në një dritë negative”,pra shumë më tepër se sa 1 vit më herët.

Por shumica e të anketuarve në një tjetër studim të Pew verën e shkuar, vazhdonin të kishin pikëpamje negative në lidhje me Rusinë. A funksionon propaganda në shtëpi? Mbulimi i mediave kineze dhe ruse mbi krizën politike aktuale në Uashington, është projektuar të nxisë ndjenjat nacionaliste në të dyja vendet, dhe për një farë mase ato do të kenë sukses në këtë aspekt.

LEXO EDHE:  Sot u regjistrua numri më i lartë i fataliteteve/ Manastirliu: Virusi nuk parandalohet në spitale

LEXO EDHE:  “Mosçelja e negociatave i krijon hapësira Rusisë e Kinës”/ Palmer: Duhet vigjilencë

Kaosi në Uashington u transmetua gjerësisht si nga mediat kryesore ashtu edhe mediat sociale në Kinë, dhe kryesisht me pak censurë, gjë që është e pazakontë. Lejimi apo edhe  lehtësimi i rrjedhjes së informacionit, duket të ketë qenë një hap i kontrolluar i propagandës.

Por kjo qasje mund të kthehet në një bumerangë për qeverinë kineze, sidomos nëse  historia mbi Amerikën, shndërrohet në një përrallë në lidhje me rezistencën e institucioneve demokratike ndaj një presidenti të rrezikshëm.

Disa nga mediat sociale në Kinë kanë analizuar në detaje ngjarjet e fundit, duke bërë disa analogji historike, kryesisht me Revolucionin Amerikan, apo Revolucionin e vitit 1830 në Francë. Por fakt është se rezultatet e zgjedhjeve në fund u certifikuan.

Trump edhe pse me vonesë e denoncoi dhunën e disa prej mbështetësve të tij. Pasi Hu Xijin, redaktor i“Global Times”, pohoi në një postim në Weibo më 7 janar se sistemi demokratik i Amerikës sapo ishte shkatërruar, një përdorues i kësaj platforme sociale më e përdorura në Kinë, argumentoi se “aftësia e sistemit amerikan për të ndrequr gabimet është e fortë, dhe se ajo do ta përballojë edhe këtë sfidë”.

Komente të tilla janë vetëm disa grimca të një debati më të gjerë dhe dinamik në rrjetet sociale. Por,ato sugjerojnë tashmë se perceptimet në Kinë dhe Rusi lidhur me trazirat politike në Amerikë, mund të diktohen më pak nga propaganda ruse apo kineze, dhe më shumë nga reagimi i vetë Amerikës ndaj krizës.

Ndaj, mësymja e 6 janarit në Capitol, dhe pasojat e saj politike, nuk janë një dhuratë për udhëheqësit autoritarë që janë të prirur të denoncojnë mangësitë e SHBA-së, përkundrazi, janë më shumë një mundësi që Amerika të rindërtojë veten dhe imazhin e saj në botë. Në fund të fundit, do të jetë mënyra se si Amerika do të përballet me këtë krizë në javët dhe muajt e ardhshëm, ajo që do të përcaktojë se si kjo histori, dhe Amerika në përgjithësi, do të perceptohet nga njerëzit në Kinë, Rusi dhe më gjerë./CNA.al

https://www.nytimes.com/2021/01/15/opinion/impeachment-china-russia.html

LEXO TE PLOTE

Blog

Gjurmët e para të jetës mbi Tokë

Publikuar

-

Nga

Jeta e hershme në Tokë mund të ketë evoluar në burimet e ngrohta të ujit në ishujt që popullonin një oqean të stërmadh. Jeta më e vjetër e konfirmuar në Tokë është 3.5 miliardë vjeçare, vetëm 1 miliard vjet pas formimit të planetit.

Gjurmët e jetës së mundshme, janë gjetur gjithashtu në shkëmbinjtë që datojnë 3.7 deri në 3.95 miliardë vjet. Këto mostra janë të diskutueshme. Por ato mund të lënë të kuptohet se jeta evoluoi shumë shpejt pasi u zhvillua atmosfera e planetit dhe oqeanet.

Edhe origjina e jetës në fjalë është gjithashtu e diskutueshme. Gjithsesi, jeta në Tokë kërkon molekulat themelore të bllokut ndërtues (aminoacidet dhe nukleotidet), që të reagojnë kimikisht, duke formuar molekula komplekse si proteinat, ARN dhe ADN .

Ky kalim nga blloqet e ndërtimit tek zinxhirët e gjatë molekularë quhet polimerizim, dhe që të ndodhë kërkon temperatura dhe kushte specifike. Sipas një studimi të botuar në 2008-ën në revistën “Nature Review Microbiology”, disa shkencëtarë besojnë se jeta e parë mikrobiale u shfaq në burimet hidrotermale nënujore, që bartin disa kushte kimike që mund të inkurajojnë polimerizimin.

Shkencëtarë të tjerë argumentojnë që këto lloj burimesh termale, emetojmë shumë nxehtësi për të pasur një polimerizim efektiv, dhe se një mjedis nënujor do t`a bënte të vështirë këtë proces. Në këtë kamp, ​​studiuesit argumentojnë se jeta u shfaq në skajet e pellgjeve të cekëta, falë energjisë gjeotermike.

Por që të funksionojë hipoteza e pellgut me ujë të ngrohtë, duhet që Toka e hershme të kishte një terren të fortë. Dhe këtu hyn në lojë studimi i ri, botuar më 4 janar në revistën ”Nature Geoscience”. Gjeoshkencëtarët Xhun Korenaga nga Universiteti i Jeilit dhe Huan Rosas, tani në Qendrën Ensenada për Kërkime Shkencore dhe Arsimin e Lartë në Meksikë, janë të interesuar të kuptojnë cila ka qenë topografia e Tokës gjatë epokës Arkeane, 4 miliardë deri në 2.5 miliardë vjet më parë.

Kimisti Xhefri Bada, një mbështetës i hipotezës së pellgut të ngrohtë në Institutin e Oqeanografisë në San Diego, iu afrua qasjes së Korenaga, dhe pyeti nëse ka pasur ndonjë mundësi për ekzistencën e Tokës së thatë gjatë Arkeanit.

Korenaga dhe Rosas përdorën një model kompjuterik për të rikrijuar kushtet e Tokës Arkeane. Korenage thotë se zbuloi forma të reja të dyshemesë së oqeanit në kreshtat mes oqeanit, ku shkëmbinjtë nga thellësia e shtresës së mesme të Tokës, manteli, ngrihen dhe shkrihen, duke krijuar një kore të re oqeanike.

LEXO EDHE:  “Mosçelja e negociatave i krijon hapësira Rusisë e Kinës”/ Palmer: Duhet vigjilencë

LEXO EDHE:  Rakacolli zbulon skenarët/ Çfarë ka parashikuar Komiteti Teknik nëse rriten shifrat

Ndërsa kjo kore rrëshqet nga origjina e saj në kreshtën mes oqeanit, ajo ftohet dhe tkurret, duke u bërë më e dendur dhe duke u reduktuar në lartësi. Megjithatë, Toka ka ndërkohë edhe burimin e saj të nxehtësisë së brendshme:ngrohjen radiogjenike, e nxitur nga prishja e elementeve radioaktive në pjesën e thellë të mantelit.

Kjo nxehtësi tenton të kalojë lart, duke e rritur lartësinë në sipërfaqe. Gjatë periudhës Arkeane, kjo ngrohje radiogjenike ishte më e fortë. Kjo do të thotë që edhe kur korja e re oqeanike u ftoh dhe u tkurr, ajo u ngrit lart.

Kjo mund të kishte çuar në krijimin e deteve nënujore – të cilat priren të jenë rrethore, ndryshe nga kreshtat midis oqeanit – që shtyhen lart mbi nivelin e detit, duke formuar ishuj.

“Nëse kthehemi pas në kohë, shohim që kemi të njëjtën sasi të efektit ftohës, por shumë më tepër efekt ngrohës nga manteli më i thellë”– tha Korenaga.

Gjetjet sugjerojnë se mund të ketë pasur tokë të thatë në planetin tonë shumë kohë përpara formimit të kontinenteve të mëdha.“Hipoteza e pellgjeve me ujë të ngrohtë ka një themel shumë të fortë gjeologjik”-shton Korenaga.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se hipoteza është e saktë, por se studimi i ri zbulon se pellgjet me ujë të ngrohtë nuk mund të përjashtohen vetëm duke u bazuar tek gjeologjia. “Gjeo-kimistët po punojnë për të zbuluar kufizimet e kimisë mbi këtë aspekt”- përfundoi Korenaga. / LiveScience – Bota.al

LEXO TE PLOTE