Connect with Us

Rikthimi i Navalnit në Rusi, një sfidë e madhe për regjimin e Putinit

Blog

Rikthimi i Navalnit në Rusi, një sfidë e madhe për regjimin e Putinit

Publikuar

-

Rikthimi i Navalnit në Rusi, një sfidë e madhe për regjimin e Putinit

Nga Andrei Kolesnikov “The Moscow Times”

Kur lideri rus i opozitës Aleksei Navalni të rikthehet në Rusi, ai do ta gjejë apartamentin dhe llogarinë e tij bankare nën sekuestron e qeverisë. Në fakt, udhëheqësit e Kremlinit nuk duan që ai të kthehet më në vendlindje.

Ata do të kishin preferuar t’i jepnit Navalnit zgjidhjen klasike në stilin e KGB-së, midis punës së detyruar dhe mërgimit të detyruar. Por ata nuk duan që rikthimi i Navalnit, të jetë më shumë një triumf sesa një humbje për të.

Përpjekja për t’i mbyllur gojën dështoi, dhe tentativat e presidentit Vladimir Putin për të “mbuluar gjurmët e tij” mbi këto atentate, vetëm sa kanë arritur të shkaktojnë një prishje gati fatale të marrëdhënieve të Rusisë me Perëndimin.

Taktika amorale e Kremlinit për të “bërë memecin” – e përdorur pas vrasjes përmes helmimit të ish-agjentit të KGB-së Alesakndër Litvinenko, rrëzimit të Fluturimit 17 të “Malaysia Airlines”, dhe helmimit të ish-spiunit Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Angli – vetëm sa nënvizon fakti se sa toksike është bërë Rusia nën sundimin e Putinit.

Si ndikohen marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Moskës nga helmimi i Navalnit?

Tan Navalni ka një mbrojtje të fortë politike nga jashtë, edhe nëse ai nuk e fiton Çmimin Nobel për Paqe. Dhe kjo pasi reputacioni i tij ka fituar përmasa globale dhe jo thjesht kombëtare. Kremlini e ka portretizuar gjithnjë Navalnin si një figurë të parëndësishme, si një vegël të padëmshme por të bezdisshme, që i pengon njerëzit e denjë të kryejnë detyrat e tyre shtetërore – pra si “një ngatërrestar i thjeshtë”.

Gjithsesi, ky “ngatërrestar” dhe “bloger”, për pak sa nuk arriti të impononte një raund të dytë zgjedhor në zgjedhjet lokale për kryetarin e bashkisë së Moskës në shtatorin e vitit 2013. Kjo gjë ishte rezultat i një gabimi taktik nga ana e autoriteteve.

Këshilltarët e bindën gabimisht Putinin, se Navalni do të merrte vetëm një përqindje të vogël votash, dhe se lejimi i kandidimit të tij, vetëm sa do ta ekspozonte atë publikisht si një peshë politike të lehtë. Por duke njohur menjëherë kërcënimin që paraqiste Navalni, autoritetet ia hoqën të gjitha të drejtat ligjore për të marrë pjesë në politikë dhe zgjedhje.

Veprimet e tyre, dëshmuan sesa i frikësoheshin Navalnit dhe rëndësisë së tij reale. Ironikisht, ishin ngacmimet, provokimet dhe refuzimi i autoriteteve për ta thirrur në emër kundërshtarin e tyre, ato që pikturuan në fakt tablonë më të qartë të mundshme të vlerës së vërtetë të Navalnit.

Dhe refuzimi i tij kokëfortë për t’u tërhequr, bëri që ata që ishin në pushtet të merrnin një “vendim përfundimtar” në lidhje me të. Ata vendosën të përdorin një teknikë që është bërë thuajse rutinë në Rusinë e sotme, dhe e cila zyrtarisht mezi ia del të fshehë krimet e saj:helmimin.

Dhe sërish autoritetet i bënë llogaritë gabim, duke nënvlerësuar pasojat që do të kishte  përpjekja për ta eleminuar këtë “bloger”.  Ata ndoshta vunë bast se vala e indinjatës do të shuhej shpejt, dhe se opozita do të ishte shumë e ngadaltë për ta marrë veten nga humbja e udhëheqësit të saj.

Kur u bë e qartë se Navalni mund t’i mbijetonte atentatit të kyer ndaj tij, Putin ra dakord me mirësjellje që të lejonte evakuimin e tij mjekësor në Gjermani. Putini dëshmoi në këtë mënyrë se ai e konsideron incidentin si tepër të parëndësishëm, për të prishur marrëdhëniet midis politikanëve pragmatikë, për të cilët projekti i gazjellësit “Nord Stream”, ishte më i rëndësishëm sesa të gjithë Navalnët e botës të marrë së bashku.

LEXO EDHE:  Policia “blindon” Kuvendin/ Garda porosi gazetarëve

Gjithsesi, Kremlini e nënvlerësoi edhe njëherë rëndësinë e politikanit opozitar, edhe pse nga ana tjetër e mbivlerësoi cinizmin e politikanëve perëndimorë. Raporti personal i Putinit me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Emanuel Markonin, nuk i shpëtoi marrëdhëniet e Rusisë me Gjermaninë ose me sa duket edhe me Francën, dhe si rezultat dhe me Evropën.

kancelarja Merkel vizitoi kritikun e Kremlinit, Navalni në spital

Vlerat njerëzore, i tejkaluan interesat materiale. Për vite me radhë, politika e brendshme ruse ka qenë e përkufizuar në kundërvënien “Putin kundër Navalnit”. Përpjekja absurde për ta bërë Putinin një kandidat për Çmim Nobel për Paqen, vetëm pse ka shtypur opozitën në vend, ishte prova e gjithë kësaj.

Navalni është politikani më i njohur i opozitës ruse, dhe ai është një politikan në kuptimin e vërtetë të fjalës, Pra dikush që lufton për ndryshimin e pushtetit. Të them të drejtën, “marka Navalni” kishte pësuar një seri goditjesh kohët e fundit.

Ai ishte grindur me gazetarët për gjëra të vogla, ishte fiksuar pas mekanikës së “votimit të zgjuar”, dhe dukej se po humbiste para në luftën e tij kundër Jevgeni Prigozhin, të ashtuquajturit “kuzhinieri i Kremlinit”.

Ai nuk luajti asnjë rol në protestat civile që kanë shpërthyer aktualisht në pjesë të ndryshme të vendit, edhe pse mbështetësit e teorive të ndryshme të konspiracionit, pohuan vazhdimisht pohuan se pas tyre qëndronte pikërisht ai. Por ishte helmimi i tij, ai që zbuloi saktësisht se cilin Kremlini – ose vrasësit e tij të punësuar – e konsideronin figurën kryesore që  kundërshton autoritarizmin rus.

Navalni do të dalë nga ky incident dramatik si një figurë edhe më e fortë, vetëm për të nënvizuar për audiencat e brendshme dhe sidomos ato jashtë Rusisë, se politika ruse është një konstruksion binar, i përbërë nga kundërvënia ”Navalni vs Putin”.

Evropa e dobët, nuk ka këllqe t’ia mbledhë Putinit për helmimin e Navalnit

Kremlini dhe rrethi i tij i ngushtë, po dalin nga ky episod me një toksicitet të dyfishtë, si politik ashtu edhe kimik. Kjo qeveri toksike autoritare, po i helmon kundërshtarët e saj. Mbetet e paqartë se si duhet komunikuar me një udhëheqje që i mbulon vrasjet që ka kryer, dhe që ka degjeneruar në mashtrimin e përhershëm të “ish-partnerëve perëndimorë”.

Situata është sot më e keqe sesa ishte gjatë Luftës së Ftohtë. Të paktën atëherë, kishte disa rregulla të caktuara. Tani, nuk ekziston asnjë prej tyre. Rusia e Putinit, që ka flirtuar vazhdimisht duke u distancuar nga ajo që pretendonte se ishte një Perëndim inferior apo i padrejtë, tani e sheh veten në një gjendje shumë reale të izolimit të vetë-shkaktuar, dhe “radioaktiviteti” i saj politik, po i tremb të gjithë të tjerët që të qëndrojnë larg.

Kremlinologjia, po shndërrohet gradualisht në toksikologji. Problemi është se sundimtarët rusë janë bërë kaq të izoluar nga bota, saqë nuk janë të detyruar të respektojnë rregullat e zakonshme të mirësjelljes, dhe as të shqetësohen më nëse njerëzit e mirë i respektojnë ato. Kjo mund të jetë e rrezikshme për Navalnin, edhe duke pasur me vete opinionin publik botëror. Por Navalni do të rikthehet në Rusi, dhe autoritetet e Kremlinit thjesht do të duhet të bashkëjetojnë me të./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Çfarë duhet bërë me fëmijët e Shtetit Islamik?

Publikuar

-

Nga

Nga Vera Mironova “Foreign Policy”

Në tetor, një djalë 16-vjeçar në Rusi u qëllua për vdekje, pasi plagosi një polic ndërsa po përpiqej t’i vinte zjarrin disa makinave të policisë. Por ajo nuk ishte hera e parë në familjen e tij që dikush shkelte ligjin. Në vitin 2001, njerku i tij ishte dënuar me 14 vjet burg për terrorizëm, pasi tentoi të shpërthente një tubacion gazi, me gjasë si pjesë e një organizate islamike. Ai incident i shtoi një urgjencë të re pyetjes se çfarë duhej bërë me dhjetëra mijëra fëmijë të anëtarëve të Shtetit Islamik, që ndodhen ende në kampet dhe burgjet e Irakut dhe Sirisë.

Gati të gjithë ata që janë përfshirë në çështjen e riatdhesimit, po i përdorin fëmijët – tashmë viktima të dhunës dhe kaosit – për të çuar përpara axhendat e tyre. Në tetor, disa qeveri perëndimore, përfshirë Suedinë dhe Gjermaninë, dërguan delegacionet e tyre në kampet në Siri, për të biseduar me shtetasit e tyre të burgosur, nëse dëshironin që të riatdhesonin fëmijët e tyre. Asnjë nga gratë me të cilat folën nuk ra dakord. Në llogaritë e tyre në rrjetet sociale dhe në platformën Telegram, shumë prej tyre thanë se e morën këtë vendim për mirëqenien e fëmijëve të tyre:fëmijët duhej të ishin pranë nënave të tyre.

Por privatisht, e theksuan shqetësimin e tyre se lejimi i fëmijëve për t’u riatdhesuar, do të thoshte që qeveria e vendit të tyre do t’i harronte vetë nënat në kampe. Dhe nuk e kanë gabim. Në intervista të ndryshme, disa zyrtarë të qeverive perëndimore, vunë në dukje se qëllimi i tyre kryesor është riatdhesimi i fëmijëve, dhe se janë shumë më pak të shqetësuar mbi atë që do të ndodhë më pas me gratë. Politika zyrtare e Forcave Demokratike Siriane, që mbikëqyr shumicën e kampeve të paraburgimit për anëtarët e Shtetit Islamik, është se vetëm jetimët dhe rastet mjekësore (fëmijët e sëmurë me nënat e tyre), kanë të drejtë që të rikthehen në shtëpitë e tyre. Nënat e pranojnë se u përpoqën t’i nxirrnin fëmijët e tyre prej andej, dhe disa ia kanë dalë. Por në një intervistë, një grua tha se kurdët i kishin paralajmëruar se nëse do të tentonin prapë me këto sjellje, fëmijët e tyre do t’u merreshin dhe dërgoheshin në jetimore të ndryshme në Siri.

Për kurdët e Forcave Demokratike Siriane, pasja më shumë kontroll mbi shumë të huaj, dhe sidomos fëmijëve në kampe, do t’u jepte atyre një pozicion më të fortë në negociatat me qeveritë e vendeve nga vijnë gratë dhe fëmijët. Edhe jetimët e vërtetë nuk riatdhesohen kollaj. Gratë i kanë përdorur jetimët për të shantazhuar gjyshërit në shtëpi, duke u thënë se nëse ata do të paguanin një shpërblim montar, nipi i tyre mund të riatdhesohej. Një rast që e përmendën disa gra në kamp, përfshinte një anëtare 56-vjeçare çeçene të Shtetit Islamik, i njohur si Kadidja, e burgosur në kampin Al-Hol. Për disa muaj, ajo fshehu katër jetimë rusë, që të mos ktheheshin në shtëpi. Publikisht, ajo tha se nuk donte që fëmijët të rriteshin në një vend jo mysliman, teksa gjyshërit ajo i konsideron si të pafe. Por njëkohësisht, ajo raportohet t’u ketë thënë të afërmve të secilit prej jetimëve, se do t’i kthente fëmijët nëse ata paguanin që ajo të kalonte në Turqi.

Ajo i la fëmijët të iknin pasi luftëtarët e Shtetit Islamik i kërkuan asaj që ta bënte këtë, dhe mbështetësit e grupit jashtë vendit e kërcënuan se do të ndalonin dërgimin e parave që ata i kishin dhënë më herët. Sipas anëtarëve të tjerë të familjes dhe zyrtarëve të kampit, ai rast nuk ishte unik. Edhe në raste të rralla kur një fëmijë riatdhesohet bashkë me të ëmën, fëmija mund të përdoret sërish. Në një rast në Azinë Qendrore, një nënë e riatdhesuar me fëmijën e saj, pretendoi në mënyrë të rreme, se babai i fëmijës ishte një burrë nga një familje e pasur që kishte vdekur në Siri.

LEXO EDHE:  Policia “blindon” Kuvendin/ Garda porosi gazetarëve

LEXO EDHE:  Zgjedhjet fallco të opozitës/ Nga baza në 21 Qershor

Shërbimi i inteligjencës e dinte që ajo po gënjente. Burri i saj po luftonte në një zonë tjetër 9 muaj para se të lindte fëmija. Për gati 1 vit, tha një zyrtar në një intervistë, ata kanë debatuar nëse duhet t’i thoshin të vërtetën gjyshit të pretenduar të fëmijës.
Se çfarë duhet bërë me fëmijët e luftëtarëve të Shtetit Islamik, mbetet një çështje thelbësore jo vetëm nga një perspektivë humanitare, por edhe nga pikëpamja e sigurisë. Në vendet me një histori të gjatë rebelimesh, rastet e fëmijëve që u bashkohen baballarëve të tyre në luftime nuk janë të rralla.

Dhe ndërsa shumica e vendeve, mezi po përpiqen t’i frenojnë nga radikalizmi fëmijët me prindërit e tyre të radikalizuar, disa vende bëjnë të kundërtën, duke shpresuar që të shmangin trashëgiminë e fëmijëve të besimeve radikale. Për shembull në Taxhikistan, vend që kohët e fundit përjetoi një luftë të përgjakshme civile, fëmijët e lidhur me Shtetin Islamik të kthyer nga Iraku dhe Siria, u vendosen në jetimore.
Njëherazi, ata janë tashmë të rrezikuar të bëhen fytyra e re e Shtetit Islamik apo çfarëdolloj grupi tjetër, dhe sa më shumë që bota i braktis ata, aq më shumë kanë gjasa që ata të ndiejnë se nuk kanë mundësi tjetër. Kjo është arsyeja pse riatdhesimi, me një fokus të kujdesshëm drejt de-radikalizimit dhe ri-integrimit, është thelbësor./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://foreignpolicy.com/2020/11/25/islamic-state-isis-repatriation-child-victims/

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse “normaliteti” ku premton të na rikthejë Bajden do të jetë i tmerrshëm

Publikuar

-

Nga

Pse “normaliteti” ku premton të na rikthejë Bajden do të jetë i tmerrshëm

Nga Ben Shapiro “Fox News”

Pasi kaloi 2 vjet duke shmangur pyetjet serioze në lidhje me preferencat e tij mbi politikat, ekipin e tij dhe presidencën e tij të ardhshme, ne tanimë e dimë se çfarë synon të bëjë Xho Bajden nëse Kolegji Zgjedhor, siç edhe pritet, do ta votojë atë si presidenti në dhjetor:Ai do ta ri-lejojë “kënetën” e Uashingtonit që të vazhdojë biznesin si zakonisht.

Media liberale shpenzoi 4 vjet, duke na sugjeruar që presidenti Donald Trump ishte i zhytur në korrupsion, i pa pranuar në Partinë Republikane, i angazhuar në aventura të rrezikshme në politikës së jashtme. Po këto media na garantuan se do ta mbrojnë demokracinë nga brutaliteti i Trump, se do të jenë në çdo moment vigjilentë, duke luftuar për të parandaluar pranimin si “normalitetin e ri” të standardeve trumpiane. Në vend të kësaj, media liberale sugjeroi që ne duhet të ktheheshim në “normalitetin” e vjetër – me të cilin ata nënkuptonin një sistem, në të cilin media dhe demokratët punon dorë për dore për ta gënjyer publikun amerikan mbi përmbajtjen e politikës; dhe ku mençuria konvencionale u trajtua si e vërteta e Ungjillit, pavarësisht se sa e gabuar ishte. Ata kërkuan kthimin në një normalitet, ku marrëdhëniet komode midis korporatave dhe qeverisë cilësoheshin një normë. Ata nënkuptonin një sistem në të cilin të gjitha çështjet e vështira politike shtyheshin për një ditë tjetër; dhe në të cilin skandalet pastroheshin pa u menduar dy herë.

Ai ishte një sistem, në të cilin kufijtë kushtetues tejkaloheshin rregullisht, në emër të përparësive të politikës së majtë; dhe në të cilin retorika e ligë e demokratëve, justifikohej si një nënprodukt natyral i së keqes së lindur tek e djathta; një sistem në të cilën burimet alternative të lajmeve, trajtoheshin si media konspirative. Ky është “normaliteti”, që kërkonin mediat dhe demokratët. Dhe është normale që ata me sa duket atë do të ndjekin. Bajden po e mbush administratën e tij me të gjithë anëtarët e “bandës së demokratëve” të establishmentit. Toni Blinken, më i famshmi nga ata që përqafoi marrëveshjes mbi programin bërthamor
të Iranit, dhe që inkurajoi dërgimin e më shumë trupave amerikane në Siri, do të drejtojë tashmë Departamentin e Shtetit, si Sekretar i Shtetit.

Xhenet Jellen, që së fundmi ishte kryetare e Rezervës Federale nën presidencën Obama, do të drejtojë Departamentin e Thesarit. Xhejk Sallivan, këshilltari i sigurisë kombëtar i Bajden kur ky ishte zëvendëspresident, më i famshëm për sugjerimin se marrëveshja me Iranin ishte fryt i negociatave të shkëlqyera (nuk ishte), do të bëhet këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.
Ndërkohë, media tradicionale do të vazhdojë të mbulojë me servilizëm presidencën e Bajdenit. Këtë javë, “The Ëashington Post”, pati një shkrim të gjatë kushtuar “mrekullive të epokës së re Bajden”, me titull “Establishmenti i Uashingtonit, shpreson që një presidencë Bajden ta bëjë bëjë sërish madhështor shkollimin”.

LEXO EDHE:  Doktor, ky pacient nuk ka shërim

LEXO EDHE:  Zgjedhjet fallco të opozitës/ Nga baza në 21 Qershor

Në shkrim, vlerësohej normaliteti i vjetër për “respektin që ka për përvojën dhe ekspertizën”, për “civilizimin dhe bashkëpunimin dypartiak”, dhe si një mundësi për t’i “bërë njerëzit bashkë”. Në fakt normaliteti i vjetër nuk ishte i mirë. Kjo është arsyeja pse u zgjodh presidenti Donald Trumpi. Kjo ishte arsyeja pse demokratët gati e humbën Kongresin edhe në këto zgjedhje, dhe pse ata duket se nuk do ta marrin dot kontrollin e Senatin. Sot, media liberale feston rikthimin e normalitetit të vjetër. Kjo festë ka të ngjarë të rezultojë sërish në një reagim të ashpër, që ata nuk mund ta kontrollojnë. Dhe ata do të habiten si kurrë më parë, se pse të gjithë të tjerët nuk ishin dhe aq të lumtur sa ata për rikthimin e “kënetës demokratike të establishmentit”./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://www.foxnews.com/opinion/biden-return-to-normalcy-ben-shapiro

LEXO TE PLOTE

Blog

Sfida e paparë e shpërndarjes së vaksinave kundër koronavirusit

Publikuar

-

Nga

“Der Spiegel”

Zhoao Doria kishte kohë që e priste atë dërgesë, dhe ajo më në fund mbërriti të enjten e kaluar. Në orën 7 e gjysmë të mëngjesit, një avion turk u ul në aeroportin ndërkombëtar të Sao Paulos në Brazilin Juglindor,i ngarkuar me kontejnerë frigoriferike. Ato përmbajnë 120.000 mostra të Coronavac, një vaksinë kandidate e zhvilluar nga një kompani kineze. Ngarkesa e çmuar, u transportua direkt nga aeroporti në një vend të fshehtë.

Doria është guvernatori i shtetit të Sao Paulos. Gjatë muajve të fundit, ai ka bërë gjithçka që ka pasur në dorë për të pasur një qasje të shpejtë në vaksinën kineze të prodhuar nga kompania “Sinovac”. 120.000 dozat janë grupi i parë që do të jetë në dispozicion për brazilianët sapo të jepet miratimi, ndoshta brenda disa javësh. “Sinovac”e ka testuar vaksinën për disa muaj në Sao Paulo. Dhe nëse fushata e planifikuar e vaksinimit rezulton e suksesshme, politikani konservator do të jetë në gjendje ta përdorë atë për të ndërtuar reputacionin e tij në fushatën e zgjedhjeve presidenciale që pritet të mbahen pas 2 vitesh.

Kjo mund të ndihmojë në shpjegimin se përse presidenti brazilian Zhair Bolsonaro po nxit ndjenjat publike kundër “vaksinës së Kinës”, siç e quan ai me përçmim. Ai ka kërkuar të njihet me planin e vaksinimit të Dorias, pasi e cilëson atë një rival të rrezikshëm. Bolsonaro, ka bërë çmos që të vonojë ardhjen e vaksinës nga Kina, teksa preferon atë të zhvilluar nga kompania suedezo-britanike Astra Zeneca dhe Universiteti i Oksfordit, edhe pse nuk ka gjasa që ajo të jetë në dispozicion për përdorim në shkallë të gjerë para marsit të vitit 2021.

Konflikti politik në Brazil, po nxjerr në pah politikën e projektit monumental me të cilin përballet bota:prodhimi, shpërndarja dhe administrimi sa më i shpejtë i mundshëm i vaksinave kundër Covid-19 tek miliarda njerëz në mbarë globin – nga qytetet e mëdha me spitale të shkëlqyera në botën e industrializuar deri tek fshatrat më të thellë apo getot e varfra. Do të jetë një sfidë logjistike, një projekt i një dimensioni që botës nuk i është dashur kurrë më parë. Vendet që do ta marrin vaksinën të parat, do të jenë gjithashtu të parët që do t’i japin fund bllokimeve të tyre, do të rihapin shkollat dhe restorantet, dhe të rimëkëmbin ekonomitë e tyre.

Dhe ata që do të kenë qasje tek vaksinat më të mira, do të fitojnë pushtet. “Pandemia ofron një mundësi për disa vende që të pozicionohen si prodhuese të të mirave publike, dhe kësisoj të fitojnë më shumë ndikim sesa mundën të merrnin në shekullin XX-të me anë të ideologjisë”- tha Dimitri Trenin, kreu i qendrës “Carnegie Moscow Centre”. Ndërkohë, vendet e tjera do ta kenë të vështirë të marrin këto vaksina. “Nëse COVID-19 ka treguar një gjë, ajo është se bota është egoiste dhe e fokusuar tek vetvetja”- tha në korrik Karlin Klejer, koordinatore e urgjencës në organizatën humanitare “Mjekët pa Kufij”.

Por të paktën për momentin ka disa arsye për të pasur shpresë. Duket sikur bota nuk do të ketë në dispozicion vetëm një vaksinë të vetme kundër koronavirusit, por një gamë të tërë të tyre. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 48 vaksina kandidate janë duke kaluar nëpër testet klinike. Dhe 11 prej tyre janë në fazën vendimtare. Prodhuesit e këtyre vaksinave vijnë nga Kina, Shtetet e Bashkuara, Rusia, India dhe disa vende evropiane.

Në fillim të nëntorit, kompania farmaceutike kineze “Sinopharm” njoftoi se qindra mijëra kinezë ishin vaksinuar përmes një dekreti të emergjencës, duke përfshirë 56.000 kinezë që udhëtonin jashtë vendit, nga të cilët askush nuk ka dyshuar se është sëmurë me Covid-19.

LEXO EDHE:  Meta dhe Basha gënjejnë për Parlamentin/ Si po e keqpërdorin Kushtetutën

LEXO EDHE:  Policia “blindon” Kuvendin/ Garda porosi gazetarëve

Edhe konsorciumi gjermano-amerikan BioNTech dhe Pfizer, njoftoi së fundmi se vaksina e saj kandidate është 95 për qind efektive, ndërsa kompania amerikane “Moderna” ka thënë se vaksina e saj është 94.5 për qind efektiv. Rusia ka raportuar 92 për qind efikasitet për vaksinën e saj Sputnik V. Gjithsesi shpërndarja globale e vaksinës do të jetë shumë komplekse, edhe në rajonet e zhvilluara. Problemi i parë i madh është ftohja. Vaksina e BioNTech-Pfizer, që bazohet në teknologjinë mARN, duhet të ruhet në rreth – 70 gradë Celsius, gjë që as shumë spitale moderne nuk kanë mundësi ta bëjnë.

Për ta zgjidhur këtë problem, Pfizer ka nisur të prodhojë një kuti transporti ultra të ftohtë në madhësinë e një valixhe të vogël që mund të mbajë disa mijëra doza. Vaksinat e tjera kandidate, kanë më pak sfida në lidhje me temperaturën. Zhang Hongtao i Universitetit të Pensilvanisë thotë se vaksinat kineze mund të ruhet në temperaturën 2-8 gradë Celsius. Ndërkohë, që të parandalojnë vjedhjen e vaksinave të lakmuara, kompanitë farmaceutike po konsiderojnë pajisjen e dërgesave me gjurmues GPS apo dërgimin e kamionëve bosh për të mashtruar hajdutët e mundshëm, dhe për ta bërë më të vështirë planifikimin e sulmeve. Ndërkohë, ështëe paqartë se si do të organizohen 15.000 fluturimet që kompania gjermane e logjistikës DHL, vlerëson se do të nevojiten për shpërndarjen globale të vaksinave. Përtej kësaj, ekziston një kërkesë e lartë për qendra vaksinimi dhe personel të kualifikuar mjekësor për të bërë injeksionet.

Ekspertët druhen se duke pasur parasysh kapacitetet e kufizuara të prodhimit, shumë vende në zhvillim mund t’u duhet të presin në skenarin më të keq deri në vitin 2024 për tu vaksinuar. Që tani ka shenja që bota po ndahet në blloqe të vaksinimit. Sipërmarrësi indian i farmaceutikës Adar Ponaualla, beson se nga vaksinat e reja mARN do të përfitojnë kryesisht vendet e pasura, të industrializuara, jo vetëm për shkak të ruajtjes në të ftohtë, por edhe për shkak të çmimit të saj, që thuhet të jetë rreth 20-25 dollarë për dozë.

Familja e Ponaualla zotëron Institutin Serum në Indi, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë. Ai thotë se ai do të jetë në gjendje të prodhojë 1 miliard doza të vaksinës së Astra Zeneca deri në fund të vitit të ardhshëm, me një çmim prej rreth 3 dollarë për dozë.
Gjysma e këtij prodhimi do të mbetet në Indi, ndërsa gjysma tjetër do të shpërndarë në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine./Përshtatur nga CNA.al

Marrë me shkurtime:  https://www.spiegel.de/international/world/geopolitics-of-covid-the-unprecedented-challenge-of-coronavirus-vaccine-distribution-a-12800062-e26a-4079-bf21-161080ae0f3a

LEXO TE PLOTE