Connect with Us

Si po përhapin kudo mjerim investimet korruptive të Kinës

Blog

Si po përhapin kudo mjerim investimet korruptive të Kinës

Publikuar

-

Si po përhapin kudo mjerim investimet korruptive të Kinës

Nga Jianli Jang & Peter Biar Ajak “The American Interest”

Gjatë javëve të fundit, disa rajone në Kinën Jugore, Lindore dhe Qendrore, janë goditur nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytje të mëdha. Rajonet e prekura përfshijnë provincën e Hubei, ku ndodhet Vuhani, epiqendra e pandemisë së Covid-19.

Deri më tani, kanë vdekur më shumë se 140 njerëz dhe mbi 200.000 të tjerë janë zhvendosur nga qytetet dhe fshatrat ku përmbytjet kanë dëmtuar shtëpitë dhe infrastrukturën. Në përgjithësi, nga këto përmbytje janë prekur rreth 37 milionë njerëz.

Dëmi ekonomik i shkaktuar vlerësohet të jetë rreth 3 miliardë dollarë, dhe mund të rriten më tej nëse situata vazhdon të përkeqësohet. Këto qytete janë të vendosura në rrjedhën e poshtme të digave që ka ndërtuar Kina vitet e fundit. Disa nga këto diga kanë hapur portat, teksa shirat kanë mbushur plot basenet.

Për pasojë, shumica e qyteteve dhe fshatrave në zonë kanë përjetuar përmbytje dhe dëme të mëdha. Këto përmbytje, sasitë e rritura të ujit që shkarkohen aktualisht nga digat në Kinë, dhe imazhet satelitore rritin shqetësimin në lidhje me stabilitetin strukturor të digave në vend, veçanërisht Digës së Tre Grykave (TGD).

Sezoni vjetor i përmbytjeve në këtë pjesë të Kinës fillon zakonisht rreth muajit korrikut, por autoritetet kishin nisur hapjen e portave të digave që në qershor. Ata kishin pohuar se hapja e portave synonte prodhimin e energjisë elektrike. Por disa ditë më vonë, Pekini e pranoi se hapja e tyre ishte pjesë e shkarkimit emergjent të ujërave të ardhura nga përmbytjet.

Autoritetet, kanë nisur ndërkohë të fajësojnë “forcat e huaja”, që sipas tyre po përpiqen të “njollosin” digën e madhe si dhe imazhin e qeverisë kineze. Siç u përmend më lart, lëshimi i këtyre ujërave nga digat, ka shtuar përmbytjet në rajonet aty pranë.

Kjo – dhe jo propaganda e huaj – ka qenë shkaku i ngritjes së pikëpyetjeve nga banorët vendas në lidhje me integritetin strukturor të digës TGD, dhe nëse hapja e portave ka të bëjë me dobësitë strukturore të digës. Edhe pse nevojitet më shumë informacion, dyshimet e vendasve nuk janë plotësisht të pabaza.

Që nga fillimi, diga TGD, e vendosur në Provincën e Hubeit, ishte një projekt i diskutueshëm për shkak të shtrirjes së saj të madh dhe ndikimit po aq të fortë në mjedis. Bazuar në kapacitetin e plotë, TGD, që u bë plotësisht funksional në vitin 2012, është aktualisht hidrocentrali më i madh në botë.

Por integriteti strukturor i kësaj dige, ka ngritur gjithnjë pikëpyetje. Për shembull, pak kohë pasi rezervuari u mbush për herë të parë, në digë u shfaqën gati 80 të çara. Edhe në qershor të vitit 2020, studiuesit dhe shkencëtarët ngritën alarmin mbi dobësinë strukturore të digës, por Pekini i hodhi poshtë këto pretendime.

Dhe dyshimet në lidhje me integritetin strukturor të digës, ngrenë pikëpyetje në lidhje me cilësinë dhe qëndrueshmërinë e projekteve infrastrukturore kineze jashtë vendit. Pekini ka iniciuar ose mbështetur disa projekte të ndërtimi të digave, rrugëve dhe gazsjellësve në shumë vende të huaja në Azi dhe Afrikë nën Nismën e Brezit dhe Rrugës (BRI).

LEXO EDHE:  Çfarë do të ndodhte me botën e sotme, nëse nuk do të funksiononte sistemi GPS?

Nëse diga e madhe e Kinës është strukturalisht e pasigurt, sa të sigurta mund të jenë projektet kineze të zbatuara nga kompanitë kineze në vendet e huaja? Për më tepër, ç’mund të ndodhte nëse një situatë si ajo në Kinë ndodh në zonat përreth digave në këto vende të huaja?

Aktualisht në Sudanin e Jugut, komunitetet po dëmtohen shumë nga derdhjet e naftës dhe ndotja nga një gazsjellës i ndërtuar nga Kinë në Nilin e Epërm. Gazsjellësi, që u ndërtua me një shpejtësi marramendëse në fund të viteve 1990 gjatë kulmit të luftës civile, është në pronësinë e kompanive kineze, dhe që atëherë ka shfaqur probleme të mëdha.

Derdhjet nga tubat e gazsjellësit dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve të rrezikshme, kanë shkaktuar jo pak sëmundje tek komunitetet që jetojnë pranë fushave të naftës. Sipas një raporti, deformimet e lindjeve në Qarkun Ruveng të Sudanit Jugor janë rritur nga 19 për qind në 2015 në 54 për qind në 2017-ën.

Ndërkohë lindjet e parakohshme në të njëjtin qark janë 40-fishuar, nga 41 në vitin 2015 në 118 në vitin 2017. Për më tepër, sipas analizave laboratorike të mostrave të ujit, niveli i merkurit dhe manganit është përkatësisht shtatë dhe dhjetë herë, nga ajo që e cilëson të lejueshme Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SHBA.

Vetë ministria e Shëndetësisë  e Sudanit të Jugut, ka kryer të paktën 2 studime (përveç raporteve të shumta të pavarura), që i kanë lidhur direkt sëmundjet me ndotjen e shkaktuar  nga nafta. Por në vend se ta adresojë këtë emergjencë shëndetësore, qeveria sudaneze ka vendosur t’i fshehë këto raporte dhe të bëjë një sy qorr ndaj vuajtjeve të njerëzve të saj.

Ndërsa këta dy shembuj demonstrojnë paqëndrueshmërinë strukturore të projekteve infrastrukturore kineze, ato gjithashtu theksojnë se si funksionon korrupsioni zyrtar në Sudanin e Jugut. Qeveria nuk guxon të kritikojë klientët e saj në Pekin, edhe nëse është në rrezik jeta e qytetarëve të saj.

Siç e tregojnë ngjarjet në provincën Hubei, dobësitë strukturore të projekteve kineze si brenda ashtu edhe jashtë vendit, e kanë origjinën tek korrupsioni zyrtar. Ky korrupsion stimulohet nga natyra autoritare e regjimit komunist kinez, të cilin e ka eksportuar me sukses në shumë vende të Azisë dhe Afrikës.

Pa transparencë dhe përgjegjësi, zyrtarët në Kinë janë bërë shumë të pasur edhe kur projekte të tilla rrezikojnë drejtpërsëdrejti sigurinë e njerëzve të tyre. Ata janë duke i inkurajuar miqtë e tyre jashtë vendit që t’i imitojnë ata./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Si përhapet virusi në ambientet e mbyllura/ Hapat që duhet të ndiqni për ta parandaluar

Publikuar

-

Nga

Si përhapet virusi në ambiente të mbyllura/ Hapat që duhet të ndiqni për ta parandaluar

Dy studime mbi mënyrën se si përhapen në ajër spërklat, zbulojnë informacione të reja mbi mënyrën e transmetimit të Covdi-19 në hapësira të mbyllura, një nga problemet kryesore në fazën aktuale të bashkëjetesës me koronavirusin SARS-CoV-2.

I pari hedh dritë mbi morinë e spërklave të lëshuara në ajër kur kollitemi dhe mbi efektivitetin e maskave në frenimin e tyre. I dyti analizon efektet e ventilimit të ambienteve të mbyllura, dhe shpjegon se përse këshillohet të ajrosni ambientet ku rrimë më shumë.

Vendosni maskën

Hulumtimi i parë, i botuar në “Physics of Fluids” nga dy shkencëtarë nga Instituti Indian i Teknologjisë në Bombei, propozon një model se si vëllimi i grimcave virale të nxjerra nga kollitja, ndryshon me kalimin e kohës. Studiuesit zbuluan se në5-8 sekondat e para pas kollitjes mbeten në ajër spërklat e emetuara, prandaj këto janë arsye thelbësore për përhapjen e çdo lloj infeksioni.

Pas atij momenti, “reja” e spërklave nis të shpërndahet. Gjithsesi, të dhënat më interesante kanë të bëjnë me maskat. Mbajtja e një maske kirurgjikale, e zvogëlon me 7 herë vëllimin e “reve” me grimca infektive të emetuara nga kollitja. Ndërsa maska N95, që është më filtruese, e zvogëlon me 23 herë atë vëllim.

“Çdo gjë që zvogëlon distancën e mbuluar nga kjo “re” spërklat, si mbajtja e një maske, shamie, apo kollitja me bërrylin përpara gojës, duket se ngushton shumë zonën ku shpërndahen spërklat, dhe për pasojë redukton edhe shanset e infektimit”-shpjegon Rajnesh Bardvaj, një nga autorët e studimit.

Hapni dritaret!

Studimi i dytë, i botuar në të njëjtën revistë shkencore, eksploroi udhëtimin e aerosoleve të infektuara në një dhomë të mbyllur dhe me ajër të kondicionuar, si një klasë në shkollë apo një zyrë. Nga modeli, i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Nju Meksikos, mund të shihet se një gjest i thjeshtë siç është hapja e dritareve, e shton me më shumë se 40 për qind pjesën e grimcave virale që dalin nga ambienti i mbyllur.

LEXO EDHE:  Liderët republikanë, që mund të sabotojnë garën e Donald Trumpit në nëntor

LEXO EDHE:  Studimi/ Njerëzit me këtë grup gjaku, mund të preken nga një formë më e rëndë e infeksionit me Covid-19

Sipas autorëve, fluksi i ajrit brenda një hapësire të mbyllur, bën që midis personave të pranishëm të ketë një shkëmbim domethënës të spërklave (të paktën 1 për qind e atyre të lëshuara) edhe nëse distanca është të paktën 2.4 metra. Por kur hapni dritaret, mund të dalin jashtë deri 70 për qind të grimcave me madhësi 1 mikrometër (një e mijta e milimetrit).

Rëndësia e ambienteve të ajrosura mirë

Sipas modelit, ajri i kondicionuar mund të zhvendosë deri në 50 për qind të grimcave të emetuara në ajër nga frymëmarrja apo të folurit. Por sasia e mbetur bie mbi sipërfaqet brenda dhomës, dhe nga atje mund të vihet sërish në qarkullim (prandaj është e domosdoshme higjena e duarve).

Studimi konfirmoi ndërkohë, se shpërndarja e aerosoleve të mbetura nuk është e njëtrajtshme. Ajo ndryshon në përputhje me pikat ndryshme në dhomë, dhe se barrierat prej xhami që mbrojnë tryezën ose banakun pengojnë kalimin e ajrit, duke devijuar trajektoren, dhe duke e bërë më pak të mundur infektimin.

Masat paraprake kryesore

Studime të tilla, sigurojnë informacione të rëndësishme, se si mund të kufizohen infeksionet në ambientet e mbyllura dhe të mbushura plot me njerëz, ku ju duhet t’i frekuentoni ato personalisht. Ndaj mbani gjithmonë maska, mbajini hapur dritaret, përmirësoni sistemet e ventilimit, instaloni pengesa transparente rreth tavolinave të punës. Këto janë masat që zvogëlojnë rrezikun e infektimit nga Covid-19./ Fokus Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse është tepruar shumë me idenë e “rënies” së Amerikës

Publikuar

-

Nga

Pse është tepruar shumë me idenë e “rënies” së Amerikës

Nga Matt Purple “ The Specator”

Një nga citimet e mia të preferuara mbi Amerikën, vjen nga historiani Robert Vajb.

Në librin e tij “Vetë-sundimi”, ai shkruan:”Është e kotë t’u thuash amerikanëve ta përmirësojnë demokracinë duke qëndruar të rehatuar në komunitetet e tyre, duke humbur veten në një jetë kolektive. Nuk ka pasur asnjëherë një demokraci amerikane, pa degën e

saj të fuqishme të individualizmit”.

Dhe shembujt që mund të merrni për këtë janë në orën tuaj:nacionalistë, socialistë, konservatorë etj. Por Vajb po bënte më pak një argument politik, sesa po vëzhgonte thjesht atë që ishte përpara hundës së tij.

Amerika ka qenë gjithmonë një komb i përpjekjeve, me burra dhe gra që kërkojnë të përmbushin potencialin e tyre, dhe që irritohen nëse dikush u bllokon rrugën. Citati i mësipërm përmbledh në mënyrë të çuditshme por edhe paradoksale, jo vetëm qëndrimin e individëve, por një etikë kolektive.

Të jesh amerikan do të thotë të ecësh gjithnjë përpara, në ndjekje të atij “bashkimi më të përsosur”. Kjo s’do të thotë që ne nuk e vlerësojmë të kaluarën, por më shpesh shohim rrugën përpara sesa të mbajmë kokën pas. Ne pamë një version të shtrembëruar të këtij tipari në verë, kur protestuesit e krahut të majtë vendosën që koncepti i tyre narcisist i progresit,nënkuptonte se pjesa më e madhe e historisë amerikane duhej të fshihej.

Kjo është ana e errët e mentalitetit të përpjekjes:ai mund të degjenerojë shumë lehtë në lakmi, dhe madje edhe në një radikalizëm të stilit jakobin. Ndonjëherë ne ecim me vrull përpara, pa marrë parasysh nëse kjo është diçka e mençur apo e dëshirueshme. Nëse shpikim kioska elektronike që i lënë pa punë punonjësit e fast-food, a është ky realisht një progres?

A janë robotët seksualë një pikë kalimi drejt një të nesërme më të shndritshme?Këto janë pyetjet me të cilat do të duhet të përballen amerikanët në vitet në vazhdim.

Megjithatë, kjo qasje ka edhe përfitime. Në vend se të zhytemi në problemet tona, t’i pranojmë ato si fakte të pashlyeshme të historisë apo si defekte të pakapërcyeshme të personit njerëzor, ne kërkojmë që t’i kapërcejmë ato. Por sa mund të shpresojë të përmirësohet një komb? Dhe sa shpejt?

Viti 2020, ka sjellë me vete sfida të mëdha, dhe pyetja tani është nëse fryma jonë reformiste është në lartësinë e detyrës. Kohët e fundit Donald Trump u diagnostikua me koronavirus, presidenti i parë i goditur nga një pandemi në një shekull. Pandemia ka mbërritur në brigjet tona, duke i dhënë fund bumit ekonomik të fituar me vështirësi në vitet e para të presidencës Trump.

Në rrugët tona kanë shpërthyer trazirat. Teoria toksike enjë gare racore, e cila minon unitetin tonë të nevojshëm, ka infektuar institucionet tona elitare. Uraganet kërcënojnë Bregun Lindor; zjarret shkrumbojnë pyjet në perëndim. Amerikanët flasin ndonjëherë për vitin 2020, sikur gjithçka është një makth, dhe me të ardhur Nata e Vitit të Ri të gjitha këto probleme do të zhduken si me magji.

Megjithatë, koronavirusi dhe pasojat e tij shkatërrimtare mjekësore dhe ekonomike, do të mdihen edhe 2 vitet e ardhshme dhe ndoshta më gjatë. Ndërkohë zgjedhjet presidenciale, mund të zgjasin deri në dimër. Arsyeja është bollëku i fletëvotimeve me postë, të cilat kanë ngritur pikëpyetje (dhe procese gjyqësore), nëse autoritetet janë të gatshme t’i numërojnë ato me saktësi.

LEXO EDHE:  Studimi/ Njerëzit me këtë grup gjaku, mund të preken nga një formë më e rëndë e infeksionit me Covid-19

LEXO EDHE:  Liderët republikanë, që mund të sabotojnë garën e Donald Trumpit në nëntor

Ka që tani prova për manipulime. Sondazhet tregojnë një mungesë të madhe të besimit se zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrë të drejtë. Dhe është trishtuese kur sondazhe të tjera thonë se amerikanët janë gjithnjë e më të gatshëm për t’u përballuar me dhunë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.

Duke parë gjithë këtë situatë, mund të jetë e vështirë të mendosh se nuk gjendemi buzëgreminëssë diçkaje të tmerrshme. Analogjitë historike janë të shumta:ne jemi Vajmari gjerman, Spanja e viteve 1930, Rusia para-revolucionare, ne jemi ende Amerikë, por ajo e viteve 1850.

Dhe në fakt problemet janë të shumta, shpenzimet ushtarake janë shumë të larta,borxhi ynë kombëtar po ashtu; organet tona drejtuese janë të paralizuara nga drejtimi partiak; besimi tek institucionet tona kombëtare ka prekur fundin; standardet tona arsimore ende po bien etj.

Megjithatë, nga ne si amerikanë, kërkohet të jemi optimistë. Dhe ka arsye të kemi shpresë.

Problemet e Amerikës nuk janë të pashembullta në historinë e saj, dhe as nuk janë unike në mesin e vende të tjera.

Borxhi ynë kombëtar është ende i barabartë me disa vende të eurozonës, dhe shumë më poshtë se ai i Greqisë. Koktejet molotov fluturojnë nëpër qytetet tona, por po kështu ndodh edhe në shumë kryeqytete evropiane, përfshirë Berlinin, ku protestuesit e ekstremit të djathtë u përpoqën së fundmi të sulmojnë parlamentin.

Edhe në epokën e Trump, udhëheqësit evropianë kanë deklaruar se është koha të shohin përtej Uashingtonit për udhëheqje globale. Dakord, por kjo ngre një pyetje të thjeshtë:nëse jo Amerika, atëherë kush? Cili komb tjetër është i pozicionuar si duhet, për të përmbushur rolin tonë në botë?

Shtetet e Bashkuara kanë ende ekonominë më të madhe në botë, ushtrinë më të fuqishme, dhe një nga popullsitë më të mëdha. Aleatët e Amerikës mund ta urrejnë Trumpin, por këto janë realitete që ata nuk kanë qenë në gjendje që t’i shmangin.

Kundërshtarët e Amerikës, ata po fitojnë vetëbesim. Por shumica e këtyre sfidantëve do të ishin relativisht të dobët më vete:Venezuela, Filipinet, Irani. Dy përjashtimet janë Rusia dhe Kina, por asnjëra prej tyre nuk përbën sot një kërcënim si Bashkimi Sovjetik dikur.

Rusia ka një ekonomi më të vogël se ajo e Brazilit; zotëron vetëm një aeroplanmbajtëse, që vitin e kaluar hyri në një port të Arktikut dhe menjëherë u përfshi nga flakët. Natyrisht, Kina është një kërcënim më serioz, dhe ngritja e saj dhe totalitarizmi i tmerrshëm do të dëshmohet në mënyrë të pashmangshme si një sfidë e fortë.

Por bazat e saj ekonomike nuk kanë qenë kurrë aq të forta sa supozohet, dhe koronavirusi e ka bashkuar pjesën më të madhe të botës kundër Pekinit. Në këto kushte, vështirë se mund të jemi në prag të një epoke post-amerikane./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Studimi/ 8 në 10 pacientë të shtruar në spital me Covid-19, kishin mungesë të vitaminës D

Publikuar

-

Nga

Studimi/ 8 në 10 pacientë të shtruar në spital me Covid-19, kishin mungesë të vitaminës D

Studiuesit në Spanjë, kanë zbuluar së fundmi se 82 për qind e pacientëve të shtruar në spital me Covid-19, kishin mungesë të vitaminës D. Në studimin e fundit, ata studiuan nivelet e vitaminës D tek 216 pacientë të shtruar në spital në mars të këtij viti për t’u trajtuar për shkak të prekjes nga Covid-19.

Dhe u zbulua se të paktën 8 në 10 pacientë, kishin mungesa të qarta të vitaminës D në gjakun t tyre. Studimi i botuar të martën në “The Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”, përdori  gjithashtu një grup kontrolli prej 197 personash që jetonin në të njëjtën zonë gjeografike, dhe që ishin të ngjashëm me grupin e pacientëve Covid-19 në moshë dhe gjini.

Midis këtyre njerëzve, 47 për qind kishin mungesë të vitaminës D. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se përfundimet e këtij studimi janë korrelative, dhe jo shkakësore. Kjo do të thotë se nuk mund të arrihet në përfundimin shterues se mungesa e vitaminës D, ishte drejtpërsëdrejti përgjegjëse për një shans më të lartë për t’u shtruar në spital me Covid-19.

Megjithatë ka prova të tjera që sugjerojnë se vitamina D, mund të jetë e dobishme në mbrojtjen e individëve të shtruar në spital nga simptomat më të rrezikshme për jetën e tyre. Vitamina D, është thelbësore për shëndetin e kockave.

Por ajo gjithashtu mendohet të ketë efekte shumë të dobishme edhe në sistemin imunitar. Disa prova tregojnë se pasja e vitaminës D në nivele të mjaftueshme në gjak, mund të mbrojë një njeri nga infeksionet e traktit respirator.

Por nga ana tjetër është fakt që mungesa e vitaminës D është më se e zakonshme në mesin e popullatës. Kështu një studimi i vitit 2011, vlerëson e se rreth 41.6 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara kanë mangësi me këtë vitaminë.

Sidoqoftë, ky numër ndryshon shumë në varësi të racës. 82.1 për qind e afro-amerikanëve kanë mangësi në këtë vitaminë, ashtu si edhe 69.2 për qind të hispanikëve po në SHBA. Vitamina D, mund të prodhohet natyrshëm nga ekspozimi ndaj rrezeve të diellit.

LEXO EDHE:  Covid-19/ Sa rrezikojmë kur udhëtojmë me avion?

LEXO EDHE:  Qytetarët në Perëndim, kundër përdorimit në masë të kamerave të njohjes së fytyrës

Por ajo mund të gjendet edhe në disa ushqime, përfshirë vajin e peshkut, vezët, qumështi, dhe zëvendësuesit e qumështit me bazë bimore. Muajin e kaluar, një studim i bërë nga studiuesit në Boston, zbuloi se pacientët mbi 40 vjeç kishin mbi 50 për qind më pak të ngjarë të vdisnin nga infeksioni ,nëse kishin nivele të mjaftueshme të vitaminës D.

Gjithsesi, studimi më i fundit nga Spanja, nuk ishte në gjendje të gjente ndonjë lidhje të qartë midis mungesës së vitaminës D dhe ashpërsisë së sëmundjes. Pra, informacioni në lidhje me ndonjë përfitim mbrojtës nga vitamina D në raport me koronavirusin e ri, është akoma jo përfundimtar.

Në pjesë të caktuara të botës, sidomos aty ku orët me diell janë shumë të kufizuara gjatë stinës së dimrit, mjekët rekomandojnë rregullisht marrjen e suplementeve me vitaminën D. Pra, a duhet që të nisin tani të gjithë të marrin vitaminë, D, edhe nëse nuk është e qartë nëse ajo mund të ndihmojë në përballjen më mirë të Covid-19?

Jo domosdoshmërisht. Por është e rëndësishme të theksohet se një sasi e madh e vitaminës D mund të jetë toksike, dhe gjithashtu ajo mund të ndërveprojë me ilaçe të caktuara. Pra, nëse keni ndonjë dyshim, flisni me mjekun tuaj nëse është e rekomandueshme në rastin tuaj, dhe a është e sigurt të merrni suplemente të vitaminës D./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE