Connect with Us

“MS Estonia”, kur kontrabanda e armëve i mori jetën 852 evropianëve

Blog

“MS Estonia”, kur kontrabanda e armëve i mori jetën 852 evropianëve

Publikuar

-

“MS Estonia”, kur kontrabanda e armëve i mori jetën 852 evropianëve

Pak pas mesnatës së datës 28 shtator 1994, trageti i pasagjerëve “MS Estonia” u mbyt në ujërat e Detit Baltik. Ai po bënte linjën e zakonshme nga kryeqyteti estonez, Talin, në atë suedez Stokholm. Në fillim anija u anua, dhe më pas u mbyt në më pak se 1 orë, duke përfunduar në fundin e detit në thellësinë 80 metra.

Moti ishte i keq, por kjo gjë nuk ishte e pazakontë për stinën e vjeshtës në atë zonë. Era frynte me shpejtësi deri 25 metra në sekondë, teksa dallgët ishin nga 4-6 metra të larta. Nga 989 pasagjerët dhe ekuipazhi që gjendeshin në bord, 852 vdiqën, duke e bërë atë katastrofën më të madhe detare në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore.

501 nga viktimat e tragjedisë ishin suedezë. Shumica e tyre vdiqën nga mbytja në ujë dhe hipotermia, pasi temperatura e ujit ishte 10-11 gradë Celsius. Rreth 650 njerëz ishin ende brenda anijes kur ajo u fundos, dhe besohet se mbetën aty.

Vetëm disa orë pas ngjarjes, kryeministri i atëhershëm i Suedisë Karl Bild, nxitoi të diktojë versionin zyrtar mbi atë që kishte ndodhur. Në një prononcim për mediat, ai tha se trageti u fundos pasi pjesa ballore ishte këputur duke rënë në det, për shkak të goditjes nga dallgët.

Po atë ditë Bild thirri në zyrë Ministrin Suedez për Çështjet Detare, duke i thënë të njëjtën gjë: “Nuk ka asnjë shpjegim tjetër!”.

Më pas thirri në takim Hans Laidvan, pronarin e tragetit “MS Estonia”, të cilit i tha se “aksidenti dukej se ishte shkaktuar nga një gabim në ndërtimin e tragetit”. Një ditë më vonë, u ngrit një Komision i Përbashkët i Hetimit të Aksidenteve (JAIC).

Hetimi arriti në një përfundim paraprak vetëm 18 ditë më vonë:pjesa ballore e tragetit ishte shkëputur në det për shkak të dallgëve të mëdha, uji e kishte përmbytur kuvertën e tragetit, që u bë i paqëndrueshëm dhe u mbyt. Ky ishte edhe konkluzioni përfundimtar i komisionit tre vjet më vonë.

Si provë për këtë përfundim, komisioni tregoi disa gjëra. Pjesa ballore e skafit të tragetit u gjet rreth 1 milje detare larg nga mbetjet e tjera të tragetit. Ajo u ekzaminua dhe u filmua nga një ekip zhytësish, që gjetën të dhëna që e mbështesnin këtë përfundim.

Por nga ana tjetër u lanë pas dore informacione, që nuk i përshtateshin kësaj hipoteze. Për shkak të shumë pyetjeve të lëna pa përgjigje, lindën shumë teori dhe hipoteza të tjera. Shumë ekspertë dyshojnë pse gjatë hetimit u filmua vetëm pjesa e përparme e anijes. Gjithashtu, u vendos që trageti të mos nxirrej në sipërfaqe.

Arsyetimi ishte se operacioni i shpëtimit do të ishte shumë i shtrenjtë. Gjatë hetimit, nuk u morën parasysh deklaratat e dëshmitarëve, që binin ndesh me versionin zyrtar. Dy anëtarë të ekuipazhit, thanë se uji kishte hyrë anash dhe jo nga pjesa ballore e tragetit. Ndërkaq udhëtarë të mbijetuar, thanë se kishin dëgjuar një zhurmë të madhe para fundosjes.

Por çfarë kishte ndodhur vërtet? Një ndër hipotezat më intriguese në atë kohë, ishte ajo e kontrabandës së armëve ushtarake. Një nga të mbijetuarit, dëshmoi se kishte parë disa ushtarakë afër portit të Talinit, të cilët ngarkuan në traget 2 kamionë, vetëm pak minuta para nisjes së tij.

Dhe në fakt vitet 1990, ishin një dekadë kaotike për Rusinë dhe shtetet e Baltikut. Gjithçka ishte në shitje, dhe çdo gjë ishte e mundur. Ushtria sovjetike, ishte duke u tërhequr nga Baltiku, dhe një Rusi e demoralizuar, ishte një rast i artë për agjentët perëndimorë, që synonin të shtinin në dorë teknologji ushtarake.

LEXO EDHE:  Avioni i rrëzuar në Iran/ Presidenti ukrainas kërkon drejtësi, Irani pranon fajin

Gjatë Luftës së Ftohtë, Suedia ishte përdorur shpesh si një kanal midis Lindjes dhe Perëndimit. Një ish-punonjës i doganave suedeze, dëshmoi se disa kamionë u lejuan të futeshin nëpër tragete pa asnjë lloj kontrolli. Ndërkohë, njerëzit që mund të thoshin diçka më tepër rreth kësaj çështje vdiqën.

Ish-zyrtari i doganave në Estoni, Igor Kristopoviç, u qëllua për vdekje më 22 tetor 1994, vetëm 4 javë pas tragjedisë. Më vonë, një hetim paralel nga autoritetet estoneze, zbuloi se materialet që po kontrabandoheshin ishin armë të avancuara sovjetike, ndoshta të lidhura me armët bërthamore apo satelitët që lëshohen në hapësirë.

A kontribuoi direkt ngarkesa klandestine në atë tragjedi? Edhe në këtë rast ka disa hipoteza.

Ndoshta trageti e humbi vërtet pjesën ballore të skafit. Por ngarkesa sekrete, imponoi fshehjen e disa fakteve. Ndoshta ngarkesa përmbante eksploziv, që shpërtheu aksidentalisht dhe shkaktoi një të çarë të madhe poshtë.

Gazetari veteran suedez Lars Borgnas flet në librin e tij “Interesi kombëtar”, për një telefonatë që mori një ditë nga një njeri, që pretendoi se punonte për shërbimet inteligjente ushtarake. Ai donte të mbetej anonim, por i tha Borgnas se kishte parë rastësisht një raport të klasifikuar nga MUST, shërbimi i inteligjencës ushtarake suedeze.

Sipas tij, operacioni i kontrabandimit të materialeve ushtarake duhet të pezullohej nga frika e kontrollit në doganën suedeze. Kontrabandistët u përpoqën të hapnin pjesën ballore për të nxjerrë prej andej kamionët, por dështuan. Në këto kushte u mor një vendimi për fundosjen e “MS Estonia” me një silur.

U përdorën zhurmuesit për të penguar regjistrimin e asaj që ndodhi, por marina suedeze kishte regjistruar gjithçka me mikrofonat e saj nënujorë. Nëndetësja që lëshoi silurin, ishte nga një vend i NATO-s. Sot zona ku gjenden mbetjet e tragjedisë, është klasifikuar si një “varrezë”, ndaj aty është e paligjshme të zhytesh.

Sidoqoftë, një ekspeditë zhytësish e udhëhequr nga Juta Rabe, mori fshehurazi mostra nga skafi dhe i analizoi ato kimikisht në disa laboratorë. “Rezultatet tregojnë ndryshime në përbërjen e metaleve, çka është e ngjashme me dukurinë që vërehet pas një shpërthimi”- theksonte raporti.

Televizioni shtetëror suedez (SVT1), transmetoi në vitin 2004 një emision investigativ ku ish-shefi i doganës në Stokholm, Lennart Henrikson, konfirmoi se trageti “MS Estonia”, ishte përdorur në fakt për të transportuar në mënyrë ilegale teknologjinë ushtarake sovjetike drejt Perëndimit.

Henrikson tha se ishte urdhëruar nga lart, të lejonte hyrjen pa inspektim në port të automjeteve të caktuara, që kryenin kontrabandë të mjeteve ushtarake. Ai shtoi se për këtë ekzistonte edhe një marrëveshje sekrete midis Ove Viktorin, asokohe komandanti suprem i ushtrisë suedeze dhe Ulf Larsonit, drejtorit të përgjithshëm të doganave./ Përshtatur nga CNA.al

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Blog

Si përhapet virusi në ambientet e mbyllura/ Hapat që duhet të ndiqni për ta parandaluar

Publikuar

-

Nga

Si përhapet virusi në ambiente të mbyllura/ Hapat që duhet të ndiqni për ta parandaluar

Dy studime mbi mënyrën se si përhapen në ajër spërklat, zbulojnë informacione të reja mbi mënyrën e transmetimit të Covdi-19 në hapësira të mbyllura, një nga problemet kryesore në fazën aktuale të bashkëjetesës me koronavirusin SARS-CoV-2.

I pari hedh dritë mbi morinë e spërklave të lëshuara në ajër kur kollitemi dhe mbi efektivitetin e maskave në frenimin e tyre. I dyti analizon efektet e ventilimit të ambienteve të mbyllura, dhe shpjegon se përse këshillohet të ajrosni ambientet ku rrimë më shumë.

Vendosni maskën

Hulumtimi i parë, i botuar në “Physics of Fluids” nga dy shkencëtarë nga Instituti Indian i Teknologjisë në Bombei, propozon një model se si vëllimi i grimcave virale të nxjerra nga kollitja, ndryshon me kalimin e kohës. Studiuesit zbuluan se në5-8 sekondat e para pas kollitjes mbeten në ajër spërklat e emetuara, prandaj këto janë arsye thelbësore për përhapjen e çdo lloj infeksioni.

Pas atij momenti, “reja” e spërklave nis të shpërndahet. Gjithsesi, të dhënat më interesante kanë të bëjnë me maskat. Mbajtja e një maske kirurgjikale, e zvogëlon me 7 herë vëllimin e “reve” me grimca infektive të emetuara nga kollitja. Ndërsa maska N95, që është më filtruese, e zvogëlon me 23 herë atë vëllim.

“Çdo gjë që zvogëlon distancën e mbuluar nga kjo “re” spërklat, si mbajtja e një maske, shamie, apo kollitja me bërrylin përpara gojës, duket se ngushton shumë zonën ku shpërndahen spërklat, dhe për pasojë redukton edhe shanset e infektimit”-shpjegon Rajnesh Bardvaj, një nga autorët e studimit.

Hapni dritaret!

Studimi i dytë, i botuar në të njëjtën revistë shkencore, eksploroi udhëtimin e aerosoleve të infektuara në një dhomë të mbyllur dhe me ajër të kondicionuar, si një klasë në shkollë apo një zyrë. Nga modeli, i zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Nju Meksikos, mund të shihet se një gjest i thjeshtë siç është hapja e dritareve, e shton me më shumë se 40 për qind pjesën e grimcave virale që dalin nga ambienti i mbyllur.

LEXO EDHE:  Trageti 7 orë për t’u ankoruar në Vlorë/ Pezullohen lundrimet nga moti i keq

LEXO EDHE:  Tragjedia në Genova/ Familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi

Sipas autorëve, fluksi i ajrit brenda një hapësire të mbyllur, bën që midis personave të pranishëm të ketë një shkëmbim domethënës të spërklave (të paktën 1 për qind e atyre të lëshuara) edhe nëse distanca është të paktën 2.4 metra. Por kur hapni dritaret, mund të dalin jashtë deri 70 për qind të grimcave me madhësi 1 mikrometër (një e mijta e milimetrit).

Rëndësia e ambienteve të ajrosura mirë

Sipas modelit, ajri i kondicionuar mund të zhvendosë deri në 50 për qind të grimcave të emetuara në ajër nga frymëmarrja apo të folurit. Por sasia e mbetur bie mbi sipërfaqet brenda dhomës, dhe nga atje mund të vihet sërish në qarkullim (prandaj është e domosdoshme higjena e duarve).

Studimi konfirmoi ndërkohë, se shpërndarja e aerosoleve të mbetura nuk është e njëtrajtshme. Ajo ndryshon në përputhje me pikat ndryshme në dhomë, dhe se barrierat prej xhami që mbrojnë tryezën ose banakun pengojnë kalimin e ajrit, duke devijuar trajektoren, dhe duke e bërë më pak të mundur infektimin.

Masat paraprake kryesore

Studime të tilla, sigurojnë informacione të rëndësishme, se si mund të kufizohen infeksionet në ambientet e mbyllura dhe të mbushura plot me njerëz, ku ju duhet t’i frekuentoni ato personalisht. Ndaj mbani gjithmonë maska, mbajini hapur dritaret, përmirësoni sistemet e ventilimit, instaloni pengesa transparente rreth tavolinave të punës. Këto janë masat që zvogëlojnë rrezikun e infektimit nga Covid-19./ Fokus Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Pse është tepruar shumë me idenë e “rënies” së Amerikës

Publikuar

-

Nga

Pse është tepruar shumë me idenë e “rënies” së Amerikës

Nga Matt Purple “ The Specator”

Një nga citimet e mia të preferuara mbi Amerikën, vjen nga historiani Robert Vajb.

Në librin e tij “Vetë-sundimi”, ai shkruan:”Është e kotë t’u thuash amerikanëve ta përmirësojnë demokracinë duke qëndruar të rehatuar në komunitetet e tyre, duke humbur veten në një jetë kolektive. Nuk ka pasur asnjëherë një demokraci amerikane, pa degën e

saj të fuqishme të individualizmit”.

Dhe shembujt që mund të merrni për këtë janë në orën tuaj:nacionalistë, socialistë, konservatorë etj. Por Vajb po bënte më pak një argument politik, sesa po vëzhgonte thjesht atë që ishte përpara hundës së tij.

Amerika ka qenë gjithmonë një komb i përpjekjeve, me burra dhe gra që kërkojnë të përmbushin potencialin e tyre, dhe që irritohen nëse dikush u bllokon rrugën. Citati i mësipërm përmbledh në mënyrë të çuditshme por edhe paradoksale, jo vetëm qëndrimin e individëve, por një etikë kolektive.

Të jesh amerikan do të thotë të ecësh gjithnjë përpara, në ndjekje të atij “bashkimi më të përsosur”. Kjo s’do të thotë që ne nuk e vlerësojmë të kaluarën, por më shpesh shohim rrugën përpara sesa të mbajmë kokën pas. Ne pamë një version të shtrembëruar të këtij tipari në verë, kur protestuesit e krahut të majtë vendosën që koncepti i tyre narcisist i progresit,nënkuptonte se pjesa më e madhe e historisë amerikane duhej të fshihej.

Kjo është ana e errët e mentalitetit të përpjekjes:ai mund të degjenerojë shumë lehtë në lakmi, dhe madje edhe në një radikalizëm të stilit jakobin. Ndonjëherë ne ecim me vrull përpara, pa marrë parasysh nëse kjo është diçka e mençur apo e dëshirueshme. Nëse shpikim kioska elektronike që i lënë pa punë punonjësit e fast-food, a është ky realisht një progres?

A janë robotët seksualë një pikë kalimi drejt një të nesërme më të shndritshme?Këto janë pyetjet me të cilat do të duhet të përballen amerikanët në vitet në vazhdim.

Megjithatë, kjo qasje ka edhe përfitime. Në vend se të zhytemi në problemet tona, t’i pranojmë ato si fakte të pashlyeshme të historisë apo si defekte të pakapërcyeshme të personit njerëzor, ne kërkojmë që t’i kapërcejmë ato. Por sa mund të shpresojë të përmirësohet një komb? Dhe sa shpejt?

Viti 2020, ka sjellë me vete sfida të mëdha, dhe pyetja tani është nëse fryma jonë reformiste është në lartësinë e detyrës. Kohët e fundit Donald Trump u diagnostikua me koronavirus, presidenti i parë i goditur nga një pandemi në një shekull. Pandemia ka mbërritur në brigjet tona, duke i dhënë fund bumit ekonomik të fituar me vështirësi në vitet e para të presidencës Trump.

Në rrugët tona kanë shpërthyer trazirat. Teoria toksike enjë gare racore, e cila minon unitetin tonë të nevojshëm, ka infektuar institucionet tona elitare. Uraganet kërcënojnë Bregun Lindor; zjarret shkrumbojnë pyjet në perëndim. Amerikanët flasin ndonjëherë për vitin 2020, sikur gjithçka është një makth, dhe me të ardhur Nata e Vitit të Ri të gjitha këto probleme do të zhduken si me magji.

Megjithatë, koronavirusi dhe pasojat e tij shkatërrimtare mjekësore dhe ekonomike, do të mdihen edhe 2 vitet e ardhshme dhe ndoshta më gjatë. Ndërkohë zgjedhjet presidenciale, mund të zgjasin deri në dimër. Arsyeja është bollëku i fletëvotimeve me postë, të cilat kanë ngritur pikëpyetje (dhe procese gjyqësore), nëse autoritetet janë të gatshme t’i numërojnë ato me saktësi.

LEXO EDHE:  Së shpejti trageti Ohër – Shën Naum – Pogradec

LEXO EDHE:  Avioni i rrëzuar në Iran/ Presidenti ukrainas kërkon drejtësi, Irani pranon fajin

Ka që tani prova për manipulime. Sondazhet tregojnë një mungesë të madhe të besimit se zgjedhjet do të zhvillohen në mënyrë të drejtë. Dhe është trishtuese kur sondazhe të tjera thonë se amerikanët janë gjithnjë e më të gatshëm për t’u përballuar me dhunë ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.

Duke parë gjithë këtë situatë, mund të jetë e vështirë të mendosh se nuk gjendemi buzëgreminëssë diçkaje të tmerrshme. Analogjitë historike janë të shumta:ne jemi Vajmari gjerman, Spanja e viteve 1930, Rusia para-revolucionare, ne jemi ende Amerikë, por ajo e viteve 1850.

Dhe në fakt problemet janë të shumta, shpenzimet ushtarake janë shumë të larta,borxhi ynë kombëtar po ashtu; organet tona drejtuese janë të paralizuara nga drejtimi partiak; besimi tek institucionet tona kombëtare ka prekur fundin; standardet tona arsimore ende po bien etj.

Megjithatë, nga ne si amerikanë, kërkohet të jemi optimistë. Dhe ka arsye të kemi shpresë.

Problemet e Amerikës nuk janë të pashembullta në historinë e saj, dhe as nuk janë unike në mesin e vende të tjera.

Borxhi ynë kombëtar është ende i barabartë me disa vende të eurozonës, dhe shumë më poshtë se ai i Greqisë. Koktejet molotov fluturojnë nëpër qytetet tona, por po kështu ndodh edhe në shumë kryeqytete evropiane, përfshirë Berlinin, ku protestuesit e ekstremit të djathtë u përpoqën së fundmi të sulmojnë parlamentin.

Edhe në epokën e Trump, udhëheqësit evropianë kanë deklaruar se është koha të shohin përtej Uashingtonit për udhëheqje globale. Dakord, por kjo ngre një pyetje të thjeshtë:nëse jo Amerika, atëherë kush? Cili komb tjetër është i pozicionuar si duhet, për të përmbushur rolin tonë në botë?

Shtetet e Bashkuara kanë ende ekonominë më të madhe në botë, ushtrinë më të fuqishme, dhe një nga popullsitë më të mëdha. Aleatët e Amerikës mund ta urrejnë Trumpin, por këto janë realitete që ata nuk kanë qenë në gjendje që t’i shmangin.

Kundërshtarët e Amerikës, ata po fitojnë vetëbesim. Por shumica e këtyre sfidantëve do të ishin relativisht të dobët më vete:Venezuela, Filipinet, Irani. Dy përjashtimet janë Rusia dhe Kina, por asnjëra prej tyre nuk përbën sot një kërcënim si Bashkimi Sovjetik dikur.

Rusia ka një ekonomi më të vogël se ajo e Brazilit; zotëron vetëm një aeroplanmbajtëse, që vitin e kaluar hyri në një port të Arktikut dhe menjëherë u përfshi nga flakët. Natyrisht, Kina është një kërcënim më serioz, dhe ngritja e saj dhe totalitarizmi i tmerrshëm do të dëshmohet në mënyrë të pashmangshme si një sfidë e fortë.

Por bazat e saj ekonomike nuk kanë qenë kurrë aq të forta sa supozohet, dhe koronavirusi e ka bashkuar pjesën më të madhe të botës kundër Pekinit. Në këto kushte, vështirë se mund të jemi në prag të një epoke post-amerikane./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE

Blog

Studimi/ 8 në 10 pacientë të shtruar në spital me Covid-19, kishin mungesë të vitaminës D

Publikuar

-

Nga

Studimi/ 8 në 10 pacientë të shtruar në spital me Covid-19, kishin mungesë të vitaminës D

Studiuesit në Spanjë, kanë zbuluar së fundmi se 82 për qind e pacientëve të shtruar në spital me Covid-19, kishin mungesë të vitaminës D. Në studimin e fundit, ata studiuan nivelet e vitaminës D tek 216 pacientë të shtruar në spital në mars të këtij viti për t’u trajtuar për shkak të prekjes nga Covid-19.

Dhe u zbulua se të paktën 8 në 10 pacientë, kishin mungesa të qarta të vitaminës D në gjakun t tyre. Studimi i botuar të martën në “The Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”, përdori  gjithashtu një grup kontrolli prej 197 personash që jetonin në të njëjtën zonë gjeografike, dhe që ishin të ngjashëm me grupin e pacientëve Covid-19 në moshë dhe gjini.

Midis këtyre njerëzve, 47 për qind kishin mungesë të vitaminës D. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se përfundimet e këtij studimi janë korrelative, dhe jo shkakësore. Kjo do të thotë se nuk mund të arrihet në përfundimin shterues se mungesa e vitaminës D, ishte drejtpërsëdrejti përgjegjëse për një shans më të lartë për t’u shtruar në spital me Covid-19.

Megjithatë ka prova të tjera që sugjerojnë se vitamina D, mund të jetë e dobishme në mbrojtjen e individëve të shtruar në spital nga simptomat më të rrezikshme për jetën e tyre. Vitamina D, është thelbësore për shëndetin e kockave.

Por ajo gjithashtu mendohet të ketë efekte shumë të dobishme edhe në sistemin imunitar. Disa prova tregojnë se pasja e vitaminës D në nivele të mjaftueshme në gjak, mund të mbrojë një njeri nga infeksionet e traktit respirator.

Por nga ana tjetër është fakt që mungesa e vitaminës D është më se e zakonshme në mesin e popullatës. Kështu një studimi i vitit 2011, vlerëson e se rreth 41.6 për qind e të rriturve në Shtetet e Bashkuara kanë mangësi me këtë vitaminë.

Sidoqoftë, ky numër ndryshon shumë në varësi të racës. 82.1 për qind e afro-amerikanëve kanë mangësi në këtë vitaminë, ashtu si edhe 69.2 për qind të hispanikëve po në SHBA. Vitamina D, mund të prodhohet natyrshëm nga ekspozimi ndaj rrezeve të diellit.

LEXO EDHE:  Humbën jetën nga shembja e skelës/ Erion Braçe pranon përgjegjësinë

LEXO EDHE:  Tragjedia në Genova/ Familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi

Por ajo mund të gjendet edhe në disa ushqime, përfshirë vajin e peshkut, vezët, qumështi, dhe zëvendësuesit e qumështit me bazë bimore. Muajin e kaluar, një studim i bërë nga studiuesit në Boston, zbuloi se pacientët mbi 40 vjeç kishin mbi 50 për qind më pak të ngjarë të vdisnin nga infeksioni ,nëse kishin nivele të mjaftueshme të vitaminës D.

Gjithsesi, studimi më i fundit nga Spanja, nuk ishte në gjendje të gjente ndonjë lidhje të qartë midis mungesës së vitaminës D dhe ashpërsisë së sëmundjes. Pra, informacioni në lidhje me ndonjë përfitim mbrojtës nga vitamina D në raport me koronavirusin e ri, është akoma jo përfundimtar.

Në pjesë të caktuara të botës, sidomos aty ku orët me diell janë shumë të kufizuara gjatë stinës së dimrit, mjekët rekomandojnë rregullisht marrjen e suplementeve me vitaminën D. Pra, a duhet që të nisin tani të gjithë të marrin vitaminë, D, edhe nëse nuk është e qartë nëse ajo mund të ndihmojë në përballjen më mirë të Covid-19?

Jo domosdoshmërisht. Por është e rëndësishme të theksohet se një sasi e madh e vitaminës D mund të jetë toksike, dhe gjithashtu ajo mund të ndërveprojë me ilaçe të caktuara. Pra, nëse keni ndonjë dyshim, flisni me mjekun tuaj nëse është e rekomandueshme në rastin tuaj, dhe a është e sigurt të merrni suplemente të vitaminës D./ Përshtatur nga CNA.al

LEXO TE PLOTE