Connect with Us

20 mijë të rinj dolën të papunë nga pandemia në tremujorin e dytë, 61% e totalit

Ekonomi

20 mijë të rinj dolën të papunë nga pandemia në tremujorin e dytë, 61% e totalit

Publikuar

-

Papunësia tek të rinjtë shënoi rritje të dukshme në tremujorin e dytë të vitit, për shkak të shkurtimit të personelit në sektorin e shërbimeve, hotele, bare, restorante dhe fabrika.

Sipas Përmbledhje së treguesve të tregut të punës vlerësuar sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, në tremujorin e dytë rezulton se numri i të punësuarve të moshës 15-29 vjeç ishte 262.3 mijë, ose rreth 20 mijë të rinj të punësuar më pak në krahasim me tremujorin e parë. Nga 33 mijë persona që rezultojnë të kenë humbur punën vetëm në tremujorin e dytë, 61% e tyre ishin të rinj, të grupmoshës 15-29 vjeç.

Edhe sipas të dhënave administrative mbi tregun e punës të raportuara nga INSTAT gjatë periudhës prill-qershor gati 19 mijë të rinj të moshës 15-29 vjeç u regjistruan si punëkërkues në zyrat e punës ose 16% më shumë se tremujorin e dytë të vitit 2019.

Ky ishte niveli më i lartë i punëkërkuesve të papunë që nga tremujori i fundit i vitit 2016.

Ndërsa sipas të dhënave nga anketa e punës shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë arriti në 21,4 % në tremujori e dytë. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e dytë të vitit 2020 është 0,5 pikë përqindje më e lartë. Sipas anketës krahasuar me tremujorin e parë 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë është rritur me 1,4 pikë përqindje.

Papunësia ndër të rinjtë, një problem i mprehtë i ekonomisë së tranzicionit erdhi në zbutje vitet e fundit.

Tregu i punës u bë më dinamik si pasojë e zhvillimit të bizneseve call center dhe një ecurie më të mirë të sektorit të shërbimeve nga zhvillimet të turizmit. Paralelisht kërkesa për punë erdhi në rënie, pasi shumë të rinj i janë drejtuar tregut ndërkombëtar, nëpërmjet kontratave të përhershme ose sezonale. Emigrimi dhe rënia e lindjeve po sjellin një rënie dramatike të numrit të të rinjve, fenomen që pritet të sjellë ndikime afatgjata negative në zhvillimin ekonomik të vendit.

Nga zyrat e punës mësohet se shkaku kryesor i rritjes së papunësisë ndër të rinj është mungesa e ofertës për punë. Aktualisht në portalin e Zyrës Kombëtarë të Punësimit ka vetëm 270 oferta për punë nga bizneset. Vitet e kaluara ofertat për punë nga sektori i biznesit arrinin në rreth 40 mijë. Edhe 270 ofertat, vijnë për profesione që nuk kërkojnë kualifikim të lartë të tilla, si kamerier, kuzhinier etj.

LEXO EDHE:  Maqedonia e Veriut, votime të rëndësishme në kohë pandemie

Sipas të dhënave të INSTAT shkurtimet më të mëdha nga puna gjatë pandemisë janë aplikuar nga sektori i bareve dhe restoranteve ku raportohet rënie e indeksit të punësimit me 31.8%, e pasuar nga hotelet me -20.2% dhe fabrikat me -12.8%.

Rënie të punësimit shënuan edhe disa linja të tjera shërbimesh të tilla si aktivitetet inxhinierike, me -2.5%, informacioni dhe komunikimi me -2.3%, tregtia dhe riparimi i automjeteve me -2.2% dhe agjencitë e udhëtimit me -2.1%.

Në disa linja të sektorit të prodhimit tregu i punës nuk është ndikuar nga pandemia. Furnizimi më ujë dhe përpunimi i mbetjeve shënoi rritje të punësimit me 4.6 për qind në raport me tremujorin e dytë të vitit. Kjo rritje duket se është nxitur nga punësimi në ndërmarrjet shtetërore të ujësjellësit, pasi pjesa dërrmuese e tyre janë në pronësi publike.

Sektori i ndërtimit gjithashtu shënoi rritje vjetore me 1.9 për qind gjatë pandemisë në tremujorin e dytë. Sektori nuk e ndaloi aktivitetin as gjatë masave kufizuese teksa nisja e procesit të rindërtimit në zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 duket se ka nxitur punësimin në ndërtim.

Rritje të punësimit ka pasur edhe sektori i energjisë elektrike me rreth 1.2 për qind. Prodhimi i energjisë elektrike nuk është prekur nga kriza teksa rritja e punësimit është nxitur nga investimet gjithnjë e në rritje në ndërtimin e HEC-ve./Monitor

Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë në facebook : City News Albania
KLIKO PER TE KOMENTUAR

Komentoni

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekonomi

Raporti/ Familjet shqiptare janë ndër më të pamundurat në rajon për të paguar borxhet

Publikuar

-

Nga

Familjet borxhlie në Rumani dhe Shqipëri harxhojnë gati 1 të katërtën e të ardhurave mujore për të shlyer këstet e borxhit.

Për këtë arsye janë më të predispozuara për tu prekur nga krizat ekonomike, thuhet në raportin e stabilitetit Financiar për 6 mujorin e parë 2020 të publikuar nga Banka Qendrore e Austrisë.

Borxhi i familjeve si përqindje e PBB është mjaft heterogjen në të gjithë rajonin CESEE-së, duke filluar nga 11% në Shqipëri në 34% në Poloni në 2019. Përgjithësisht borxhi i familjeve është më i lartë në vende me PBB më të lartë për frymë.

Megjithatë, një sondazhi i Bankës Qendrore të Austrisë në vendet e Rajonit ka gjetur se, borxhi i ndaj të ardhurave është shumë më i lartë në vende të tilla si Rumania dhe Shqipëria .

Shërbimi i borxhit ndaj të ardhurave, i cili lidhet me këstin mujor të huasë së një familjeje. Ky tregues për periudhën nga 2017 në 2019 është e lartë në Rumani dhe Shqipëri (shih grafikun bashkëngjitur). Por ndërkohë familjet në këto kanë nivele më të ultë borxhi në raport me PBB për shkak të nivelit të ulët të kreditimit.

Gati gjysma e familjeve borxhlie në Rumani dhe Shqipëri shpenzojnë të paktën një të katërtën te të ardhurave të tyre neto për pagesat e borxhit të tyre. Prandaj, në këto vende, familjet me detyrime ka më shumë të ngjarë të ekspozohet ndaj goditjeve te të ardhurave pasi nuk kanë pak hapësira për manovrim.

Të dhënat kombëtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar 24% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar.

LEXO EDHE:  Deklarata e OBSH-së/ Midis tetorit dhe nëntorit në Europë do rritet numri i viktimave

LEXO EDHE:  "Në kërkim të një alibie"/ Dasho tregon strategjitë e qeverisë për t'i mbushur mendjen shqiptarëve

Mirëpo nga borxhi total i familjeve, 27% e tij është siguruar në tregun e zi dhe është në formën e mallrave të papaguar në dyqane.

Banka e Shqipërisë raportoi se, totali i tepricës së raportuar të huasë rezulton në rritje krahasuar me vrojtimin e kaluar dhe me një vit më parë.

Rreth 73% e kësaj teprice është siguruar nga burime formale (68% nga bankat dhe 5% nga institucione financiare jobanka) dhe rreth 27% nga burime joformale (si ‘persona fizikë’, ‘hua në formë malli’ etj.).

Kjo strukturë është zhvendosur me 3 pp në favor të huamarrjes formale në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë. Në përbërjen sipas monedhës, rezulton se 71% e tepricës është në lekë dhe 14% në valutë (kryesisht euro)./Monitor

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Pikëpyetjet e buxhetit 2021/ Analistët skeptikë për të ardhurat dhe shpenzimet

Publikuar

-

Nga

Pikëpyetjet e buxhetit 2021/ Analistët skeptikë për të ardhurat dhe shpenzimet

Më 16 nëntor Kuvendi miratoi buxhetin e shumëdiskutuar të vitit 2021. Ky buxhet u votua nga ligjvënësit me 84 vota pro, 14 kundër dhe 1 abstenim.

84 deputetë ngritën kartonët jeshil për ligjin kryesor financiar në vend, i cili është parashikuar në dy drejtime, përballimin e pandemisë dhe rindërtimin nga tërmeti.

Pritshmëritë e qeverisë për vitin 2021 janë që të ardhurat buxhetore të shkojnë në vlerën 479 miliardë lekë ose 3,86 miliardë euro, si dhe të bëjë shpenzime në vlerë 588 miliardë lekë ose 4,74 miliardë euro.

Një vend shumë të rëndësishëm në këtë buxhet zë shëndetësia.

Duke iu referuar këtij ligji buxheti i ministrisë së Shëndetësisë pritet të rritet 2.2 miliardë lekë duke shkuar në total në rreth 70 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaçeve që përdoren në këtë situatë pandemie.

Qeveria ka parashtruar dy skema për rimbursimin e ilaçeve covid, të cilat kapin vlerën e 1.2 mld lekë.  Sipas protokollit mjekësor do të përfitojnë ata paciente që kalojnë sëmundjen në formën e lehtë ose të mesme, gjendje këto të cilat trajtohen në banesë.

Për formën e lehtë, shteti do të rimbursojë çmimin tavan 1650 lekë. Ndërsa në  stadin mesëm shteti rimburson recetën me 10900 lekë, edhe pse kosto e shërimit mund të jetë më e lartë.

Një zë të veçantë në financat e vitit 2021 do të zënë edhe naftëtarët e Ballshit. Pas arritjes së marrëveshjes me qeverisë, në buxhet është parashikuar që të alokohen 560 milionë lekë, i cili do të shërbejë si fond page prej 40 mijë lekësh për naftëtarët për një periudhë 12 mujore.

Edhe për sektorin e bujqësisë parashikohet të ketë një mbështetje më të madhe financiare. Rritja e buxhetit për këtë sektor pritet të jetë në 950 milionë lekë, e cila do të shkojë për skemën e rimbursimit të karburantit për fermerët, ndërsa një fond prej 200 milionë lekësh do të shkojë për investime në diga për përballimin e përmbytjeve.

Po kështu, financat e vitit të ardhshëm parashikojnë edhe rritjen e pagave për mjekët me 40% si edhe për arsimtarët me 15%, rritje e cila fillon nga 1 janari 2021.

Por si është analizuar ky buxhet nga specialistët e ekonomisë në Euronews Albania?

E para që ka mbështetur këtë buxhet të ri është Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit të Ekonomisë. Për Euronews Albania ajo u shpreh se miratimi i këtij buxheti shihet me një sy optimist mbi të gjitha sepse është i përqendruar dhe i jep një vëmendje të veçantë shëndetësisë.

“Ky buxhet kërkon t’i japë përgjigje rasteve dhe situatave emergjente që po kalon vendi,”  u shpreh Ekonomi.

LEXO EDHE:  “Në kërkim të një alibie”/ Dasho tregon strategjitë e qeverisë për t’i mbushur mendjen shqiptarëve

LEXO EDHE:  Projektligji për ndërhyrjen në banka/ Në rast kolapsi, kostot i mbajnë aksionerët

Duke e quajtur këtë buxhet optimist, ajo theksoi se ai përveç vitit elektoral do të ketë impakt në ekonomi dhe do i japë përgjigje pandemisë.

Por, ky buxhet është kundërshtuar nga eksperti i Ekonomisë, Artan Hoxha. Në Euronews Albania Hoxha nënvizoi se ky është një buxhet me jetëgjatësi të shkurtër që do të rishikohet shumë shpejt. Kjo sipas Hoxhës, pasi jemi në kohë pandemie dhe nuk mund të parashikojnë më saktësi buxhetin në shëndetësi dhe se në këtë kohë është problem rritja e borxhit publik.

Të njëjtin mendim me Hoxhën ndan edhe Altin Hoti, profesor i Ekonomisë në Universitetin Amerikan të Lindjes së Mesme në Kuvajt. Eksperti Hoti deklaroi për Euronews Albania se buxheti i vitit 2021 është i parealizueshëm për sa i përket të ardhurave, ashtu edhe për shpenzimet.

“Qeveria nuk merr parasysh situatën aktuale si për shembull COVID-in, i cili ka tkurrur ekonominë. Dhe të jesh optimist për mbledhjen e të ardhurave në këtë situatë është të jesh jorealist”, tha Hoti.

Po kështu ai u shpreh se ndryshimi i sistemit të taksave ka tkurrur investimet e huaja në vend, gjë që ka sjellë probleme në ekonomi.

Në të njëjtën linjë është edhe eksperti i ekonomisë dhe dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Luarasi, Mateo Spaho. Ky i fundit u shpreh për Good Morning Albanians se buxheti i vitit 2021 është një buxhet ëndërrimtar dhe i pamundur që të realizohet. Eksperti theksoi se duke qenë në kohë pandemie, rritja e ekonomike vitin tjetër do të jetë më e ulët. Sipas tij, pas zgjedhjeve të 25 prillit në këtë buxhet do të ketë ndryshime.

Miratimi i buxhetit u trajtua në studion ne Euronews Albania edhe nga zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi përballë gazetares Ilva Tare. Haxhi tha se planet e shtruara në letër nuk do jenë të lehta për t’i realizuar.

Ndërsa gazetari dhe eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli është shprehur skeptik për performancën ekonomike. Ai theksoi se llogaritë e qeverisë janë shumë entuziaste dhe se se shanset për t’i bërë realitet ato janë shumë të limituara, për shkak se në arkën e shtetit gjatë këtij viti mungojnë rreth 280 milionë euro.

Pra edhe siç duket qartë, projektbuxheti i vitit 2021 nuk është pritur mirë nga ekspertët e ekonomisë. Të gjithë analizat vijnë në një kohë pandemie, kur jo vetëm ekonomia shqiptare por edhe ajo globale po pësojnë goditje të njëpasnjëshme.

Ndërkohë qeveria shqiptare vijon me premtimet në ekonomi, kjo për shkak se ndodhemi vetëm pak muaj larg zgjedhjeve dhe “de fakto” ka nisur fushata. Gjithsesi duke iu referuar analizave ky buxhet mbetet shumë optimist./euronews

LEXO TE PLOTE

Ekonomi

Baret dhe restorantet paralajmërojnë protesta

Publikuar

-

Nga

Pesha e sektorit të akomodimit dhe shërbimit ushqimor në ekonomi është 2,4%. Në këtë sektor sigurojnë jetesën rreth 56 mijë persona. Baret dhe restorantet kanë një kontribut të rëndësishëm në këtë segment. Në vend ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

Frekuentimi në bare dhe restorante në këtë periudhë shënoi rënie, çka solli reduktim 40% të xhiros për këtë shërbim sipas përfaqësuesit të Shoqatës, Enri Jahaj.

“Edhe pse institucionet shtetërore shpeshherë kanë deklaruar për rrezikun e infektimit gjatë mbrëmjes, nëpër bare dhe restorante, aktualisht pas orës 20:00 në këto njësi, në zonën e ish-Bllokut dhe vende të tjera të Tiranës nuk ka asnjë klient. Njerëzit janë të frikësuar nga infektimi, ndërsa për shumë të tjerë të ardhurat janë reduktuar nga humbja e punës. Shumë biznese po mbyllin aktivitetin, sidomos baret dhe restorantet familjare. Klubet e natës kanë falimentuar, ndërsa taksat dhe detyrimet për ta nuk kanë ndryshuar”.

Parashikimet e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve për një “lockdown” të dytë janë për falimentim të 30% të strukturave të këtij shërbimi në Shqipëri. Enri Jahaj paralajmëron nisjen e protestave, nëse ata nuk do të mbështeten financiarisht nga qeveria.

“Nëse bëjmë retrospektivë, duke parë situatën e infektimeve në fillimet e pandemisë ishim të parët që propozuam mbylljen e bareve dhe kur doli vendimi i muajit mars, rezultonte se gjysma e bizneseve ishin mbyllur. Nga ana tjetër, shumë biznese ende nuk kanë përfituar ndihmën financiare të premtuar nga qeveria, madje shumë prej tyre iu është refuzuar aplikimi për arsye nga më absurdet. Kur ne kërkonim hapjen dhe lehtësimin e masave, ishim të fundit që u dëgjuam dhe përgjigjja që na erdhi nga institucionet ishte, se qeveria ka bërë këtë dhe atë për tërmetin dhe pagat e luftës.

Propagandë, e asnjë zgjidhje. Në kushtet ku po bëjmë biznes, një kufizim pa asnjë lloj ndihme do të ishte katastrofik për të gjithë biznesin HoReCa, duke mos na dhënë asnjë lloj zgjidhje tjetër, përveç daljes në rrugë dhe kërkimit të të drejtave për investimet tona, që të kemi sadopak dinjitet ne dhe stafi ynë”.

Dëmet e COVID-19 tek industria e eventeve

Pavarësisht se në strukturën e ekonomisë, pesha që zë sektori i artit, argëtimit dhe çlodhjes është më e ulëta, rreth 1%, dëmi parashikohet të jetë i lartë për ekonominë, pasi sektorit i janë pezulluar eventet dhe festat e fundvitit. Aktualisht, më të prekurit nga kjo situatë janë kompanitë që merren me organizimin e eventeve. Ndryshe nga sa shpresuan këta operatorë, edhe pas hapjes së ekonomisë, qeveria ende vazhdon të ketë në fuqi vendimin për mosmbajtjen e tyre. Përfaqësuesi i “Geraldina Sposa”, një ndër kompanitë më të mëdha në vend për eventet, Armand Peza, tha për “Monitor” se humbjet monetare për industrinë në tërësi deri tani llogariten 400 mln euro. Sipas tij, dëmet janë shkaktuar nga pezullimi i dasmave, festave familjare në ambiente të mbyllura, mbrëmjeve gala të promocionit që zhvillojnë korporatat, panaireve, ekspozitave, mosfunksionimi i protokollit të shtetit etj. (në këtë periudhë janë mbajtur vetëm festat e ditëlindjeve, kur zhvillohen në ambiente të hapura). Z. Peza parashikon që humbjet të rriten për shkak të moslejimit të festave për fundvit.

LEXO EDHE:  “Pandemia ekonomike po bën kërdinë”/ Tabaku: Shqipëria me borxhin më të lartë publik në rajon

LEXO EDHE:  Maqedonia e Veriut, votime të rëndësishme në kohë pandemie

Drejtori i “Balkan Film Market”, Andamion Murataj, e konsideron vendimin për pezullimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike pa mbështetje financiare, si bumerang për vetë shtetin. “Sektori i artit dhe i kulturës është pjesë integrale e atyre që quhen kreative të industrisë. P.sh., bumi i koncerteve dhe festivaleve të verës lidhet me fluksin e turistëve në plazhe. Sezoni teatror i vjeshtës dhe ekspozitat për periudhën shtator deri për Vitin e Ri lidhet me kthimin e studentëve dhe qytetareve në qytete. Pra arteriet kryesore të ekonomisë shqiptare do të ndikohen rrënjësisht nga mbyllja e vendit. E rëndësishme është të kuptohet se qeveria, duke mos hedhur investime ekstra në industrinë krijuese, siç po ndodh në çdo vend, në fund do të paguajë kosto të lartë, pasi edhe bumerangu do të jetë më i lartë. Në shtete si Italia, Greqia, Kroacia, etj., nuk është se qeveria e do më shumë artin dhe kulturën që po hedh para me tepri në këta sektorë, thjesht po lehtëson koston financiare që do të paguajë më pas. Pikërisht kjo nuk po arrihet të kuptohet te ne. Nëse mbyllen bizneset e lidhura me artin dhe kulturën, si mungesë e mbështetjes qeveritare, kostoja është e shumëfishtë, se jo vetëm tkurr ekonominë, rrit papunësinë, por do të rrisë edhe koston që duhet të paguajë qeveria për këta të papunë. Si rezultat do të rritet krimi dhe emigracioni, kostot e të cilave janë përmbytëse për nivelin ekonomik që ndodhet vendi”./Monitor

LEXO TE PLOTE